Ekspertët: Administrata po përfiton nga pronat e pa regjistruara

Autor: Denis Tahiri

Regjistrimi i pronave në Shqipëri dhe legalizimi i tyre ka qenë një prej problematikave kryesore në 33 vite të shtetit demokratik shqiptar. E ndërsa qytetarët kalojnë një kalvarë të gjatë procedurash për regjistrimin e pronave, edhe institucionet shtetërore nuk ngelen pas. Në janar të këtij viti,  në një dalje për mediat, ish kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan  Lame theksoi se regjistrimi i pronave shtetërore mbetet prioritet, ku ndër vite janë konstatuar abuzime.

Sjell shembullin e Burgut të Shënkollit në Lezhë që i ka dalë pronari oborrit të Burgut. Godina ka mbetur në shtet dhe oborrit i ka dalë pronari”tha Lame, duke renditur edhe institucione të tjera të cilat nuk kanë regjistruar pronat e tyre.

“Presidenca nuk ka të regjistruar asnjë pronë të veten. Ligji 20/20 nuk u dekretua nga Presidenti i Republikës në atë kohë. Unë kam kërkuar të miratohet sepse do i hapë rrugë regjistrimit të pronës shtetërore. Presidenca rezulton edhe sot pa regjistruar”, shtoi Lame në konferencën e shtypit.

“Sinjalizo” disponon shifrën e  aseteve të cilat janë në pronësi të shtetit shqiptar, ku ky i fundit zotëron 260 mijë prona shtetërore, prej të cilave 115 mijë u janë transferuar institucioneve qëndrore dhe vendore e nga të cilat vetëm 20 mijë rezultojnë të regjistruara në kadastër.

Në regjistrimin e pronave shtetërore , kanë shfaqur probleme edhe njësitë vendore. Bashkia Tiranë ka nën administrimin e saj rreth 13.182, nga të cilat 5,755 i janë transferuar në pronësi dhe në përdorim Bashkisë Tiranë dhe 7,424 pasuri që janë rrugë, sheshe publike dhe objekte të ndryshme. Sipas Ina.media, vetëm për 911 pasuri ka përfunduar regjistrimi pranë Kadastrës, ndërkohë që inventarizimi i plotë nuk ka përfunduar pasi po bëhet përditësimi i listave të pronave të inventarizuara.

Sipas një raporti të KLSH-së, qarku Fier ka një total prej 17,016 prona , nga të cilat ka vetëm 4,931 të inventarizuara. Nga 42 lista inventarizimi,  janë miratuar  27.

Ndërsa, në qarkun e Elbasanit janë në total 38,680 prona dhe gjithsej 50 lista inventarizimi, nga të cilat të miratuara janë vetëm 20. Në qarkun e Tiranës janë 29 lista inventarizimi por vetëm 21 janë miratuar. Qarku i Tiranës ka një total prej 36,785 prona.

Për sa i përket të dhënave në rang vendi, bashkitë duhet të inventarizojnë dhe të regjistrojnë në kadastër 328,096 prona.

Edhe lagunat e pa regjistruara

Lagunat në vendin tonë janë kthyer në një atraksion turistik, ku gjatë gjithë vitit i vizitojnë me mijëra qytetarë. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, ato janë lënë jashtë vëmendjes në aspektin e menaxhimit dhe kontrollit.

Sipas raportit të KLSH-së, i publikuar në dhjetor të 2022 , theksohet fakti se nuk ka një regjistrim të zonave të mbrojtura nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura në regjistrin e pasurive të paluajtshme. Sipas KLSH-së,  kjo situtatë paraqet risk të lartë, pasi mund të tjetërsohen ose dëmtohen.

Ish- drejtoresha e Inventarizimit të Pronave Shtetërore: Në 2013 stopoi gjithçka.

Dhurata Çupi, e cila ka mbajtur postin e ish- drejtoreshës së Inventarizimit të Pronave Shtetërore, pranë Ministrisë së Brendshme, shprehet për “Sinjalizo”, se në 2013 gjithë procesi për kalimin e pronësive  të pushtetit lokal ndaloi. “Nuk u mor më asnjë vendim qeverie ku i kalojnë këto prona të inventarizuara bashkive”, thotë ajo, duke shtuar se qëllimi ishte që mos tu transferoheshin bashkive për shkak se doli që pushteti qëndror kishte shumë interes për përdorimin e këtyre pronave.

E pyetur nga “Sinjalizo”, lidhur me ngërcin e regjistrimit të pronave shtetërore, zonja Çupi shprehet “Në vitin 2015 që u bë reforma doli një VKM në të cilën thuhej se të gjitha pronat e bashkive dhe komunave që i bashkohen bashkisë mëmë, pra qendër, do të ti bashkohen më një vendim të veçantë. Afati ka qenë dhjetor 2015, akoma dhe sot nuk ka një vendim që ti bashkojë pronat dhe më pas të kalojnë në pronësi të bashkisë qendër dhe më pas ti përdorin bashkitë”, thotë zonja Çupi.

Një tjetër arsye pse bashkitë nuk i kanë regjistruar një pjesë të madhe të pronave të tyre janë tarifat. “U tentua të dilte një vendim qeverie për ti hequr pronat shtetërore por edhe kjo nuk është hequr dhe sot i kemi pronat të pa regjistruara”, përfundon Dhurata Çupi.

Nga ana tjetër, ekonomisti Zef Preçi i pyetur  nga “Sinjalizo”, për dëmin ekonomik që i shkaktohet shtetit nga mos përdorimi i këtyre pronave shprehet se: “Jo vetëm pronat që janë të pa regjistruara por edhe ato që janë të regjistruara vijojnë ti shkaktojnë të ardhura të munguara buxhetit për shkak mungesës së dokumentacionit, mungesës së regjistrave etj”.

Ndër të tjera, zoti Preci thotë se mungesa e regjistrimit të aseteve publike, shërben si inkurajim për uzurpimin e tyre dhe si ushqim për pjesën e korruptuar të administratës për të “emëruar”  pronarë në  këto objekte. “Do të thotë që procesi i legalizimit i shtrirë mbi to, vazhdon të mos nxitet për këtë shkak dhe që nëpunës të caktuar përfshirë edhe gjykatësit të mund të përfitojnë nga abuzimi me dokumentacionin e këtyre pronave”, shprehet zoti Preci.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry

Leave a comment

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter