Autor: Denis Tahiri
Si u formua Tirana DC për të ndërtuar dhe rindërtuar në konflikt interesi
Themelimi i shoqërisë “Tirana DC”, e kundërshtuar që në nisje nga juristët dhe shoqëria civile është kthyer prej javësh në një çështje nën verifikim nga prokuroria e posaçme SPAK. Kryeprokurori i posaçëm antikorrupsion Arben Kraja thotë për ACQJ se kallëzimi është dorëzuar pranë SPAK në datën 7 janar 2021. “Është nën hetim. Dosja është bashkuar me procedimin penal që kemi nën hetim për shembjen e teatrit”, thekson zoti Kraja.
E zotëruar 100 përqind nga Bashkia e Tiranës dhe me fushëveprim “ndërtimin dhe rindërtimin në kryeqytet”, kjo shoqëri aksionere, prej datës 30 shtator është miratuar nga Këshilli Bashkiak duke u mbështetur në një paketë ligjesh të shkelura që në formimin e saj apo dhe gjatë regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit, që i licensuan statusin aktiv. Me një kapital fillestar prej 50 milionë lekë të ndara në 1 mijë aksione, financimi i “Tirana DC” i ngarkohet bashkisë si dhe të ardhurave të tjera të lejuara nga legjislacioni. Në këtë pikë në vendimarrjen e Këshillit Bashkiak nuk specifikohet se cilit legjislacion i referohet financimi nga të ardhurat e tjera dhe për cfarë të ardhurash bëhet fjalë.
Problemet ligjore të “Tirana DC”
Si provë shkresore paraqitet historiku i “Tirana DC”, regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit më datë 3 Nëntor 2020 dhe që në aktin e themelimit nënvizohet partneriteti i shoqërisë nën pronësi të bashkisë me shoqëri private vendase dhe të huaja. Por “bërthama” e “Tirana DC”, sipas ekstraktit historik është bordi i Këshillit të Administrimit, që ka mandat tre vjecar deri në tetorin e 2023. Në përbërje të tij janë nën kryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, në pozicionin e kryetarit. Laura Deliu, deklarohet anëtare e Këshillit të Administrimit të “Tirana DC”, por që ndërkohë mban detyrën e Drejtoreshës Juridike të Bashkisë Tiranë dhe i treti, si anëtar i këshillit të Administrimit të Tirana DC, është Redi Molla, më herët me detyrë drejtuesi i Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, një detyrë që ai e mbajti deri në datën 21 shtator 2020. Një kohë që përkon me nisjen e procedurave për krijimin e shoqërisë aksionere të bashkisë më të madhe në rang vendi.
Por nëse Redi Molla do ishte vetëm anëtar i këshillit të administrimit të shoqërisë, nuk do kishte dritë hije të dukshme. Çështja kthehet e debatueshme për shkak të rolit të trefishtë të anëtarit Molla që rezulton paralelisht edhe administrator i saj, si edhe ekspert kontabël i autorizuar që prej 28 tetorit 2020 dhe me nje afat të pacaktuar. Të treja këto detyra për të tretin në listë, bien ndesh me njëra – tjetrën dhe sjellin konflikt interesi, në një shoqëri e cila deklaron si qëllime të saj nxitjen e zhvillimit ekonomik nëpërmjet investimeve me kapital shtetëror dhe bashkëpunimin me sektorin privat apo të huaj.
Në një intervistë për Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore, juristi Jordan Daci konstaton mungesën e pavarësisë si problemin esencial ligjor në përbërjen e Këshillit të Administrimit të “Tirana DC”, për vetë faktin se administratori Molla është vartës i aksionerit, që është bashkia dhe që mes drejtuesve ka edhe Arbër Maznikun. Ky i fundit me rol drejtues edhe në shoqërinë “Tirana DC”.
“Ka dy probleme, një në aspektin formal juridik, që sigurisht është i paligjshem për një arsye shumë të thjeshtë pasi duke ju referuar nenit 158, 155 të ligjit për tregëtarët dhe shoqëritë tregëtare, një anëtar i Këshillit të Administrimit mund të jetë edhe administrator, por me kusht që shumica e anëtarëve të këshillit të jetë e pavarur. Nga analiza që i bëhet rastit konkret aty bëhet fjalë për tre persona duke përfshirë edhe administratorin. Por nga ana tjetër, administratori është nën varësi të drejtëpërdrejtë të aksionerit. Aksioneri është bashkia, e cila udhehiqet nga kryetari dhe nënkryetari, i cili aktualisht është një ndër anëtarët”, shpjegon Daci.
Juristi këmbëngul për paligjshmërinë që thellohet më tej sipas tij.
“Dy anëtarët e tjerë nuk janë të të pavarur, pasi janë eprorët e administratorit apo anëtarit tjetër në cilësinë e aksionerit të përgjithshëm të vetëm të kësaj shoqërie. Në këtë rast emërimi i këtij personi është i paligjshëm, aq më tepër duke u nisur edhe nga ekstrakti i QKB, zotëria ka edhe detyrën e ekspertit kontabël që është e papajtueshme”.
Në rastin e anëtarit të tretë Molla, juristi Daci thekson ndjeshmërinë që ka ligji për ekspertin kontabël, një funksion që në rastin e “Tirana DC” e mban administratori Molla.
“Janë të gjitha parimet e kontrollit, auditimit, mos të harrojmë që eksperti kontabël ka detyrën e çertifikimit të bilanceve dhe është një autoritet i cili pavarësisht se punon për shoqërinë është i pavarur dhe nuk mund të kontrollohet përvec nga struktura që merren me administrimin e ekspertëve kontabël që është një strukturë e pavarur, por ka edhe një drejtori të posacme në ministrinë e financave që merret nga pikëpamja e kontrollit metodologjik”, thotë Daci, që ngre pikëpyetje në lidhje me vlefshmërinë e regjistrimit të kësaj shoqërie në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Kryetari i Shoqatës së Kontabilistëve dhe Financierëve të Republikës së Shqipërisë, Prof. Doc. Sherif Bundo, këmbëngul se ligji ka ndalesa për angazhimin e dyfishtë;
“Absolutisht jo! Ligji ja ndalon ekspertit kontabël çdo lloj dypunësimi, ja ndalon marrjen dhe kryerjen e funksionit si administrator të çdo lloj shoqërie, private ose publike si dhe të bordit të administrimit, pra ligji ia ndalon”, thotë profesori.
Edhe Prof. Dr. Sotiraq Dhamo, profesor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, në departamentin e Kontabilitetit ka të njëjtin qëndrim;
“Në opinionin tim, nuk mund të jetë, audituesi është një palë e tretë, plotësishtë e pavarur nga shoqëria. Jo nuk mund të jetë as anëtar i KD dhe sidomos as EKR (aktualisht ligji i quan Auditues Ligjore)”.
A duhej ta regjistronte QKB-ja, shoqërinë e bashkisë ?
“Qendra Shqiptare e Biznesit e cila prej kohësh tashmë është kthyer thjesht një vëzhguese, pa hyrë në analiza, në rastin konkret nuk mund të regjistronte një person në këto tre cilësi, në këto kushte. Sigurisht nëse rasti i parë (përbërja e Këshillit të Administrimit) kërkon një analizë për të parë nëse janë apo nuk janë të pavarur, pjesa e ekspertit kontabël është një gjë elementare. Nuk mund të jesh ekspert kontabël, pasi ke papajtueshmëri të dukshme”, thotë prerazi Jordan Daci për Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore.
Probleme në objektin e aktivitetit
“Tirana DC” me shumë mundësi është një nga të paktat shoqëri shtetërore të cilat kanë si objekt aktivitet të gjerë. Një nga objektet e aktivitetit të Tirana DC është edhe “Të kryejë çdo aktivitet të ligjshëm që lidhet me pasuri të luajtshme dhe/ose të paluajtshme, si dhe të ushtrojë të gjitha të drejtat reale të pronarit mbi to, duke përfshirë, por pa u kufizuar në zhvillim, dhënie me qira, enfiteozë, leasing, përdorimin, transferimin, shitjen, përdorimin si hipotekë, peng, garanci ose të përdoret në forma të tjera të parashikura nga legjislacioni në fuqi…”.
Ligji për Vetëqeverisjen vendore i jep të drejtën bashkive në të gjithë territorin e Shqipërisë për të krijuar shoqëri për zhvillim të pronave, por kurrësesi, ky ligj nuk i lejon këto shoqëri për ti kryer transferim, shitje të aseteve shtetërore të vendosura në dispozicion të këtyre shoqërive.
Neni 9, pika C e ligjit për Vetëqeverisjen Vendore thotë shprehimisht se “E drejta e pronësisë ushtrohet nga këshilli përkatës, i cili nuk mund t’ia delegojë ushtrimin e kësaj të drejte askujt tjetër”.
Gjithashtu neni 54 në pikën E të tij e përcakton shumë qartë se është pikërisht detyrë dhe kompetencë e Këshillit Bashkiak për të “miratuar tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave të tretëve”.
Një tjetër objekt i kësaj shoqërie është edhe marrja hua, gjë për të cilën profesori i Jurispudencës, Jordan Daci thotë se nuk lejohet nga instutucionet tona.
“Ne rastin konkret, aktiviteti që ata po përpiqen të bëjnë me këtë shoqëri, edhe pse nëse ne e marrim pa asnjë paragjykim është një aktivitet si çdo shoqëri tjetër tregëtare në pamje të parë, nuk lejohet nga institucioni jonë, pse? Midis të tjerave aty thuhet se mund të merret hua, normalisht që çdo shoqëri tregëtare mund të marrë hua, por në një shoqëri tregëtare me karakter publik ose shtetërore, huaja praktikisht i mbahet vet aksionerit dhe aksioneri në këtë rast është Bashkia Tiranë, e cila në bazë të ligjit për huamarrje publike ka procedura specifike se si miratohet, sepse ne nuk mund të lejojmë bashkinë që të fundosi Shqipërinë, pasi një bashki mund të marrë hua një miliard dollarë, e çdo të thotë kjo? Që pastaj duhet të përgjigjet Republika e Shqipërisë? Nuk përgjigjet më bashkia”, thotë Daci që hedh pikëpyetje të tjera mbi objektin e shoqërisë.
Tjetërsimi….
“Në parim, me këtë statut mund të ndodhë edhe pse ligji nuk e lejon, por praktikisht mund të ndodhë dhe pastaj mund të shndërrohen në situata, ku prona nëse do ketë një mbrojtje efikase mund të mos tjetërsohet. Gjithsesi shteti minimalisht do të paguajë dëmshpërblime për ato subjekte të cilat hyjnë në marrëdhënie kontraktore me këto kompani, marrin si garanci prona, nuk i marrin dot se ligji nuk lejon sekuestrimin dhe kjo përkthehet domosdoshmërisht në faturë financiare”, thotë profesori i jurisprudencës Jordan Daci, i cili shton se prona vërtet nuk mund të tjetërsohet, por ky mekanizëm dhe ky lloj menaxhimi do të ketë një rezultat që ka premisat të jetë më i rëndë se sekuestrimet.
Por nëse duhej apo jo të regjistrohej kjo shoqëri aksionere nga QKB-ja, me gjithë problemet në bordin e saj, kjo e fundit pretendon se ligji ja ka lidhur duart. Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore e pyeti QKB-në, mbi parregullsitë e dokumentacionit të dorëzuar nga përfaqësuesit e “Tirana DC”. Përgjigjia e QKB-së, ishte se nuk ishte detyra e këtij institucioni të kontrollonte nëse në dokumentacionet e dorëzuara kishte parregullsi ligjore, por thjesht nëse këto akte janë në formën e kërkuar nga ligji.
Duke ju referuar ligjit ky institucion sqaron se “ndërkohë, pika 2, e nenit 54, të Ligjit “Për regjistrimin e biznesit”, i ndryshuar, përcakton se: “QKB-ja nuk mund të shqyrtojë saktësinë e të dhënave ose vërtetësinë e dokumenteve, që i bashkëlidhen aplikimit për regjistrim apo përputhshmërinë e përmbajtjes së tyre me kërkesat e ligjit në fuqi”. Më tej, pika 2, e nenit 55, përcakton se “QKB-ja nuk mund të refuzojë regjistrimin, nëse aplikimi është dorëzuar sipas parashikimeve të këtij ligji”.
Një reagim për këto çështje ju kërkua edhe Bashkisë së Tiranës, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, nuk u paraqit asnjë qëndrim zyrtar.
Një kallëzim penal ndaj Bashkisë së Tiranës
Me këto pikëpyetje, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, përgatiti një dosje dhe ju drejtua përmes një kallëzimi Prokurorisë kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duke vënë në shënjestër të akuzave kryebashkiakun Erion Veliaj, nënkryetarin Arbjan Mazniku, kreun e Këshillit Bashkiak Toni Gogu, si dhe Administratorin e Tirana DC, gjithashtu anëtar i Këshillit të Administrimit dhe Ekspert Kontabël, Redi Molla. Kallëzimit nuk i kanë shpëtuar edhe anëtarët e Këshillit Bashkiak. Në pritje të rezultateve, Ardiana Kalaja numëron abuzimet dhe shkeljen e procedurës që siç e shpjegon për Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore mund të sjellë shmangie të tenderave.
“Nëse krahasojmë vetëm vendimin e Këshillit Bashkiak me ekstraktin e kompanisë në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në vendimin e këshillit ka një diapazion shumë të shkurtër të aktivitetit, ku flitet vetëm për ndërtime, rindërtime, rikostruksione dhe zbatim të projekteve në të gjitha fushat. Nga ana tjetër nëse i referohemi aktit të themelimit në QKB, ka një aktivitet shumë të zhvilluar, të cilin do ta kishte zili çdo kompani e fuqishme në Shqipëri, por edhe në rajon”, thotë zonja Kalaja e cila shton, se krijimi i kësaj kompanie i hap rrugë shmangies së tenderave.
Ajo thotë se krijimi i një SH. A-ja në këtë formë shmang të gjitha auditimet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. “Ne e kemi parë si një instrument për të shuar kërkesën dhe ofertën në treg, duke prishur të gjithë ekulibrat e tregut të lirë”, thotë Kalaja.
Por sakaq, Adriana Kalaja thotë se “është detyra e SPAK të identifikojë ata që kanë lidhje me regjistrimin e paligjshëm të kësaj shoqërie, duke nisur që nga sporteli i QKB-së, nënpunësja që analizon dosjen që duhet ta kishte refuzuar krijimin e kësaj shoqërie, pasi vërtet një nga kompetencat e Këshillit Bashkiak është krijimi i një shoqërie aksionere në interes të punës së bashkisë, por gjithmonë në referim të ligjit të përgjithshëm, i cili thotë se një institucion shtetëror krijon një shoqëri aksionere vetëm për shërbimet që janë monopol.”