Shqipëria i afrohet BE-së, por prova e vërtetë është te llogaridhënia

Shqipëria ka ligjet që i duhen Brukselit. Por raporti i Komisionit Evropian për 2026 tregon një realitet tjetër: SPAK dërgoi në gjyq 160 të pandehur, por pasuritë e konfiskuara në rastet e nivelit të lartë arritën vetëm rreth 100 mijë euro. Ndërkohë, gjyqtarët mbetën pa rrogë në gusht. Parlamenti mbrojti Zëvendëskryeministren nga prokurorët. Buxheti rishikohet me akt normativ, jo me votë. Rruga drejt BE-së duket e hapur, por pyetja mbetet: a vlen ligji njësoj për të gjithë, edhe për të fuqishmit?

Redaksia ACQJ

Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2026 vlerëson reformat ligjore të Tiranës. Përtej përgëzimeve, detajet e tregojnë se institucionet e e drejtësisë po hetojnë, ndërsa pushteti politik e kufizon efektin e këtyre të fundit.

Në pamje të parë, raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë, publikuar më 4 nëntor, është një dokument miqësor. Vendi ka hapur të gjitha klasterat e negociatave dhe ka plotësuar kriteret ndërmjetëse të klasterit të parë, atë të “themeleve”. Ka mbyllur përkohësisht katër kapituj dhe synon t’i mbyllë të gjithë deri në fund të vitit 2027. Për drejtësinë dhe luftën kundër krimit të organizuar, raporti jep vlerësimin “progres i mirë”.

Por lexuar me kujdes, raporti përshkruan një vend ku institucionet e reformuara dalin në dritë të fakteve të pakëndshme, ndërsa elita politike u reziston pasojave. Gjashtë gjetje tregojnë më së miri këtë hendek mes ligjit dhe praktikës.

Hetimet shtohen, paratë nuk kthehen

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është heroi i pranuar i raportit. Komisioni thotë se ajo ka “treguar pavarësi” dhe po ndërton një precedent të qëndrueshëm. Gjatë vitit 2025 rastet e reja për korrupsion u rritën me 17.7%, dhe 34 procedime shkuan në gjykatë me 160 të pandehur. Dhjetë procedime me 13 të pandehur lidheshin me korrupsion të nivelit të lartë.

Shifrat e pasurive të sekuestruara e ndryshojnë pamjen. Në 2025 SPAK sekuestroi dhe konfiskoi pasuri me vlerë totale 45.4 milionë euro. Vetëm 1.2 milionë euro lidheshin me procedime korrupsioni të nivelit të lartë, ndërsa vlera e pasurive të konfiskuara në ato raste ishte rreth 100 mijë euro. Vendimet për konfiskim ranë nga 20 në 8. Raporti e quan raportin mes pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara “ende jo të kënaqshëm”. Ai shton se referimet nga institucionet e tjera te SPAK mbeten “shumë të pakta”.

Për një vend ku besimi publik te drejtësia varet nga ideja se “të fuqishmit paguajnë”, ky është një tregues i hidhur. Aktakuzat po shtohen, por pasuria e fituar nga korrupsioni po mbetet, në masën më të madhe, në duart e pronarëve të saj. Komisioni kërkon më shumë vendime të formës së prerë në çështje me profil të lartë, jo vetëm më shumë hetime.

Drejtësia dhe pushteti

Konflikti i hapur mes SPAK dhe politikës është pjesa më e ndjeshme e raportit. Në nëntor 2025 gjykata e posaçme urdhëroi pezullimin e zëvendëskryeministres në një hetim për shkelje të barazisë së pjesëmarrjes në tendera publikë. Pasoi bllokim institucional tremujor dhe një rirregullim i qeverisë me shtatë ministra në shkurt 2026.

Më pas Kuvendi, pas një vonese të gjatë, votoi kundër kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të saj. Komisioni e quan këtë shqetësues për “kontrollin dhe balancat” dhe për “parimin e barazisë përpara ligjit”. Raporti shton se pezullimi dhe kërkesa për imunitetin shkaktuan “reagime të forta negative” nga ekzekutivi dhe legjislativi, përfshirë sulme të drejtpërdrejta ndaj SPAK, duke theksuar se retorika që diskrediton gjyqësorin janë përdorur edhe shumica, edhe opozita. Në këtë ndarje të thellë politike, institucionet e reja nuk shihen si arbitra neutralë. Shihen si palë në një luftë për pushtetin.

Qeverisja me akte normative

Gjetja më e rëndësishme për ata që ndjekin paratë publike është ndoshta më pak e dukshme. Komisioni vëren se qeveria vazhdon t’i rishikojë buxhetet “ekskluzivisht” përmes një numri të madh aktesh normative, pa shqyrtim parlamentar. Sipas raportit, kjo praktikë dobëson qëndrueshmërinë fiskale, mbikëqyrjen buxhetore dhe transparencën. Këshilli Fiskal, organi i pavarur mbikëqyrës, “mbetet ende pa u ngritur”.

Kjo lidhet me një tablo më të gjerë të dobësimit të kontrollit parlamentar. Kërkesat e opozitës për komisione hetimore refuzohen në mënyrë sistematike, pa debat. Shumica dërrmuese e nismave ligjore vijnë nga Këshilli i Ministrave. Gjysma e projektligjeve të qeverisë në 2025 erdhën jashtë Programit Analitik të Qeverisë, çka e bën procesin ligjvënës të paparashikueshëm.

Raporti ngre edhe pikëpyetje për Marrëveshjen e Paqes Fiskale. Komisioni kërkon që ajo të përputhet me standardet e FATF dhe këshillon qeverinë të përqendrohet te përmirësimi i pajtueshmërisë vullnetare. Të ardhurat qeveritare mbeten të ulëta, kurse investimet publike “vazhdimisht nuk implementohen” sic duhet.

Gjyqtarët pa rrogë…

Një nga episodet më të pazakonta të vitit u zhvillua në heshtje relative. Një konflikt ligjor dhe institucional mes qeverisë dhe Këshillave të drejtësisë, për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi pagat e gjyqtarëve, bllokoi buxhetet gjyqësore. Rrogat e gjyqtarëve për gusht nuk u paguan. Komisioni e quan këtë situatë “pa precedent” që “ka ngritur shqetësime për pavarësinë”.

Më 18 shtator Kuvendi miratoi ndryshime që rritën pagat me 2% dhe liruan shumat e papaguara. Shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve e kundërshtuan ligjin në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa qeveria nisi procesin për një reformë gjithëpërfshirëse të pagave.

Edhe siguria fizike mbetet problem. Raporti thotë se vrasja e gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Astrit Kalaja, në tetor 2025 nuk shkaktoi një përgjigje të mjaftueshme nga gjykatat, autoritetet shtetërore dhe Këshillat për garantimin e sigurisë së gjyqësorit.

Protesta që nisi nga një zonë e mbrojtur

Kapitulli për mjedisin merr vlerësimin “progres të kufizuar”, dhe Komisioni shpjegon pse. Ai thotë se mangësitë në qeverisjen dhe zbatimin mjedisor, përfshirë ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura dhe zgjerimin e ligjit për investimet strategjike, çuan në përkeqësim të mbrojtjes së natyrës dhe kontribuan në protestat që nisën në maj 2026.

Protestat nisën për shkak të zhvillimit të një resorti luksoz në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë. Ato u shndërruan në lëvizjen civile më të madhe që nga tranzicioni demokratik, me dhjetëra mijëra pjesëmarrës në kulm. Kërkesat u zgjeruan drejt transparencës, llogaridhënies, luftës kundër korrupsionit, kostos së jetesës dhe mungesës së investimeve në arsim e shëndetësi. Në tetor, protestat studentore sollën përplasje me policinë, dëmtim të pronës publike e private dhe akuza për dhunë të tepruar ndaj protestuesve e gazetarëve.

Edhe SPAK hapi hetime lidhur me projektin, sidomos për transferimin e titujve të pronësisë në Zvërnec. Në një hetim të veçantë, ajo urdhëroi sekuestrime parandaluese dhe një urdhër arresti për një nga pronarët e tokës, i dyshuar për përfshirje në një grup kriminal për trafik droge dhe pastrim parash. Komisioni kritikoi gjithashtu një ndryshim në ligjin për portet turistike si të papërputhshëm me standardet evropiane.

Policia dhe mbikëqyrësi i saj

Policia e Shtetit, sipas raportit, mbetet “shumë e cenueshme ndaj korrupsionit”. Procesi i vetingut të policisë ka vazhduar, por me ndikim të kufizuar. Agjencia e Mbikëqyrjes së Policisë mori mbi 5,500 ankesa në 2025. Ajo rekomandoi hetime disiplinore për 108 punonjës dhe referoi 444 punonjës të zbatimit të ligjit për ndjekje penale.

Një detaj e vë në pikëpyetje vetë mbikëqyrësin: një punonjës i Agjencisë u zbulua me lidhje me një grup të krimit të organizuar. Kjo ngriti dyshime për kontrollet e sfondit të stafit të vetë Agjencisë. Dy ndryshime drejtuesish brenda gjashtë muajve e përforcuan shqetësimin për stabilitetin e saj.

Raporti përmend edhe hetime për korrupsion të nivelit të lartë në tendera për shëndetësinë, TIK dhe infrastruktura, sektorë që strategjia antikorrupsion që janë gjithashtu identifikuar si me rrezik të lartë.

Çfarë do të thotë kjo për 2027?

Qeveria ka vendosur një afat të ngushtë për mbylljen e negociatave dhe Komisioni njeh angazhimin e saj. Por raporti e bën të qartë: reformat e miratuara nuk janë të mjaftueshme pa zbatim. Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve përfundoi me sukses: 397 shkarkime ose dorëheqje (49%), 348 konfirmime (43%) dhe 59 përfundime për arsye jashtë vetingut (8%). Por Brukseli tani pret që këto institucione të prodhojnë dënime përfundimtare, konfiskime reale dhe mbikëqyrje që nuk kalon nga dekretet.

Zgjedhjet vendore të vitit 2027 do të jenë provë e parë. Komisioni thotë se reforma zgjedhore nevojitet urgjentisht, pasi rekomandimet e OSCE/ODIHR dhe të Komisionit të Venecias mbeten pjesërisht të pazbatuara. Komiteti ad hoc për reformën zgjedhore përfshin vetëm partinë në pushtet dhe opozitën kryesore, çka raporti e quan “për të ardhur keq”. Ndërkohë, protestuesit që e kanë vënë llogaridhënien në qendër të agjendës po presin përgjigje.

Pyetja që del nga raporti nuk është nëse Shqipëria ka ligjet e duhura. Pyetja është nëse ato ligje do të vlejnë njësoj për ata që i miratojnë./acqj.al