Mirëmbajtja e kamerave të policisë 7-fish më shtrenjtë, çështja përfundon në SPAK

Autor: Klevis Paloka

Si funksionojnë kamerat e trupit të policisë, pyeste Ministria e Brendshme gati pesë vite më parë, duke e prezantuar pajisjen si fjalën e fundit të forcave të rendit. Aparatura konsiderohej me aftësi për të rregjistruar, me cilësi të lartë maksimumi deri në tetë orë, kishte buton emergjence SOS dhe jo vetëm me kënd shikimi 110 gradë, por lehtësisht e montueshme në rrip, kraharor dhe në sup. Duhej të ishte po ashtu rezistence nga uji dhe kushtet e motit, të ishte e pajisur me bateri rezervë dhe të shfaqte koordinatat gjeografike në GPS. Por shpesh policët ktheheshin në repart me deklaratën “kamera ska bateri”, “Kamera u dëmtua nga rreshjet”. Teksa ishte planifikuar që kamerat e trupit do të mbaheshin veçanërisht nga policët e Forcave “Shqiponja”, mbas vrasjes së Klodian Rashës u zbulua se asnjëri nga policët e këtij sektori nuk e kishte kameran funksionale dhe madje as të instaluar në uniformë. Një hetim i nisur nga SHÇBA, nuk hodhi dritë mbi problematikën e përdorimit të aparaturës, për të cilën asnjë zë zyrtar nuk argumenton se sa përqind e këtyre kamerave janë në përdorim, sa prej tyre kanë dalë jashtë funksioni dhe sa janë shpenzimet për mirëmbajtjen e tyre.

Jo zyrtarisht, njerëzit brenda policisë ndjehen më të lirë për të folur dhe për të treguar të vërtetën. “Prej 3-4 muajsh ne nuk i përdorim më kamerat e trupit gjatë shërbimit, që kontrollojmë zonën që ka komisariati ynë për të patrulluar në Tiranë”, kështu shprehet në anonimitet një punonjës policie i Komisariatit Nr.3 në Tiranë.

Punonjësi i Policisë shprehet se i gjithë komisiariati nuk ka më kamera trupi për patrullim. “Në komisariatin tonë ka rreth 3-4 muaj që na i kanë hequr, dhe nuk na kanë dhënë asnjë arsye pse ndodhi kjo gjë, por mesa kam komunikuar edhe me kolegët, e njëjta gjë, ka ndodhur edhe me ata”, e mbyll rrëfimin polici.

Por kur u vunë në funksion kamerat e trupit?

Kamerat e trupit për punonjësit e Policisë u vunë në funksion në shkurt të vitit 2016 dhe atë kohë u cilësuan si nga ministri i brendshëm i asaj kohe, Saimir Tahiri, por edhe nga kryeministri Edi Rama, si një transformim rrënjësor i marrëdhënies së Policisë me qytetarët.

Në fjalën e tij gjatë prezantimit të këtyre kamerave të trupit për punonjësit e policisë, Kryeministri Edi Rama e cilësonte si një mundësi të pazëvendësueshme për një transparencë të plotë në të gjitha veprimtarinë e forcave të rendit.

Ky program i revolucionit teknologjik në Policinë e Shtetit është një mundësi e pazëvendësueshme, për të realizuar një transparencë të plotë në të gjithë veprimtarinë e forcave tona të rendit. Transparenca i jep mundësi drejtuesve, i jep mundësi punonjësve, i jep mundësi qytetarëve, i jep mundësi komuniteteve, i jep mundësi partnerëve të lexojnë çdo aspekt të kësaj veprimtarie dhe ballafaqon Policinë e Shtetit me mundësinë që çdo ditë të realizojë ambicien e madhe, për të qenë një polici që nuk ka dallim me policitë e Bashkimit Europian”, shprehej kryeministri Rama.

Ndërsa ministri i brendshëm i asaj kohe, Saimir Tahiri i cilësonte këto kamera si instrumentin më të fuqishëm kundër korrupsionit.

Është instrumenti më i fuqishëm antikorrupsion dhe unë jam shumë krenar që Policia Shqiptare është e para në Ballkan që aplikon këtë instrument, duke na vënë ne, para përgjegjësisë dhe para detyrimit duke bërë shumë më shumë, për të rritur standardin e sigurisë, për të luftuar informalitetin, paligjshmërinë, kriminalitetin dhe mbi të gjitha për të ndërtuar besimin solid dhe konstant të qytetarëve të Policia e Shtetit. Ne besojmë që teknologjia dhe inovacioni janë mënyrat më të mira për të modernizuar Policinë e Shtetit, për të rritur standardin e shërbimit të saj, për të rritur garancinë e qytetarit përballë punonjësit të Policisë së Shtetit, për të pasur punonjës policie që nuk abuzojnë me detyrën, punonjës policie të denjë për të fituar besimin e qytetarëve”, deklaronte ish-ministri Tahiri.

Sakaq edhe pse kanë kaluar më shumë se 5 vite, Policia e Shtetit vazhdon të mos japë informacione për tenderin e zhvilluar për blerjen e këtyre kamerave të trupit.

Tenderi për kamerat e trupit për efektivët e Policisë është zhvilluar nga ish-Drejtoria e Prokurimeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme dhe hyn në kategorinë “I klasifikuar”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Policisë së Shtetit.

Por aferën në këtë tender e zbuloi përmes një kontrolli të detajuar Kontrolli i Lartë i Shtetit, që preku një më një edhe shkeljet që sipas auditit ishin bërë për këtë tender.

Gjatë auditit, KLSH nxorri në dritë faktin se në fillim thuhej se procedura e tenderit është bërë në kundërshtim me urdhrin e vetë ministrit të brendshëm.

Në procedurën e tenderit me objekt “Sistemi multifunksional i kamerave të trupit për patrullat e Policisë së Shtetit” me vlerë rreth 541 milionë lekë, u konstatua se procedura ishte klasifikuar “sekret” në nivel sigurie “I kufizuar”, në kundërshtim me kërkesat e Urdhrit të Ministrit të Punëve të Brendshme nr.459, datë 26.8.2015 dhe Ligjin 6943, datë 20.11.2016, i ndryshuar. Arsyetimi i përdorur për këtë klasifikim, për shkak se “Materiali filmik (Audio/video) është produkt që realizohet pas përfundimit të procedurës së tenderit dhe gjykohet se ka shërbyer si një  artificë për të shmangur konkurrencën e hapur dhe për të diskriminuar pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë të tjerë në këtë prokurim”, citohet në dokumentin e KLSH-së.

Efektet negative në faturën financiare

Një tjetër gjetje e KLSH, lidhet me ndikimin në buxhetin e shtetit.

Në realizimin e kësaj procedure u konstatuan parregullsi dhe mangësi të shoqëruara me efekte negative financiare për Buxhetin e Shtetit të cilat arrijnë minimalisht në nivelin 189 milionë lekë. Ky efekt negativ rezulton në përllogaritjen e fondit limit, nga krahasimi i çmimeve të ofruara nga operatorët ekonomikë vendas dhe të çmimeve të ofruara/kombinuara nga operatorët ekonomikë vendas me çmimet ndërkombëtarë të publikuara. Grupi i punës i ngritur nga Autoriteti Kontraktor, nuk ka dokumentuar referencat që kanë shërbyer për llogaritjen e vlerës së plotë të projektit (përfshirë fondin limit), shkaqet e ndryshimit, nga vlera 838,005,339 lekë, deri në vlerën përfundimtare të projektit prej 540,533,139 lekë, në kundërshtim me nenin 59/2 “Përllogaritja e vlerës limit të kontratës” të Vendimit të Këshillit të Ministarve Nr. 914, datë 29.12.2014 “Për rregullat e prokurimit publik” i ndryshuar, dhe specifikisht me kërkesat dhe kriteret e përcaktuara për aplikim me projekte në Komitetin e Zhvillimit të Rajoneve”, shpjegon KLSH-ja

Çmim shtatë herë më i kripur

Por gjetja më e rëndësishme e këtij raporti ishte fakti se çmimet e përdorura nga autoriteti kontraktor kanë rezultuar deri 7 herë më të larta se çmimet ndërkombëtare të botuara dhe që edhe pse në tender ishte parashikuar edhe zëri “mirëmbajtje’, ndërsa operatori fitues nuk kishte mundësi ta kryente këtë zë.

Nga një testim i çmimeve ndërkombëtare të publikuara si dhe i ofertave të marra nga operatorë të njohur të tregut vendas për komponentë të caktuar të këtij sistemi, u konstatua se çmimet e përdorura nga Autoriteti Kontraktor kanë rezultuar deri 7 herë më të larta se çmimet ndërkombëtare të botuara, duke reflektuar rritje të fondit limit në shumën 189,155,670 lekë. Në preventivin e tenderit “Sistemi multifunksional i kamerave të trupit për patrullat e Policisë së Shtetit” është parashikuar edhe zëri “Mirëmbajtje” me vlerë rreth 38,000 mijë lekë në vit.  Ndërkohë që u konstatua se Operatori ekonomik fitues, nuk ka mundësi të kryejë zërin “Mirëmbajtje”, pasi në dokumentacionin e paraqitur prej tij, nuk ka marrëveshje bashkëpunimi, autorizim prodhuesi, ose/dhe kualifikime e trajnime me subjektin “S.I.”, nga i cili ka blerë “Kamerat multifuksionale”. Mbështetur në këtë fakt, vlerës së lartë të shërbimit të “mirëmbajtjes”, vijimësisë së kryerjes së këtij shërbimi, faktit që Autoriteti Kontraktor ka në strukturën organike rreth 90 punonjës të TI, transferimi i shërbimit të mirëmbajtjes jashtë institucionit për tre vjet me pagesë në vlerën 114 milionë lekë reflekton inefiçiencë në përdorimin e burimeve njerëzore dhe financiare”, denoncohet në auditin mbi tenderin e dyshimtë.

Një denoncim që përfundoi në SPAK

Këto gjetje dhe analiza financiare të KLSH, përfunduan në formën e kallëzimit penal pranë akuzës, ndaj zyrtarëve që u përfshinë dhe firmosën tenderin.

“Për parregullsitë e konstatuara në procedurën e tenderit me objekt “Sistemi multifunksional i kamerave të trupit për patrullat e Policisë së Shtetit”, Kontrolli i Lartë i Shtetit me shkresën nr. 871/13 datë 10.01.2017, ka paraqitur pranë Prokurorit të Përgjithshëm kallëzim penal për 7 punonjës të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, nga të cilët 4 punonjës A. M. S. R., D. GJ. dhe F. Sh., në cilësinë e grupit për hartimin e termave të referencës, llogaritjen e fondit limit dhe njëkohësisht anëtarë të njësisë së prokurimit, kurse 3 punonjës E. D., E. K. dhe S. H., në cilësinë e anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave, për konsumim të figurës së veprës penale “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publikë”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal”.

Por edhe pse kanë kaluar pothuajse 4 vite, për këtë kallëzim penal të bërë nga KLSH-ja, akoma nuk ka një rezultat hetimor. Burimet jo zyrtare tregojnë se si fillim ky kallëzim penal i kaloi Prokurorisë së Tiranës. Ndërsa kjo e fundit në fund të dhjetorit 2020 shpalli mos kompetencën dhe ja kaloi fashikullin hetimor, Prokurorisë së Posaçme SPAK, që për shkaqe të sekretit hetimor nuk bën të ditur se çfarë rrjedhe ka marrë çështja.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter