Në Shqipëri nafta shitet më shtrenjtë se në Zvicër dhe në Luksemburg. Efekte negative në transport dhe në bujqësi. Askush nuk proteston

Autor: Merxhan Daci

Ditë pas dite, gjatë javëve të fundit çmimi i naftës po rritet. Momentalisht nafta shitet me 230 lekë për litër, po aq benzina, kurse gazi me 90 lekë. Kjo situatë që rëndon direkt në xhepat e qytetarëve ka nisur prej 2021 e së bashku me të edhe efektet që janë zinxhir.

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas paralajmëroi se nga 1 Marsi do të ndërpritej shërbimi i transportit urban për kryeqytetasit nëse qeveria nuk miratonte kërkesat e tyre. Në një letër drejtuar Kryeministrit Rama, kryetarit të Bashkisë të Tiranës, Veliaj; Zv/kryeministër Ahmetaj; ministreve Ibrahimaj dhe Balluku kompanitë ngritën shqetësimin se rritja e çmimit të naftës ka shtuar kostot për 48% të aktivitetit të tyre. Edhe pse shërbimi nuk u ndërpre, operatorët hoqën nga tregu abonetë për të mos rënduar më tej financat e tyre.

Çmimi i naftës, benzinës dhe gazit në Tiranë. 5 Mars 2022

Shoqata kërkon që qeveria të miratojë kërkesën e tyre për politikat fiskale, për të kompensuar humbjet që po shkaktohen nga rritja e çmimit të naftës. Kërkesat e tyre janë rimbursimi i TVSH-së, heqja e akcizës të naftës 37 lekë/litër; heqja e taksës së qarkullimit në karburant 27 lekë/litër, si dhe rimbursimin e çmimit të biletës për disa kategori të cilët udhëtojnë falas.

“50 përqind të kostove transporti urban i ka nga nafta. Çmimet në pjesën më të madhe nuk janë rritur, por ka abuzues në treg. Nafta është elementi bazë. Jemi në bisedime të vazhdueshme, janë premtime, nuk ka asnjë veprim deri tani, nëse do të zgjatet edhe pak do të falimentojnë shumica e operatorëve. Vjet në shtator ka filluar të rritet, në janar e mbrapa është rritur vazhdimisht, 20-25 % përqind më shumë. Thanë që do ju ndihmojmë, u besuam”, tregon për “Sinjalizo” Dashnor Memaj nga Shoqata e Transportit.  

Edhe në transportin ndërqytetas, nëse do të vazhdojnë këto ritme të rritjes së çmimit të naftës, pritet një rritje e çmimit të biletave.

Shoferët e taksive po ashtu paralajmëruan rritje të çmimit të shërbimit taksi për shkak të rritjes së çmimit të naftës.

Kryetari i Sindikatës Shqiptare të Taksive, Bilbil Cara u shpreh në media se kërkohet një rritje 30% e vlerës aktuale.

Cara i tha “Sinjalizo” se kanë bërë prej muajsh një kërkesë në bashki.

“E kemi bërë një kërkesë në Bashki që në shtator kur u rrit herën e parë dhe kemi vijuar me kërkesat e tjera në nëntor e në janar dhe në janar kemi bërë një studim e ja kemi dërguar në Bashki dhe tani presim që Drejtoria e Transportit të Bashkisë ta hedhë në Këshillin Bashkiak për ngritjen e çmimit të taksimetrit.”

Ai shton se shërbimi i taksive ka jo pak probleme që lidhen kryesisht me rritjen e çmimit të karburantit.

“Vështirësitë për ne si shërbim publik taksi janë shumë të mëdhaja për arsye se me rritjen e çmimit përditë është bërë e pamundur që të punojmë se vetë xhiroja ditore nuk arrin të mbulojë shpenzimet duke pasur në çdo rrugë trafik shumë të rënduar plus dhe çmimi i karburantit është shumë e vështirë që të punojmë e të mbajmë familjet me të ardhurat bazë të jetesës.”

Bujqësia u prek direkt dhe pas saj tregu i produkteve ushqimore

Rritja e çmimit të naftës ka sjellë probleme edhe në bujqësi. Fermerët e Devollit protestuan në Shkurt para drejtorisë së Bujqësisë Devoll së bashku me mjetet e tyre. Fermerët dolën në protestë për shkak të rritjes së çmimit të naftës dhe plehrave kimike.

Fermerët u shprehën për mediat se nuk kanë mbështetje nga shteti, ndërsa theksuan se problematikë për këtë sektor është çmimi i naftës, skemat e subvencioneve apo dhe rritja e çmimit të plehrave kimike. Disa fermerë thanë se kanë dalë me minus e të tjerë që nuk kanë pasur fare fitime.

Duke qenë se rritja e çmimit të naftës sjell rritje zinxhir të shumë produkteve, kjo është reflektuar në tregun vendas me çmimin e miellit, mishit, fruta-perimeve, bukës, e produkteve të tjera të shportës.

Konfindustria kërkoi ngritjen e një komisioni parlamentar për të hetuar se çfarë po ndodh në treg.

“Duke marrë shkak nga rritja e fundit në nivele historike e çmimit të karburanteve dhe energjisë elektrike do të kërkojë ngritjen e një Komisioni Parlamentar për hetimin e shkaqeve dhe rolin e munguar të institucioneve ekzekutive dhe rregullatore përgjegjëse”.

Ky propozim u mbështet nga Kreu i Shtetit Ilir Meta.

“Duke vlerësuar konstatimin e “Konfindustria” se rritja e pajustifikuar e çmimeve është tregues i qartë i pranisë së karteleve, monopoleve dhe oligopoleve në treg, i bashkohem propozimit për ngritjen urgjente të një Komisioni Parlamentar për hetimin e shkaqeve dhe rolit të munguar të institucioneve ekzekutive dhe rregullatore përgjegjëse”, shkroi ndër të tjera Meta.

A është kjo një sjellje “kartel”? A mundet dhe duhet të ndërhyjë shteti?

Autoriteti i Konkurencës, që ka për mision mbrojtjen e konkurencës së lirë dhe interesave të konsumatorëve, është shprehur se po monitoron këto kohë tregun dhe ka nisur hetimet.

Kreu i këtij institucioni, Denar Biba, ka bërë me dije se rritja e çmimit mund të jetë një indicie e një marrëveshje të ndaluar (pra që operatorët të kenë rënë dakort me njëri-tjetrin) por mund të jetë e ndikuar edhe nga tregjet e jashtme.

Ne kemi vendosur prej një jave monitorimin e tregut të hidrokarbureve, pra indikatori ishte rritja e menjëhershme në unison e çmimit, mund të jetë një nga indiciet e një marrëveshje të ndaluar, mund të jetë e ndikuar nga tregjet e jashtme, prandaj kemi vendosur hetimin për një periudhë që të jetë sa më e shpejtë brenda kapaciteteve tona”, tha kreu i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba.

“Sinjalizo” e pyeti zyrtarisht Autoritetin e Konkurencës nëse kishte dalë deri më tani në ndonjë përfundim nga monitorimi i kryer. Përgjigja ishte se çështja është ende nën hetim.

“Autoriteti i Konkurrencës, në bazë të nenit 28 të ligjit nr. 9121 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar, ka realizuar një monitorim në treg, nëse ka ose jo sjellje të bashkërenduar. Në vijim, Komisioni i Konkurrencës ka marrë vendimin nr. 866, datë 25.02.2022 “Për hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e tregtimit me shumicë të karburantit naftë dhe benzinë”. Në bazë të nenit 42 të ligjit nr. 9121 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar, gjatë hetimit paraprak nuk nënkuptohet e drejta për të konsultuar dosjet. Komisioni i Konkurrencës do të shprehet në përfundim të periudhës së hetimit paraprak.”

Po a mund të ndërhyjë shteti duke ndikuar sadopak në uljen e çmimit të naftës në Shqipëri?

Sotiraq Dhamo, Profesor i Financës në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë tha për “Sinjalizo” se shteti duhet të ndërhyjë në disa mënyra.

“Minimalisht mund të sugjeroja: E para të mos lejojë, por përkundrazi, të luftojë monopolin në furnizimin e tregtimin e naftës dhe nënprodukteve të saj, të heqë disa prej taksave të përfshira në çmimin e naftës, përfshirë dhe atë të qarkullimit. Të investojë vetë, apo me privat në fushën e përpunimit të naftës vendase”.

Sipas ekspertit të ekonomisë Enriko Ceko, mjafton që të heqësh akçizën dhe taksën e qarkullimit dhe çmimi i naftës ulet ndjeshëm menjëherë. Dhe kjo sipas tij nuk i kushton buxhetit të shtetit. Siç tha ndër të tjera Ceko, janë pak kompani që komandojnë tregun e karburanteve dhe që merren vesh mes tyre për vendosjen e çmimit.

Dje në tregun ndërkombëtar kanë qenë çmimet e larta 89-90 dollarë për fuçi ndërsa sot kanë vajtur 81 dollarë. Pse nuk ra çmimi i naftës sot? Kjo është pyetja që i bëj ministres. Kjo është politikë, nuk është treg? Në Europë vetëm Shqipëria dhe Rumania nxjerrin naftë nga toka. Kjo logjika nuk shkon pasi në bursë naftën që e blejmë sot e marrim për 6-muaj apo një vit. Ky është një abuzim. Akciza është 37 lekë, por sipas qeverisë ajo rritet bazuar në inflacionin. Koncepti i akcizës për një vend që prodhon naftë nuk duhet të ekzistojë. Vendet që eksportojnë naftë e kanë 0.3 euro. Taksa e qarkullimit është 23 lekë. Ajo nuk ekziston si koncept. Mjafton të heqësh akcizën dhe taksën e qarkullimit dhe nafta bie në 143 lekë. Asgjë nuk i shkakton heqja e akcizës buxhetit të shtetit. Nuk ka treg të lirë. Në Shqipëri çdo që është e monopolizuar si tregu i karburanteve. Janë 6-7 kompani që kanë tregun. Ato në heshtje merren vesh se sa do të jetë çmimi i karburanteve. Karburanti në Shqipëri merr 115 lekë taksa”, u shpreh Ceko.

“Sinjalizo” i kërkoi një koment në lidhje me zhvillimet në lidhje me çmimin e karburantit ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk kishte një përgjigje.

Nafta në Shqipëri sa në Zvicër e Luksemburg, Kosova e gjithë rajoni më lirë

Në Global Petrol Prices, një platformë ndërkombëtare që gjeneron të dhëna për çmimin e naftës dhe nënprodukteve për të gjitha vendet e botës, Shqipëria deri në 28 shkurt të këtij viti rezultonte me çmimin e naftës mesatarisht 192 lekë për litër duke regjistruar naftën e 23 më të shtrenjtë në botë.

Në rajon, Serbia vjen fill pas nesh, me 184 lekë/litër, Mali i Zi me 171 lekë, Maqedonia me 145 lekë për litër. Nafta në Kosovë këto ditë fillim-Marsi rezulton të jetë diku tek 1,44 euro.

Por, në raport me fuqinë blerëse, Shqipëria ka naftën më të shtrenjtë në Europë, teksa qytetarëve të saj u duhen 4.7% të të ardhurave të tyre për të blerë një litër naftë. Dy vjet më parë, kjo peshë ishte 4.5%, çka tregon se çmimet e naftës në vend janë rritur me ritme më të shpejta sesa të të ardhurave.

Shqipëria ka të ardhurat për frymë më të ulëtat në Europë, së bashku me Kosovën.

Sipas këtyre të dhënave, çmimi i naftës në Shqipëri është në të njëjtën normë me çmimin në vende me zhvillim ekonomik shumë të lartë si Zvicra, Luksemburgu, Gjermania, Singapori etj.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të përcaktojë çmimet shitëse maksimale tregtare me shumicë dhe pakicë për naftën dhe nënproduktet.

Këtë vendim Qeveria thotë se e ka marrë për mbrojtjen e konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve në treg me naftë dhe derivate të naftës.

Me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve dhe eliminimit të çrregullimeve në treg me naftë dhe derivate të naftës në Republikën e Kosovës, Qeveria mori vendim që të përcaktojë çmimet shitëse maksimale/marzhat tregtare me shumicë dhe pakicë”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Vend i pasur me naftë por importues… edhe nga Rusia

Rusia (tashmë në një konflikt të hapur me Ukrainën) është një nga furnitorët më të mëdhenj të botës me drithëra, gaz dhe naftë. Në vitin 2021, vendi ynë importoi 12% të sasive të naftës nga Rusia.

Megjithatë Shqipëria cilësohet si një nga shtetet më të pasura të Evropës në rezerva hidrokarbure. Shfrytëzimi i naftës ka nisur që në fillimet e shekullit të 20 dhe pika kulminante e shfrytëzimit arriti në vitet ‘70 të shekullit të kaluar, ku prodhimi i naftës bruto arriti nivelin e 2,5 milionë ton naftë në vit. Patos-Marinza është zona kryesore e naftës në Shqipëri dhe më e madhja në Europë, me një sipërfaqe prej rreth 17,8 mijë hektarësh dhe rezervat e saj të provuara janë rreth 5,4 miliardë fuçi naftë.

Sektori i naftës ka qenë gjithmonë një sektor i rëndësishëm për ekonominë e Shqipërisë. Vendburimet e naftës në Shqipëri ndodhen kryesisht në pjesën perëndimore dhe jugperëndimore të vendit.

Sipas disa studimeve të kryera nga Albpetrol por jo vetëm, nga viti 1985 deri në vitin 1990 rezervat e naftës në vendburimet ekzistuese në Shqipëri ishin në total rreth 437.6 milionë ton.

Protesta janë thirrur, por shumë njerëz nuk janë mbledhur

Duke marrë parasysh nivelin e ulët ekonomik dhe rritjes disa herë të çmimit të naftës, organizata të shoqërisë civile kanë bërë disa herë thirrje për protesta.

Edhe pse për momentin nuk ka një mobilizim qytetar për të kundërshtuar në formë proteste në kryeqytet rritjen e çmimit të naftës, benzinës dhe gazit, më herët ka pasur disa thirrje për protestë të cilat nuk kanë grumbulluar shumë njerëz.

Organizimet e ndryshme u kanë bërë thirrje konsumatorëve që të fikin automjetet e tyre (kryesisht në Tiranë) për së paku një orë në rrugë në shenjë proteste, por kjo nuk ka funksionuar e askush nuk ka reaguar.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter