Bilanci i protestave në Tiranë: Mbi një mijë ndalime, vetëm 11 vendime!

Në Tiranë, 1,305 persona u arrestuan ose u shoqëruan gjatë protestave mes viteve 2021 dhe 2026; 659 vetëm në vitin 2026. Në të njëjtën periudhë, Prokuroria raportoi 112 referime, ndërsa Gjykata e Tiranës 11 vendime përfundimtare, gjashtë prej tyre pafajësi. Për arrestimet e lidhura me “Protestën e Flamingos”, deri më sot nuk është dhënë asnjë dënim i formës së prerë.

Rexhina Papa

14 protestues të arrestuar më 4 shtator u liruan nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm pa masë sigurie. Një numër i madh njerëzish merren pa arsye dhe drejtësia nuk gjen arsye për t’i mbajtur nën hekura.

Skena e zhvilluar në Rrugën Mine Peza gjatë një prej ditëve të fundit të protestës ishte e qartë për çdo kalimtar: një i ri nuk po përleshej, nuk po shtynte gardhin mbrojtës dhe as po hidhte sende drejt forcave të rendit. Ai qëndronte mjaftueshëm afër vetëm për të dokumentuar me telefonin e tij celular atë që po ndodhte. Papritur, ai u bë shënjestër e një efektivi policie, i cili iu afrua nga pas, i zhvati pajisjen nga dora dhe, brenda pak sekondash, u ndihmua nga tre efektivë të tjerë për ta tërhequr forcërisht drejt makinës së shoqërimit.

Kjo pamje filmike, e xhiruar gjatë tubimit të 1 shtatorit, nuk është një incident i izoluar. Ajo përfaqëson një model të përsëritur sjelljeje dhe dëshmon se shoqërimet e qytetarëve gjatë të ashtuquajturës “Protesta e Flamingos” kanë tejkaluar çdo normë ligjore dhe profesionale.

Protesta e përditshme, që mori jetë pas dhunës së ushtruar ndaj një protestuesi në Zvërnec tre muaj më parë, shërbeu si shkëndija fillestare që ndezi këtë valë reagimi qytetar. Përtej masivitetit të saj, kjo lëvizje u shqua si një nga qëndresat më paqësore të zhvilluara në vend gjatë viteve të fundit. Megjithatë, ajo që dëshmoi kjo përplasje e gjatë përballë institucioneve, përveç vendosmërisë së protestuesve, ishte një konfirmim i hidhur i praktikave që vënë në pyetje profesionalizmin dhe paanësinë e forcave të policisë.

Gjatë kësaj periudhe, pjesëmarrësit në protestë u përballën me një reagim joproporcional. Pati raste të dokumentuara ku qytetarët u morën zvarrë në rrugë, u goditën fizikisht nga efektivët e policisë, u spërkatën me ujë me presion të lartë dhe spraj djegës direkt në fytyrë, si dhe u shoqëruan në masë në komisariate pa ndonjë arsyetim të qartë ligjor.

Shoqërimet si formë ndëshkimi: Dhuna fizike dhe psikologjike

Tensioni u shkallëzua ndjeshëm në ditët kur aksioni qytetar u zhvendos përpara godinës së Kuvendit të Shqipërisë. Synimi simbolik i protestuesve ishte bllokimi i hyrjes për deputetët dhe goditja e tyre me vezë, si një akt mosbindjeje civile ndaj vendimmarrjes politike.

Enes Keta, një 25-vjeçar që iu bashkua protestës pranë shëtitores Toptani, kujton momentin kur situata degjeneroi në përplasje me forcat e rendit. Sipas tij, ishin efektivët e policisë ata që provokuan tensionin, duke shtyrë turmën në mënyrë agresive për të liruar kalimin.

Befas, Enesi u gjend përballë një efektivi, i cili i hoqi maskën mbrojtëse nga fytyra, të cilën e kishte vendosur për t’u mbrojtur nga lëndët irrituese, dhe i zbrazi një shishe me spraj piperi direkt në sy e më pas në trup.

“Kisha dhimbje të tmerrshme në kurriz. Kur hoqa bluzën pas disa minutash, pashë që kisha djegie në lëkurë. Isha pothuajse në gjendje të fikëti. U detyrova të blija vetë krem për djegiet dhe ilaçe për sytë në barnatore, sepse automjeti i ambulancës që ndodhej aty nuk kishte asnjë lloj ndihme të shpejtë për raste të tilla”, tregon 25-vjeçari.

Edhe pse u dërgua në spital në gjendje të rënduar shëndetësore, kalvari i tij nuk përfundoi me ndihmën mjekësore. Pesë efektivë policie e pritën atë jashtë ambienteve të spitalit për ta shoqëruar në komisariat, me pretendimin e zakonshëm se po kryenin një “verifikim rutinë”.

“I vetmi person që morën nga spitali isha unë. Më kapën dy policë nga krahët, ndërkohë që as nuk mund të ecja vetë, e jo më të vrapoja apo të përbëja rrezik. Në komisariat më lexuan një listë me 9 nene të Kodit Penal që, sipas tyre, kisha shkelur. Momentalisht jam nën hetim në gjendje të lirë, por pa asnjë provë konkrete. Unë atë ditë nuk kisha as edhe një vezë në dorë”, dëshmon ai.

Përmasat e akuzave ndaj të riut ishin absurde. Policia i renditi atij vepra penale që varionin nga “kundërshtimi i forcave të rendit” dhe “bllokimi i sinjalistikës rrugore” deri te akuza e rëndë për “organizim të akteve me qëllime terroriste”.

“Sa herë që kërkoja shpjegime, ata devijonin pyetjet e mia. Edhe sot e kësaj dite nuk e di arsyen e saktë se pse u ndalova”, përfundon Enesi.

Kjo praktikë tregon se Policia e Shtetit, në shumë raste, nuk ka pasur asnjë dyshim të arsyetuar për të ndaluar individët. Pa bërë të qartë shkeljen në momentin e prangosjes dhe duke përdorur dhunë fizike e verbale, efektivët i kanë mbajtur protestuesit në qeli për orë të tëra, thjesht për t’i liruar më pas pa asnjë masë apo pa ngritur akuzë zyrtare.

Aktivisti Arnen Sula u shoqërua gjithashtu në polici nga njësia “Shqiponja”, teksa protestonte paqësisht pranë Xhamisë së Namazgjasë.

“Nuk kishte asnjë motiv konkret. Thjesht dëgjova njërin nga shefat që tha ‘merreni këtë personin’ dhe më hipën në makinë. Përgjatë gjithë rrugës për në komisariat, efektivët përdorën një fjalor fyes ndaj meje, edhe pse unë nuk bëra asnjë rezistencë gjatë shoqërimit”, tregon Sula.

Në një tjetër rast, Edison Likaj, një aktivist i njohur për praninë e tij në lëvizjet qytetare, u arrestua në kushte surrealiste, ndërkohë që po jepte një intervistë në transmetim të drejtpërdrejtë për televizionin News 24.

“Protesta pothuajse kishte përfunduar. Ora po i afrohej 15:00 dhe ne po largoheshim. Në një moment dëgjoj drejtorin e Komisariatit Nr. 1 t’u thotë kolegëve: ‘Arrestojeni dhe këtë, merreni me vete’. Arrestimi im ishte totalisht absurd, sepse ndodhesha jashtë çdo perimetri sigurie dhe nuk kisha asnjë lidhje me tensionet e atij momenti”, shprehet Likaj.

Dhunimi i gazetarëve dhe i qytetarëve joaktivë përbën një tjetër faqe të errët të këtij operacioni. Gazetarja Loreta Koleci kujton ngjarjet e 30 majit gjatë protestës në Zvërnec, ditën kur një protestues u mor zvarrë nga rojet e një kompanie private sigurie, ndërsa Policia e Shtetit qëndronte pasive.

Gjatë atyre momenteve, persona të paidentifikuar të kompanisë private u munduan t’ia merrnin nga dora pamjet filmike Kolecit dhe më pas i zbrazën spraj piper në fytyrë.

“Kam qenë 3 ditë me temperaturë 39 gradë dhe me djegie të rënda të lëkurës së fytyrës”, kujton ajo.

Për çudi, e njëjta polici që pretendonte se nuk kishte kompetencë të ndërhynte ndaj rojeve private në Zvërnec veproi me shpejtësi ndaj vetë gazetares pak ditë më vonë. Koleci u arrestua pranë Parkut Rinia pas një proteste përpara Kuvendit.

“Thjesht po rrija në park me disa miq pas pune. Më shoqëruan në Komisariatin Nr. 2, ndonëse atë ditë nuk kisha qenë fare në protestë për shkak të angazhimeve të mia profesionale”, tregon gazetarja.

Përpjekja për të kontrolluar protestat përmes mjeteve të dhunshme konfirmohet edhe nga dëshmia e Jurgen Shpërdhes, një i ri që ka marrë pjesë aktive në shesh.

“Më 23 korrik ishim përpara Parlamentit, po protestonim në mënyrë demonstrative me vezë. Pas pak sekondash shtyrjeje me gardhin policor, policia vuri në punë makinën ujëhedhëse. Uji përmbante lëndë kimike irrituese. Sytë më dogjën për rreth 20 minuta, derisa disa protestues më ndihmuan duke më larë fytyrën me qumësht”, tregon Shpërdhea, duke këmbëngulur se ndaj protestuesve është ushtruar forcë edhe atëherë kur nuk ka pasur asnjë rrezik real për jetën e efektivëve.

Menaxhimi i turmave: Standardet ndërkombëtare kundrejt realitetit shqiptar

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Fatjon Softa, sqaron se protokollet moderne të menaxhimit të turmave nuk synojnë shpërndarjen e dhunshme të protestuesve, por garantimin e sigurisë dhe menaxhimin e situatës përmes komunikimit. Sipas tij, përdorimi i mjeteve rrethanore, si makinat ujëhedhëse, përbën masën e fundit ekstreme dhe kërkon transparencë të plotë mbi substancat kimike që i shtohen ujit.

“Nuk mund të përdoren mjete të tilla në mënyrë kolektive ndaj një turme të tërë, veçanërisht kur vetëm një grup i vogël individësh kryen veprime provokuese ose të dhunshme”, thotë Softa.

Lidhur me përdorimin e sprajit me piper, eksperti nënvizon se ky mjet duhet të shërbejë vetëm për neutralizimin e personave agresivë dhe kurrë nuk duhet të përdoret në distancë të afërt, direkt në fytyrë, ndaj qytetarëve paqësorë, gazetarëve apo personave me probleme shëndetësore.

“Standardi profesional është i qartë: forca përdoret në mënyrë të proporcionalizuar ndaj individit që përbën kërcënim direkt dhe jo si një formë ndëshkimi kolektiv ndaj turmës. Në një shtet demokratik, protesta nuk është një problem sigurie që duhet shtypur, por një e drejtë kushtetuese që duhet garantuar”, shton Softa.

Nga ana tjetër, gazetarja e medias Citizens, Erisa Kryeziu, e cila ka ndjekur hap pas hapi çdo zhvillim të kësaj lëvizjeje, vëren se zhvendosja e protestës drejt seancave plenare erdhi si një nevojë për t’i mbajtur deputetët përgjegjës përballë kërkesave qytetare.

“Aksioni i protestuesve ka qenë kryesisht simbolik, por përgjigjja e policisë ishte disproporcionale. Numri i efektivëve të dislokuar shpesh tejkalonte numrin e vetë protestuesve. Kërcimi i madh u vu re kur policia filloi të kryente shoqërime agresive edhe në momente plotësisht të qeta”, thotë Kryeziu.

Ajo dëshmon se forcat e rendit nuk kanë kursyer as të moshuarit apo fëmijët, duke përdorur gaz lotsjellës dhe spraj në hapësira të ngushta, si dhe duke ekzekutuar ndalime të dhunshme të qytetarëve teksa po ktheheshin në shtëpitë e tyre.

“Mënyra se si janë kryer këto ndërhyrje ngre pikëpyetje të mëdha ligjore. Shoqërimet janë përdorur qartazi si një mjet psikologjik për të mbjellë frikë dhe për të zbrapsur reagimin popullor”, përfundon gazetarja.

Baza ligjore dhe bilanci i arrestimeve: Çfarë thonë shifrat zyrtare?

Statistikat e siguruara zyrtarisht nga Policia e Shtetit zbulojnë shifra alarmante lidhur me qasjen e policisë ndaj të drejtës për të protestuar në kryeqytet.

Përgjatë periudhës pesëvjeçare 2021–2026, në Tiranë janë regjistruar gjithsej 118 protesta, gjatë të cilave janë kryer 1,305 arrestime ose shoqërime.

Ajo që bie në sy është fakti se gjatë vitit 2026 është shënuar numri më i lartë i tubimeve, me 52 protesta të zhvilluara deri në momentin e kthimit të përgjigjes zyrtare. Megjithatë, numri i të arrestuarve gjatë këtij viti përbën më shumë se gjysmën e të gjithë bilancit pesëvjeçar, me 659 shtetas të ndaluar.

Ndërkohë që Policia e Shtetit raporton mbi një mijë të ndaluar, të dhënat nga sistemi i drejtësisë tregojnë një realitet krejt tjetër.

Prokuroria ka kthyer përgjigjen se ka pasur 112 referime në të njëjtën periudhë, 55 prej të cilave janë bërë në vitin 2026.

Ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka dhënë vetëm 11 vendime përfundimtare për të gjitha këto arrestime.

Nga këto 11 vendime, 6 prej tyre kanë qenë pafajësi absolute. Të gjitha rastet lidheshin me nenin 262 të Kodit Penal (“Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”). Ndërkohë, për arrestimet e kryera specifikisht gjatë “Protestës së Flamingos”, Gjykata nuk ka dhënë ende asnjë vendim dënimi të formës së prerë.

Avokati Gentian Serjani, i cili ka marrë përsipër mbrojtjen ligjore të dhjetëra protestuesve, sqaron se në seancat e vlerësimit të masave të sigurisë, Gjykata ka rrëzuar pothuajse të gjitha akuzat e ngritura nga policia.

“Gjykata ka rrëzuar akuzën për ‘pjesëmarrje në protestë të paligjshme’ për shumicën e protestuesve. E vetmja akuzë që mbetet përkohësisht në këmbë është ajo e ‘kundërshtimit të forcave të rendit’, e cila bazohet ekskluzivisht në deklaratat e vetë efektivëve të policisë dhe në asnjë provë tjetër”, sqaron avokati.

Serjani nënvizon se asnjë nga protestat e zhvilluara nuk mund të konsiderohet e paligjshme, pasi organizatorët kanë dërguar njoftimet përkatëse pranë policisë sipas ligjit.

“Në asnjë rast policia nuk ka përdorur megafonin për të paralajmëruar turmën se grumbullimi po kthehej në të paligjshëm, siç e kërkon rregullorja. Për më tepër, reagimi i qytetarëve ka ardhur vetëm pasi situata është provokuar nga ndërhyrjet e dhunshme të policisë”, thotë ai.

Kjo pasqyrë shkeljesh është konfirmuar edhe nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) në deklaratën zyrtare të datës 24 korrik. Pas vëzhgimeve dhe intervistave të kryera me të ndaluarit në Komisariatin Nr. 1, KShH konstatoi se pjesa më e madhe e qytetarëve u shoqëruan ndërsa qëndronin paqësisht në trotuar, pa bllokuar rrugën dhe pa ushtruar asnjë lloj dhune.

“Mbajtja e qytetarëve në komisariat për më shumë se pesë orë pa iu komunikuar akuza përbën shkelje të hapur të të drejtave të njeriut. Ligji po shkelet nga vetë organet që kanë për detyrë ta zbatojnë atë”, përfundon avokati Serjani.

Në një sistem ku protesta trajtohet si kërcënim publik dhe jo si e drejtë kushtetuese, mjeti kryesor i pushtetit mbetet frika. Por bilanci i “Protestës së Flamingos” tregon se arrestimet pa prova, spraji në fytyrë dhe shoqërimet arbitrare nuk kanë arritur ta zbrapsin protestën./acqj.al