Mijëra apartamente janë stok, mijëra të tjerë, në ndërtim
Autor: Gersi Kokonozi
Në Tiranë toka tashmë kushton shtrenjtë dhe ata që blejnë për të ndërtuar po iu drejtohen qiejve. Ndërtime të larta deri në 40 kate janë duke hedhur shtat dhe puna nuk u ndal as në ditët e karantinës kundër coronavirusit. Investimet më të mëdha janë duke u bërë pikërisht në qiellgërvishtës.
Por, a ka nevojë kryeqyteti për kaq shumë hapësira të reja?
Kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, ka thënë në një intervistë se, Tiranës i duhen 7 mijë apartamente të reja në vit, sepse në Tiranë vijnë çdo vit 25-30 mijë banorë të rinj. Pjesa më e madhe e ndërtimeve shumëkatëshe janë afër qendrës dhe kryesisht janë për qëllime komerciale, për zyra, për biznes. Banorët e rinj që vijnë kryesisht kërkojnë banesa me qira të ulët dhe në zonat periferike të Tiranës. Ndërtimet shumëkatëshe pranë qendrës nuk e ofrojnë këtë mundësi.
Në dhjetor të vitit 2019 ishin të lira 2500 banesa dhe qeveria mendonte që të shfrytëzoheshin për të strehuar familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
Gjatë tremujorit të parë të vitit 2019 në Tiranë është dhënë leje për ndërtimin e godinave rezidenciale me një sipërfaqe prej më shumë se 479 mijë m2. Vlera e kësaj sipërfaqeje llogaritet në rreth 141 milionë euro. Një sipërfaqe e madhe për ndërtimin e këtyre godinave ndodhet pranë qendrës së Tiranës.
Projekti Book Building, ngjitur me kullën e Sahatit, me një sipërfaqe prej 40 mijë metrash katrorë; Projekti Tirana’s Rock, në krah të Hotel Tiranës, një kullë 85 metra e lartë dhe që do të ketë 25 kate; Down Town Albania, tek ish-parku i lodrave për fëmijë, 7 xhuxhët, një kullë multifunksionale me 40 kate; Projekti Eyes of Tirana, që formon një trekëndësh me Bankën e Shqipërisë dhe Muzeun Historik Kombëtar, me një sipërfaqe prej 63.500 m2, 26 kate e lartë.
Shqetësimi që është ngritur nga shumë operatorë të tregut është se këto ndërtime po bëhen pa u bazuar në studime konkrete, vrojtime empirike në terren dhe, ç’është më rëndësishmja, pa u bazuar në nevojat dhe kërkesat e qytetarëve që kërkojnë një apartament banimi në Tiranë.
Nga sa kuptojmë nga këto ndërtime të reja, kemi një qytet që po shtyhet akoma dhe më shumë drejt qendrës, ku fare mirë prej shtimit të popullsisë në Tiranë mund të kishim një qytet që zgjerohet më shumë në zonat periferike dhe krijon lehtësira në qarkullimin e njerëzve dhe mjeteve automobilistike.
Tirana e ka humbur prej kohësh sfidën me estetikën ose, më mirë të themi, e ka shkatërruar estetikën karakteristike të qytetit për të krijuar një estetikë të re. Kjo estetikë që po krijohet, me sa duket, nuk është dhe aq në shërbim të qytetarëve sa ajo e para. Tani Tirana po humbet dhe sfidën me nevojat e tregut. Ndërkohë që nuk ndikojnë në plotësimin e nevojës për strehim për popullsinë masive, çfarë do të sjellin këto kulla në aspektin urbanistik dhe atë imobiliar të Tiranës?
Ne pyetëm urbanistin e njohur, Besnik Aliaj:
“Kulla është tipologji dhe model ndërtimi si gjithë të tjerët, por zakonisht përdoret, ose për të treguar potencial zhvillimi, ose për të maksimalizuar efikasitetin e ndërtimit, sepse kërkon më pak truall dhe akomodon më shumë njerëz, familje dhe zyra e shërbime. Pra, nga ana financiare ka më shumë leverdi për investitorin publik ose privat. Kostoja është se, për shkak të dendësisë së banorëve dhe zyrave, kërkon më shumë infrastrukturë, shërbime dhe hapësirë publike, hapësirë të gjelbër, parkim, hapësirë sportive etj.
A ka nevojë tregu imobiliar për kaq ndërtime?
Në Tiranë llogariten rreth 30 mijë apartamente bosh, të pabanuara, të pashitura ose të pambaruara, ndërkohë që po ndërtohet gjithmonë e më shumë dhe jepen leje akoma më shumë. Normalisht, kur ke më shumë apartamente, tregu është i ngopur.
Ironik te ne është fakti se kemi apartamente bosh dhe njëkohësisht kemi shumë të pastrehë.
Shumë operatorë tregu parashikojnë se do të ketë një bllokim të tregut të patundshmërisë në dy apo tre vitet e fundit, nxitur, si nga rënia e kërkesës, edhe nga fryrja e çmimeve në raport me fuqinë blerëse në vend. Kërkesa për shtëpi do të furnizohet kryesisht nga banorët e rinj që vijnë në Tiranë nga rrethet, të cilët nuk kanë fuqi të thithin ndërtimet e reja me këto çmime që ofrohen.
Për raportin e rrezikut të rritjes së stokut të ndërtimeve dhe ngurtësimit në beton të sasive të mëdha të parave që mund të ndikojnë në krizën ekonomike, urbanisti Aliaj thotë:
Edhe pse kohët e fundit është zhvilluar tregu i qirasë, çmimet e ndërtimeve të reja janë në rritje, kur 2/3 e popullsisë janë të varfër ose të paaftë të blejnë një banesë. Kreditë janë të shtrenjta dhe me akses të vështirë për këtë kategori speciale. Shtresat e tjera në gjendje e kanë zgjidhur strehimin në mënyrë private. Atëherë, kur ekonomia jonë nuk prodhon, nga vijnë paratë?! Dhe për kë ndërtohen këto banesa të reja? Kjo është e paqartë dhe dëshmon natyrën informale dhe piramidale të tregut të ndërtimit.
Cilat janë ndërtimet e reja në proces?
Projekti Book Building, Tiranë
Godinë multifunksionale 4, 5, 11 dhe 21 kate, me 3 kate nëntokë, Book Building ndërmjet rrugës 28 Nëntori dhe rrugës Abdi Toptani, me subjekt zhvillues Techno-Alb sh.p.k.
Projekti parashikon ndërtimin e tri objekteve me lartësi 3, 4, 10 dhe 20 kate, me një sipërfaqe mbi 40 mijë metra katrorë.
Tirana’s Rock
Në krah të Hotel Tiranës është prezantuar ndërtimi i kullës Tirana’s Rock, 85 metra e lartë dhe do të ketë 25 kate. Kulla do të shërbejë si qendër tregtare, biznesi dhe banimi dhe do të ndërtohet nga Ana sh.p.k.
Kulla Pyll
Në Rrugën e Kavajës, në Tiranë, aty ku më parë ishte vendosur godina e Muzeut të
Shkencave të Natyrës do të ndërtohet një kullë prej 24 katesh, në formën e një pylli vertikal.
Kulla po ndërtohet nën trendin e ri të arkitektit italian, Stefano Boeri, ku ndërtesa nga fillimi në fund do të dominohet në pamjen e jashtme nga gjelbërimi.
Down Town Albania
Down Town Albania, tek ish-parku i lodrave për fëmijë, 7 xhuxhët, një kullë me 40 kate, me funksione të ndryshme, të ndara sipas kateve, ku 2912 m² të kateve të para do të shërbejnë si hapësira komerciale.
Në katet që vijojnë do të jenë të lokalizuara ambientet e zyrave, me një sipërfaqe prej 21840 m². Në katet e sipërme, për të ofruar pamjet më të mira nga lartësia e kullës, janë pozicionuar banimet me një sipërfaqe rreth 26208 m². Punimet po kryhen nga një prej firmave më të mëdha në vend, Kastrati, ndërsa pak kohë më parë, Balfin, grupi më i madh në vend, u tërhoq nga ndërtimi i kullës Down Town Albania.
Tirana Forever Green
Pas disa kohësh pezullimi punimet kanë nisur për objektin 20-katësh në afërsi të qendrës përballë Kishës Ortodokse, e cilësuar Tirana Forever Green. Objekti, tani një karabina, zë një sipërfaqe prej më shumë se 12.400 m² dhe ka 20 kate, nga të cilat katër nëntokë. Kulla do të ketë 4 nivele parking nëntokësor, hapësira komerciale, dyqane, 7 nivele zyra, 8 nivele banimi dhe një hotel superluksoz, me një investim prej 25 milionë eurosh.
MET Building Tirana
MET Building Tirana është projekti për një ndërtesë të re komerciale me 12 kate në zemër të Tiranës. Projekti MET Building Tirana do të plotësojë hapësirat e lira të zonës qendrore të Tiranës, duke përfunduar procesin e rizhvillimit urban që është aktualisht në proces. Brenda një blloku të plotë me ndërtesa dhe funksione prestigjioze, dizenjimi i ndërtesës së re i kushton vëmendje të veçantë shtëpive në natyrë dhe arredimit të jashtëm.
Rezidencat Lakeview
Projekti përfshin ndërtim për banesa me një sipërfaqe që përfshin 129,000 m² te Rruga e Kosovarëve në afërsi të Kopshtit Zoologjik. Projekti do të zhvillohet nga kompania Gener 2.
Sipas Monitor.al:
Vetëm në tremujorin e parë të vitit 2019 Bashkia e Tiranës ka dhënë leje për ndërtimin e godinave rezidenciale me një sipërfaqe që i tejkalon 479 mijë m², me një vlerë të përafërt prej rreth 141 milionë eurosh.