Sinjalizo! – Lufta kundër Korrupsionit përmes Sinjalizimit

Sinjalizo! është iniciativa e Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore për të krijuar një kanal të sigurt ndërmjet qytetarëve, sinjalizuesve dhe gazetarëve investigativë.

Programi nisi në vitin 2020 me mbështetjen e National Endowment for Democracy dhe ka në qendër përdorimin e teknologjisë SecureDrop, një sistem i krijuar për komunikimin e sigurt të burimeve me gazetarët dhe për transmetimin e dokumenteve apo informacionit sensitiv. 

Më shumë se një platformë raportimi

Sinjalizo! nuk është thjesht një vend ku dërgohet informacion.

Çdo informacion që mbërrin në redaksinë e ACQJ-së shqyrtohet nga gazetarët tanë. Kur një çështje ka interes publik, nis procesi gazetaresk: kërkimi i dokumenteve, identifikimi dhe verifikimi i burimeve, ballafaqimi i fakteve dhe kërkimi i reagimit të palëve të përfshira.

Vetëm informacioni që mund të verifikohet dhe dokumentohet bëhet pjesë e një publikimi.

Si funksionon?

Sinjalizoni në mënyrë të sigurt
Nëse dispononi informacion apo dokumente me interes publik, mund t’ia transmetoni ato redaksisë përmes kanalit të dedikuar.

Gazetarët verifikojnë informacionin
Asnjë material nuk publikohet automatikisht. Informacioni analizohet, dokumentohet dhe krahasohet me burime të tjera.

Ne hulumtojmë
Kur ka bazë të mjaftueshme dhe interes publik, gazetarët tanë zhvillojnë hulumtimin në mënyrë të pavarur.

Publikojmë atë që mund të provojmë
Çdo histori i nënshtrohet standardeve editoriale, ligjore dhe etike të ACQJ-së.

Mbrojtja e burimeve

Marrëdhënia mes gazetarit dhe burimit është një nga elementet themelore të gazetarisë investigative.

SecureDrop është projektuar për të reduktuar gjurmët digjitale që mund të identifikojnë një burim dhe për t’u dhënë qytetarëve një mënyrë më të sigurt për të komunikuar me redaksinë.

ACQJ trajton me konfidencialitet informacionin dhe identitetin e burimeve në përputhje me standardet profesionale të gazetarisë.

Gazetari dhe edukim publik

Sinjalizo! nuk kufizohet vetëm te marrja e sinjalizimeve.

Programi ka përfshirë gjithashtu gazetarë të rinj dhe studentë të gazetarisë në praktika profesionale, duke i trajnuar ata në mënyrën e ndërtimit, verifikimit dhe prodhimit të historive investigative.

Krahas artikujve dhe hulumtimeve, ACQJ prodhon edhe video shpjeguese dhe materiale informuese mbi sinjalizimin, korrupsionin, transparencën dhe mënyrat se si qytetarët mund të raportojnë çështje me interes publik. 

Keni informacion që mendoni se duhet të hetohet?

Nëse dispononi dokumente apo informacion mbi korrupsionin, abuzimin me pushtetin, keqpërdorimin e fondeve publike, konfliktin e interesit apo çështje të tjera me interes publik, mund të kontaktoni gazetarët tanë.