Arrëza, fshati i humbur në sup të Dardhës

Autor: Andrea Danglli

Ua ka rrahur ndonjëherë veshin një fshat me emrin Arrëzë? Mbase nuk keni dëgjuar shumë për të, pasi stinët janë kujdesur ta fshehin mes dhjetëra ngjyrash për sytë e kureshtarëve.

Pranvera e mbulon me petale lulesh, vera me gjelbërimin e pemëve, vjeshta me arin e gjetheve, ndërsa dimri e struk bukur mes bardhësisë së dëborës. Ky fshat ngjyrash gjendet 56 km nga qyteti i Korçës, 26 km nga Bilishti dhe vetëm disa hapa larg nga fshati Dardhë, të cilit i qëndron në sup. Të dy fshatrat, të vendosur në këmbë të malit Gramoz, dikur ngjanin së tepërmi.

Dardha me shtëpi të gurta, edhe Arrëza me shtëpi të gurta, njëra me rrugica të kalldrëmta, edhe tjetra me rrugica të kalldrëmta, qendër e gjelbërimit njëra, qendër e gjelbërimit tjetra, kuzhina e mrekullueshme si andej edhe këtej, por… turistë të panumërt nga njëra anë, harresë e frikeshme nga ana tjetër.
Janë ndjerë të përkëdhelur njësoj nga natyra bujare, por jo nga fati që i përqafoi ndryshe. Diku ai dhuroi mirëqenie dhe gjallëri, ndërsa, veç një shteg më tutje, la pas mjerim dhe humbëtirë.
“Kështu qe e shkruar për ne”, – thotë Bujar Hoxholli, kryeplak i fshatit, në lidhje me kontrastin midis Arrëzës dhe Dardhës.

Banorët gjithashtu kujtojnë se fshati Dardhë ka qenë gjithnjë më i favorizuar nga autoritetet.

“E si mund të vijnë turistët, kur ne nuk kemi një rrugë që të na sjellë automjetet deri në fshat, por përdorim akoma kafshët për transport si në epokën e gurit? Pse Dardha e ka infrastrukturën me kohë dhe ne asgjë?”, – është pyetja që shtrojnë banorët, teksa argumentojnë se pse nuk kanë mundur të kenë jetën e fqinjëve të tyre.

Kaq pranë dhe kaq larg njëra-tjetrës, binjaket kanë ndjekur dy udhë të kundërta, pavarësisht se një turist, atë që kërkon në Dardhë, mund ta gjejë po aq mahnitshëm edhe në Arrëzë.

Pisha, ahu dhe lisi nuk mungojnë as këtu. Nuk mungojnë as bimët e veçanta medicinale apo dhjetëra aroma lulesh. Ato e vendosin fshatin në një poltronë të gjelbër që të mbush thellë me frymë dhe të rigjeneron mushkëritë. Dora e njeriut në këtë zonë duket se nuk është etur ende për ta zhvirgjëruar mjedisin e mrekullueshëm. Zemërgjerësinë e dëshmon edhe gurgullima e lumit Devoll, i cili rrjedh i qetë përmes fshatit.

Por Arrëzën është vështirë ta gjesh në hartë dhe jo më në revistat, librat, udhëzimet apo rekomandimet turistike.

Shtëpitë e ndërtuara mahnitshëm në strehë të njëra-tjetrës mbajnë ende në këmbë traditën, zakonet apo legjendat e vjetra, të shkruara nëpër gurë të gdhendur, oborre të shtruara mirë dhe sokakë të gjerë. Banorët e kanë të vështirë t’i shpëtojnë krahasimit me fshatin e famshëm dimëror që jeton me turistë, ndërsa, për karshi, vetë ata janë dënuar të mbijetojnë me ato pak të ardhura që grumbullojnë prej punës rraskapitëse në bujqësi e blegtori.

Nëse sjellim në vëmendje kronikat televizive, ku shfaqen dhjetëra tonelata prodhime të hedhura në ujërat e Devollit, janë fshatarët e kësaj zone që hedhin të parët djersën e një viti në lumë, sepse nuk ka treg për t’i shitur ato. Në këto rrethana, kafshata nuk mund të sigurohet.

Në vitin 1990 numëroheshin 1010 banorë, ndërsa sot, vite më pas, kanë ngelur veç 638 njerëz, misioni i të cilëve duket se është për ta mbajtur “hapur” fshatin. Gati gjysma e banorëve iku duke marrë me vete mallin për vendlindjen dhe shpresën se kahu i zhvillimeve në zonë një ditë do të ndërrojë drejtim që ata të kthehen.
Mbase, thjesht, një rrugë e ndërtuar për ta do të ishte ura lidhëse me qytetërimin. Dikur u premtua një unazë mes Korçës, Dardhës dhe Bilishtit, ku pjesë e saj do të ishte edhe Arrëza, por ky projekt fle ende në sirtarët e ministrisë së Transporteve.

Sot, Arrëzën e rrëfen guri, e flet tradita dhe, përpos nivelit gjeografik, e ngre në piedestal vlera natyrore dhe trashëgimia kulturore që ajo dëshmon. Fshati i fjetur prej vitesh sot kërkon të zgjohet dhe të na thotë se cili është. Arrëza ka se çfarë të na tregojë.

Fotografia: Andrea Danglli

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter