Shitblerja e votës: krimi pa ndëshkim

Autor: Denis Tahiri

Krimet elektorale në Shqipëri kanë ndodhur, ndëshkimi i tyre ka munguar. Në diskutimet për reformën e radhës përveç forcimit të masave penale, rritjes së ndërgjegjësimit dhe demokratizimit, dhe marrjes së përgjegjësive edhe të partive politike po flitet edhe për futjen e teknologjisë në votim.

Në zgjedhet vendore të zhvilluar në Korçë në 2013, pas emërimit të kryetarit të kësaj bashkie, Niko Peleshit zëvëndës kryeministër, në ekranin e Top Channel, u shfaq me zë e figurë blerja e votave te studentëve për të votuar për kandidatin e Partisë Socialiste. Vlera e votës ishte vetëm 2 mije lekë. Pas shfaqjes së atyre pamjeve, edhe në Kuvendin e Shqipërisë, do të ndodhte diçka e pazakontë. Një prej deputeteve do të tregonte me gisht elefantin qe ndodhej në sallë, që askush nuk e “kishte parë” .

Ajo që ka ndodhur në Korçë, gjej rastin të falënderoj median që e transmetoi, është vërtet shumë e rëndë. Por, nuk është vetëm kaq! Problemi është shumë më i madh sesa 20,000 lekë që iu dhanë studentëve në Korçë!”, Këto janë vetëm pak fjalë nga fjalimi i mbajtur në 7 nëntor të 2013 në Kuvend, nga deputeti i ndjer Sokol Olladshi.

“E nisi Nano, e perfeksionoi LSI-ja, por, për hir të së vërtetës, jo vetëm LSI. Edhe parti të tjera, të vogla, në koalicion me ju apo në koalicion me ne. Edhe ne të PD-së bëmë sikur s’e pamë. Dhe vijmë sot, në Korçë. Por, përpara Korçës kemi qenë në 23 qershor. Nuk ka pasur gjë më të turpshme, gjë më të fëlliqur sesa fushata e 23 qershorit. Shkonim nëpër zonat elektorale dhe u thoshim zgjedhësve: “Kemi bërë këto punë, kemi këtë projekt”. Dhe përgjigjja që na vinte ishte: “Ky ka dhënë 20, ky ka premtuar 30, ky tjetri 50. Sa jep ti?”.

Fjalimi i deputetit të ndjerë Olldashi nuk u duartrokit, por as nuk u kundërshtua. 140 deputetët heshtën.

Pas amnistisë së votuar nga Parlamenti, kjo çështje u mbyll.

“Amnistia nga PS e këtij krimi zgjedhor konfirmoi se shitblerja e votës u bë me mbështetje të qëllimshme politike”. – deklaroi PD, partia kryesore e opozitës.

Nga foltorja e Parlamentit shqiptar nuk do të flitej më aq hapur për krimet elektorale dhe nuk u regjistrua më asnjë rast ku një përfaqësues i një partie politike të bëjë “Mea Coulpa”.

Në zgjedhjet parlamentare të 2013, një ndër rekomandimet me të rëndësishme të misionit të OSBE- OHDIR ishte mos ushtrimi i presionit ndaj individeve për të votuar në një mënyrë të caktuar.

Autoritetet dhe partitë politike mund të konsiderojnë marrjen e hapave më të vendosura për të siguruar që nuk ushtrohet presion mbi punonjësit e sektorit publik, aktivistët politikë si dhe persona të tjerë, për të marrë pjesë në veprimtarinë e fushatës ose për të votuar në një mënyrë të caktuar. Çdo presion i tillë duhet të hetohet dhe autorët të vihen përpara drejtësisë sipas ligjit.”.

Pas zgjedhjeve parlamentare të 2013 ky rekomandim listohej i katërti në listën e gjatë të rekomandimeve të OSBE- ODHIR.

Katër vjet më pas ky rekomandim listohet i dyti. “nevojiten përpjekeje serioze për të trajtuar çështjen e vazhdueshme të blerjes së votës, si nëpërmjet një fushate për ndërgjegjësimin qytetar ashtu edhe nëpërmjet ndjekjes penale, me qëllim forcimin e besimit te procesi zgjedhor”.

Rekomandimi prioritar kërkon angazhim dhe “përgjegjësi” edhe nga vetë kandidatët në garë dhe partitë politike se

“Partitë politike mund të ndërmarrin një angazhim konkret dhe të mirëfilltë për të luftuar praktikat e blerjes së votës. Gjithashtu, një refuzim publik nga ana e politikanëve për të pranuar mbështetje financiare nga individë me të kaluar kriminale do të ndihmonte në ndërtimin e besimit të publikut në integritetin e zgjedhjeve”.

Në rekomandimet e tjera, vihet theksi edhe te qeveria, e cila duhet të analizojë efektshmërine e përpjekjeve për të luftuar shpërdorimin e burimeve shtetërore dhe presionet e lidhura me vendin e punës mbi zgjedhësit.

Reforma zgjedhore me dy opozita

Në qershor të 2019, gazeta gjermane “BILD” publikoi 16 audio-përgjime nga ajo që më pas do të bëhej e njohur si dosja e Dibrës, ose “Dosja 184”.  Në një nga përgjimet u shfaq edhe kryeministri Edi Rama, ish-ministri Damian Gjiknuri, si dhe emra te tjerë të figurave të larta të Partisë socialiste, të administratës shtetërore si dhe anëtarë të Parlamentit. Përgjimet e publikuara ishin karburant i mirë për debati politik, por ngallën një diskutim mediatik e publik edhe për faktin që Prokuroritë nuk po ndërrmerrnin asnjë hap. Edhe sot (09.03.2020) dosja 184 vijon të hidhet si një top ping- pongu prej Prokurorise se Dibrës në SPAK dhe anasjelltas.

Dosja 184 shërbeu si burim frymëzimi për memet në rrjetet sociale, ku meme te shumta do të krijoheshin pas fjaleve “tërmet, tërmet” të ish- ministrit Gjiknuri të dala nga përgjimet. Z. Gjiknuri është përfaqësues i shumicës në tryezën e reformes zgjedhore.

Shit blerja e votës është shndërruar tashmë në kalin e betejes së opozitës shqiptare, e cila e akuzon qeverinë se ka marrë mandatin qeverisës në sajë të krimeve elektorale. Një valë protestash opozitare do të pasonin në vend, ndërkohë që partitë opozitare shqiptare, bënë aktin e paprecedent të djegjes në masë të madateve, duke u larguar nga Parlamenti.

Sot, palët janë dakordësuar dhe janë ulur në tryezë për të kryer reformën zgjedhore, e cila është një nga kriteret e vendosura edhe nga Bundenstag-u gjerman. Afati i paraqitjes së projektit është 15 marsi.

Një ndër pikat kryesore të vendosura në tavolinën e negociatave për reformën zgjedhore është ajo e përfshirjes së Prokurorisë në zgjedhje. Kjo pikë mbështetet nga të dyja partitë opozitare më të mëdha në vend, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.

Në një intervistë për ACQJ dhe BIRN, përfaqësuesi i PD, Ivi Kaso shpjegon edhe ndryshimet që kërkohen nga kjo forcë politike.

“Do të jenë të detyruara të gjitha pokuroritë përkatëse, të cilat në përfundim të periudhës zgjedhore, të gjithë materialin e detajuar për denoncimet që kanë ardhur, në lidhje me veprimet dhe mosveprimet dhe mënyrës se si i kanë trajtuar çështje specifike do ta bëjnë pjesë të një raporti i cili do të gjykohet ose do të shihet nga Kuvendi i Shqipërisë. Kjo është qasja jonë, e cila besojmë se do të funksionojë edhe nëse pranohet nga pala tjetër”, thotë Kaso.

Edhe pse me ndryshimet që kërkohen në reformën zgjedhore do të ketë ndryshime edhe në Kodin Penal dhe atë zgjedhor, për Silvi Cakën, përfaqësuese e LSI,Kodi Zgjedhor i ka të gjitha parashikimet dhe Kodi Penal një pjesë të parashikimeve, dhe i gjithë problemi për eleminimin e krimeve elektorale qëndron te vullneti për zbatimin e tyre.

I gjithë vullneti qëndron te organet e drejtësisë dhe jo te struktura politike, jo te partitë politike. Subjektet kanë dëshira të ndryshme, kanë vullnete të ndryshme, gjithë gjëja do të qëndrojë më pas teProkuroria, dhe ne kemi menduar që edhe Prokurorinë ta përfshijmë më shumë në lojë”, thotë Caka.

  1. Damian Gjiknuri, përfaqësues i Partisë Socialiste në tryezën për reformën zgjedhore në të cilën ai është edhe kryetari i saj tha se nuk mund të prononcohet pasi, deklarimet e tij mund të ndikonin në punën e komisionit. Në prononcimin e shkurtër të dhënë për ACQJ dhe BIRN, Gjiknuri u shpreh se në parim janë të hapur të pranojnë propozime të arsyeshme të opozitës për forcimin e masave për parandalimin dhe ndëshkimin e krimit elektoral, duke shtuar se një nga efektet e reformës zgjedhore do të jetë edhe trasparenca e shtuar dhe llogaridhënia e administratës zgjedhore me qëllim parandalimin dhe zbulimin e shkeljeve.

Por, politologu Afrim Krasniqi është skeptik se ndryshimet në Kodin Penal apo zgjedhor janë rruga e zgjidhjes.

Zgjedhet e fundit në universitet. Të gjithë e dimë  që hynë grupe kriminale në garë e pati akuza për trafik votash, presione etj etj dhe kur kjo ndodh në qendrën më të madhe akademike, shkencore te Shqiperisë, imagjino çfarë ndodh në fshatin më të thellë të Shqipërisë ku një votë e fituar të bën drejtor shkolle, dogane, të gjen punë në shtet, të jep privilegje, bëhesh polic, e krijon një status social”, thotë Krasniqi i cili shton se për sa kohë kjo kulturë vijon dhe nuk dalin modele pozitive të cilat marrin masa, me siguri asnjë nga ndryshimet që bëhen në Kodin Penal apo atë zgjedhor nuk do të arrinin të ofronin zgjidhje.

Krasniqi shton se problemi që ne kemi nuk është legjislacioni, pasi kemi tre ligje, por nuk kemi të përcaktuar se kush është prioritari.

Kemiligjin e partive politike, Kodin Zgjedhor dhe Kodin Penal, por në fakt ligji për partitë politike miratohet me 71 vota, Kodi Penal dhe zgjedhor me 84 vota e Kodi Penal si rregull nuk ndryshon për një periudhë të gjatë. Duke vendosur tre akte me numër të ndryshëm të votave, kemi krijuar edhe problematikën se kush akt do të jetë prioritar dhe kujt do t’i referohemi. Një nga detyrat që duhet të ketë Këshilli politik i tryezës zgjedhore është të përcaktojë se kush prevalon në hetime në raste të tilla. Prokuroria me anë të Kodit Penal, KQZ dhe Prokuroria me Kodin Zgjedhor apo legjislacioni në lidhje me partitë politike. Për sa kohë kjo nuk është zgjidhur, praktikisht shumica e indidvideve që do të shkojnë të përballen me drejtësinë në mënyrë formale do të kenë një alibi përmes avokatëve të tyre për të kaluar situatës si dhe ka ndodhur deri tani”, thotë Krasniqi.

Por rastet kur dosjet për krime elektorale dhe pjesën e shit-blerjes së votave kanë shkuar në Prokurori nuk kanë munguar. Jo vetëm rasti i shit-blerjes së votave në Korçë në të cilin Prokuroria nisi hetimet nga publikimi i pazarit të votës në televizion kombëtar, por nuk ka munguar as rastet kur eshte kryer kallezim penal nga vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Në 2017, KQZ kallëzoi në Prokurori anëtarë të KZAZ- ve në Kryeqytet. Burime pranë Prokurorisë së Tiranës, ku është bërë edhe ky kallëzim, thanë se procedimi fillimisht rezultonte se ishte regjistruar per nenet 326/1-25 dhe më pas ishte veçuar duke u ndarë në 14 procedime te tjera të cilat Prokuroria i ka dërguar në gjykatë për tu pushuar, por gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorise për disa prej tyre, ndërkohë që katër të tjera janë ende nën hetim.

Por për zgjedhjet e 2017 nuk munguan as dosje voluminoze përgjimesh, të cilat u publikuan në median gjermane BILD që Prokuroria shqiptare të nisë hetime dhe të jepte një sinjal pozitiv se krimi elektoral ndëshkohet.  Në dosjen e njohur si “Dosja 339”, përveç tjetërsimit të pronave, trafikut të droges, në bisedat e përgjuara doli edhe ish- kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, të cilin Partia Demokratike e akuzoi pas publikimit të bisedave për shit-blerje votash.  Hetimet nga Prokuroria u mbyllën dhe 12 persona u morën të pandehur.

Rastet ku Prokuroria ka dërguar në gjykatë persona dhe subjekte te cilet kanë deformuar vullnetin e popullit, janë të pakta.

Në zgjedhjet e vitit 2017, kryeministri i bëri thirrje publike mësuesve dhe policëve të përkushtohen pas punës për të marrë sa më shumë vota për PS-në. Një thirrje dukshëm në kundërshtim me ligjin për Policinë e Shtetit dhe nënpunësin civil.

“U bëj thirrje mësuesve të gjithë Kuçovës dhe gjithë Shqipërisë të mos lenë minutë, ditë e natë pa shfrytëzuar që dinjiteti i tyre i vënë në vend të cenohet përsëri. I bëj thirrje të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, në momentin që lenë uniformën, pas punës të përkushtohen për të marrë sa më shumë vota për PS-në, në mënyrë që të mos lejojmë rikthimin e hijes së turpit mbi uniformën e tyre dhe së bashku në 4 vitet e ardhshme ta bëjmë policinë në mesataren e BE-së. U bëj thirrje të gjithë punonjësve të shtetit të bëjnë të njëjtën gjë”, kjo do të ishte thirrja e bere drejt punonjësve të administratës dhe policisë së shtetit nga Kucova në 16 qershor të 2017 nga kryeministri Rama.

Lëvizja Socialiste për Intergim bëri një kallëzim në Prokurorinë e Beratit në atë kohë, por çështja u pushua. Kryeministri kërkoi ndjesë një ditë më pas.

Në atë kohë ne kemi bërë një kallzim në Prokurorinë e Beratit pasi për shkak të juridiksionit do të bëhej në atë Prokurori. U pushua çështja. E kemi çuar çështjen në Prokurorinë e Përgjithshme, u pushua çështja edhe në Prokurorinë e Përgjithshme. Vetëm se të nesermen ai doli dhe tha unë kërkoj falje. Të gjithë njerëzit mund të kryejnë krime nga më të ndryshmet dhe të nesërmen mund të kërkojnë falje dhe çfarë duhet të bëj policia?  Duhet t’i fali? çfarë duhet të bëj Prokuroria, t’u mbylli çëeshtje?! Kjo është e gjitha çështje e zbatimit nga ana e organeve ligjzbatuese”, thotë Silvi Caka.

Politilogu Afrim Krasniqi vë ne dukje se edhe në rastet kur individë të caktuar pasi kanë mbaruar zgjedhjet kanë deklaruar se kanë dhënë lekë dhe kanë blerë vota, në asnjë rast nuk ka nisur një hetim e nuk janë reflektuar as në raportet e KQZ-së, dhe as në problematikat e partive politike. Për Krasniqin, përfshirja e konceptit të penalizimit për partitë në rastet kur kapen duke vjedhur vota, trafikuar vota e financime kriminale është i domosdoshëm dhe kjo sipas tij do të sillte një ndryshim automatik të partive politike në vend si dhe një distancim nga krimet elektorale.

“Nëse ne fusim konceptin e penalizmit, që partia humbet mandatin, që humbet financimin zgjedhor, që partia gjobitet siç ndodh kudo në botë, atëherë në mënyrë automatike partitë do të ishin të detyruara të ndryshonin pamvarësisht se kush është lideri edhe këta që janë sot edhe ata që kanë qenë para 2008, kur u ndryshua legjislacioni. Për sa kohë partitë politike nuk penalizohen, nuk japin llogari, dhe nuk ka një mekanizëm matës, e gjitha është retorikë dhe nuk ka ndonje vlerë, por është për konsum politik”, Thotë ai.

 Teknologjia në ndihmë të ndalimit të shitblerjes së votës?

Prej vitesh, futja e teknologjisë në identifikimit e votuesit, votimin dhe numerimin e votave është parë si një mundësi shumë e mirë për uljen e krimeve elektorale në proceset zgjedhore shqiptare. Opozita e ka çuar në tavolinën e reformës zgjedhore propozimin konkret për përdorimin e teknologjisë në proceset zgjedhore.

“Sistemi garanton verifikimin e të dhënave të zgjedhësve bazuar në të dhëna biometrike të sistemit të letërnjoftimeve elektronike, si dhe listës së zgjedhësve e cila gjenerohet nga regjistri kombetar i gjendjes civile”, thuhet në propozimin e bërë nga PD.

Ivi Kaso, thotë se Partia Demokratike beson se votimi dhe numërimi elektronik do të mund tu garantojë jo vetëm forcave politike por edhe zgjedhësve shqiptarë se vota e tyre do të shkojë aty ku e kanë nisur ata, dhe do të bëhet pjesë e rezultateve ashtu si duhet, si dhe do të rikthejë besimin e votës te qytetarët.

Me qellimin e kthimit të këtij besimi, në propozimet e Partisë Demokratike, është bërë e qartë edhe mënyra e vootimit nëpërmjet EVM-ve (Electronic Votin Machine).

“Me qëllim shmangien e shit-blerjes së votës, intimidimin e zgjedhësit vota e printuar nuk mund të merret fizikisht nga zgjedhësi. Votuesit dhe komisioni nuk duhet të kenë akses në pajisje dhe as në kutinë e ruajtjes së kuponave, dhe çdo veprim për printimin, prerjen dhe hedhjen e kuponëve të votimit do të kryhet automatikisht nga EVM” – theksohet më tej në propozimin e PD.

Ky propozim i Partisë Demokratike ka gjetur edhe mbështetjen e Levizjes Socialiste për Integrim. Zonja Caka thotë se kampet politike kanë patur kontakt me kompani të cilat ofrojnë këtë shërbim si dhe janë bërë demostrime se si operohet.

“Personalisht me janë dukur relativisht të pacënueshme, gjithë pikëpyetja mbetet tek koha. A do të kemi kohë të zbatojmë një sistem të tillë elektronik, sepse edhe ato kanë kohën e vet, koston e vet, kanë një kosto goxha të lartë, por nëse do të duam të shkëputemi njëhere e mirë nga kjo traditë e shitblerjes së votave, mendoj se do të ishte një gjë shumë e mirë të arrinim të realizonim një proces të identifikimit biometrik, votimit dhe numerimit elektoronik”, thotë Caka.

Për Kristaq Kumen, ish-kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfshirja e teknologjisë në procesin zgjedhor është një ndër mundësitë që mund të përdoret, por ai e vendos theksin te besimi që palët duhet të kenë për përdorimin e kësaj teknologjie.

“Se pari besimi që duhet të kenë palët për përdorimin e kesaj teknologjie sepse nuk është teknologjia ajo që krijon besim, por besimi mbi të dhe pastaj mundësitë për të zvogëluar interferimin në procese zgjedhore si rezultat i preferencave politike që kanë administratorët zvogëlohet në mënyrë të ndjeshme, dhe duke u zvogëluar kjo për rrjedhojë edhe krimet elektorale zvogelohen”, thotë ish- kreu i KQZ-së duke shtuar se edhe pse krimet elektorale mund të zvogëlohen, nuk zgjidhen përfundimisht.

Aktorë jashtë sistemit politik, por edhe ata brenda sistemit zgjidhjen e vetme të forcimit të demokracisë në Shqipëri e shohin në rritjen e kulturës demokratike brenda vet partive politike, e më pas këtë kulturë të mund ta shfaqin edhe gjatë proceseve zgjedhore. Rritja e trasparencës, por edhe vendosoja e penalizimeve ndaj partive politike të cilat kapen në krime elektorale është një ndër hapat thelbërsorë për të larguar nga proceset komplekse zgjedhore krimet elektorale dhe dhënien e mundësisë qytetarit për të shprehur sovranitetin e tij.

Krimet elektorale në Shqipëri kanë ndodhur, ndëshkimi i tyre ka munguar. Në diskutimet për reformën e radhës, përveç forcimit të masave penale, rritjes së ndërgjegjësimit dhe demokratizimit dhe marrjes së përgjegjësive edhe të partive politike, po flitet edhe për futjen e teknologjisë në votim.

Zgjedhjet e radhës, në rastin më të largët janë në qershor të vitit 2021. A do të pasohen këto zgjedhje, siç ka ndodhur rëndom në këto dekada, nga rekomandime të radhës të OSBE-ODHIR? Përgjigja e kësaj pyetje varet shumë nga produkti dhe konsensusi që do të prodhojë Këshilli Politik i tryezës zgjedhore.  15 marsi, afati për të parë çfarë gatuan vullneti politik, është tek dera.

*Foto në fillim të shkrimit: Salla e mbledhjeve të KQZ, foto KQZ
What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry

Leave a comment

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2023 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2023 Giljana Limani.  All Rights Reserved.