Qendrat shëndetësore në Tiranë: Pas orës 17:00, pa mjekë

Në letër, qendrat shëndetësore funksionojnë deri në mbrëmje. Në praktikë, shumë qytetarë largohen pa marrë shërbimin që kërkojnë. Një vëzhgim i ACQJ evidenton mungesë personeli gjatë orarit zyrtar dhe një sistem ku orari i shpallur nuk garanton domosdoshmërisht praninë e mjekut.

Andeta Kapa

Në hyrje të Qendrës Shëndetësore nr. 8, tabela është e qartë: 7:30–20:30. Një orar i afishuar publikisht, që premton shërbim për qytetarët gjatë gjithë ditës. Por rreth orës 17:40, dera e pediatrisë është e mbyllur. Në korridor ka pak lëvizje. Një infermiere kalon me ngadalë, ndërsa disa qytetarë presin pa shumë informacion. Kontrasti mes orarit të shpallur dhe shërbimit real është i menjëhershëm dhe i dukshëm.

Ky fenomen nuk është i kufizuar në një qendër të vetme. Gjatë vëzhgimit në terren, u vizituan 10 qendra shëndetësore dhe poliklinika të Tiranës, ku në një pjesë të konsiderueshme të tyre u evidentua e njëjta situatë: shërbime të munguara për shkak të mungesës së personelit gjatë orarit zyrtar të pasdites. Për qytetarët, kjo përkthehet në pasiguri dhe mungesë të aksesit real në kujdesin shëndetësor parësor, pavarësisht premtimit formal të afishuar në hyrje.

Qendra Shëndetësore nr.1Qendra Shëndetësore nr.3Qendra Shëndetësore nr.4Qendra Shëndetësore nr.7Qendra Shëndetësore nr.8Qendra Shëndetësore nr.14Poliklinika nr.2Poliklinika nr.5Poliklinika nr.9Poliklinika nr.10
7:30-20:007:30-20:108:00-20:00Hapur 24 orë7:30-20:107:30-20:108:00-16:30Hapur 24 orë8:30-19:157:30-20:45
Oraret e afishuara pranë qendrave shëndetësore

Sipas standardeve të cilësisë për akreditimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor parësor:

“Ekziston një sistem i strukturuar, i organizuar dhe funksional për shërbimin e urgjencës 24-orëshe. Institucioni siguron dhe garanton praninë e personelit të kualifikuar për 24 orë çdo ditë. Numri i personelit të caktuar duhet t’i plotësojë kërkesat e fluksit të rasteve në shërbimin e urgjencës.”

Por realiteti në terren tregon një situatë tjetër.

Qendra e parë që u vizitua ishte Qendra Shëndetësore nr. 3. Në holl, Mirjeta, 70 vjeçe, mban në dorë disa analiza. Ajo kishte një vizitë të planifikuar dhe priste të merrte mjekimin për tre muajt në vijim.

“Më thanë: hajde nesër, se sot mjeku nuk është i pranishëm për arsye personale,” tregon ajo. “Unë erdha sipas tabelës, kisha folur me mjekun më parë dhe vendosëm të takoheshim sot. Nuk e di pse nuk ishte mjeku. Mua më duhet kontrolli, jo sqarimi,” shprehet ajo.

Për të, kjo nënkupton kthim në shtëpi pa shërbim dhe një tjetër ditë pritjeje.

Pak minuta më vonë, një nënë e re afrohet në recepsion. Albana, 35 vjeçe, ka me vete djalin 6-vjeçar me temperaturë të lartë.

“Kam ardhur edhe herë të tjera pasdite dhe nuk e kam gjetur pediatrin,” thotë ajo. “Jam detyruar ta çoj te spitali privat. Kur fëmija është me temperaturë, nuk pret dot deri nesër.”

Ajo e sheh këtë jo si zgjedhje, por si detyrim:

“Është një kosto që nuk e planifikon.”

Sipas tarifave të tregut, një vizitë pediatrike në sektorin privat varion nga 2,000 deri në 5,000 lekë. Në spitalin Hygeia, një vizitë pediatrike kushton 6,000 lekë, ndërsa te Spitali Amerikan kushton 3,500 lekë, një shumë që për shumë familje përbën një barrë të menjëhershme financiare, sidomos kur situata përsëritet.

Një tjetër qytetar, i cili pret jashtë zyrës së mjekut të familjes, tregon për pasigurinë pas orës 17:00.

“Ose e gjen mjekun, ose jo. Ndonjëherë të thonë hajde nesër. Problemi është që ne vijmë sipas orarit që është i shkruar dhe nuk kemi si ta dimë kur është mjeku, sepse nuk ka njoftim apo zëvendësim. Paradite nuk vijmë dot, sepse jemi në punë,” shprehet ai.

Ai shton se në disa raste është detyruar t’i drejtohet QSUT-së për shkak të fluksit dhe mungesës së shërbimit.

Ky nuk duket të jetë një rast i izoluar. Edhe në Poliklinikën nr. 9, e cila ofron shërbim në Rrugën e Kavajës, qytetarët raportojnë vështirësi të ngjashme.

“Kam marrë vetëm dy orë leje nga puna,” tregon Albani. “Kam rrezikuar vendin e punës vetëm sepse shërbimi nuk ishte i disponueshëm në orarin zyrtar.”

Në Qendrën Shëndetësore nr. 7, e cila shërben zonën e Laprakës, rreth orës 17:45, Xhoana, një nënë e re, tregon se vaksinimi i djalit të porsalindur është vonuar për shkak të mungesës së stafit.

“Kam ardhur disa herë dhe nuk ka pasur infermierë. Edhe kur kanë qenë të pranishëm, nuk na kanë dhënë informacion. Nuk e kuptoj si mund të ndodhë kjo,” thotë ajo për ACQJ.

“Pse nuk ka njeri këtu?”

Zëri i qytetares jehon në holl. Askush nuk kthen përgjigje.

Eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho, shpjegon se mungesa e shërbimit në kohën e parashikuar ka pasoja të drejtpërdrejta.

“Qytetari që nuk merr shërbim do të drejtohet drejt alternativave të tjera. Ose do të mbingarkojë urgjencën e spitaleve, ose do të shkojë në privat. Pasojat nuk janë vetëm individuale, ato ndikojnë në gjithë sistemin,” shpjegon ai.

Sipas tij, kujdesi parësor është themeli i sistemit shëndetësor dhe çdo dështim në këtë nivel krijon presion në të gjithë strukturën.

“Ky është një nga treguesit e shumtë që dëshmojnë se asnjëherë shëndetësia nuk ka qenë dhe nuk është një prioritet për forcën politike që qeveris,” shton Dasho.

Nga ana juridike, juristi Ledio Braho e konsideron situatën një çështje të mundshme të shkeljes administrative.

“Mosofrimi i shërbimit brenda orarit zyrtar mund të konsiderohet shkelje. Nëse ka pasoja konkrete për qytetarin, mund të sjellë edhe përgjegjësi të mëtejshme,” nënvizon ai.

Megjithatë, sipas Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, deri më tani nuk është regjistruar asnjë ankesë për mbylljen e parakohshme të qendrave.

Kjo ngre një pyetje thelbësore: Pse mungojnë ankesat zyrtare? A është problemi te mungesa e mekanizmave efektivë të raportimit apo te mungesa e besimit dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve për të denoncuar?

Gjetjet nga organizata Together For Life tregojnë se mungesa e ankesave nuk do të thotë mungesë problemesh.

Sipas një raporti të saj mbi funksionimin e sistemit shëndetësor, qytetarët shpesh zgjedhin të mos raportojnë problematikat që hasin, duke i trajtuar ato si pjesë të zakonshme të përditshmërisë. Kjo krijon një hendek ndërmjet të dhënave zyrtare dhe realitetit në terren, ku vështirësitë në aksesin ndaj shërbimit mbeten kryesisht të padokumentuara.

Gjatë qëndrimit në Qendrën Shëndetësore nr. 3, nuk ka asnjë njoftim publik që shpjegon mungesën e mjekut apo ndryshimin e orarit. Qytetarët mbështeten vetëm te tabela e afishuar.

Në teori, kujdesi parësor duhet të përthithë rastet e zakonshme dhe të shmangë mbingarkesën e spitaleve.

Ora kalon 18:30. Sipas tabelës, shërbimi për shumicën e qendrave që vizituam atë pasdite duhet të vijojë edhe për dy orë të tjera.

Por për shumë prej qytetarëve që takuam, orari i afishuar nuk përkoi me shërbimin që ofrohej në praktikë.

Orari ishte aty. Mjeku, jo.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk iu përgjigj kërkesës për koment deri në momentin e publikimit./acqj.al