Laboratori Gazetarise investigative

Nga trajnimi te gazetaria në terren – 2017–2025 | 9 gjenerata | 120+ gazetarë të rinj

 

Për tetë vite, Laboratori i Gazetarisë Investigative ishte një nga programet themelore të Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore për formimin e brezit të ri të gazetarëve hulumtues në Shqipëri.

I nisur në vitin 2017 me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, programi u krijua për studentë të gazetarisë dhe komunikimit dhe profesionistë të rinj që dëshironin të zhvillonin aftësitë e tyre në gazetarinë investigative. Pjesëmarrësit trajnoheshin në metodologjitë e hulumtimit, verifikimin e informacionit, përdorimin e burimeve dhe dokumenteve publike, intervistimin, aspektet ligjore dhe etike të gazetarisë, si dhe në prodhimin e historive investigative. 

Jo vetëm trajnim

Që nga fillimi, Laboratori u konceptua si një program praktik.

Pjesëmarrësit nuk ndaleshin te ushtrimet në klasë, por zhvillonin ide, kërkonin dokumente, ndërtonin burime dhe punonin mbi histori reale me interes publik nën mentorimin e gazetarëve dhe profesionistëve të medias.

Me zhvillimin e programit, Laboratori u zgjerua edhe drejt gazetarisë së të dhënave, prodhimit multimedial, mobile journalism dhe formateve të reja digjitale.

9 gjenerata. Mbi 120 gazetarë të rinj.

Deri në përfundimin e programit në vitin 2025, Laboratori u zhvillua në nëntë gjenerata dhe kontribuoi në formimin e më shumë se 120 gazetarëve të rinj.

Për shumë prej tyre, Laboratori ishte kontakti i parë me një proces të plotë investigative: nga ideja fillestare, te kërkimi, verifikimi dhe publikimi.

Një program që formësoi edhe ACQJ-në

Laboratori nuk ishte vetëm një program trajnimi për gazetarët e rinj. Ai ndikoi edhe në mënyrën se si u zhvillua vetë ACQJ.

Përvoja e krijuar gjatë këtyre viteve u bë bazë për redaksinë investigative të Qendrës, programet e praktikës profesionale, prodhimin e dokumentarëve, gazetarinë multimediale dhe iniciativat e mëvonshme për mbështetjen e gazetarëve të rinj.

Edhe pse Laboratori përfundoi në vitin 2025, modeli i tij, të mësuarit përmes gazetarisë reale, vazhdon të jetë pjesë e punës së ACQJ-së.