Infermieria dhe mjekësia, shkolla që të jep pasaportë emigrimi

Autor: Denis Tahiri

Veç anketave të kryera herë pas here ndaj punonjësve të kujdesit mjekësor, shumica e të cilëve pranojnë planifikimin për t’u larguar nga Shqipëria, zyrtarisht nuk ka asnjë panoramë se sa është numri i mjekëve dhe infermierëve që “zhveshën” bluzën e bardhë dhe u larguan nga vendi për një sërë faktorësh. Megjithatë, shtimi i kurseve për gjuhën gjermane konfirmon se ky shtet vazhdon të jetë destinacioni kryesor dhe i preferuari i mjekëve shqiptarë.

Elson Jacaj, i cili drejton Shoqatën e Infermierëve të Shqipërisë, këmbëngul se prej 2015 , mjekësia pësoi eksodin më të madh nga radhët e infermierisë.“ Në 5 vitet e fundit nga vendi ynë janë larguar mbi 8 mijë infermierë për shkak të kërkesave që disa vende të Europës kanë pasur për infermierë”. Shkaqet lidhen jo vetëm me pagat e ulëta por edhe pasigurinë në punë. “Paga më e ulët në rajon për këtë profesion, mungesa e vlerësimit profesional, pasiguria në punë dhe pamundësia e gjetjes së një vendi pune. Në  universitetin shtetëror dhe privat diplomohen nga 1000 deri në 1200 infermierë në vit, por më pas kapacitetet që ofrohen janë  100 vende pune në vit”, arsyeton Jacaj për Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore .

Po përse është e vështirë të analizohet saktësisht se sa është numri i mjekëve dhe infermierëve që janë larguar nga Shqipëria? Kreu i Urdhrit të Mjekëve, Fatmir Brahimaj, shpjegon se nuk ka një numër të saktë të stafit mjekësor i cili largohet nga Shqipëria, pasi  llogaritjet kryhen në bazë të certifikatave për sjellje të mirë profesionale që lëshohen. Ky dokument nuk është i nevojshëm vetëm për punësim jashtë vendit, por edhe për trajnime të ndryshme dhe kjo shkakton vakum të dhënash për të larguarit nga sistemi.

Matilda Gremi-Infermiere

Matilda Gremi është një infermiere që u diplomua në Shqipëri dhe që prej dy vjetësh punon në Gjermani, në Spitalin “Universitäts Klinikum Schlesëig-Holstein”, i renditur spitali i tretë më i mirë në Gjermani .

Edhe për Matildën rrethanat që e shtynë të marrë valixhen lidhen me njëra-tjetrën , duke nisur nga prospektet më të mira ekonomike, së bashku me mundësinë për t’u rritur profesionalisht : “Kushtet e punës që janë shumë të mira dhe ndihesh e sigurt kur punon, por sigurisht edhe avancimi profesional, pasi të jepet mundësia e një specializimi i cili të njihet në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian”, pohon Matilda për Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore, duke mos harruar të shtojë se shpërblimi financiar në fund të muajit është i kënaqshëm dhe të lejon të bësh një jetë të mirë.

Universitäts Klinikum Schlesëig-Holstein

Një ish zyrtar i ministrisë së Shëndetësisë duke preferuar të flas në anonimitet thekson se pikërisht mungesa e specializimit për katër vite për reanimatorët , solli largime të këtyre të fundit nga Shqipëria. “Kemi patur më tepër mungesë të reanimatorëve. Madje në spitalet bashkiake kemi patur raste kur mjekët që kishin dalë në pension, i kemi mbajtur në detyrë për të plotësuar vendet vakante dhe për të siguruar shërbim shëndetësor. Por veç reanimatorëve në shërbimet rajonale dhe bashkiake ndeshëm vështirësi dhe për mjekë kirurgë, patologë dhe gjinekologë”.

Kur u bind se duhej të largohej, Matilda nuk e dinte se përpara e priste një proces i gjatë.  Grumbullimi i dokumenteve, vulosja, përkthimi dhe noterizimi i tyre i shpenzuan rreth dy muaj, më tepër kohë nga kolegët e saj të cilët aplikuan përmes agjencive që ofrojnë shërbime ndihmëse në raste të tilla. Hapi i parë i Matildës ishte përvetësimi i gjuhës.

Procesi nis me mësimin e gjuhës, pasi duhet të kesh nivelin B2. Më pas intervista me spitalin, të cilët më kanë bërë edhe një provim të vogël për të parë se sa e aftë isha në gjuhën gjermane dhe më kanë pyetur gjëra që lidheshin me mjekësinë, kur spitali të aprovon, atëherë fillon dokumentet në Shqipëri, ndërsa takimi në ambasadën Gjermane për personelin mjekësor del  shpejt”, thotë Matilda.

Por asnjëra nga këto hallka nuk e kanë stepur Matildën që t’i kalojë të gjitha njëra pas tjetrës, siç kanë vepruar edhe shumë të tjerë para saj, apo të tjerë që po e shikojnë ndjekjen e degëve të infermierisë në Tiranë apo edhe në rrethe si një shans për tu punësuar më vonë jashtë Shqipërisë.

Por përveç sigurisë në punë, dhe përsosjes profesionale , paga e ulët është motivi kryesor i ikjeve. Në një treg pune si Shqipëria, ku paga e një infermieri, me vjetërsi pune shkon nga 45 mijë lekë deri në 50 mijë lekë dhe ku për mjekët, paga mesatare është rreth 60 mijë lekë, vendet e Bashkimit Evropian mbeten një tokë e premtuar. Gjermania dhe vende të tjera i paguajnë mjekët dhe infermierët me rroga disa herë më të larta.

Dyndja në fakultetet e infermierisë në rrethe, një mënyrë për t’u larguar?

Sipas një analize të Qëndresës Qytetare, në universitetet Shqiptare, vetëm këtë vit janë regjistruar 2346 studentë në degët e Infermierisë, Mami, dhe Fizioterapi.

Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare, shprehet se trendi konsiderohet të jetë në rritje për 3 vitet e  fundit.

Kjo shifër sipas analizës së Qëndresës Qytetare, tregon fluksin e kërkesave për infermierë, mami dhe fizioterapistë, të cilët me kapacitetet që ofrohen është e qartë që nuk mund tu sigurohet një vend pune .

“ 2346 infermierë, mami dhe fizioterapistë, nuk mund të akomodohen në sistemin tonë shëndetësor apo tregun e brendshëm të punës, ndërkohë që vendet e zhvilluara evropiane si Gjermania prej disa vitesh garantojnë vende për emigrantë të këtyre profileve” shpjegon Qeraxhi.

Madje sipas Qiraxhi “tashmë shumë studentë të këtyre profileve ja kanë dalë të emigrojnë drejt këtyre vendeve evropiane

Por përfaqësuesi i infermierëve Elson Jaçaj, përsërit se e ka parashikuar problematikën që po hapej në sistemin shëndetësor shqiptar fiks tre vite më parë . “ Ne e kemi ngritur si shqetësim këtë gjë, pasi largimet e shumta nga Shqipëria, ku nuk janë larguar vetëm infermierë të rinj apo të papunë, por edhe profesionistë me shumë vite eksperiencë, po krijon një boshllëk në sistemin tonë shëndetësor” thotë ai.

Pavarësisht apeleve të shoqatës së infermierëve në atë kohë, gjendja vazhdon të mbetet shqetësuese, për aq sa, sipas Jacaj kurset e mësimit të gjermanishtes janë më të ndjekurat prej tyre. “Pavarësisht propagandës që bëhet në media për hapje të spitaleve të reja etj, nuk është e vërtetë, pasi ka mungesë të theksuar të infermierëve në shumë spitale dhe qendra shëndetësore. Edhe sot shumë infermierë refuzojnë të fillojnë punë në Shqipëri pasi shumica janë në kurse të gjuhës së huaj për tu punësuar jashtë, kryesisht në Gjermani” e mbyll Jacaj.

Kostot e largimeve dhe politika frenuese që nuk ekziston

Çdo qytetar i çdo vendi konsiderohet një aset për ekonominë e vendit të tij. Krahu i punës, dhe aq më tepër kur bëhet fjalë për punë të specializuar është diçka që shumë vende investojnë jo vetëm shumë monetare për ta specializuar por gjithashtu edhe shumë kohë. Specializimet në mjekësi dhe formimi në degë specifike të saj janë një nga profesionet më të vështira dhe delikate për tu formuar, për shkak se kanë të bëjnë gjatë gjithë jetës së tyre profesionale, me shëndetin e qytetarëve.

Çdo komb siguron vijueshmërinë e tij nëpërmjet ciklit të brezave, një shoqëri për një të ri nga 0 deri në 22 vjeç, investon gjatë gjithë kohës energji, financa, kujdes shëndetësor dhe arsimor, ndërkohë që pritet nga ky i  ri që ti kthejë pas mbrapsht shoqërisë investimin duke kontribuar për ekonominë dhe standardet e përgjithshme të saj. Për fat të keq në këtë rast duket se ne po investojmë për të humbur dhe financiarisht,  por edhe profesionalisht”, shprehet Qiraxhi.

Edhe drejtuesi i Shoqatës së Infermierëve Shqiptarë, ndan të njëjtin mendim në lidhje me kostot e largimit të infermierëve. “Për shtetin është një kosto e pariparueshme, e pakompensueshme, pasi ne përgatisim dhe investojmë për të tjerët që ata ti marrin gati” këmbëngul Jacaj, duke shtuar se “ së fundmi shumë pedagogë janë bërë pjesë e disa kompanive duke rekrutuar student të infermierisë për spitale apo klinika jashtë vendit”.

Por edhe pse largimet e këtyre punonjësve të specializuar të mjekësisë janë prezente, nuk ka asnjë masë për të parandaluar fenomenin e shkaktuar,  pikësëpari nga arsye ekonomike.

Rrethet, aty ku mungesa e mjekëve ka sjellë pasoja

Në fshatrat Mujalli, Daullas dhe Greçalli në Fier, mjeku i shërbimit bazë shëndetësor shërben në qendrën shëndetësore, vetëm një ditë në javë. Si një mjek i pjesshëm, ai  duhet të ofrojë shërbim për gati 3 mijë banorët e këtyre fshatrave që në të vërtetë janë të pambuluar me kujdes shëndetësor.

Ambulanca “Daullas”

Nga banorët e zonës me të cilët biseduam, mësuam edhe arsyen se pse ata kanë vetëm një ditë në javë shërbim mjekësor.

Kemi pasur mjekë , kishim një doktoreshë po ajo doli në pension, pastaj erdhi një vajzë e re po ajo dy muaj ndenji dhe iku në Gjermani. Tani kemi rreth një vit me mjekun që vjen një herë në javë, zakonisht të mërkurën se është mjek edhe në Fermë. Ndërsa infermieren e kemi, është këtu nga fshati”, thotë një nga banorët e fshatit Greçalli. 

Qendra Shëndetësore “Greçalli”

Gjithashtu, edhe një banor tjetër, shprehet se kjo situatë vijon prej një pothuajse një viti, ku edhe pse e kanë ngritur si problem nuk ka pasur një reagim nga ana e instancave shtetërore.

Infermiere kemi, por mjekë jo. I bie që nëse kemi ndonjë problem shëndetësor të rrimë të presim kur vjen mjeku që të marrim rekomandimin dhe të shkojmë më pas në spital”, shpjegon një tjetër banor.

Ne tentuam gjithashtu të takonim edhe kryeplakun e fshatit, i cili nuk pranoi të fliste për këtë çështje dhe si përgjigje na tha vetëm se është bërë kërkesë për këtë çështje, dhe se shpreson të marrin së shpejti zgjidhje.

Jo vetëm infermierët…

Përveç infermierëve dhe profesionistëve të tjerë të mjekësisë, natyrisht që mjeket nuk bëjnë përjashtim nga kjo tendencë. Nga të dhënat zyrtare të bëra të ditura nga Dhoma Federale e Mjekëve në Gjermani për vitin 2018, Shqipëria renditej e dyta në Ballkan  për numrin e mjekëve që kanë emigruar dhe aktualisht mbajnë veshur bluzën e bardhë në kujdesin shëndetësor gjerman. E gjitha kjo solli krijimin e boshllëqeve në shumë spitale rajonale dhe mungesë  mjekësh në disa fusha. Sipas këtyre të dhënave mbi arratinë e mjekëve nga Ballkani , kryeson Serbia që humbi 1128 mjekë, të cilët u larguan drejt Gjermanisë. Më pas trendi ndiqet në vend të dytë  nga Shqipëria me 630 mjekë për të cilët Ministria e Shëndetësisë nuk jep asnjë hartë zyrtare se cilët janë spitalet që mbetën pa mjekë. Ndërsa Bosnja dhe Hercegovina ndodhet në vend të tretë me 533 mjekë të ikur , Maqedonia e Veriut me 470 mjekë, Kosova me 292 mjekë dhe në fund fqinji ynë, Mali i Zi  me 40 mjekë të larguar.

Ndërsa ka një vakum informacioni nga Ministria e Shëndetësisë , gjermanët detajojnë se ku gjenden aktualisht të angazhuar mjekët shqiptarë prej të cilëve 556 prej tyre janë punësuar menjëherë në spitale, 14 në mjekë janë angazhuar në  shërbimin ambulator dhe 31 në shërbime të tjera. Për shumë prej tyre hapi i parë i rrugës për tu larguar ishte marrja e një certifikate profesionale që garanton sjelljen e mirë .Por a mund të thuhet se të gjithë ata që aplikuan për certifikatë pranë Urdhrit të Mjekëve , kanë parasysh pikërisht hapjen e derës për të ikur nga mjekësia shqiptare? Gjatë tre viteve të fundit, Urdhri i Mjekut në Shqipëri ka lëshuar 403 certifikata profesionale të sjelljes së mirë, nga të cilat 73 janë kërkuar nga mjekët vetëm gjatë periudhës janar- shtator 2020. Në të vërtetë certifikata profesionale e sjelljes së mirë, është një dokument i nevojshëm në rastet e punësimit ose trajtimit  jashtë vendit.

Sipas një studimi të organizatës “Together for Life” për vitin  2018, e parë në nivel gjinor, rezulton se 25% e burrave mjekë dhe 27% e grave mjeke janë gati të largohen menjëherë, ndërsa 49% e burrave dhe 57% e grave do të largoheshin nëse do tu jepej mundësia.

“Nëse shohim vendin e punës, rezulton se nga mjekët e anketuar që punojnë në qendra shëndetësore, 16% do të largoheshin menjëherë, 63% do të largoheshin po t’u jepej mundësia dhe 21% shprehen se nuk do të largoheshin nga Shqipëria. Ndër mjekët që punojnë në qendrat shëndetësore të specialiteteve, 35% do të largoheshin menjëherë, 50% do të largoheshin nëse do t’u jepej mundësia dhe 15% nuk do të largoheshin. Ndër mjekët që punojnë në spitalet bashkiake, vetëm 6% do të largoheshin menjëherë, 60% do të largoheshin nëse do t’u jepej mundësia dhe 34% nuk duan të largohen. Ndër mjekët që punojnë në spitalet rajonale, 21% do të largoheshin menjëherë, 55% do të largoheshin nëse do t’u jepej mundësia dhe 25% nuk duan të largohen”, thuhet në studimin e “Together for Life”, në të cilin shtohet se situate ndryshon për mjekët të cilët punojnë në spitale universitare, ku 54% e tyre janë gati të largohen menjëherë nga Shqipëria, 35% do të largoheshin nëse do tju jepej mundësia dhe 12% nuk dëshirojnë të largohen.

Sipas këtij studimi ajo që binte në sy ishte se nga mjekët të cilët kanë grada shkencore (Dr., PhD) 32% e tyre janë shprehur se do të largoheshin menjëherë, 51% nëse do t’iu jepej mundësia dhe 17% nuk do të largoheshin.

“Nga mjekët specialistë, rezulton se 21% e tyre do të largoheshin nga Shqipëria menjëherë, 51% do të largoheshin nëse do t’u jepej mundësia, ndërsa 28% nuk duan të largohen. Ndër mjekët e përgjithshëm, 32% shprehin dëshirën për t’u larguar menjëherë nga Shqipëria, 57% shprehen se do të largoheshin nëse do t’u jepej mundësia dhe vetëm 11% thonë se nuk duan të largohen”, thuhet në studim, duke shtuar se vihet re se mjekët e përgjithshëm dhe ata me gradë shkencore kanë prirje më të madhe për t’u larguar.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter