Ministra që fluturuan shtrenjtë, 300 milionë lekë në bileta

Autor: Denis Tahiri

Viti 2019, nuk ka qenë kulmi negociatave dhe takimeve diplomatike më të rëndësishme për Shqipërinë, e megjithatë udhëtimet e ish-ministrit Gent Cakaj dhe stafit të tij i kanë kushtuar vendit 300 milionë lekë të vjetra. As 2020 nuk qe e tillë. Megjithatë problemi nuk qëndron tek udhëtimet e shpeshta, por mos përputhja e çmimeve të biletave që krahasuar me çdo ministri tjetër janë 3-fish më të kripura. Aq më tepër që këto bileta të ish-ministrit në detyrë Cakaj dhe stafit janë blerë si bileta të klasit ekonomik, por që realisht për nga vlera nuk rezultojnë aspak si të tilla.

Investigimi i Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore zbulon se si gjatë dy viteve që mbajti postin e ministrit në detyrë në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka kryer 49 udhëtime në total, së bashku me stafin më të ngushtë. Fatura që u pagua për itinerarin intesiv kushtoi 29,959,255.00 lekë të shpenzuara vetëm për biletat e udhëtimeve ajrore.

Ajo që bie në sy në këto udhëtime, është fakti se shumë nga biletat janë paguar me çmim dyfish, trefish dhe ka edhe raste kur janë paguar me katërfishin e çmimit të tyre, për klasin ekonomik që Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme këmbëngul se i përkasin.

Bileta të kripura

Destinacioni më i frekuentuar nga ish ministri lidhet me udhëtimet përtej oqeanit. Në dukje udhëtimi është kryer me klasin ekonomik, së paku e tillë është blerë bileta, por pavarësisht këtij klasifikimi bileta është blerë më shtrenjtë se sa një biletë e klasit biznes.

Investigimi i Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore zbulon konkretisht se tri bileta drejt Washingtonit, një për ish- ministrin Cakaj dhe dy të tjera për anëtarët e stafit të tij u paguan nga Ministria e Jashtme me 1,750,002.00 lekë. Këto bileta i përkasin klasit ekonomik me nisje më datë 20 dhe kthim në datë 28 qershor të 2020. Kjo vizitë e ish ministrit Cakaj sipas MEPJ duhej mbajtur në SHBA me fokus takimet me përfaqësues të DASH. Delegacioni përbëhej nga tre persona.

Pra, praktikisht, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme pagoi vetëm për udhëtimin më tepër se 5 milionë e 800 mijë lekë të vjetra, për një biletë avioni të klasit ekonomik.

Në një tjetër udhëtim nga Tirana në Washington të ish-ministrit Cakaj dhe tre personave të tjerë, staf të tij, nga 1 deri në 5 Prill të 2019, është paguar nga ana e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, një shumë prej 1,291,752.00 lekë ose 322,938.00 lekë për biletë individuale. Edhe për këtë udhëtim, në përgjigjen zyrtare, Ministria thotë se është kryer me bileta të klasit ekonomik.

Ministri Cakaj, së bashku me dy shoqërues të tjerë të tij udhëtuan drejt Washingtonit nga Tirana më 4 shkurt për të marrë pjesë në takimin për koalicionin global Anti-ISIS. Kostoja e këtyre biletave, me datë kthimi në 8 shkurt të 2019 është 843,750.00 lekë. Sipas përgjigjes zyrtare të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, ish- ministri dhe dy shoqëruesit e tij në këtë udhëtim kanë udhëtuar përtej oqeanit në klasin ekonomik me një vlerë për biletë individuale prej 281,250.00 lekë.

Nga ana tjetër, Ministria e Financave për të njëjtin destinacion dhe gati në të njëjtën periudhë ishte më e lirë në kostot e saj për udhëtimin drejt USA. Bileta e titullarit të MF drejt Washingtonit me nisje në 11 prill dhe me kthim më 15 prill të 2019 kushtoi vetëm 95,250 lekë për biletën vajtje–ardhje. Synimi i udhëtimit të Anila Denaj ishte pjesëmarrja në “Spring Meeting 2019, World Bank Grup”, që konsiderohet event i rëndësishëm. Nga krahasimi mes shpenzimeve të të dy ministrave kuptohet se nga blerja e biletave ka një hendek të madh përballë shumës prej 281,250.00 lekësh që ka paguar MEPJ për një biletë vajtje-ardhje në Washington.

Po ashtu një biletë drejt SHBA-ve për ministren e Financave Anila Denaj do të kushtonte vetëm 71,004 lekë. Vizita e raportuar nga datat 16 deri më 21 tetor 2019 kishte në fokus takimin vjetor të Guvernatorëve të Bankës Botërore.

Në përpjekje për të sqaruar se sa kushton një biletë nga Tirana drejt Washingtonit, Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore përdori kayak.com, një motor kërkimi për biletat e avionit. Në pamundësi për të parë se sa kushtonte një biletë në datat konkrete që ish-ministri dhe stafi i tij i blenë për të udhëtuar drejt SHBA, kërkimi u përqëndrua tek pyetja sa kushton një biletë e klasit ekonomik në kohën e investigimit. U përdorën të njëjtat kritere si diferenca e ditëve mes nisjes dhe kthimit, por edhe u kërkua biletë e klasit ekonomik, sikurse ajo e ish ministrit dhe stafit të tij.

Nga kërkimet e bëra, rezulton se një biletë e klasit ekonomik nga Tirana drejt Washingtonit, kushton më e lira 1215 dollarë, ndërsa bileta me e shtrenjtë për klasin ekonomik është me vlerë 1758 dollarë.  E konvertuar në valutë vendase, bileta është e barasvlefshme me 181,356.69 lekë.

Por për Gent Cakaj nuk ishte jo ekonomike vetëm Amerika. Ai ka udhëtuar sikur të kishte përdorur biznes klas me një biletë ekonomike edhe në Evropë. Udhëtimi u krye në Bruksel. U blenë dy bileta, një për ish ministrin dhe një anëtar të stafit. Me nisje më 17 mars dhe kthim në 19 mars të 2019 u paguan 245,448.00 lekë. Pra, 122,724.00 për një biletë individuale vajtje-ardhje.

Udhëtimi është bërë për të marrë pjesë në konferencën me titull “Nato at seventy- post war…”. Por nga kërkimi i Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore sërisht zbulohet se një biletë e klasit ekonomik drejt Brukselit për një qytetar shqiptar dhe për këdo që udhëton me një biletë të tillë, kushton 415 dollarë për person dhe 830 dollarë për dy persona.

Rrugëtimi tjetër që ndërmori Gent Cakaj çoi atë në Romë. Më 18 shtator të 2019 ish- ministri në detyrë Gent Cakaj së bashku me dy persona të tjerë mbërritën në Itali mbasi kishin shpenzuar për blerjen e biletave shumën prej 249,000.00 lekësh në total me një vlerë prej 83,000.00 lekë për një biletë vajtje ardhje. MEPJ thotë se janë të klasit ekonomik.

Të gjitha biletat të cilat janë blerë nga MEPJ për udhëtime të ish- ministrit në detyrë dhe stafit të tij shoqërues, janë të pasqyruar në tabelën e mëposhtme dhe si mund të shihet, të gjitha janë të klasit ekonomik. Megjithatë çmimet me të cilat janë blerë, rrallë e pasqyrojnë një gjë të tillë.

Biletat

Çfarë thotë MEPJ për biletat

Në një reagim zyrtar për Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme shprehet se biletat e transportit ajror për Ministrin dhe Stafin që e shoqëron atë në kuadër të veprimtarive diplomatike jashtë vendit, realizohet në përputhje me VKM nr. 358/2013-1.

[sliders_pack id=”5000″]

“Në lidhje me çmimet e biletave të transportit ju bëjmë me dije si vijon: Çmimi i biletave të avionit përcaktohet nga oferta e paraqitur nga operator ekonomik, të cilat varen nga çmimi që ofron tregu në momentin e paraqitjes së kërkesës për prokurim”, thuhet në reagimin e MEPJ. Ky institucion përgjatë qëndrimit zyrtar sqaron se ndiqen arsyet e veçanta protokollare për sa i përket shërbimeve të blerjes së biletave të udhëtimit për titullarin dhe stafin që e shoqëron atë gjatë udhëtimit.

Më tej në reagimin e saj, Ministria argumenton se vlera e biletave varet nga koha kur janë blerë.

Orari kur ministri mbaron takimin p.sh. në Amerikë dhe nevoja që lind aty për aty për të udhëtuar në një shtet tjetër lidhen ngushtësisht dhe me çmimin që ofron tregu për ndryshimin e biletës dhe gjetjen në një kohë shumë të shkurtër të vendeve të lira dhe të biletave të udhëtimit për në destinacionin e kërkuar. Në raste të veçanta sikundër, është rasti i takimit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, SHBA, në fund të muajit shtator të çdo viti, është thuajse e pamundur të gjenden bileta pasi të gjitha kompanitë ajrore i parablejnë vendet nga kompanitë e fluturimit dhe i shesin biletat për pasagjerët me çmime shumë të larta. Sa më siper çmimet për të cilat ju kërkoni shpjegime të hollësishme diktohen nga koha kur është kërkuar shërbimi dhe çmimi që ofron tregu për llojin e fluturimit të kërkuar”, përfundon reagimin e saj për ACQJ, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.

Dy ministra të Brendshëm në tre vite më pak shpenzime se MEPJ

Prej marsit të 2017 e deri në nëntor të 2018, kohë kur la edhe detyrën, ish- ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, sipas Ministrisë së Brendshme ka kryer 14 udhëtime jashtë vendit, ku shpenzimet për bileta kanë një kosto prej 1,247,616 lekësh. Gjithashtu shpenzimet për bileta avionit për ish- ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, ka qenë 1,331,743 lekë, vlerë kjo e cila ka shërbyer për blerjen e 16 udhëtimeve. Ndërkohë kostoja e biletave të avionit për kabinetin e Ministrit të Brendshëm prej Marsit të 2017 deri në Nëntor të 2018 ka qenë 1,986,983 lekë, ndërsa prej Nëntorit të 2018 deri në Dhjetor të 2020, kabineti i Ministrit të Brendshëm ka shpenzuar për bileta avioni për 19 udhëtime të kryera 1,212,109 lekë. Këto të dhëna deklarohen zyrtarisht nga Ministria e Brendshme.

Edhe Financat me “flamur të kuq”

Por pavarësisht krahasimit me ish ministrin e jashtëm, për dy episode udhëtimi drejt Shteteve të Bashkuara, nuk mbetet pas për biletat e kripura edhe ministrja Anila Denaj. Ministrja e Financave, Anila Denaj, nga marrja e detyrës, ka kryer 19 udhëtime deri në fund të vitit 2020. Mes tyre evidentohet blerja e një bilete avioni drejt Francës. Vizita zyrtare u krye në 13 tetor 2020 dhe Ministria e Financave pagoi për këtë biletë 1197 euro.  Nga ana tjetër mes shpenzimeve të ministres vërehet fatura prej 755 euro, për një natë fjetje në Kroaci, ku Denaj qëndroi për një vizitë dy palëshe.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter