Rrugë, porte dhe investime që nuk u kryen. Për kontratat e prishura nga shteti, shqiptarët duhet të paguajnë 160 milionë euro gjobë të Arbitrazhit

Autor: Denis Tahiri

Përgjatë një dekade, nga 2010 deri në fund të 2021, Shqipëria humbi në arbitrazh 160 milionë euro që në rast se nuk paguhen në kurrizin e çdo shqiptari, borxhi rritet në mënyrë galopante. Llogaritur me zëra prej 16 milionë euro “gjobë” për çdo vit, Shqipëria u penalizua me fatura të kripura për prishje të kontratave me kompani të ndryshme, të cilat u kontraktuan për të investuar në rrugë apo porte. Vendimet e dhëna nga gjykatat ndërkombëtare përfshijnë shuma marramëndëse, ndërkohë institucionet shqiptare edhe pse kanë faturuar 118,776,781 euro kanë paguar vetëm 2,986,584 euro shumica e të cilave, janë shpenzime të realizuara për konsulencë ligjore dhe fatura gjykate. Nga ana tjetër, shifra që duhet të shlyhet ndaj fituesve të gjyqeve vijon të rritet me kalimin e ditëve.

Rruga “Tiranë-Elbasan” 45 milionë euro gjobë

E sigurtë është që ky aks u ka kushtuar shumë shtrenjtë shqiptarëve. Në janar 2019 kryeministri Edi Rama gjatë një inspektimi të kryer në rrugën “Tiranë- Elbasan” akuzonte: “Fillimin pa projekt, pa studim gjeologjik, pa asnjë lloj sigurie vetëm iso, hajde të hapim tunelin për fushatë elektorale dhe pastaj punë e madhe se çfarë ndodh mbrapa dhe e paguam dyfish”.

Kjo rrugë përfshihet në listën e investimeve të kripura, jo vetëm për koston e punimeve dhe shtesave të kontratave, por edhe në aspektin gjyqësor të saj. Për këtë rrugë prokurimi fillestar ishte 83 milionë dollarë, por që në përfundim të saj u deklarua se u kushtoi shqiptarëve plot 152 milionë dollarë. Por ajo që nuk u tha kurrë publikisht nga qeveria është fakti që kjo rrugë u ka kushtuar më shumë se 200 milionë dollarë taksapaguesve shqiptarë. Shqiptarët duhet ti paguajnë edhe 45 milionë euro kompanive të përfshira në ndëtimin e kësaj rruge për shkak të fitimit të gjyqit të Arbitrazhit. Vendimi i Arbitrazhit e detyron qeverinë shqiptare t’ju paguajë palëve të dëmtuara një shifër prej më shumë se 45 milion eurosh. I vetmi dënim i cili është faturuar, por që nuk është paguar ende është ai që shteti shqiptar i detyrohet shoqërisë SAFA Sh.p.k me një vlerë prej 3.543.337,88 euro, ku nga totali më shumë se 1 milionë euro janë interesa për moszbatimin në kohë të vendimit i cili ka patur një vlerë fillestare prej 2.495.166 eurosh. Ndërkohë për rrugën “Tiranë-Elbasan”, Shqipëria ka humbur gjyqin edhe ndaj “Copri Construction Enterprises W.L.L & Aktor S.A” për konfliktin e punimeve ku gjykata i ka kërkuar palës shqiptare t’i paguajë kësaj kompanie 38,079,336 euro. Por ky detyrim nuk është faturuar dhe as paguar. Ndërkohë që shuma që do ti paguajë shteti shqiptar këtyre kompanive tashmë i kalon 45 milionë euro dhe do të vijoj të rritet për çdo ditë që vendimi nuk zbatohet. Për këtë çështje, akuza u shkëmbyen nga Partia Socialiste dhe ajo Demokrate, duke detyruar Ministrinë e Infrastrukturës të dilte me një deklaratë zyrtare ku insistoi se ishte kryer korrupsion nga ish-qeveria demokrate. “Kontrata për ndërtimin e rrugës “Tiranë-Elbasan” është lidhur në vitin 2012, kur në qeveri ishte Partia Demokratike, e cila sot sulmon duke harruar se e nënshkroi këtë kontratë pa studim gjeologjik dhe me dhjetëra ndryshime sipas kërkesave të kontraktorit dhe sigurisht me ndihmën e zyrtarëve të korruptuar, këtë kontratë e ka iniciuar shtrembër që në gjenezë, pikërisht Partia Demokratike. Stafetën më pas e morën Ministrat e Transportit dhe drejtorët e emëruar nga LSI, për t’a bërë përfundimisht këtë kontratë një aferë, në disfavor të pastër për Shtetin Shqiptar”, thuhen ndër të tjera në deklaratën e MIE. Por edhe pse pas një kallëzimi penal të bërë pati disa arrestime, ato nuk shkuan kurrë në nivele të larta.    

Rruga e Gjirokastrës, një rrugë e humbur në arbitrazh

Por ky, nuk është dënimi i parë ndaj Shqipërisë. Gjithashtu shteti shqiptar i detyrohet plot 4.214.402 Euro kompanisë “J&P AVAX” si rezultat i konfliktit mes kompanisë dhe ish-Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomit (sot MIE). Konfliki kishte lidhje me ndërtimin e segmentit rrugor “Gjirokastër- Tepelenë”, pjesë e korridorrit Veri-Jug, por që nuk u arrit të zgjidhjej mes palëve duke përfunduar në Arbitrazh. Kostoja sërish nuk qe e vogël për vendin tonë.

Becchetti, ‘bomba” 108 milionë euroshe

Çështja “Becchetti” është padyshim çështja më e njohur e 10 viteve të fundit në Arbitrazhin Ndërkombëtar për Shqipërinë. Debati publik për këtë çështje u bë më i madh me daljen e vendimit të arbitrazhit i cili e dënonte Shqipërinë me një shifër prej 108 milionë euro, por kreu i qeverisë do të deklaronte që procesi nuk është mbyllur. Kryeministri Edi Rama, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit, e akuzoi Becchettin si “marifetçi”, e tha se në fund të procesit, Becchetti nuk do marrë asgjë nga Shqipëria.

Në një dokument zyrtar të vënë në dispozicion për “Sinjalizo”, rezulton që dënimi prej 108 milionë eurosh është faturuar nga Ministria e Financave. Megjithatë ende nuk i është paguar asnjë cent biznesmenit italian. Kjo vonesë do të thotë se detyrimi i shtetit shqiptar ndaj Becchettit vazhdon të rritet në bazë të interesit të urdhëruar nga gjykata. Sakaq shteti shqiptar ka harxhuar rreth 4 milionë euro në këtë çështje për mbrojtjen ligjore.

Fatura të kripura për të mbrojtur interesin e shtetit, por humbja është e sigurtë

Ministria e Financave bën të ditur se për një kontratë angazhimi për ofrimin e shërbimeve ligjore, datë 05.04.2018, për mbrojtjen dhe përfaqësimin në procesin e Arbitrazhit ICSID ARB/17/6 (për çështjen Becchetti) janë paguar plot 2.000.000 euro, prej të cilave janë faturuar dhe paguar 1 milionë euro. Gjithashtu kostot ligjore lidhur me vendimin e Arbitrazhit CSID nr.ARB/15/28 “Hydro dhe të tjerët kundër Shqipërisë” (çështja Becchetti) kanë kapur një shifër prej 902,201 euro ndërkohë që janë faturuar dhe paguar 875,201 mijë euro. Në Arbitrazh u paraqitën pretendimet e biznesmenit për minim të investimeve nga qeveria, duke përfshirë auditime tatimore, investigim për pastrim parash, bllokim dhe sekuestrim të llogarive bankare dhe aseteve si dhe urdhëra arresti ndaj individëve që ngritën këtë pretendim në arbitrazh. Edhe pse rreth 3 milionë euro shpenzime për konsulencë juridike e kosto përfaqësimi, Shqipëri sërisht nuk arriti të bindte gjyqtarët që të hidhnin poshtë pretendimet e biznesmenit italian me prova. Ndërkohë në prill të 2021 është dhënë edhe vendimi për refuzimin e kërkesës së Shqipërisë për hedhjen poshtë të vendimit, duke i dhënë Becchettit 110 milionë euro. Më datë 27 Janar të 2021 biznesmeni italian Becchetti do të kërkonte në Hagë të merrte në pronësi pjesën e aksioneve që shteti shqiptar ka në kontratën e firmosur me kompaninë Shell për të eksploruar për gaz natyror dhe naftë në Shqipëri. Por vendimi i dhënë nga gjykata ja hodhi poshtë këtë kërkesë Becchettit, ndërsa shteti shqiptar edhe pse ishte thirrur si palë në gjyq nuk ishte paraqitur para gjykatës.

Porti i Karpenit dhe kompania që fitoi 500 mijë euro

Ndërsa porti i Karpenit në Kavajë, u prezantua si një mega-investim që do të hapte mijëra vende pune në Shqipëri, rezultoi të ishte vetëm një humbje e 500 mijë eurosh për shqiptarët. Shteti shqiptar hyri në negociata me “Star Bridge Port Developments Limited”, një subjekt i regjistruar në Angli dhe Uells me një kapital prej 100 stërlinash, e cila pritej të realizonte investimin prej 5 miliardë dollarësh. E ndërsa vlera e investimit nuk ishte e garantuar, edhe nëse negociatat do të kishin qenë të sukseshme, vetëm shpronësimet në zonë pritej të kishin një kosto mbi 700 milionë eurosh.

E ndërsa projekti nuk shkoi përpara, çështja shkoi në Arbitrazh, ku detyrimi fillestar për Shqipërinë ishte 500 mijë euro nga të cilat janë faturuar 264.914 euro, prej të cilave janë paguar 232.457 euro. Një tjetër detyrim prej 250 mijë eurosh shteti shqiptar e ka edhe ndaj “Tirana International Airport”. Detyrimi i faturuar dhe i paguar nga shteti shqiptar deri më tani është 150 mijë euro, ndërkohë që mbeten për tu paguar edhe 100 mijë të tjera.

Një tjetër gjyq që në këto 11 vite, që ka patur kosto për Shqipërinë është edhe ai i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural kundër kompanisë “Valeria Italia s.r.l”. Vetëm shpenzimet për avokatët për këtë proces gjyqësor që kanë mbrojtur shtetin shqiptar kanë qenë 750.000 euro, ndërsa kosto fillestare 19.500 euro. Por edhe pse avokatët janë paguar 750 mijë euro, çështja është zgjidhur me mirëkuptim mes palëve, duke bërë që shteti shqiptar ti paguaj si kosto administrative gjykatës një shumë prej 150 mijë euro.

Gjithashtu vendi ynë ka shpenzuar 1,269,033-euro si kosto të studios ligjore për anulimin e vendimit të ICSID për “Albaniabeg Ambient SHPK”, Angelo Noveli, Construzioni S.R.L kundër Shqipërisë. Aktualisht shteti shteti shqiptar ka faturuar 337,661-euro dhe ka paguar të njëjtën shumë.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter