Edhe pas 5 vitesh, vetting i papërfunduar; ish magjistratët tashmë në sallat e gjykimit, por si avokatë

Është viti 2022. Kanë kaluar më shumë se pesë vjet që procesi i vetting-ut ka filluar, më shumë se 3 vjet që një numër i madh i gjyqtarëve është shkarkuar për shkak të paaftësisë për të justifikuar mjetet e tyre financiare. Një numër i konsiderueshëm ish-gjyqtarësh tashmë ushtrojnë profesionin e avokatit, lejuar kjo dhe nga parashikimet ligjore të dakordësuara mes Dhomës së Avokatisë dhe politikës. Përgjegjësia mbi pasurinë e pajustifikuar të këtyre ish-magjitratëve ka mbetur ende jetime.

Autorë: Dallandyshe Xhaferri dhe Esmeralda Pashollari

Më 10 Shkurt të këtij viti, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 118 vota pro zgjatjen me 36 muaj të funksionit të organeve përgjegjëse për mbarëvajtjen e procesit të vlerësimit kalimtar të magjistratëve të Republikës së Shqipërisë, me të gjithë institucionet përbërëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegjine Posaçëm të Apelimit dhe Komisionerëve Publikë.

Sipas analizave të bëra nga Këshilli Legjislativ, në katër vite aktivitet, organet e Reformës në Drejtësi kanë arritur të rivlerësojnë një pjesë të madhe të dosjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve, por akoma mbetet në proces ose pa nisur 1/3 e tyre.

Deri më sot, organet e vetting-ut kanë marrë vendimin për shkarkimin nga detyra e 122 gjytarëve dhe 75 prokurorëve, që nga nisja e procesit të Vetting-ut në Shqipëri dhe deri më 30 Qershor të këtij viti, ndërkohë procesi është ndërprerë për 49 gjyqtarë dhe 21 prokurorë.

“Deri më sot Komisioni nuk ka shkarkuar nga detyra asnjë subjekt rivlerësimi vetëm për kriterin profesional”, – thuhet në përgjigjen zyrtare me shkrim të KPK-së, ku theksohet se “pjesa më e madhe e vendimeve të shkarkimit nga detyra u përket atyre subjekteve që nuk kanë mundur të kalojnë filtrin për kriterin e pasurisë”.

Salla e zhvillimit të seancave të rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Sipas këtij institucioni, deri më 30 Qershor 2022, janë ankimuar 217 vendime të tij pranë KPA, midis të cilësve ata që janë shkarkuar dhe ata që kanë dhënë dorëheqjen sipas nenit G të Aneksit Kushtetues, apo në rastet kur përfunduar procesi pa një vendim përdindimtar.

“119 prej tyre janë gjyqtarë të shkarkuar”, – thuhet në përgjigje, ndërkohë që pohohet se KPK ka marrë vendimin për shkarkimin e 75 prokurorëve, një inspektori të ILD-së dhe një të KLGJ-së, ndërkohë pa u shkarkuar nuk kanë mbetur as 2 ndihmës ligjorë.

Ndonëse miratimi i Reformës në Drejtësi më korrik të vitit 2016 është cilësuar si vendim historik, nga vëzhgimet e kryera prej Qendrës Shqiptare për Gazetarinë Cilësore rezulton se mjaft ish-gjyqtarë të shkarkuar gjatë procesit të Vetting-ut, nuk janë përjashtuar nga vetë Sistemi i Drejtësisë.

“Mbi 90% e ish-gjytarëve dhe prokurorëve që nuk kaluan procesin e Vetting-ut kanë regjistruar zyrat e tyre të avokatisë” – thonë për ACQJ burime nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë, të cilët bëjnë me dije se në të gjithë vendin janë të licencuar 12 mijë avokatë, por vetëm 3 600 prej tyre janë aktivë.

Nga magjistratë në avokatë

“Ne nuk do të bëhemi strehë për ata që nxjerr jashtë Vetting-u, duam profesion dinjitoz”,– u shpreh më vitin 2018, Maks Haxhia, kreu i Dhomës së Avokatisë, përpara miratimit të Ligjit të ri për Avokatinë.

Gjatë diskutimeve për këtë ligj, në Komisionin e Ligjeve në korrik 2018, ekzistonte një konsensus fillestar mes ligjvënësve, me kryesues deputetët Ulsi Manja dhe Bashkim Fino, që magjistratët e përjashtuar nga procesi i vetting-ut të mos pranoheshin në rradhët e avokatëve.

“Natyrisht ne nuk mund të lejojmë të hyjnë nga penxherja ata që kemi nxjerrë nga dera e sallës së gjyqit”, – pohoi Ulsi Manja në atë kohë.

Haxhia, në diskutimet e Komisionit, ka ndryshuar qëndrim, dhe kundërshtuar propozimet e deputetëve të mazhorancës, për shkak të rënies ndesh të parashikimeve përkatëse me parimet e ushtrimit të profesionit të avokatisë.

Si pasojë, gjatë miratimit të këtij ligji, të gjithë palët u tërhoqën nga pohimet fillestare, dhe ligji i ri për avokatinë tashmë nuk parashikon ndalime të tilla.

Tashmë, 4 vite më pas, nga ky institucion kanë marrë liçencën e ushtrimit të profesionit të avokatit një numër i madh i ish-gjyqtarëve dhe prokurorëve të përjashtuar nga sistemi i drejtësisë.

Në vijim të një kërkese për koment nga ACQJ, Dhoma Shqiptare e Avokatisë pohon se “mos-lejimi i ushtrimit të profesionit të avokatit” përveç se bie ndesh me të drejtën e mbrojtur nga kushtetuta për të ushtruar një profesion, nuk mund të zhbëjë diplomën e juristëve.

Por kush janë magjistratët e përjashtuar nga rradhët e gjyqësorit që kanë gjetur strehë pranë Dhomës së Avokatisë?

Ervin Metalla, ish-gjyqtari i Apelit të Tiranës, u shkarkua përfundimisht nga KPA në tetor të 2019, pasi kishte marrë një kredi të butë të pamerituar duke realizuar kontrata fiktive. Në atë kohë, gjyqtari u shpreh se ironikisht dukej sikur i kishte ngritur kurth vetes për të marrë kredi lehtësuese, por distancohej nga të paturit lidhje në pasurinë e të vëllait, Eugen Metalla.

Në vitin 2013 ai nisi punën pranë Gjykatës të Apelit në Tiranë, ndërkohë që sipas deklarimit dhe justifikimit të pasurisë së tij në harkun kohor 2003-2017, vetëm 4.2% e të ardhurave familjare prej 16.7 milionë lekësh janë gjeneruar si rezultat i mësimdhënies si pedagog i jashtëm në Fakultetin e Drejtësisë. Në deklaratën e pasurisë pas vitit 2017, një pjesë e të ardhurave të ish-gjyqtarit janë gjeneruar prej rolit të tij si ekspert në programin e trajnimit vazhdues të shkollës së magjistraturës.

Në fillim të 2020-ës Metalla figuron i regjistruar si person fizik pranë QKB-së, pasi nisi të ushtronte funksionin e avokatit, këshilltarit juridik në kryeqytet. Sipas të dhënave të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, të ardhurat vjetore të regjistruara në zyrën e avokatisë së Metallës arrijnë në vlerën 4,231,234.00 lekëve.

Një tjetër ish-gjyqtar që figuron si avokat në QKB është dhe Artan Broci, ish-anëtari i Gjykatës së Lartë, i cili gjatë periudhës 1995-1997 ka punuar edhe si asistent pedagog në Lëndën e së Drejtës Administrative pranë Fakultetit të Drejtësisë. Pas shkarkimit më vitin 2019 nga KPA-ja nuk kurseu akuzat duke e cilësuar këtë institucion si “Komisari politik i Kryeministrit që nuk del dot nga urdhrat politike”.

Broci reagoi asokohe duke theksuar se beteja e tij ligjore do të vazhdonte deri në fund, ndonëse sipas hetimit të kryer KPK deklaroi se gjyqtari kishte probleme me pronat. Ai kishte përfituar apartament në një objekt paleje në Tiranë, si dhe ka shqyrtuar çështjen e kompanisë ndërtuese të godinës duke mos u dhënë të drejtën për dëmshpërblim një grupi personash. Nga deklarimet e bëra publike rezulton se në pasqyrën e financave të sutdios së re ligjore të tij, për vitin 2019 totali i të ardhurave për zyrën e avokatisë së Brocit shkon në vlerën e 162,825.00 lekëve, për 2020, 1,676,185.00 lekëve dhe për 2021 5,599,680.00 leke, më një total të ardhurash prej aktivitetit si avokat për tre vite në 7,438,690.00 lekë.

Ahmet Jangulli, ish-gjyqtari i Gjykatës Administrative Shkodër, i shkarkuar më vitin 2019 pasi rezultoi të kishte probleme në justifikimin e pasurisë, profesionalizmit dhe pastërtisën së figurës, ushtron prej vitit 2020 profesionin e avokatit në Shkodër. Sipas të dhënave të bëra publike, Jangulli ofron avokati dhe konsulence juridike në fusha të ndryshme. Gjatë hulumtimit në dokumentat e publike në Open Corporates dhe QKB, vumë re se Jangulli nuk ka bërë ende publike pasqyrën e financave, duke mos bërë kështu publike të ardhurat.

Artan Lazaj, ish-anëtari i Gjykatës së Tiranës u shkarkua nga KPK dhe më pas në janar 2019, nga KPA (Kolegji i Posaçëm i Apelimit) për deklarim të rremë të pasurisë. Ish-gjyqtari akuzoi më 2018-ën kryesuesen e KPK-së, Brunilda Bektashi, për shkelje të rëndë proceduriale, ndonëse provat e tij shfaqnin probleme në justifikimin e pasurisë.

Më vitin 2019 Lazaj u regjistrua pranë QKB-së si person fizik që ofron konsulencë juridike, avokati dhe përkthime zyrtare. Ndërkohë, sipas kërkimeve në website-n e QKB vërejmë se ish-anëtari i Gjykatës së Tiranës nuk ka të deklaruara të ardhurat e fituara në vit.

Numri i ish-magjistratëve të cilët kanë hapur studio avokatie pas shkarkimit të tyre nga organet e drejtësisë por që pas krijimit të tyre për vite me rradhë ka një mungesë të deklarimit të aktivitetit financiar të tyre është i lartë, ndër të cilët ish-gjyqtarë si Arben Zefi, Agron Valva, Kostika Çobanaqi, Gjin Gjoni, Entela Prifti, Ramadan Troci, Bujar Hoti dhe shumë të tjerë.

Roland Jaupaj është nëjri prej tyre. Ish-Kryetari i Gjykatës së Fierit, i shkarkuar për mosjustifikim të pasurisë, rezulton të jetë i regjistruar në QKB si person fizik, i cili ofron gjithashtu shërbime avokatie. Në vitin 2020 Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) rrëzoi disa nga gjetjet e KPK-së për gjyqtarin, të cilat lidheshin me shitjen e një apartamenti prindërve me një çmim preferencial, por nuk hodhi poshtë vendimin për përjashtimin e tij nga Sistemi i Drejtësisë. Nga hulumitimi në faqen e QKB-së, rezulton se edhe ish- gjyqtari Jaupaj nuk ka të deklaruar publikisht të ardhurat e gjeneruara nga veprimtaria e zyrës së avokatisë.

Edhe Bashkim Dedja, ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, i cili u përjashtua me vendim të KPA-së më dhjetor të vitit 2018, për probleme në justifikimin e pasurisë, brenda një muaji pas këtij vendimi, ai regjistrohet pranë QKB-së si zyrë avokatie. Në Open Corporates dhe QKB nuk janë bërë ende publike të ardhurat e gjeneruara prej ish-gjyqtarit nga aktiviteti si avokat.

Ish-drejtuesja e Gjykatës Tiranë, Enkeledi Hajro, u shkarkua në janar të 2021-shit për mosjustifikim të pasurisë prej 25 000 eurosh. Vetëm 2 muaj më pas, në mars të vitit të shkuar, ish-gjyqtarja nisi të ofronte konsulencë dhe përfaqësim ligjor si avokar, asistencë për rekrutime për burime njerëzore, hatim, menaxhim dhe zbatim të projekteve në fushën e Drejtësisë etj.

Hysni Demiraj, ish-kreu i Gjytatës së Apelit të Tiranës u shkarkua fillimisht me vendim të KPK-së më Shkurt të 2019, ku përveç mosjustifikimit të pasurisë gjatë seancës dëgjimore ai u përballë dhe me denoncimet nga ana e qytetarëve dhe gjyqtarëve të Apelit për disa vendime gjyqtësore, të cilat Komisioneri i cilësoi “me probleme”. Mes këtyre vendimeve numërohej dhe masa e sigurisë për ish-gardistët e “21 Janarit”. Ky vendim u la më pas në fuqi edhe nga KPA në datë 13.07.2020.

Sipas ekstraktit të shkarkuar nga QKB, Demiraj ka rregjistruar zyrën e tij të Avokatisë më shtator të vitit 2020, pra vetëm pak muaj pas shkarkimit. Por pavarësisht statusit aktiv, ai nuk ka kryer asnjë veprim financiar, ose të paktën asnjë i tillë nuk është deklaruar në organet tatimore.

Ndryshe nga gjyqtarët më lartë, ish-prokurori Dritan Rreshka u përjashtua nga Sistemi i Drejtësisë më korrik të vitit 2019. Ndonëse ankimoi vendimin e KPK-së, Kolegji i Posaçëm i Ankimimit me kryesi të Albana Shtyllës, pas dy ditëve rivlerësimi mori vendimin për lënie në fuqi të vendimit të KPK-së. “Trupi gjykues arriti në përfundimin se subjekti i rivlerësimit Dritan Rreshka ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e pasurisë në kuptim të nenit 61, pika 3, të ligjit nr.84/2016”, – thuhej në vendimin e publikuar nga KPA.

Prej muajit mars të vitit 2020, ish-prokurori Rreshka figuron i regjistruar si person fizik në Qendrën Kombëtare të Biznesit, pasi ofron shërbime ligjore për individët juridikë dhe fizikë, shqiptarë e të huaj.

Sipas të dhënave të publikuara në pasqyrën financiare të zyrës së shërbimeve ligjore të ish-prokurorit, rezulton se totali të ardhurave të tij si Person Fizik, për vitin 2021 kapin shifrën 9,960,880.00 lekë, një shumë e konsiderueshme, kur edhe pas reformës në drejtësi, rroga mesatare e një prokurori rrethi kap një mesatare vjetore prej 2,700,000.00 lekë në vit.

Ish-prokurorë të tjerë të cilët rezultojnë të kenë regjistruar zyrat e tyre të avokatisë janë edhe Adriatik Cama, i cili u përjashtua nga Sistemi i Drejtësisë më 2019-n, ndërkohë që vetëm një muaj më pas nis të ushtrojë profesionin e avokatit; Artur Selmani, ish-prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme u përjashtua nga Drejtësia pasi u konsiderua i papërshtatshëm për të vazhduar datyrën, pas ankesave të familjarëve të disa viktimave që humbën jetën nga ngjarjet e 1997-s në Vlorë. Më nëntor të vitit 2019 ai ka regjitruar pranë QKB-së zyrën e avokatisë. por pas gati 3 viteve të dy këta avokatë ende nuk kanë bërë publike të ardhurat e gjeneruara nga kjo veprimtari.

Shkëlzen Selimi, pas shkarkimit të tij nga organet e drejtësisë në 2019, themeloi firmën ligjore “Inter Partners” në vitin 2021, aktiviteti i të cilës ka sjellë të ardhura gjatë po atij viti në shumën prej 7,495,804.00 lekë.

Guxim Zenelaj, pas shkarkimit të tij në vitin 2019, vijoi aktivitetin si avokat në zyrën e avokatisë “Crown International Legal Office”, një aktivitet që e kishte filluar edhe përpara përballjes me organet e vetting-ut, që në vitin 2018. Për vitin 2018, kjo zyrë ka pasur të ardhura në shumën e 1,223,325.00 lekë, ndërsa për 2019, humbje në shifrën e 1,190,688.00 lekë. Humjet e deklaruara të ksaj zyre ligjore kanë vijuar më pas edhe për vitet 2020 dhe 2021, me një total prej 1,543,838.00 lekë.

Arjana Fullani, pas nërprerjes së procesit të vetting-ut, për shkak të heqjes dorë nga kjo e fundit nga pjesmarrja në institucionet e drejtësisë, ka hapur Brenda vitit studion e saj ligjore, përmes të cilës ka arritur të ardhura financiare në vlerën 2,824,786.00 lekë, në tre vite aktivitet të deklaruar.

Edhe ish kryetarja e Gjyaktës Durrës, Joana Qeleshi, pas shkarkimit nga organet e drejtësisë ka hapur zyrën e saj ligjore “Qeleshi and Associates”, përmes të cilës, vetëm për vitin 2021, ka pasur të ardhura në shumën prej 3,133,006.00 lekë.

Procesi i Vetting-ut nisi me problematika

Juristi Jordan Daci tha për ACQJ se Reforma në Drejtësi nisi me disa probleme, mes të cilave dhe mungesa e një mekanzmi që do t’i zëvendësonte juristët e shkarkuar, apo të dorëhequr.

Jordan Daci, jurist

“Shkolla e Mgjistraturës, me gjithë shtesat që janë bërë, nuk mundet t’i plotësojë për vite me rradhë mungesat”, – thotë Daci, sipas të cilit ky fakt ka bërë që efekti i reformës të zbehet përballë bllokimit të ndodhur në disa gjykata, ku ka mungesë të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe ku kohëzgjatja e e një vendimi ka arritur në nivele jo të zakonta.

“Kur nisi zbatimi i Reformës në Drejtësi u mendua se një pjesë e madhe e gjyqtarëve dhe prokurorëve që do të largoheshin do të jepnin dorëheqje, por nuk ndodhi kështu”, – thotë Daci, i cili tregon se magjistratët shfrytëzuan çdo afat për të punuar dhe dhanë dorëheqjen në çastin e daljes përpara gjykimit.

“Nëse kjo do të ishte e parashikuar dhe nga Gjykata Kushtetuese dhe të ishte vendosur të moslejohej dorëheqja jashtë afatit, efekti i mundësisë së largimit vetë nga Drejtësia do të ishte më i madh”, – nënvizon Daci, i cili shton se qëndrimi brenda Sistemit të Drejtësisë, ndonëse një pjesë e gjyqtarëve ishin të vetëdijshëm për shkarkimin, ndikon në merrjen e vendimeve jo të kujdesshme nga ana e tyre. “Për të mos thënë që mund të mendojmë dhe variante të tjera, të cilat jo domosdoshmërisht janë në përputhje me etikët e magjistratit”, – shprehet Daci.

Vojsava Osmanaj, gjyqtare, Gjykata e Apelit Shkodër

Vojsava Osmanaj është gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit në Shkodër, e cila prej gati një viti iu nënshtrua procesit të Vetting-ut, të cilin e kaloi me sukses. Sipas saj, justifikimi i pasurisë ishte një ndër vështirësitë më të mëdha që gjyqtarët dhe prokurorët hasën gjatë procesit, kjo edhe për shkak të informalitetit që ka karakterizuar shoqërinë shqiptare në fushën ekonomike.

“Kemi hasur vështirësi për të provuar bindshëm me akte shkesore çdo fakt dhe barrë prove që na ishte ngarkuar, marrë parasysh këtu shoqërinë informale së cilës ne i përkasin dhe mënyrës se si shteti ynë ka funksionuar keto vite”, – tregon ajo duke shtuar se gjatë zhvillimit të Reformës në Drejtësi, gjyqtarët dhe prokurorët janë bërë pjesë e dy formularëve pyetësorë të hartuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

“Pyetësori i parë, i realizuar më 9 Shtator të vitit 2019 përfshinte 12 pyetje standarde për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, të cilat do t’i hapnin rrugë gjithë verifikimeve të mëtejshme”, – thotë Osmanaj e cila thekson se pyetësori i dytë i realizuar më 14 Maj të vitit 2020 është ndërtuar në bazë të 10 pyetjeve “që janë formular dhe ngritur pas analizës së detajuar të gjithë pasurisë, formularëve të vetëdeklarimit dhe problematikave përkatëse, nevojës për sqarime të mëtejshme”,- thotë Osmanaj.

Pyetjes nëse rikthimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e Drejtësisë si avokatë pas përjashtimit nga procesi i vetting-ut tregon brishtësi të reformës Osmanaj i përgjigjet se “reforma çalon” në momentin kur një gyqtar ose prokuror i ndershëm largohet pa të drejtë nga sistemi “dhe jo bazuar në faktin se çfarë karriere ndjek pasi është përjashtuar nga reforma”.

“Për sa kohë që Kushtetuta apo dhe paketa e ligjeve të Reformës në Drejtësi apo ligjet e tjera materiale nuk e kanë ndaluar ushtrimin e këtij profesioni nga ish-gjyqtarët apo prokurorët, asnjë nuk mund ta vlerësojë apo normojë atë ndryshe”, – përfundon Osmanaj.

Për juristin Jordan Daci, pavarësisht problematikave, reforma do të ndikojë në përmirësimin e sistemit të Drejtësisë.

“Prurjet e reja në Sistemin e Drejtësisë mendoj se janë premtuese dhe cilësore”, – thotë Daci, i cili nënvizon faktin se gjatë zbatimit të reformës ka patur raste të magjistratëve që kanë qëndruar në sistem, ndonëse duhej të largoheshin prej tij. “Gjithsesi, mendoj që në tërësi do të ketë efekt pozitiv”, – përfundon ai.

Është viti 2022. Kanë kaluar më shumë se pesë vjet që procesi i vetting-ut ka filluar, më shumë se 3 vjet që një numër i madh i gjyqtarëve është shkarkuar për shkak të paaftësisë për të justifikuar mjetet e tyre financiare. Një numër i konsiderueshëm ish-gjyqtarësh tashmë ushtrojnë profesionin e avokatit, lejuar kjo dhe nga parashikimet ligjore të dakordësuara mes Dhomës së Avokatisë dhe politikës.

Një numër i madh ish-gjyqtarësh ushtrojnë profesionin dhe nuk kanë depozituar asnjë të dhënë mbi aktivitetin e tyre financiar, dhe pavarësisht raportimeve se SPAK u zotua që në 2020, se do të verifikonte të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga procesi i veting-ut, dhe pavarësisht thirrjeve të Ministres së Drejtësisë së kohës, deri më sot, vetëm raste sporadike janë hetuar dhe çuar për gjykim, ndërkohë që ish-gjyqtarët ushtrojnë funksion pranë sistemit gjyqësor, por tashmë nga ana tjetër e bangës së sallës.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry

Leave a comment

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter