Autor: Blerina Allushi
Ndonëse të gjithë bien dakord se makinat elektrike janë e ardhmja e transportit dhe interesi për to është i lartë, vendi po ecën ngadalë në përgatitjen e infrastrukturës që do të bënte të mundur përhapjen e tyre të shpejtë.
Në fillim makinat elektrike provohen për kuriozitet, më pas ato kthehen në stil jetese, favorizuar nga një përparësi e madhe: Ti mund të udhëtosh në mënyrë komode, pa shkaktuar zhurmë dhe ndotje në mjedis.
Prej më shumë se një viti shqiptarët nuk duhet të shkojnë më jashtë vendit për të provuar udhëtimin me makina elektrike.
[pullquote]Në Tiranë, shërbimi taksi ka nisur të ofrohet edhe përmes makinave elektrike, ndërsa në Durrës gjithsecili mund të provojë “triçiklin”, i cili karikohet me energji.[/pullquote]
“Në fillim kisha kuriozitet se si ishte të udhëtoje me një makinë të tillë.
Tashmë e përdor shumë shpesh, pasi nuk djeg karburant dhe nuk e ndot ambientin”, – i tha Ilda Fishti Qendrës për Gazetari Cilësore.
Ajo është mësuese gjimnazi dhe i përdor shpesh taksitë elektrike për të shkuar dhe ardhur nga puna.
Në dhjetor të vitit 2016 në Tiranë ndezi motorin taksia e parë elektrike dhe Jutbina Katana, administratore e Saytaxi shprehet se tashmë kërkesa për këtë shërbim është e lartë.
Sipas saj, në fillim të gjithë ishin skeptikë, nëse Tirana ishte gati për këto taksi dhe frika e dështimit ishte e madhe.
“Në fillimet tona kishte njerëz që telefononin vetëm për të provuar eksperiencën e udhëtimit me makina elektrike. Tashmë ne kemi klientë besnikë”, – thekson ajo.
Në flotën e tyre ka aktualisht 17 automjete elektrike, ndërkohë që ata presin të shtojnë dhe 30 të tjera së shpejti.
Në Tiranë, duke nisur nga viti 2017, operon dhe Green Taxi, një tjetër shërbim taksie që përdor vetëm makinat elektrike. Gjithashtu, ka disa taksistë, të cilët kanë blerë makina elektrike dhe e ofrojnë këtë shërbim jashtë kompanive.
Një makinë elektrike karikohet në një burim të posaçëm energjie përmes një kablloje në ato që quhen stacione karikimi. Mjafton që makina të lihet në karikim për 6 deri në 8 orë dhe ajo është e gatshme të përshkojë një distancë prej 150 deri në 200 km.
Ndërkaq, zhvillimet elektronike kanë sjellë dhe Fast Charger, një kabllo e posaçme, e cila e redukton kohën e karikimit të plotë të makinës në 30 minuta.
Aktualisht në Tiranë ka disa pika për karikimin e makinave elektrike dhe në tri prej tyre automjetet mund të karikohen dhe me Fast Charger.
Një treg fitimprurës
Një makinë elektrike e llojit Nissan Leaf kërkon 30 kWh energji për të përshkuar një distancë rreth 160 km. Në Shqipëri kjo kushton pak më shumë se 420 lekë (1kWh=14 lekë).
Ndërkaq, një makinë me një motor mesatar për të njëjtën distancë do të kërkonte rreth 15 litra karburant me një vlerë prej afërsisht 2,500 lekësh (1 litër benzinë=170 lekë).
Si pasojë e zhvillimeve të shpejta elektronike pritet të ulet kostoja e blerjes së një makine elektrike. Sipas Bloomberg New Energy Finance, brenda një dekade makinat elektrike do të jenë më të lira për t`u blerë në krahasim me ato që përdorin karburant.
Por, mes makinave tërësisht elektrike dhe atyre tradicionale me djegie të brendshme ekziston një e mesme: automjeti me motor hibrid.
Aktualisht, koncesionarët e makinave në Tiranë po përballen gjithnjë e më tepër me kërkesën për këto makina që kombinojnë energjinë me karburantin, por edhe kërkesa për blerjen e makinave tërësisht elektrike në Shqipëri nuk mungon.
Orion Mino, menaxher shitjesh në Hyndai Albania, i tha Qendrës për Gazetari Cilësore se, pavarësisht se makinat hibride apo elektrike janë të shtrenjta në raport me ato me karburant, shqiptarët janë të interesuar për t`i blerë.
“Ka kërkesë të kënaqshme”, – theksoi ai. Aktualisht, makinat e tipit IONIQ që ky koncesionar siguron, kapin vlerën e 30 mijë eurove.
Gjithashtu, Porche Albania, që ka ekskluzivitetin e Volkswagen-it në Shqipëri, që prej fundit të vitit 2016 është duke reklamuar disa modele të makinave hibride dhe elektrike.
Një përparësi që theksohet nga entuziastët e makinave elektrike është edhe nevoja e paktë për riparime motorike, në një kohë kur cilësia e keqe e karburanteve konsiderohet dëmtuesi i tyre kryesor.
Një investigim i Qendrës për Gazetari Cilësore zbuloi se cilësia e karburanteve shqiptare linte për të dëshiruar.
Përgatitja e infrastrukturës
Por ajo që vuajnë entuziastët e këtyre makinave sot në Shqipëri është mungesa e infrastrukturës.
Në vitin 2014 për herë të parë u sanksionua nevoja për të krijuar stacione karikimi për makinat elektrike në një vendim të Këshillit të Ministrave. Në Rregulloren e Zbatimit të Kodit Rrugor u shtua si kërkesë vendosja e këtyre stacioneve brenda dy vitesh brenda çdo zone shërbimi – që nënkupton pikat ku makinat furnizohen me karburant.
Por tashmë, kur kanë kaluar më shumë se tre vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, Qendra për Gazetari Cilësore konstaton se pikat ku makinat furnizohen me karburant nuk kanë stacione karikimi.
Aktualisht në Tiranë ka disa stacione të tilla, por të gjitha janë të ndërtuara nga operatorët privatë të taksive apo kompanitë që shesin makina elektrike.
Por pavarësisht detyrave të mosplotësuara që do e bënin më të lehtë përdorimin e makinave elektrike në Shqipëri, përfaqësues të qeverisë nuk kanë ngurruar të shpalosin entuziazmin në lidhje me përdorimin e tyre.
Në tetor të vitit 2016, Policia e Shtetit prezantoi 11 makina elektrike patrullimi në Tiranë, një dhuratë kjo e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE. Stacionet e karikimit për këto makina u vendosën pranë Ministrisë së Brendshme.
Po kështu, në shtator të vitit 2017, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, përgëzoi shërbimin e taksive elektrike dhe premtoi se së shpejti në kryeqytet do të përdoreshin edhe autobusët që furnizohen me energji elektrike. Veliaj gjithashtu përdor një makinë hibride për të shëtitur Tiranën.
Por, e pyetur se kur autobusët elektrikë do të përdoreshin për transport publik, Bashkia e Tiranës theksoi: “Jemi në fazën e vlerësimit të faktorëve që mund të lehtësojnë operatorët e transportit publik që ndërmarrin nismën e futjes së mjeteve elektrike”.
[pullquote]Sot në vend ende nuk ka subvencionim të biznesit privat për të rritur përdorimin e automjeteve elektrike.[/pullquote]
Aktivisti i çështjeve të mjedisit, Lavdosh Feruni, tha se përdorimi i transportit elektrik aktualisht në Shqipëri është thjesht simbolik.
Sipas tij, ajri në shumë qytete të vendit është jashtë normave të lejuara dhe se përdorimi i makinave elektrike do të ndihmonte në pastrimin e tij.
“Shqipëria është në një fazë simbolike, tepër modeste në këtë fushë. Duhet minimumi të jetë gjysma e flotës së automjeteve që qarkullojnë që të ketë një efekt të dukshëm mjedisor”, – tha Feruni.
Sipas tij, subvencionimi i shtetit në këtë drejtim duhet të jetë i madh, duke nisur që nga heqja e tarifave doganore për këto makina.
“Kjo është një kërkesë e kohës dhe një trend botëror. Kjo do të thotë më pak shpenzime për buxhetin e shtetit, pasi një ajër i pastër do të thotë më pak sëmundje dhe më pak shpenzime për mjekësinë”, – theksoi ai.