Shqipëria drejt fundit të parasë cash? A është vendi gati për bankimin digjital?

Qeveria po premton fundin e parasë cash deri në vitin 2030, por realiteti në terren mbetet shumë më kompleks. Ndërsa pagesat online po rriten dhe bankat digjitale po hyjnë në treg, mijëra qytetarë ende nuk arrijnë të përdorin shërbimet bazë financiare online. Mes retorikës së modernizimit dhe frikës nga përjashtimi social, vendi përballet me një tranzicion që mund të jetë më i ngadaltë sesa propaganda politike.

Denada Jushi

Në korrik të vitit 2025, Kryeministri Edi Rama u zotua se në vitin 2030 në vend nuk do të ekzistojë më “para në dorë”, duke premtuar zhdukjen e parasë cash në ekonomi.

Por pyetja që vjen natyrshëm është: sa e mundur është kjo nismë?

A është Shqipëria gati?

ACQJ kontaktoi tre qytetarë të moshave dhe profesioneve të ndryshme në kryeqytet.

D.K. është 27 vjeçare, me një biznes parukerie në zonën e Komunës së Parisit, dhe na thotë se thuajse të gjitha të ardhurat e biznesit të saj kalojnë përmes pagesave online, praktikë e iniciuar nga ajo vetë, sepse nuk dëshiron të mbajë para në ambientin e punës.

“Gjithçka e paguaj online, që nga detyrimet, te qiraja, ekonomistja, furnizimi, ndaj nuk kisha pse të vazhdoja pagesat cash. Klientet tani janë mësuar; thuajse 90% e dinë që paguhet online.”

Ndërsa B.M., 51 vjeç, pronar restoranti në afërsi të Gjykatës së Lartë, thotë se klientët shqiptarë paguajnë gjithmonë cash, ndërsa të huajt, kryesisht turistët, përmes aplikacioneve online apo kartave.

Ndërsa P.K., 69 vjeç, thotë se as nuk e ka idenë se si bëhen pagesat online.

“Nuk i marr vesh shumë këto aplikimet, më ndihmon djali zakonisht për e-Albania.”

Ky është një vështrim mbi mënyrën se si është pritur ky synim nga qytetarët. Ndërkohë, çfarë thonë ekspertët? Cilat janë sfidat dhe avantazhet e kësaj nisme?

Prof. Dr. Elvin Meka, i cili është zv/rektor dhe dekan i Fakultetit të Biznesit dhe Drejtësisë në Tirana Business University, na thotë se synimi është ende larg asaj që Shqipëria ka sot realisht kapacitet të përballojë.

“Shqipëria po përgatitet dhe po punon për t’u përballur dhe menaxhuar një sfidë të tillë, që duhet thënë se është tejet komplekse dhe e vështirë në shumë aspekte.”

Për eksperten e ekonomisë, Erinda Myqelefi, kjo nismë tashmë ka një zhvillim që duket:

“Vetëm në tremujorin e parë të vitit 2025, përdorimi i kartave është rritur me 30%,” duke treguar se brezat e rinj po zgjedhin gjithnjë e më shumë pagesat digjitale.

Kalimi nga paraja fizike drejt pagesave digjitale sjell një sërë përfitimesh; për shembull, për qeverinë kjo nënkupton më shumë kontroll dhe më pak evazion fiskal.

“Transaksionet bëhen të gjurmueshme dhe të dokumentuara, duke rritur të ardhurat tatimore,” shpjegon Meka.

Për qytetarët dhe bizneset, përfitimi kryesor është ulja e kostove dhe rritja e efikasitetit. Pagesat bëhen më të shpejta, më të sigurta dhe shmanget rreziku i parave të falsifikuara.

Myqelefi e përmbledh këtë në një fjali të thjeshtë:

“Avantazhi kryesor është shkurtimi i kohës.”

Ajo shton se përdorimi i kartave dhe aplikacioneve bankare redukton rrezikun e vjedhjeve fizike dhe eliminon nevojën për të mbajtur para me vete. Për tregtarët, kjo përkthehet në më pak rrezik nga menaxhimi i cash-it dhe më shumë siguri financiare.

Digjitalizimi hap rrugën për inovacion dhe zhvillim ekonomik.

“Krijohen mundësi të reja për investime dhe punësim në sektorin e teknologjisë,” na thotë z. Meka.

Por kjo është vetëm një anë e medaljes, ajo pozitivja. Si në çdo evolucion, bashkë me të mirat vijnë edhe rreziqet.

Një nga rreziqet më të mëdha është përjashtimi financiar i grupeve vulnerabël, thonë ekspertët në unison.

“Mosha e tretë ka vështirësi në përdorimin e teknologjisë dhe mungesë besimi ndaj sistemit digjital,” shpjegon Myqelefi.

Edhe Meka e konsideron këtë një problem madhor.

“Ekziston rreziku që një pjesë e qytetarëve të ‘përjashtohet’ nga sistemi financiar, duke krijuar kosto sociale të mëdha.”

Një tjetër shqetësim lidhet me varësinë totale nga teknologjia. Në një sistem tërësisht digjital, çdo problem teknik, nga ndërprerjet e internetit deri te sulmet kibernetike, mund të paralizojë të gjithë sistemin ekonomik. Ky alarm muajt e fundit ka qenë në fakt botëror: çfarë ndodh nëse ka kolaps të botës digjitale?

Një tjetër element për të cilin ka diskutime të mëdha që në krye të herës është siguria dhe privatësia.

Sipas Elvin Mekës, sfida kryesore është siguria kibernetike.

Ky sektor kërkon investime të mëdha për të mbrojtur sistemin nga sulmet dhe mashtrimet.

Myqelefi sjell një shembull konkret:

“Individët bien pre e mashtrimeve përmes mesazheve dhe japin të dhënat e tyre bankare,” një fenomen që është bërë gjithnjë e më i përhapur.

Ndërsa avokati Ili Gërdupi shkon edhe më tej, duke shpjeguar se eliminimi i parasë cash është i pamundur.

Pse?

“Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg i ka konsideruar paratë si pronë dhe, si të tilla, i ka bërë pjesë të mbrojtjes së Konventës për sa i përket të drejtave të njeriut. Kufizimet që mund të vendosen nga shteti nuk mund të barazohen me ‘shpronësimin’, pra çdo rregull që do të kufizonte tërësisht përdorimin e parasë cash do të ishte në shkelje me të drejtat e njeriut,” – thotë Gërdupi.

Ai paralajmëron gjithashtu për rrezikun e keqpërdorimit të të dhënave:

“Transaksionet digjitale krijojnë një gjurmë të detajuar financiare, që mund të përdoret jo vetëm nga shteti, por edhe nga aktorë të tjerë.”

Mbrojtja e konsumatorit: Kush mban përgjegjësi?

Në një sistem digjital, mbrojtja e konsumatorit bëhet thelbësore. Sipas Gërdupit, përgjegjësia gjendet si te individi, ashtu edhe te institucionet.

Nëse rrjedhja e të dhënave ndodh për faj të qytetarit, ai mban përgjegjësi. Por nëse institucionet nuk zbatojnë protokollet e sigurisë, ato përballen me penalitete të rënda.

Kjo nënkupton se, ndërsa teknologjia avancon, edhe përgjegjësia individuale duhet të rritet. Qytetarët duhet të jenë më të ndërgjegjshëm për sigurinë e tyre digjitale, ndërsa institucionet duhet të garantojnë standarde të larta mbrojtjeje.

Bashkimi Europian ka ndjekur një qasje graduale dhe të mirëmenaxhuar. Elvin Meka përmend disa nga hapat kryesorë, duke nisur nga krijimi i sistemit SEPA, që lehtëson pagesat elektronike në të gjithë Europën, te direktiva PSD2, që rrit konkurrencën dhe hap tregun për fintech-et, si edhe GDPR, që vendos standarde të forta për mbrojtjen e të dhënave.

Në të njëjtën kohë, në Europë po diskutohet edhe për krijimin e euros digjitale, një hap që mund të transformojë tërësisht sistemin financiar.

Por kjo është ende vetëm në diskutimet e para.

Ajo që ndryshon nga Shqipëria është se vendet europiane kanë investuar për vite me radhë në edukim financiar dhe infrastrukturë. Kjo i ka ndihmuar gradualisht qytetarët europianë.

Ekspertët bien dakord në një pikë: ky tranzicion nuk mund të jetë i menjëhershëm dhe as i detyruar.

“Duhet një periudhë tranzitore dhe masa mbështetëse për grupet vulnerabël,” thotë avokati Gërdupi.

Ndërsa Myqelefi sugjeron programe edukimi dhe lehtësira për kategoritë në nevojë, Meka paralajmëron se, pa adresuar problemet në tërësi, rreziku i përjashtimit dhe i pasigurisë mbetet i lartë.

ACQJ iu drejtua edhe Bankës së Shqipërisë për të marrë një vështrim se sa afër është Shqipëria realisht me një ekonomi pa cash dhe nëse ka një plan konkret për këtë tranzicion.

Po ashtu, pyetëm edhe për metodat që po projektohen për mbrojtjen dhe menaxhimin e këtij procesi.

Por ende nuk kemi marrë një përgjigje.

Ajo që bie në sy është se vetë bankat po ndjejnë konkurrencën e digjitalizimit. Tashmë në Shqipëri kemi edhe bankën e parë 100% digjitale, Jet Bank, e cila po sfidon bankën tradicionale me moton se kursen kohë dhe shpenzime.

Kështu që, në gjithë këtë këndvështrim, përfundimi që del është se synimi i qeverisë për vitin 2030 pa para cash duket më shumë retorikë sesa një arritje e mundshme.

Bankimi digjital, me shumë gjasa, do të kërkojë vite në Shqipëri për të arritur pritshmëritë apo synimet që ka sot qeveria shqiptare./acqj.al