Programi Rajonal i Asistencës Mediatike – Mbështetja për Median e Pavarur në Ballkanin Perëndimor  

  

Nga një qendër gazetarie drejt një redaksie moderne multimediale

Nga viti 2023 deri në vitin 2025, ACQJ ndërmori një proces të rëndësishëm transformimi për të përshtatur mënyrën e prodhimit të gazetarisë me mënyrën se si publiku sot konsumon informacion.

Me mbështetjen e GIZ, programi u fokusua te zhvillimi i një modeli më të qëndrueshëm organizativ dhe te kalimi gradual i produkteve të ACQJ-së drejt një standardi më të avancuar multimedial.

Jo vetëm më shumë video

Transformimi multimedial nuk nënkuptonte thjesht përdorimin e kamerave të reja apo prodhimin e më shumë videove.

Programi punoi mbi mënyrën se si ACQJ planifikon, prodhon dhe shpërndan përmbajtjen e saj, duke kombinuar gazetarinë me formate të përshtatura për televizionin, web-in dhe rrjetet sociale.

Një pjesë e rëndësishme e programit ishte gjithashtu zhvillimi i një modeli biznesi dhe qëndrueshmërie, si dhe rritja e kapaciteteve të ekipit për përdorimin e teknologjive dhe formateve të reja të komunikimit.

Një histori, shumë formate

Në vend që një hulumtim të përfundonte vetëm si një artikull, ACQJ filloi të mendonte gjithnjë e më shumë çdo histori si një paketë të plotë editoriale.

Sot kjo qasje reflektohet në prodhimin e:

  • Artikujve investigativë
  • Dokumentarëve
  • Videove investigative
  • Podkasteve
  • Video-explainerëve
  • Infografikave
  • Reels dhe Shorts
  • Produkteve televizive dhe digjitale

 

Kapacitete të reja prodhimi

Gjatë viteve të fundit ACQJ ka zhvilluar kapacitetet e saj të brendshme për prodhim audioviziv, nga faza e kërkimit dhe skenarit deri te xhirimet dhe post-produksioni.

Procesi përfshin sot përdorimin e kamerave profesionale dhe xhirimeve ajrore, montazh, sound design, color grading, grafikë, titrim dhe përshtatjen e produkteve për platforma të ndryshme.

Një investim që vazhdon përtej projektit

Sustain Media përfundoi në vitin 2025, por transformimi që nisi përmes tij vazhdon.

Sot ACQJ funksionon gjithnjë e më shumë si një redaksi multimediale, ku teksti, videoja, audioja, grafika dhe rrjetet sociale trajtohen si pjesë të së njëjtës histori.

Kjo na lejon që hulumtimet tona të arrijnë publikë të ndryshëm, në formate të ndryshme, pa humbur standardet editoriale mbi të cilat është ndërtuar puna e Qendrës.