Autor: Blerina Allushi, Fjori Sinoruka, Josh Coe
Në vitin 1998 Genti Daci pikasi mundësi në Shqipëri – ose të paktën mungesën e qasjes në internet në vendin postkomunist. Më pak se një dekadë më vonë ai bashkëthemeloi ABCom-in me disa miq, kompaninë e telekomunikacionit që nuk siguroi vetëm internet dhe tv kabllor për bizneset brenda dhe rreth Tiranës.
Sipas Dacit, kompania i siguroi shërbim interneti edhe presidentit amerikan, George W. Bush, dhe stafit të tij gjatë vizitës së parë, zyrtare të liderit botëror në vendin e Ballkanit Perëndimor.
Vizita e vitit 2007 i siguroi sipërmarrësit shqiptar mundësinë për t’u takuar me një përfaqësues nga Southeast Europe Equity Fund II, një fond amerikan që investon në aksione.
“Me një investim fillestar prej mbi 1 miliard lekësh (rreth 9.3 milionë dollarë) nga ky fond, ABCom ka pesëfishuar të ardhurat e saj, – tha ai, – duke e bërë atë kompaninë e dytë më të madhe të telekomunikacionit në një vend me rreth 3 milionë banorë”.
Ai tha se ishte shumë optimist për zhvillimin e Shqipërisë.
“Ishte një përvojë e shkëlqyer, – thotë Daci. – Do ia uroja këtë eksperiencë shumë kompanive të tjera, sepse ky lloj investimi është çfarë vendit i mungon dhe i nevojitet”.
Të dhënat që datojnë nga prilli i vitit 2018 në faqen online të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), tregojnë se lloji i investimeve, të cilit i referohet Daci – investimet e huaja, të drejtpërdrejta – janë rritur me më shumë se 43 miliardë lekë (rreth 400 milionë dollarë), ndërmjet viteve 2011-2016.
Ndërkohë që AIDA deklaroi se “fokusi i zhvillimit të ardhshëm të ekonomisë shqiptare do të mbetet tërheqja e investimeve të huaja” dhe, ndërsa qeveria shqiptare ka vënë në zbatim një program të ri, stimulues “investimesh strategjike”, investitorët, nga një shtet në veçanti, nuk e kanë ngrënë karremin.
Pavarësisht ndjenjave pro-amerikane në vendin ballkanas, ku statujat e presidentëve amerikanë dhe kandidatëve presidencialë zbukurojnë sheshet publike, kompanitë amerikane duket se po favorizojnë fqinjët e Shqipërisë.
Ky është konkluzioni i një investigimi dymujor nga Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore dhe Qendra e New England-it për Raportimin Investigativ në Shtetet e Bashkuara.
Ndërkohë që në një postim të datës 16 gusht 2017, AIDA renditi emra markash amerikane si Coca-Cola dhe KFC mes 25 “historive të suksesit” të investimeve amerikane në Shqipëri, investitorët e ekonomisë më të madhe botërore janë të paktë dhe jo të shpeshtë në Shqipëri dhe disa prej tyre kanë mbyllur bizneset vitet e fundit, përfshirë Albanian Sun Petroleum (licencuar nga Gulf Oil International).
Investimet amerikane në Shqipëri përbëjnë rreth 1 përqind të stokut të investimeve të huaja (ose kapitalit të akumuluar, të investuar nga një shtet në një shtet tjetër), në vitin 2017.
Sipas Bankës së Shqipërisë, investimet amerikane duket se kanë ardhur në rënie vitet e fundit, duke u ulur nga 11.1 miliardë lekë (103 milionë dollarë), në vitin 2014 në 8.9 miliardë lekë (rreth 83 milionë dollarë), në vitin 2017.
Nga ana tjetër, ka më shumë kompani amerikane në vendet e tjeratë rajonit të Ballkanit se sa në Shqipëri.
Ambasada amerikane në Serbi konfirmoi në një e-mail se investimet amerikane atje ishin në masën e 4 miliardë dollarëve që nga viti 2000 dhe se kompanitë me pronësi amerikane dhe ato që kishin marrë ekskluzivitetin e tyre kanë punësuar më shumë se 19,000 persona në ish-Jugosllavi.
Në kontrast me të, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) listoi 55 kompani “me pronësi ose të lidhura me Shtetet e Bashkuara” në statistikat vjetore të vitit 2018, edhe pse ky numër është që tani i vjetruar, duke marrë parasysh largimet e përmendura të Gulf Oil dhe Hotelit Sheraton.
Si ish-zëvendëspresident i AmCham në Shqipëri, Daci njeh në mënyrë të drejtpërdrejtë arsyet pse bizneset amerikane ngurrojnë të investojnë në Shqipëri.
Ai u njoh me to në udhëtimet vjetore të AmCham në Shtetet e Bashkuara, të cilat ishin pjesërisht të fokusuara në përpjekjet për të tërhequr investitorë të rinj, amerikanë në Shqipëri.
“Të gjithë ata kishin frikë të investonin në Shqipëri, – thotë Daci për investitorët potencialë amerikanë. – Të gjithë”.
Daci, i cili ishte zëvendëspresident i lobit të biznesit nga viti 2014 në vitin 2017, thotë se Dhoma e Përfaqësuesve ka hasur probleme për të bindur investitorët amerikanë që të vijnë në Shqipëri.
“Problemi më i madh është se këta investitorë të huaj flasin, flasin në Wall Street, kanë miq në Wall Street, kanë miq gjithandej”, – thotë Daci, duke iu referuar faktit se investitorët potencialë, amerikanë janë të mirinformuar mbi klimën e investimeve në Shqipëri.
Daci thekson dy çështje që krijojnë pengesa për biznese si i tij për të vepruar në Shqipëri: korrupsioni dhe dështimi i qeverisë për të mbrojtur biznesmenët që luajnë sipas rregullave.
Investitorët nga Shtetet e Bashkuara duket se nuk janë të vetmit që ndajnë këto shqetësime.
Daci kujton se një përfaqësues nga një fond investimi, i vendosur në Poloni, që po konsideronte mundësinë për të investuar në ABCom,e cilësonte Shqipërinë “një vend ekzotik”.
“Ekzotik për sa i përket rreziqeve”, – shton Daci.
Ai thotë se fondi polak vendosi të mos investonte.
Kostoja e korrupsionit
Teksa investimet amerikane në Shqipëri kanë rënë, në të njëjtin drejtim ka shkuar renditja e vendit në indeksin e perceptimit të korrupsionit të Transparency International – tetë vende më poshtë nga viti 2016 në vitin 2017.
Sipas ekspozesë së klimës së investimeve të Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2018, “investitorë të huaj, të rëndësishëm” pretendojnë se iu është bërë presion për të punësuar nënkontraktorë me lidhje politike. Po kështu ata kanë shprehur shqetësime në lidhje me mundësinë për t’iu bindur Aktit Amerikan të Praktikave të Huaja Korruptive, sipas të cilit është ilegale për shtetasit amerikanë t’iu japin ryshfet zyrtarëve të huaj.
Këto shqetësime nuk janë të reja për Departamentin Amerikan të Shtetit, i cili në një deklaratë të vitit 2016 e quajti korrupsionin “pengesën më të madhe të investimeve amerikane në Shqipëri.”
Edhe më parë në një kabllogram diplomatik të vitit 2010 drejtuar Departamentit Amerikan të Shtetit, të publikuar nga Wikileaks, ambasadori i atëhershëm amerikan në Shqipëri, John Withers III, tha se, pavarësisht ndjenjave pro-amerikane në Shqipëri dhe reformave të qeverisë shqiptare me synimin për të përmirësuar klimën e biznesit, pengesat ekonomike, duke përfshirë “korrupsionin e përhapur gjerësisht”, po japin efektin e tyre tek investimet.
“Korrupsioni ka një impakt gërryes, si në mundësitë e tregut përtej oqeanit për kompanitë amerikane, ashtu edhe për klimat më të gjera të biznesit, – shkroi ambasadori. – Gjithashtu pengon investimin ndërkombëtar, ngurtëson rritjen dhe zhvillimin ekonomik, shtrembëron çmimet dhe minon sundimin e ligjit”.
Në korrik të vitit 2017,zëvendësshefi i Misionit në ambasadën amerikane në Shqipëri, David Muniz, tha në një intervistë për Gazetën Shqiptare se “çështja e korrupsionit është shumë e përhapur këtu;krijon përshtypjen se ky është një vend ku ndoshta ti nuk do të bësh biznes, veçanërisht për kompanitë e mëdha, të cilat kanë alternativa.”
Që nga viti 2011, fondet e zhvillimit nga Shtetet e Bashkuara janë fokusuar në inkurajimin e reformave në sistemin e drejtësisë të Shqipërisë, për të cilin USAID ka përshkruar se si epitaf mban shkrimin “më e korruptuara”.
Edhe pse reforma në drejtësi, e miratuar nga parlamenti shqiptar në vitin 2016, parashikon institucione të reja drejtësie, si Struktura e Posaçme Antikorrupsionapo SPAK – që do të përfshijë një njësi të posaçme për investigimin dhe një gjykatë për korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimet – pothuajse dy vjet kanë kaluar dhe asnjëra prej tyre nuk është ende funksionale.
Institucionet, apatike në mbrojtjen e interesave të kompanive
Pas tetë vite përpjekjesh për të zgjeruar biznesin në qytetin juglindor të Korçës, ABCom filloi procesin e vendosjes së linjave të reja kabllore verën e kaluar.
Daci pretendon se një nga konkurrentët lokalë i preu këto linja, duke i shkaktuar kompanisë ABCom mbi 10 milionë lekë (rreth 93 mijë dollarë) dëme.
“Harrojini kabllot, ato zëvendësohen menjëherë, – tha ai, – por ne humbëm klientë, humbëm shërbim. Ne duhet të kishim filluar ta ofronim shërbimin në gusht, por e realizuam në nëntor”.
Avokati i ABCom e njohu Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore me një letër dërguar policisë së Korçës në korrik të vitit 2017. Letra pretendon se provat filmike tregojnë që një punonjës i MRM, një konkurrent lokal në Korçë, kishte prerë kabllot e ABCom-it.
Daci thotë se policia bashkiake dhe zyra e prokurorit nuk i pranuan provat që ai iu ofroi. Ai tha se kabllot e ABCom-it janë prerë edhe tri herë të tjera që nga ajo kohë.
Në pamundësi për t’iu besuar autoriteteve lokale, Daci thotë se ABCom u detyrua të punësonte kompani private sigurimi për të mbrojtur investimet e saj në Korçë.
Në përgjigje ndaj këtyre pretendimeve, Policia Bashkiake e Korçës tha se prova filmike e ABCom-it u ekzaminua, por shkelësi i ligjit nuk mund të identifikohej.
Policia gjithashtu tha se ata patrullojnë në zonat ku ABCom furnizon me shërbim, duke punuar me orare të zgjatura përgjatë dy muajve të fundit.
E kontaktuar nëpërmjet Facebook-ut, MRM refuzoi t’iu përgjigjej akuzave ndaj tyre.
“Ne u japim përgjigje vetëm atyre që janë abonuar teMRM në Korçë”, – u përgjigj kompania e telekomunikacionit.
Një kompani dëshmon praninë e ryshfeteve
Në një tjetër rast, një burim, i cili kërkoi të emërtohej për mbrojtje siKlodi, pretendon se një zyrtar që punon për Autoritetin e Mediave Audiovizive, AMA, iu qas me kërkesën që t`i paguante gati 400,000 lekë (rreth 3,700 dollarë), kur shkoi në Tiranë, në janar, për të rinovuar licencën e kompanisë së tij të vogël kabllore – një proces për të cilin ai thotë se bëhet çdo 6 vjet me kosto 40,000 lekë (rreth 370 dollarë).
Ryshfetet, të njohura si “bakshishe”, kanë një histori të gjatë në Shqipëri, duke shkuar pas deri në kohërat otomane.
Një fjalë e marrë nga turqishtja, bakshishi tradicionalisht është paguar nën tavolinë për të treguar mirënjohjen për shërbimin e shpejtuar.
“Problemi është ky, – thotë Klodi, – nëse unë iu jap bakshish një herë, ata do ta kërkojnë gjithmonë”.
Klodi pretendon se po falimenton: ai humbi të paktën 400 klientë vetëm në muajin maj dhe dy nga katër punonjësit e tij tani punojnë part-time.
Shërbimi i tij i vogël kabllor, i vendosur 30 minuta jashtë Tiranës, nuk mundet të konkurrojë me paketat më të lira të konkurrentëve me kanale të marra në rrugë “pirate”, të cilët nuk paguajnë tarifat e nevojshme të licencës, thotë ai.
AMA nuk ka llogari në e-albania.al, mungesë për të cilën Klodi akuzon se është e qëllimtë.
Sipas faqes së saj web, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit administron portalin e-Albania, i zhvilluar për të rritur transparencën dhe për t’iu dhënë individëve dhe bizneseve mundësinë të plotësojnëonlinelicencat ose lejet.
“Duke detyruar drejtuesit e shërbimeve kabllore të vijnë në Tiranë për të plotësuar dokumentet, zyrtarët e AMA-s, – thotë Klodi,- mund të kërkojnë personalisht ryshfete”.
USAID e ka cilësuar E-Systems online të qeverisë një “pajisje kyçe” për të rritur transparencën dhe për të luftuar korrupsionin.
AMA iu përgjigj këtyre akuzave nëpërmjet e-mail-it, duke thënë se do t’i nevojitej emri i zyrtarit të akuzuar dhe rekomandoi që kjo çështje të çohet përpara institucioneve përkatëse.
Ndërsa Klodi thotë se ai do ta çojë AMA-n në gjyq, nëse është e nevojshme.
Ai gjithashtu i përshkruan ryshfetet si një pjesë të “realitetit shqiptar”.
“Korrupsioni është nga a-ja tezh-ja në Shqipëri”, – thotë ai.
Investitorët e huaj kanë probleme për të shkuar nga A-ja teB-ja
Një raport i vitit 2017 nga Qendra Ndërkombëtare e Zhvillimit pranë Universitetit të Harvardit për rritjen ekonomike në Shqipëri zbuloi se ryshfeti shihej si mbizotërues në Shqipëri më shumë se kudo në rajon dhe se korrupsioni ishte “i kudondodhur”.
Por, i njëjti raport zbuloi se bizneset nuk e perceptonin korrupsionin në Shqipëri si shumë më të keq se në vendet e tjera të Ballkanit dhe se shumë kompani që vepronin në vend e konsideronin si “kosto të menaxhueshme të biznesit”.
“Nuk po themi që nuk është problem, – tha Ljubica Nedelkoska, një nga autoret e raportit për korrupsionin, në një intervistë telefonike, – por po themi që, nëse heq korrupsionin, ka ende probleme të tjera që ndalojnë investimet”.
Një nga ato probleme, i cituar nga autorët e raportit të Harvardit, është fakti se AIDA, agjencia promocionale e investimeve në Shqipëri, në mënyrë kronike ka pasur pak fonde dhe kurrë nuk ka pasur staf të mjaftueshëm.
“I bën gjërat më të vështira për investitorët potencialë”, – tha Nedelkoska, duke iu referuar shërbimeve të pamjaftueshme të AIDA-s kundrejt investitorëve.
Drejtori ekzekutiv i AIDA-s, Sokol Nano, ishte i padisponueshëm për një intervistë.
Korrupsioni ishte mes 10 shqetësimeve kryesore të anëtarëve të AmCham që aktualisht veprojnë në vend, por “niveli i përgjithshëm i taksave” u listua si shqetësimi më i madh.
“Çfarë i bën taksat kaq sfiduese për 250 anëtarët-kompanitë e AmCham janë ligjet shqiptare të taksave, gjithmonë në ndryshim dhe të paparashikueshme.
Ligjet lokale të taksave, për shembull, kanë ndryshuar 14 herë që nga viti 2007.
Me këtë regjim taksash e ligjesh gjithmonë në ndryshim, problemi i tyre është se nuk mund të planifikojnë në mënyrë të saktë”,-tha Enida Beshani, drejtoresha ekzekutive e AmCham.
Dr. Selami Xhepa, një kërkues shkencor për Qendrën Shqiptare për Tregtinë Ndërkombëtare, një projekt i financuar nga USAID, bie dakord se situata e taksave në Shqipëri nuk është joshëse për investitorët e huaj.
“Barra fiskale krahasuar me vendet e tjera në rajon ka qenë e lartë, – thotë Xhepa për taksat e Shqipërisë, – dhe, në anën tjetër, administrata tatimore, fiskale ka qenë problematike, duke sjellë edhe më shumë rritje të taksave”.
“Në përgjithësi, investitorët e huaj – jo vetëm amerikanët – preferojnë shtetet si Serbia për shkak të një tregu edhe më interesant”, – thotë Xhepa, duke shtuar se “Serbia është një treg më i madh dhe ka ekonomi më të qëndrueshme dhe më të sofistikuar”.
Kompanitë amerikane nuk janë të vetmet që po shikojnë diku tjetër.
Daci thotë se personeli më i rëndësishëm i ABCom-it po mendon të braktisë vendin për Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanadanë.
Ai thotë se pesë nga inxhinierët e tij më të mirë janë larguar tashmë.
“Lodhesh, – thotë ai. – Kaq e thjeshtë është”.
Shënim i autorit: Të gjitha shumat në dollarë dhe në lekë janë konvertuar në bazë të kurseve të këmbimit të datës 24 korrik 2018.
*Fotoja e parë në fillim të shkrimit, në të djathtë godina e ish-hotel Sheraton në Tiranë. Foto: Josh Coe