Të kujtosh… se midis dhunës së diktaturës, u krijua art!

Në një vend ku diktatura nuk u mjaftua me burgosjen dhe pushkatimin e kundërshtarëve, por kërkoi të zhdukte edhe kujtimin e tyre, arti mbijetoi. Në Zall të Kirit, aty ku historia la plagët e saj më të thella, “Tingujt e Kujtesës” riktheu zërat e njerëzve që regjimi tentoi t’i fshinte përgjithmonë nga memoria kolektive.

Denada Jushi

Rruga nga Tirana në Zall të Kirit është 90 km. Në 90 minuta rrugëtim, të ndërmendet sesi pushteti diktatorial, nën dhunë represive, vrasje, zhdukje e internime, më shumë se askund, kishte në fokus një qytet: Shkodrën!

Në kujtimet e At Zef Pllumit, hyrja e komunistëve në qytet përshkruhet që në faqet e para të “Rrno për me Tregue”. Ai rrëfim mu vizualizua teksa rruga u gjarpërua në mbrëmjen e 11 qershorit, kur festivali “Tingujt e Kujtesës”, edicioni i pestë, ishte vendosur në breg të zallit, aty ku u pushkatuan shumë njerëz të ditur e të dashur të qytetit!

Sapo zbret, ndjen heshtjen gati shurdhëruese që mbulon një prej kapitujve më të errët të historisë shqiptare.

Megjithatë, muzika u bë edhe një herë dëshmi, kujtesë e përkujtim.

“Tingujt e Kujtesës” është konceptuar prej nisjes si një akt kujtese, një përpjekje për të rikthyer emrat, zërat dhe historitë e atyre që diktatura komuniste u përpoq t’i zhdukte përgjithmonë.

Mbrëmja nisi me letrën e Mark Shllakut, shkruar pak orë përpara pushkatimit të tij në tetor të vitit 1949.

“Të lutem me mu interesue për eshtrat e të mos më harrojsh për kurdoherë. Me m’i marrë eshtrat e me m’i çu në një vorr. Kam me vedi një teneqe me emnin tem, me të mundësh me më njoftë.

Hallall të gjithëve dhe ty të parës.”

Fjalët drejtuar bashkëshortes dhe fëmijëve të tij, të mbushura me dashuri, amanete dhe dhimbje, rikthyen para publikut jo vetëm fatin e një njeriu, por tragjedinë e mijëra shqiptarëve të zhdukur pa varr.

Amaneti i Mark Shllakut nuk u vu kurrë në jetë, sepse eshtrat e tij nuk u gjetën kurrë!

Familjeve të tyre iu mohua e drejta më elementare njerëzore: të kishin një vend ku të kujtonin.

Në Shqipërinë e diktaturës, zhdukja nuk ishte vetëm fizike. Regjimi shkonte deri te zhdukja e eshtrave, por mbi të gjitha edhe e kujtesës.

Për shumëkënd arriti të fshinte emrat, krijimtarinë, talentin dhe gjithçka që nuk përputhej me modelin e tij ideologjik.

Por kujtesa gjeti mënyra për të mbijetuar. E përmes saj, ky koncert solli pikërisht këtë histori mbijetese.

Poezia, muzika dhe interpretimi skenik rikthyen figura që diktatura i burgosi, i torturoi apo i la në harresë.

Gac Çuni, i cili dha frymën e fundit në burgun e Burrelit, por la pas këngë që sot këndohen ende. Zef Zorba, poeti që shkroi në fshehtësi, sepse fjala e lirë ishte e ndaluar.

Tonin Guraziu, pianisti të cilit iu mohua skena. Pjerin Ashiku, autorësia e të cilit u mohua, ndërsa këngët e tij jetonin në zemrat e njerëzve.

Lukë Kaçaj, artisti që pushtoi skena ndërkombëtare përpara se të përfundonte në burgjet e regjimit.

Lazër Shantoja, Qemal Draçini, Ramadan Sokoli, Prenk Jakova dhe dhjetëra emra të tjerë që paguan çmimin e lirisë me jetën, burgun apo internimin.

“Tingujt e Kujtesës” rrëfen historinë e viktimave. Ai rrëfen edhe historinë e krijimtarisë në diktaturë.

Gjithë kjo krijimtari, që ende sot këndohet e recitohet, lindi në qeli burgu, në internime, në dorëshkrime të fshehura, në këngë që qarkullonin gojë më gojë dhe në poezi që prisnin të shihnin dritën vetëm pas dekadash.

E vendosur në Zall të Kirit, në Shkodër, në një qytet që përjetoi burgosje, pushkatime dhe përndjekje të pandërprera, kjo është më shumë se kujtesë; është një mënyrë për t’u kthyer në një vend që na dëshmon se arti ishte formë rezistence.

“Tingujt e Kujtesës” na fton që e shkuara të mos harrohet.

Në mbyllje të koncertit, shiu nisi të lagë zallin, si një metaforë e lotëve të familjarëve që shihnin me lot në sy artin e njerëzve të tyre të dashur, që diktatura ua rrëmbeu pa të drejtë!/acqj.al