Ida Ismalaj
Për mijëra të rinj shqiptarë, dita e diplomimit nuk shënon më fillimin e një karriere, por nisjen e një udhëkryqi të panjohur. Pas viteve të tëra të investuara në auditorë, ëndrra për një vend pune në profesion shpejt përplaset me realitetin e ashpër të tregut: një derë e mbyllur me pergjigjen standarde: “Na duhet dikush me eksperiencë”.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2025 rezultonin të papunë 17.800 persona me arsim të lartë, nga të cilët mbi 9.600 i përkisnin grupmoshës 15-29 vjeç. Situata u përkeqësua edhe më tej në tremujorin e dytë të vitit 2026, ku numri i të rinjve të papunë (15-29 vjeç) arriti në 36.7 mijë, një rritje prej 5 mijë personash krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Këto shifra dëshmojnë qartë se ngërçi më i madh shfaqet pikërisht në pragun e hyrjes në karrierë.
“Kërkojnë eksperiencë, por ku ta marrim?”
Kjo është pyetja që mundon çdo të sapodiplomuar. Valbona, 23 vjeçe, e cila pas përfundimit të masterit në psikologji nisi kërkimin për punë, u përball menjëherë me këtë barrierë. Në çdo aplikim, i kërkohej përvojë e mëparshme apo angazhim në punë vullnetare.
Ekspertja e punësimit, Gertjana Hasalla sqaron se ky është një problem strukturor. Sistemi arsimor prodhon kryesisht të diplomuar me njohuri teorike, ndërsa bizneset kërkojnë aftësi praktike dhe digjitale.
“Mungesa e eksperiencës është bariera kryesore hyrëse” thotë Hasalla. “Shumë biznese nuk kanë kohë apo burime financiare për të trajnuar nga e para një punonjës të ri, ndaj preferojnë kandidatë që mund të prodhojnë rezultat menjëherë.”
Nga ana tjetër, sfidat nuk ndalen te përvoja. Një problem tjetër lidhet me transparencën e tregut. Njoftimet për vende të lira pune shpesh mbeten aktive në rrjete sociale apo në dyqane edhe pasi pozicionet janë plotësuar. Të rinjtë harxhojnë kohë duke aplikuar apo paraqitur personalisht, vetëm për të mësuar se vendi është zënë prej kohësh.
“Nuk është problem nëse një pozicion plotësohet, por njoftimi duhet të hiqet. Duhet të dimë ku jemi” shprehet e zhgënjyer një nga të rejat në kërkim të punës.
Hendeku mes auditorëve dhe tregut
Në vitin 2025, sipas INSTAT në Shqipëri rezultonin gjithsej 107.548 persona të papunë. Prej tyre, 45.764 kishin arsim të mesëm, 43.984 arsim 8/9-vjeçar dhe 17.800 arsim të lartë.
Të papunët me arsim universitar përbënin rreth 16.5% të totalit të të papunëve. Por, problemi nuk lidhet vetëm me numrin e vendeve të punës. Por, përtej shifrave, shqetësimi kryesor mbetet mospërputhja mes asaj që studiohet dhe asaj që kërkon tregu.
Sipas Hasallës, ndërsa oferta e të diplomuarve në disa fusha tradicionale tejkalon kërkesën, sektorë të tjerë vuajnë nga mungesa e theksuar e profesionistëve.
“Universitetet vazhdojnë të diplomojnë studentë në profile klasike, ndërsa ekonomia ka lëvizur me shpejtësi drejt shërbimeve teknologjike, energjisë, turizmit dhe ndërtimit” thekson ajo.
Ekspertja e punës nënvizon se tregu ka nevojë për profesionistë në fusha si IT, siguri kibernetike, teknologji ushqimore, ndërsa në disa profile të shkencave sociale, shkencave politike, gazetarisë, drejtësisë dhe administrimit të biznesit konkurrenca është më e lartë.
Të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA) për 7-mujorin e parë të vitit 2026 konfirmojnë këtë prirje negativisht: Papunësia mes zotëruesve të diplomave Bachelor dhe Master Shkencor. Në 7 mujorin e parë të vitit 2026, numri i të papunëve me diplomë Bachelor rezulton më i lartë se në vitin 2025 dhe në nivele të përafërta me periudhën përkatëse të vitit 2024. Edhe për të diplomuarit në Master Shkencor, papunësia në 7 muajt e parë të vitit 2026 rezulton më e lartë se në vitet 2023, 2024 dhe 2025. Në të njëjtën kohë, numri i të punësuarve gjatë 7 mujorit të parë të vitit 2026 rezulton më i ulët krahasuar me shifrat e punësimit të 3 viteve të mëparshme. Të dhënat ngrenë pyetjen nëse ritmi dhe drejtimi i arsimit universitar po përputhen me nevojat reale të ekonomisë.
Ministria e Arsimit dhe Sportit (MASR) sqaron se kuotat e pranimit përcaktohen nga vetë universitetet, në përputhje me kapacitetet e tyre akademike. Megjithëse MASR argumenton se hapja e programeve shoqërohet me analiza të punësimit potencial, ajo pranon gjithashtu se nuk mund të ketë një përputhshmëri fikse me tregun, pasi ky i fundit ndryshon me ritme shumë më të shpejta se kurrikulat akademike.
Edhe pse Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL) bën me dije se gjatë periudhës 2023-2026 janë akredituar 689 me raporte vlerësimi të jashtëm, mbetet e paqartë se sa funksionale janë këto mekanizma për të parandaluar prodhimin e diplomave “pa treg”.
Eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti e sheh problemin në disa nivele. Sipas tij, një nga pengesat për të sapodiplomuarit është kërkesa për eksperiencë pune, ndërsa një tjetër lidhet me mungesën e një lidhjeje të qëndrueshme mes universiteteve dhe tregut të punës.
“U kërkohet që të kenë eksperiencë pune, që është paradoks, pasi ata sapo janë diplomuar” thotë Mehmeti.
Sipas tij, universitetet dhe bizneset duhet të kenë një bashkëpunim më të qëndrueshëm për të përshtatur kurrikulat dhe drejtimet profesionale me nevojat e ekonomisë.
“Problemi kryesor është mungesa e lidhjes së tregut të punës me shkollimin. Pra, nuk ka një bashkëpunim institucional mes kompanive dhe bizneseve me universitetet, për të përmirësuar kurrikulat dhe drejtimet profesionale në përputhje me tregun e punës” thotë Mehmeti.
Një tjetër problem, sipas tij, është ritmi i ndryshimit të programeve universitare. Proceset institucionale për ndryshimin e kurrikulave dhe hapjen e programeve të reja janë të gjata, ndërsa nevojat e tregut ndryshojnë më shpejt. Mehmeti argumenton se mungojnë studimet e rregullta mbi tregun e punës dhe efektivitetin e diplomave, të cilat do të mund të tregonin se ku ndodhen boshllëqet dhe çfarë masash duhen marrë.
Alarmi i FMN-së
Ky hendek është bërë objekt shqetësimi edhe në raportet ndërkombëtare. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) analizon se Shqipëria vuan nga boshllëqe të thella në arsim dhe formim profesional, çka po rëndon produktivitetin e vendit.
Fusha STEM: Shqipëria renditet e fundit në rajon (pas Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut) dhe shumë prapa mesatares së BE-së për numrin e të diplomuarve në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë. Sipas FMN-së, origjina e problemit nis që në arsimin parauniversitar. Rezultatet e ulëta të nxënësve shqiptarë në testimin ndërkombëtar PISA (veçanërisht në matematikë) zbehin aftësitë analitike, duke ulur numrin e studentëve që zgjedhin degët shkencore.
Në anën tjetër shkollat profesionale mbeten të kufizuara, të pranishme në vetëm 20 nga 61 bashkitë e vendit, ndërsa bashkëpunimi i tyre me sektorin privat është pothuajse sipërfaqësor.
FMN rekomandon me urgjencë zgjerimin e programeve STEM, fuqizimin e arsimit dual (pune-studim) dhe krijimin e një partneriteti real mes universiteteve dhe sipërmarrjes.
Në fund, kriza e punësimit të të rinjve në Shqipëri nuk është thjesht një çështje mungese vendesh pune, por një hendek i madh mes asaj që mësohet në auditorë dhe asaj që kërkon realiteti ekonomik. Pa një reformim të thellë të kurrikulave, pa orientim drejt teknologjisë dhe pa një bashkëpunim të ngushtë me biznesin, diploma universitare rrezikon të mbetet thjesht një karton i kushtueshëm i varur në mur, ndërsa të rinjtë, të pashpresë, do të vazhdojnë të kërkojnë të ardhmen jashtë profesionit ose jashtë vendit./acqj.al