Ida Ismalaj
Teksa Shqipëria vijon të promovojë bregdetin, natyrën dhe rritjen rekord të numrit të turistëve, inspektimet sanitare të kryera gjatë vitit 2025 tregojnë një realitet më pak të dukshëm. Pas imazhit të një destinacioni në zhvillim, kontrollet e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor evidentuan probleme që variojnë nga mungesa e dokumentacionit bazë higjieno-sanitar deri te rastet e ndotjes mikrobiologjike në sistemet e furnizimit me ujë të pijshëm.
Sfidat nuk lidhet vetëm me raste të izoluara apo me subjekte të veçanta, por me një problem më të gjerë të respektimit të standardeve sanitare dhe mekanizmave të kontrollit në sektorë të ndryshëm të shërbimeve publike dhe private.
Problemet nuk kufizohen vetëm te turizmi
Gjatë vitit 2025, Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor kreu gjithsej 12.896 inspektime dhe ri-inspektime sanitare në të gjithë vendin. Kontrollet përfshinë institucione arsimore, konvikte, mensa, subjekte turistike, sisteme furnizimi me ujë të pijshëm, institucione rezidenciale për të moshuar dhe fëmijë, ndërmarrje të kujdesit shëndetësor në punë, institucione të ekzekutimit të vendimeve penale, farmaci dhe subjekte të shërbimeve estetike.
Qëllimi i inspektimeve ishte verifikimi i kushteve higjieno-sanitare, cilësisë së ujit të pijshëm, sigurisë në punë dhe respektimit të legjislacionit shëndetësor.
Megjithëse sektorët e inspektuar janë të ndryshëm, raporti evidenton një problematikë të përsëritur pothuajse në të gjitha kategoritë: mungesën ose paplotësinë e dokumentacionit higjieno-sanitar dhe shëndetësor. Në shumë raste subjektet rezultuan pa analizat e nevojshme, pa regjistra monitorimi, pa certifikime të përditësuara apo pa dokumentacionin bazë që shërben për të garantuar sigurinë e shërbimeve që ofrojnë.
Vetëm në institucionet arsimore u realizuan 3.892 inspektime dhe ri-inspektime. Inspektorët konstatuan amortizim të godinave, lagështirë, probleme në anekset sanitare, mungesë të furnizimit me ujë të rrjedhshëm dhe ujë të ngrohtë, si dhe mangësi në dokumentacionin shëndetësor. Për këto shkelje u vendosën katër gjoba, tre vendime për mbyllje të përkohshme dhe 337 paralajmërime.
Turizmi nën presionin e standardeve
Nga të gjitha fushat e inspektuara, sektori turistik mbetet një nga më kritikët për shkak të numrit të lartë të përdoruesve dhe ndikimit të drejtpërdrejtë në shëndetin publik dhe imazhin e vendit.
Gjatë vitit 2025, ISHSH realizoi 4.639 inspektime dhe ri-inspektime në subjekte turistike. Një pjesë e konsiderueshme e problematikave lidhen me mungesën e mekanizmave bazë të kontrollit dhe monitorimit. Inspektorët konstatuan mungesë të akt-miratimeve higjieno-sanitare, mungesë të analizave të ujit të pijshëm, mungesë dokumentacioni shëndetësor për punonjësit, mungesë të certifikatave të dezinfektimit, dezinsektimit dhe deratizimit, si dhe ambiente që nuk përmbushnin standardet bazë të mirëmbajtjes.
Pishinat në shumë raste ishin më problematiket. Në shumë raste mungonin raportet e analizave të ujit, regjistrat e monitorimit të cilësisë, akt-miratimet higjieno-sanitare dhe dokumentacioni mbi përdorimin e lëndëve dezinfektuese. Inspektorët evidentuan gjithashtu mungesën e personave përgjegjës për administrimin e pishinave, duke reduktuar aftësinë për të identifikuar dhe parandaluar rreziqet shëndetësore për pushuesit.
Uji i pijshëm, një problematikë që vazhdon prej vitesh
Edhe më shqetësuese paraqitet panorama e evidentuar në sistemet e furnizimit me ujë të pijshëm.
Gjatë vitit 2025, ISHSH realizoi 1.548 inspektime dhe ri-inspektime në ujësjellësa, depo dhe rezervuarë uji. Kontrollet gjetën në shumë raste mungesë të analizave periodike fiziko-kimike dhe bakteriologjike të cilësisë së ujit, një nga instrumentet bazë për garantimin e sigurisë së furnizimit.
U konstatua gjithashtu mungesë të akt-miratimeve higjieno-sanitare, mungesë ose dëmtim të rrethimeve mbrojtëse të depove të ujit, si dhe mosrinovim të certifikatave të detyrueshme për dezinfektim dhe kontroll sanitar. Në terren u evidentuan depo dhe rezervuarë të amortizuar, objekte me lagështirë dhe myk, mungesë të regjistrave të klorinimit të ujit dhe raste kur infrastruktura nuk ruhej me masa bazë sigurie, përfshirë mungesën e rojeve apo monitorimit të vazhdueshëm.
Raporti evidenton gjithashtu raste të mosrespektimit të zonave të sigurisë sanitare rreth burimeve dhe depove të ujit, një faktor që rrit ndjeshëm rrezikun e kontaminimit.
Megjithatë, alarmi më serioz lidhet me rastet kur analizat mikrobiologjike kanë rezultuar pozitive për ndotje të ujit të pijshëm. Sipas të dhënave të raportuara nga Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, në disa sisteme furnizimi janë konstatuar tregues të ndotjes mikrobiologjike që mund të përbëjnë rrezik për shëndetin e konsumatorëve. Prania e ndotjes mikrobiologjike në ujin e pijshëm konsiderohet një nga problematikat më serioze të shëndetit publik, pasi lidhet drejtpërdrejt me rrezikun e përhapjes së sëmundjeve dhe ekspozimin e përditshëm të qytetarëve ndaj faktorëve potencialisht të dëmshëm.
Një çështje e besueshmërisë së standardeve
Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor bën me dije se gjatë kontrolleve janë vendosur gjoba, paralajmërime dhe masa korrigjuese për subjektet që nuk përmbushnin kërkesat ligjore.
Megjithatë, vetë natyra e problematikave të evidentuara ngre një pyetje më të gjerë. Kur në kulmin e sezonit turistik evidentohen pishina pa monitorim të dokumentuar të cilësisë së ujit, mungesë të procedurave bazë të sigurisë dhe sisteme furnizimi me ujë të pijshëm që rezultojnë me raste ndotjeje mikrobiologjike, shqetësimi nuk lidhet vetëm me respektimin formal të ligjit.
Pikëpyetje ngrihen mbi aftësinë e institucioneve dhe operatorëve për të garantuar standarde të qëndrueshme sigurie në një vend që po mbështet gjithnjë e më shumë zhvillimin ekonomik te turizmi.
Ndërsa sezoni turistik i këtij viti ka nisur me pritshmëri të larta për numrin e vizitorëve dhe teksa Shqipëria synon të tërheqë një numër gjithnjë e më të madh turistësh dhe të konsolidojë imazhin e saj si destinacion mesdhetar, cilësia e ujit, siguria sanitare dhe respektimi i standardeve nuk janë thjesht kërkesa administrative./acqj.al