Vera 2026: Mes premtimeve për siguri dhe 19 viktimave

Qeveria premtoi “sezonin më të sigurt në histori”, ndërsa Policia angazhoi 1,635 efektivë dhe identifikoi zonat me risk. Deri më 3 shtator, vera e vitit 2026 kishte lënë 19 viktima nga vrasjet, duke kaluar bilancin e vitit 2025. Mes tyre ishte një turist portugez i vrarë në Ksamil, në kulmin e sezonit dhe të masave të shtuara për sigurinë publike.

Ida Ismalaj

Vera e vitit 2026 mbetet në bilancin e zi të sigurisë publike: 19 viktima, mes të cilëve edhe një turist i huaj. Përplasjet me armë në zona të frekuentuara, dhuna e shfrenuar në lokalet e natës dhe skandali i efektivëve të policisë që punonin privat si roje sigurie, rrëzuan narrativën e shifrave rekord të turizmit. Ndërsa qeveria premtoi “sezonin më të sigurt që Shqipëria ka parë ndonjëherë”, realiteti në terren dëshmoi se shtimi i uniformave blu nuk ndali hovin e krimit.

Plan me 1635 efektivë dhe zonat “me njollë të zezë”

Për të menaxhuar fluksin, Policia e Shtetit zbriti në terren një Task-Forcë prej 1635 efektivësh policie. Mbrojtja u përqendrua kryesisht në ato që vetë autoritetet i përcaktuan si zona me risk të lartë.

Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu vizatoi hartën e rrezikut: “Zonat që ne i cilësojmë me njollë të zezë mbeten akset drejt Lezhës, Shëngjinit e Tales, rruga drejt Vlorës, plazhet e Himarës e Sarandës, si dhe akset Durrës-Golem e Lushnjë-Fier.”

Përveç pranisë së shtuar të efektivëve të policisë, Ziu njoftoi gjithashtu ngritjen e stacioneve provizore nga Thethi e Valbona deri në Lalëz e Ksamil, duke mbuluar si bregdetin ashtu edhe turizmin malor.

Premtimet politike arritën kulmin më 26 qershor, kur ministri i Brendshëm Besfort Lamallari deklaroi se siguria do të ishte karta kryesore e imazhit të vendit:

“Kur një turist zgjedh Shqipërinë, nuk zgjedh thjesht një plazh apo mal, por zgjedh një shtet që e mbron me profesionalizëm. Le ta bëjmë sezonin 2026 më të sigurtin në histori, që çdo vizitor të largohet me kujtime të bukura dhe Shqipëria të vazhdojë të jetë një histori suksesi që frymëzon dhe tërheq botën”.

Statistikat zyrtare tregojnë një ecuri dramatike që sfidon çdo retorikë parandaluese:

  •      Maj-Shtator 2023: 18 raste vrasjeje (19 viktima)
  •      Maj-Shtator 2024: 17 raste (22 viktima)
  •      Maj-Shtator 2025: 17 raste (18 viktima)
  •      Maj-Gusht 2026: 16 raste vrasjeje (18 viktima)

Bilanci u përkeqësua në shtator. Më 3 shtator një tjetër vrasje e çoi numrin e viktimave në 19, ndërsa më 13 shtator u regjistrua edhe një tjetër tentativë vrasje. Pa përfunduar ende zyrtarisht sezoni, me 19 jetë të humbura, viti 2026 e kaloi bilancin e vitit 2025 dhe barazoi atë të 2023-shit.

Ngjarja që e nxori problemin e sigurisë turistike përtej kufijve ishte vrasja e 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil. Në orët e para të mëngjesit të 18 gushtit, Mendes ndodhej në një lokal nate, ku pas një konflikti me disa persona u qëllua me thikë për vdekje. Ngjarja ndodhi në pikën më të nxehtë të sezonit turistik, në një prej destinacioneve më të frekuentuara të vendit dhe pikërisht në një kohë kur siguria ishte shpallur prioritet kombëtar.

Për ekspertin e turizmit Lyto Alliu, ngjarje të tilla ndikojnë në perceptimin e sigurisë dhe në imazhin e Shqipërisë si destinacion turistik: “Rasti tregon efektin që krimi ka mbi vendimin e turistit për t’u kthyer apo për të rekomanduar Shqipërinë”.

Nga ana tjetër, eksperti i sigurisë Fatjon Softa gjen shkakun te mungesa e parandalimit të ngjarjeve: “Duhet të identifikohen paraprakisht zonat me risk, subjektet problematike dhe hapësirat ku alkooli, armët apo konfliktet spontane mund të prodhojnë pasoja të rënda.”

Përtej parandalimit, goditjen më të madhe e merr sistemi i drejtësisë. Eksperti ligjor Alban Duraj rikujton se gjatë vitit 2025 veprat penale u rritën me 17.4% (rreth 38 345 raste). Sipas tij, sistemi i mbingarkuar dhe me vonesa nga procesi i vetingut e bën arrestimin vetëm hapa të parë në një rrugë të gjatë ndëshkimi: “Drejtësia duhet të provojë fajësinë në një proces të rregullt dhe brenda një kohe të arsyeshme. Sistemi gjyqësor vijon të përballet me pasojat e vetingut, largimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe dhe ngarkesën e lartë të gjykatave” shprehet Duraj.

Policia në shërbim të privatëve dhe hija e krimit në biznese

Një ngjarje në Sarandë nxori në dritë një tjetër anë të errët: degradimin e autoritetit shtetëror. pasi rojet e sigurisë të një lokali nate dhunuan shefin e krimeve në Sarandë, hetimet zbuluan se dy punonjës policie punonin ilegalisht si roje private në të njëjtit ambient. Ata u pezulluan pasi jo vetëm nuk njoftuan strukturat, por as nuk ndërhynë për të parandaluar përplasjen.

“Problemi lind kur funksioni publik mbivendoset me interesin privat,” paralajmëron Fatjon Softa, duke bërë thirrje që Policia të ruajë garantimin e rendit dhe jo perceptimin se është e lidhur me interesa biznesi.

Siguria turistike nuk u vu në pikëpyetje vetëm nga vrasjet. Në Orikum, një përplasje mes biznesmenësh shkaktoi panik te pushuesit. Një shqiptare nga Italia tregoi anulimin e pushimeve:

“Na regjistrojnë si turistë në kufi, por kur pamë përplasjen në hotelin ku kishim rezervuar, i anuluam të gjitha. Kemi ardhur për të pushuar, jo për të rrezikuar jetën”.

Kjo pasiguri ushqehet edhe nga financimi i bizneseve bregdetare me para të pista. Lokali ku u vra turisti portugez u vu nën shënjestër si pasuri e mundshme e krijuar nga krimi. Vetëm në 7 muajt e parë të vitit 2026, SPAK ka vendosur sekuestro preventive mbi 440 milionë euro pasuri (kryesisht hotele e prona bregdetare), të dyshuara se janë krijuar me burime financiare të përfituara nga veprimtari të paligjshme, kryesisht nga trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike.

Retorika politika për ngjarjet

Teksa opozita denoncon keqmenaxhimin e sezonit dhe rendin e dështuar, ku sipas saj vrasjet, atentatet kanë dominuar kronikat e turizmit, ekzekutivi shikon faktorë të tjerë si pengesë. Kryeministri Edi Rama gjatë podcast-it të tij “Flasim” deklaroi se rënia e rezervimeve në këtë sezon që pritej të ishte më i suksesshmi erdhi nga protestat, duke i cilësuar ato si:

“Dëmtim i drejtpërdrejtë për ekonominë lokale dhe kombëtare.”

Megjithatë, pasojat e verës së vitit 2026 lënë pas një pyetje të pashmangshme: Nëse zonat e rrezikut u identifikuan dhe forcat policore u shtuan në terren, pse krimi vazhdoi të diktonte bilancin e verës?/acqj.al