COVID-19, goditja e madhe ndaj turizmit shqiptar

Autor: Denis Tahiri

“Sezon i vështirë, jemi me minus deri tani”, – kjo ishte fjalia universale që dëgjoje në të gjithë rivierën shqiptare gjatë kësaj vere aspak të zakontë nga biznesmenë, të cilët kanë investuar në industrinë e turizmit. Vështirë se mund të gjeje në bregdetin e jugut një hotel, ku mund të hyje pa t`u matur fillimisht temperatura, dezinfektuar duart e disa herë pa plotësuar edhe formularin, për të parë nëse kishe patur simptoma të COVID-19.

Shumë klientë anuluan rezervimet për shkak të pandemisë e shumë të tjerë e kishin të vështirë të mbërrinin në Shqipëri për shkak edhe të kufizimeve në lëvizjen jashtë kufijve.

Probleme gjatë këtij sezoni turistik hasën edhe strukturat turistike që operojnë në tregun shqiptar që prej 17 vitesh. “Sivjet ka qenë një vit shumë i vështirë për biznesin. Mund ta cilësoj si një nga vitet më të vështira që prej 17 viteve që operojmë në këtë treg. Fillimisht ishte tërmeti, pastaj pandemia. Pandemia ishte një problem madhor, pasi në fillim e morëm me lehtësi, menduam se do ishte vetëm muajt e parë të sezonit, por ajo pati shtrirje dhe nuk ka fund”, – thotë për Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore Mirjeta Ismaili, menaxhere e përgjithshme në Hotel Bonita.

Në mungesë të informacionit se si mund të veprojnë, hapat për të hyrë në sezonin turistik këtë vit kanë qenë shumë të vegjël, pasi askush nuk e ka ditur se çfarë do të ndodhte. Kjo ka bërë që edhe strukturat hoteliere të ndryshojnë strategjinë e tyre, duke u përpjekur të tërheqin sa më shumë klientë, të cilët këtë verë ndryshe nga verat e tjera kanë hezituar të bëjnë rezervime.

Ky ka qenë një problem i madh, sepse ne, plus çmimeve që kemi ndryshuar, që janë me 30% ulje në krahasim me vitet e tjera, edhe prurjet e klientelës nuk i kemi patur në nivelet e duhura”, – thotë Mirjeta, e cila shton se edhe kontratat me kompanitë e huaja turistike janë anuluar.

Edhe pse Shqipëria, ngjashëm si pak shtete, kufijtë e saj i mbajti të hapur, ardhja e turistëve, sidomos nga Bashkimi Europian, u godit fort për shkak të futjes së saj në listën e vendeve me rrezik të lartë dhe masave për karantinim të kërkuara pas rihyrjes në vendet e BE.

E në këto kohë pandemie, ku asgjë nuk është e sigurt, edhe strukturat turistike, të cilat gjatë shtatorit dhe fillimit të nëntorit presin studentë nga Kosova dhe vende të tjera, nuk e kanë të sigurt këtë rezervim.

Ne zakonisht në këtë kohë vijonim me studentët; kemi patur nga 500-600 studentë, maturantë të Kosovës që bënin ekskursione, pra në shtator deri në fund të nëntorit, por ky shans ka ikur.

Pra, që nga ky moment ne shkojmë prapë me minus. Nuk është aspak si vitin e kaluar, nuk është as 10%, sepse dy nga ato që ne i quajmë sezone, pra pranvera dhe vjeshta, ku operonim me maturantët, janë totalisht të prishura, s`ka asnjë të ardhur nga ato”, – thotë Mirjeta, e cila shton se gjatë shtatorit do fillojë edhe shkurtimi i stafit në hotelin që ajo menaxhon, pasi nuk kanë më mundësi t`i mbajnë në punë.

T`i mbajmë e mos t`i paguajmë, nuk është e logjikshme. Punë s`ka, prandaj je i detyruar të mbash një staf bazë, edhe atë me sforco, se nuk ke asnjë lloj të ardhure”, – përfundon ajo.

Paralajmërimi dhe shifrat

Para fillimit zyrtarisht të sezonit turistik paralajmërimet për goditje të fuqishme të industrisë së turizmit nuk munguan. Shqipëria u vlerësua si një nga shtetet që do ta vuante më shumë pandeminë e COVID-19 me një rënie në ekonominë e saj me 5%, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore e deri në 9% nga BERZH.

Ndërkohë, Visual Capitalist, me të dhënat e marra nga Organizata Botërore e Turizmit, përpiloi edhe një hartë duke listuar shtetet, të cilat kanë një vartësi të lartë nga turizmi, duke përfshirë shtetet, ku industria e turizmit dhe e udhëtimeve kontribuonte direkt ose indirekt në me shumë se 15% të punësimeve. Shqipëria renditej në vendin e 30 me një peshë punësimi prej 22% në ekonominë e vendit. Sipas raportit, mungesa e një fluksi të qëndrueshëm në të ardhurat nga turizmi do të përballte shumë shtete me efekte të rënda në ekonomi. Por, ndërsa ende nuk është bërë bilanci i humbjes ekonomike nga industria e turizmit, shifrat zyrtare të 6-mujorit të parë të vitit 2020 mund të tregojnë një humbje të madhe.

Sipas INSTAT, në tremujorin e parë të vitit 2020 shfrytëzimi i kapaciteteve të strukturave akomoduese njohu një ulje prej 10,4% në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2019.

Numri i netëve të qëndrimit është ulur me 9.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, në tremujorin e dytë të vitit 2020 shifrat tregojnë një ulje edhe më të madhe të vizitorëve.

“Numri i vizitorëve është ulur me 75,6%, në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2019.

Numri i net-qëndrimeve është ulur me 76,6%, në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2019”, – thotë INSTAT.

Vera nga këndvështrimi i operatorëve turistikë

Besnik Vathi, i cili është një emri i njohur i turizmit shqiptar, duke vepruar prej shumë vitesh si operator turistik, shprehet se goditja e industrisë së turizmit nisi ende pa ardhur pandemia në vendin tonë.

“Veçantia te kjo industri është se e pësoi edhe pa ardhur pandemia në vendin tonë. Goditja në Shqipëri filloi që në momentin që doli virusi, frika për përhapjen e virusit filloi menjëherë që me shfaqjen e pandemisë në Kinë., – thotë ai duke, shtuar se, – Ne nuk është se kemi një ardhje turistësh në dimër. Me fillimin e pranverës u bë karantina dhe u anuluan 100% të gjitha rezervimet që ishin parashikuar për pranverën. Si periudhë pranvera është edhe momenti që bëhen rezervimet për verën dhe kushtet ku ndodheshim bënë që të anuloheshin edhe rezervimet për verën”.

Në një intervistë për Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore Vathi thotë se ky është një vit i vështirë për turizmin shqiptar e sipas tij mund të shkojë në 20%-30% të realizimit të vitit të kaluar, shifra këto mjaft të ulëta për një sektor të ekonomisë me shumë peshë. “Një pjesë e madhe e hoteleve janë mbyllur, agjencitë janë mbyllur, ndërkohë që 30%-40% të bizneseve mund të mos jenë mbyllur, por e kanë ulur aktivitetin në minimum”, – thotë ai.

E vetmja gjë e sigurt që mund të thuhet është se pasojat e këtij viti në turizëm nuk mungojnë, por a do të ndikojë kjo në vitet në vijim? Besnik Vathi thotë se nuk është e lehtë të parashikosh se sa të thella e të rënda do të jenë këto pasoja edhe për vitet e tjera.

“Nëse një biznes goditet, pezullohet, mbyllet apo largon punonjësit nga puna, për të rimarrë atë gjendje që kishte para pandemisë, nuk është e lehtë ekonomikisht, pasi duhen të ardhura për ta vënë në punë, por edhe punonjësit e larguar mund të mos jenë më të gatshëm për atë biznes, pasi mund të jenë larguar nga vendi, mund të kenë ndryshuar profil etj.

Vathi shton se në këto kushte është shumë e vështirë për t`i vënë në punë, gjithmonë duke patur parasysh që do të rikthehemi në një gjendje normale me daljen e vaksinës.

Besnik Vathi, për sa i përket numrit të personave që pushuan këtë verë në Shqipëri, shprehet se beson se është një numër më i vogël nga sa pasqyrohet në media.

“Unë, ndryshe nga ajo që pasqyrohet në media, kam përshtypjen se nuk është e vërtetë se më shumë shqiptarë kanë pushuar në Shqipëri. Në total kanë pushuar më pak se vitet e tjera. Pra, nuk është se turizmi shqiptar përfitoi nga mbyllja, humbëm të gjithë.”, – thotë ai për ACQJ, duke shtuar se një pjesë e atyre që pushonin jashtë vendit, këtë vit pushuan në Shqipëri, ndërsa ata që pushonin në Shqipëri, nuk patën mundësi ekonomike të shkonin jashtë vendit ose zgjodhën të mos shkonin me pushime për shkak të frikës nga pandemia.

 

Vathi thotë se sektori i turizmit duhej të ishte mbështetur më shumë nga qeveria, sepse, sipas tij, u la në rënie të lirë.

“Ky sektor pas hapjes u la në rënie të lirë dhe u konsiderua sikur goditja ishte vetëm me mbylljen në karantinë, pavarësisht se goditjen ne nuk e morëm në karantinë. Ne edhe gjatë kohës së karantinës nuk ishim të detyruar të mos paraqiteshim në punë, por nuk kishte dhe nuk ka aktivitet”.

Ai gjithashtu shprehet se në rimëkëmbje ne nuk do te jemi vetëm, por do jemi në konkurrencë edhe me vende, të cilat, jo thjesht e konsiderojnë si propagandë turizmin prioritet, por madje nuk e konsiderojnë fare turizmin prioritet, por marrim masa edhe vendet që nuk e kanë fare.

“Për shembull, Gjermania nuk është vend i njohur për turizmin, por ka marrë masa me paga, me donacione, me grante të ndryshme për të kaluar periudhën e pandemisë. Ne qe e kemi prioritet, e kemi lënë në rënie të lirë”, – shprehet ai.

Masat që mund të ishin ndërmarrë për ta mbështetur këtë sektor, sipas Vathit, janë të shumta.

Ai thekson se këto masa mund të merren sërish dhe kanë të bëjnë, jo vetëm me punonjësit, por edhe me biznesin. “Duhej mbështetur biznesi me masa ndihmëse, si për të paguar qiratë, këstet e kredive në banka. Duhej parë mundësia që në rimëkëmbje të përjashtohej një apo dy vite nga pagesa e taksave, e tatimeve, pra këto do të ishin masa të drejtpërdrejta”, – thotë ai, duke shtuar se ka edhe shtete, të cilat aplikuan masa indirekte shumë të rëndësishme, si Italia dhe Franca, të cilat shpërndanë bono pushimesh për qytetarë me të ardhura të pakta, me qëllim që këto bono të përdoreshin në turizmin e brendshëm.

“Pra, ajo parulla, “Pusho shqip” që u përkthye nga “Pusho në Itali”, duhej të ishte përkthyer e plotë, e shoqëruar me ato masa që u shoqërua në Itali apo në Francë; dhe jo vetëm t`i bësh thirrje popullit “Pusho në Shqipëri”, sikur ky popull nuk kishte lindur e nuk ishte shqiptar e nuk e njihte Shqipërinë”, – përfundon ai.

Lockdown-i dhe turistët që munguan

Me përhapjen e COVID-19 gjithë bota i mbylli kufijtë dhe lëvizjet jashtë tyre ishin vetëm për kategori specifike të qytetarëve, të cilët e kishin të domosdoshme lëvizjen. Por lëvizja e njerëzve është një nga elementet kyç të turizmit. Në Shqipëri mbyllja e kufijve pati pasoja të mëdha në këtë sektor.

Referuar të dhënave nga INSTAT, hyrjet e shqiptarëve dhe të huajve në vendin tonë përgjatë muajit maj ishin 46.488 persona, një rënie kjo me 94.4% krahasuar me muajin maj të viti 2019.

Në atë kohë INSTAT do të raportonte se: “Numri i shtetasve të huaj, të hyrë në vendin tonë përgjatë pesë muajve të parë të vitit 2020 është 602.300, duke rënë me 60,0%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Përgjatë pesë muajve të parë të vitit 2020, Mali i Zi ka rënien më të ulët të hyrjeve të shtetasve në Shqipëri me 51,1%, ndërsa rënien më të madhe e ka pasur Polonia me 89,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019”.

Por rënia e hyrjes në Shqipëri të shtetasve shqiptarë dhe të huaj do të vijonte edhe gjatë muajit qershor, ku do të shënonte një rënie me 66.3% krahasuar me qershorin e vitit 2019.

Gjatë qershorit në vendin tonë hynë 179,594 shtetas të huaj, një rënie kjo me 71.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shtetasit e huaj që patën rënien më të madhe ishin ata të Polonisë, ku krahasuar me qershorin e vitit 2019 në kufijtë e Shqipërisë hynë 95.3% më pak shtetas polakë.

Një situatë e ngjashme u paraqit edhe gjatë muajit korrik, ku INSTAT bëri të ditur se: “Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar në muajin korrik 2020 janë 663.980. Krahasuar me korrikun e vitit 2019 ky tregues rezulton me rënie 61,5%.

Në korrik 2020 hyrjet e shtetasve të huaj në territorin shqiptar janë 387.716. Krahasuar me korrikun e vitit 2019 ky numër ka rënë me 67,1%”. Gjatë korrikut të vitit 2020 shtetasit e huaj që e preferuan më pak Shqipërinë ishin ata spanjollë, duke shënuar një rënie prej 88.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Në një vit ku çdo sektor i ekonomisë u godit, ku ekonomia e vendit u tkurr për shkak të kufizimeve në betejën kundër COVID-19, ajo që është e sigurt është se sektori i turizmit u godit më shumë nga gjithë të tjerët. E ndërkohë që pandemisë që ka pushtuar botën ende nuk i dihet fundi, pyetja që ngrihet është se çfarë masash do të ndërmerren nga shteti shqiptar për të lehtësuar shumë sektorë ekonomikë për të përballuar goditjen e marrë nga pandemia, por edhe rimëkëmbjen e tyre përballë konkurrencës jo të vogël të vendeve fqinje.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter