Autor: Klevis Paloka
Dhjetra qytetarë vendosen nën efektet e ligjit për akuzën e ndërtimit pa leje, qofshin nga më të parëndësishmet që nga punimet brenda në shtëpi apo edhe për rregullimin e dekorit të jashtëm. Përballë këtij qëndrimi strikt ndaj qytetarëve të thjeshtë, zbatimi i ligjit nuk sjell të njëjtat pasoja kur vjen puna tek institucionet shtetërore. Një rast i tillë u sinjalizua nga një qytetar dhe tregon se si për investime publike, si fillim zbarkojnë automjetet e tonazhit të rëndë dhe punonjësit e veshur me jeleket e posaçëm. Ky eveniment njoftohet virtualisht. Ndërkohë dokumentat plotësohen shumë më vonë.


Në mënyrë kronologjike, kryetari i Bashkisë së Kolonjës, Erion Isai nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook që e përdor si profil zyrtar njoftoi duke bashkangjitur fotografi për nisjen e punimeve për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë, loti i 2-të.
Statusi i kryebashkiakut u publikua ne datën 12 tetor 2020 dhe përmban mesazhin e një premtimi që po realizohet.
“Kantieri u ngrit, muri ra. E shpejtë e mbarë qoftë (dhe do të jetë) rruga që I jep frymë Kolonjës”, shkruan mes të tjerash Isai. Mes komentuesve që urojnë për investimin, të tjerë paraqiten me rezerva për kujtesën e vonuar për këtë aks, pasi sipas tyre ndërtimi i rrugës u çel në prag zgjedhjesh.
Pikërisht duke përdorur komunikimin virtual, një qytetar vazhdon qëndrimin e tij dyshues duke depozituar një sinjalizim pranë “Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore”. “Këto punime po kryhen pa leje ndërtimi, pa një Vendim të ndikimit në Mjedis dhe pa një supervizor punimesh”, shkruan sinjalizuesi të dhënat e të cilat për arsye sekreti do të mbahen anonime.
Sinjalizuesi tregon më tej se po ashtu projekti ishte ndryshuar së bashku me shenjën aktuale të rrugës. Ajo që mbetet në vazhdim është se shumica e banorëve do të hasen me vështirësi nga zhvendosja e njollës së vjetër, ku më të goditurit dhe që rrezikojnë falimentin janë bizneset.
Pa leje ndërtimi dhe VNM
“A disponohet një leje për këtë aks?”, ishte pyetja që “Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore”, ja drejtoi zyrtarisht Agjensisë së Zhvillimit të Territorit.
Nëpërmjet postës elektronike ky institucion konfirmon mungesën e dokumentacionit leje ndërtimi.
“Në përgjigje të e-mailit Tuaj të datës 20.11.2020, Ju bëjmë me dije se, deri në këtë moment Këshilli Kombëtar i Territorit nuk ka miratuar leje ndërtimi me objekt “Rruga Korçë – Ersekë, Loti 2”, thuhet në përgjigjen zyrtare të agjensisë.
Kjo çështje hyn në rend dite të Agjensisë së Zhvillimit të Territorit gati dy muaj nga nisja e punimeve. Sipas dokumentave që disponohen leja e ndërtimit u firmos në datë 3 dhjetor, teksa ndërkohë punimet po avanconin ndonëse ligji është i qartë.
E njëjta shkelje vërehet sipas sinjalizimit të qytetarit edhe për mungesën e deklaratës mjedisore. Agjencia Kombëtare e Mjedisit i përgjigjet zyrtarisht ‘Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore”:
“Aktualisht zhvilluesi e ka marrë njoftimin nga AKM-ja dhe është në fazat e përgatitjes së konsultimeve. Theksoj se ende nuk është pajisur me Deklaratë Mjedisore”, përshkruhet zyrtarisht për shkresën e dytë që konsiderohet e nevojshme për dosjen. Por nga kqyrja e shkresave kuptohet se teksa ka nisur punimet, Bashkisë së Kolonjës as që i ka shkuar ne mend të kryejë një studim se cili është impakti i ndryshimeve në aks dhe paralelisht harron banorët.
“I kemi dërguar një përgjigje Bashkisë së Kolonjës me 5 nëntor, pas kërkesës që kjo e fundit i kishte nisur me 14 tetor 2020 për të pajisur me një deklaratë mjedisore”, shpjegon institucioni që trajton çështjet mjedisore.
“Pas marrjes nga ana jonë njoftimin për vazhdimin e procedurës, ku i lihen detyra lidhur me zhvillimet e mëtejshme, subjekti vazhdon me procedurat e konsultimit me publikun dhe harton VNM e thelluar, per t’u pajisur me Deklaratën Mjedisit”, shton AKM-ja.
Por i pyetur se përse punimet u nisën pa leje, pa VNM dhe pa kryer takimet publike, kryetari i bashkisë së Kolonjës e delegoi përgjëgjësine tek vartësit.
“Bashkia Kolonjë nuk është autoriteti kontraktor”, theksoi Isai, sipas të cilit detajet ju takojnë specialistëve përkatës.
Specialistët që ngatërruan fshatin Selenicë me Selenicën Bashki
Por paradoksin më të madh e zbulojnë kërkesat mes institucioneve, ku vërehet se bashkia e Kolonjës duke aplikuar për segmentin Korçë-Ersekë, në të vërtetë në shkresa, harta tregonte se rrugën po e ndërtonte diku tjetër. Nga komunikimi mes Agjencisë Mjedisore dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, rezulton se Bashkia Kolonjë nuk ishte në gjendje të jepte as koordinatat e sakta për investimin, duke ngatërruar Selenicën fshat me Selenicën Bashki, kjo e fundit dhjetra kilometra larg dhe aq më tepër bashki në vete e ndodhur në jug të vendit.
“Për tu shprehur për Aplikimin me nr.AN141020200005 me aktivitetin “Ndërtim rrugësh, portesh dhe instalimesh për porte, duke përfshirë dhe portet e peshkimit”, me zhvillues ‘BASHKIA KOLONJË’ na duhen koordinatat e sakta pasi ato në aplikim bien në Bashkinë Selenicë Vlorë”, shprehet AKZM-ja në përgjigjen që Agjencia Kombëtare e Mjedisit i ka kthyer Bashkisë Kolonjë.
Një vërejtje e tillë ekspozon ngutjen me të cilën ka nisur investimi dhe po ashtu shpejtësinë me të cilën bashkia Kolonjë po aplikonte për rrugën Korçë -Ersekë, loti 2.
Në terren dallohen me sy të lirë problematika të tjera, siç është edhe një tabelë ku tregohet se mbikëqyrësit janë provizore.


Ndërsa në përgjigjen zyrtare të ARRSH-së i cili është edhe investitori i këtij projekti për “Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore”, thuhet se është marrë leja në KKT, por nuk japin një përgjigje sepse kanë filluar punimet pa VNM dhe pse është ndryshuar gjurma e rrugës.
Një dosje që flet shumë!
Nga dokumentat e siguruara nga “Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore”, rezulton se Autoriteti Rrugor u dërgon në datën 7 dhjetor 2020 një “Ftesë për propozim”, pesë kompanive . Objekti : për të kryer “Supervizion Punimesh Ndërtim rruga Korçë- Ersekë, Loti 2 (pjesa e parë )”,me fondin limit 18.920.120,67 Lekë (pa përfshirë vlerën e TVSH-së).
Kompanitë sipas dosjes janë : “GJEOKONSULT &CO”, “ERSI/M”, “ C.E.C”, “ MCE” dhe “INSTITUTI I KONSULENCES NE NDERTIM IKN”.
Ndërsa kompania që ka fituar të drejtën për të kryer punimet është kompania “ A.N.K”.
Ky projekt me 4 kilometra rrugë do ti kushtojë shqiptarëve 2.3 miliardë lekë të reja.
Në një dokument të siguruar nga “Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore”, Autoriteti Rrugor Shqiptar shprehet se është bërë reduktimi i veprave të artit të mëdha(urat), ku projekti i ri parashikon vetëm një urë, kurse projekti i vjetër parashikonte 5 ura.
Gjithashtu projekti i ri ka një pjerrësi maksimale gjatësore prej L=257.9 m me 9.56%, kurse pjerrësia gjatësore maksimale në projektin e vitit 2020 është 9.97% në një gjatësi L=1km.
Nëse është bërë reduktimi i veprave të mëdha të artit dhe është zvogëluar me vetëm 0.41% pjerrësia gjatësore maksimale, ekspertët shtrojnë pyetjen retorike se përse atëherë u rrit kostoja totale e këtij projekti.
Rrugë për të tjerët, jo për banorët
Në projektin e ri gjurma e rrugës neglizhon një varg fshatrash të zonës. Për banorët kjo sjell izolimin e tyre.
Ertil Demiri, banor i fshatit Shtikë të Kolonjës, shprehet se gjurma e re zhvendoset në një distancë të konsiderueshme nga aksi kryesor dhe se mes të tjerash fëmijëve do tu vështirësohet rruga për të shkuar në shkollë. Por gjithashtu ai përsërit fakte që janë të qarta në shkresa, mungesën e konsultimit mes Bashkisë dhe banorëve.
“Me ndryshimet që janë bërë, ne largohemi 5 kilometra nga rruga nacionale, kjo sjell vështirësi për fëmijët dhe aq më tepër as që u pyetëm”, shprehet banori.
Të njëjtat shqetësime kanë edhe banorët e fshatit Helmës, më kryesorja neglizhenca për ta lidhur këtë zonë rurale me rrugën nacionale.
“Ndryshimi i gjurmës na sjell shumë pasoja, pasi nga 800 metra që e kemi tani rrugën aktuale, me rrugën e re ne largohemi rreth 6 km. Ne mbetemi pa një rrugë lidhëse me rrugën nacionale. Nuk ka pasur asnjë konsultim nga ana e Bashkisë së Kolonjës për ndërtimin e kësaj rrugë”, tha Artur Nazarko.
Një tjetër banore e këtij fshati shton pasojat që do të sjellë ndryshimi i gjurmës për këto zona, por edhe për fshatin e saj.
“Ndryshimi i gjurmës së rrugës sjell pasoja në vështirësinë e lidhjes së banorëve të fshatit me qytetet si Korça apo Erseka për shkak të transportit publik, sepse rruga ku do të kalojnë furgonat, taksitë apo autobusat ndodhet në një largësi të madhe. Gjithashtu edhe banoret të cilët shesin prodhimet bujqësore si ambulantë në vende të caktuara të rrugës nuk do ta kenë më mundësinë, sepse kjo largësi ua bën të pamundur. Do të sillte edhe një shpopullim të fshatit, sepse pamundësitë e mësipërme sjellin vështirësi ekonomike për banorët kështu që do të largohen në zona drejt një zone ku do të kenë mundësi t’i krijojnë këto kushte ekonomike. Deri tani nuk ka pasur asnjë konsultim me banorët për këtë ndryshim”, nënvizon e reja Ambra.N.
Sipas kryeplakut Jani Jano, në fshatin Helmës jetojnë 110 banorë dhe asnjëri prej tyre nuk u pyet dhe as që u informua për ndryshimet që po kryheshin.
Një tjetër kryeplak, ai i fshatit Shtikë, Erjon Hamzaj dëshmon shpërfilljen totale të komunitetit dhe po ashtu izolimin e plotë të kësaj zone pa ofruar akse lidhëse me rrugën e re. “Nuk ka pasur asnjë konsultim me banorët për ndryshimin e gjurmës dhe me gjurmën e re ne largohemi të paktën 7 kilometra”, tregon kryeplaku i fshatit Butkë, Hamzaj.
Selenica, i vetmi fshat i pyetur…
Të padukshëm si banorët rezultuan të jenë edhe subjektet tatimpaguese të zonës që ushtrojnë aktivitete turistike dhe bizneset e agroturizmit që veç të ardhurave në buxhetin e shtetit lëvrojnë të ardhura dhe vende pune për banorët me mundësi të pakta ekonomike.
I vetmi fshat që duket se ishte ekzistent për bashkinë e Kolonjës është Selenica. Aty banorët janë pyetur dhe dëgjuar. Por dëgjesa me fshatin që ka 600 banorë u mbajt dy muaj pasi ishte prerë shiriti i punimeve. Faktet i radhit kryeplaku i fshatit Engjëll Jaho.
“Rruga aktuale kalon afër fshatit tonë, ndërsa gjurma e re na largon rreth 1 kilometër. Dëgjesa me banorët është bërë me 7 dhjetor 2020”, shprehet kryeplaku i Selenicës.
E vërteta e banorëve dhe dokumentat
Në hyrje të projektit theksohet se zbatimi i projektit është rezultat i bashkëpunimit me përgjëgjësi lokale dhe komunitetin e zonës.


Shpjegimi shkresor garanton që segmenti me gjatësi L = 4.15 km, kalon në afërsi të fshatrave Helmës, Pepellash, Roshanj, Boshanj. Por në të vërtetë disa nga këto fshatra anashkalohen ndjeshëm nga njolla ekzistuese e rrugës.


Eksperti Romeo Nazarko që është banor në zonë, pohon se segmenti me gjatësi L = 4.15 km nuk i kalon afër fshatit Helmës, por nga distanca 600 metra në vijë ajrore që ishte në projektin e parë të miratuar shkon në distancën 2.3 km ose 2300 metra.


Gjithashtu fshati Pepellash nuk ka lidhje me këtë gjurmë, pasi ai është lidhur me lotin e parë të zbatuar aktualisht, kurse fshatrat Roshanj dhe Boshanj nuk pësojnë asnjë ndryshim me këtë gjurmë.
Në projekt thuhet se gjatësia e rrugës 4.15 km kalon në një terren me pjerrësi të madhe, ku përshkon vargun kodrinoro – malor në anën veriore të Pllajës së Kolonjës.


Pasojat që sjell projekti i ri i miratuar për banorët e fshatrave të Kolonjës që pozicionohen në pllajën e Gramozit?
Eksperti Nazarko vëren se gjurma e re rrit distancën e rrugës nga fshatrat e pllajës së Gramozit me rrugën nacionale dhe automatikisht vështirëson rrugën e fëmijëve të këtyre fshatrave per të ndjekur arsimin në Ersekë.
“Bizneset që janë zhvilluar në atë zonë me shumë mund, për shkak të vështirësive të mëdha që kanë kaluar si rezultat i rrugës së vjetër, me ndryshimin e gjurmës së rrugës sipas interesave të njërës apo tjetrës palë i con drejt falimentimit, kjo nuk është luks për rrethin e Kolonjës ku një bisnes do vite për tu rritur dhe zhvilluar. Gjurma e re për shkak të ndryshimit të projektit, copëton më shumë tokat e ndara me ligjin 7501 për tokën”, e mbyll eksperti i cili bashkohet me shqetësimin e banorëve.