2 vite nga rihapja e dosjes për ’21 Janarin’, organi i akuzës: Çështja është në fazën e hetimeve

Autor: Dallandyshe Xhaferri

Isha betu mos me u marr ma me kët’ pjesë se veç sherrin i kam pa ”,- kështu nisi fjalën e tij, për “Sinjalizo”, Hysni Peposhi, mik dhe dëshmitar i vrasjes së Hekuran Dedës. Sot, më shumë se një dekadë, pas demostratës së mbështetësve të Partisë Socialiste, dëshmitarët e ngjarjes shkruajnë  në platformën  “Sinjalizo” se drejtësia ende nuk e ka bërë siç duhet punën e saj dhe rihapja e gjykimit të çështjes mbetet show.  Në  protestën e 21 janarit të 2011-s humbën jetën Ziver Veizi, Hekuran Deda, Aleks Nika dhe Faik Myrtaj.

Drejtësia rihap dosjen e “21 Janarit”, por sërish nuk po pyet dëshmitarët okularë

Në  denoncimin në platformën “Sinjalizo”, gazetari Fatos Mahmutaj, njëkohësisht dhe një prej të plagosurve të “21 Janarit” bën me dije se deri më tani, ai nuk është thirrur asnjëherë nga institucionet e drejtësisë për të dhënë dëshminë e tij, ndonëse, siç ai dëshmon, ndodhej shumë pranë Hekuran Dedës në momentin kur ky i fundit u qëllua për vdekje nga plumbat e Gardës së Republikës.

Nuk jam thirrur asnjëherë zyrtarisht për të dëshmuar në Gjykatë. Duhet të kemi parasysh edhe një detaj. Gjatë gjyqit, ose më saktë palaço-show-it, që Gjykata e Tiranës ka zhvilluar më parë për ‘21 Janarin’, presupozohet se emri im ka qenë në listën e dëshmitarëve”,- tregon ai, teksa shton se trupi gjykues u kërkonte punonjësve të sallës të kërkonin për të në ambientet e gjykatës. “Për të qeshur dhe për të qarë. E njëjta gjykatë që nuk më dërgonte njoftim, urdhëronte të më kërkonin nëpër korridoret apo oborrin e Gjykatës Penale”,- shton ai. Gjithashtu, ai ka mohuar të jetë thirrur për të dhënë dëshminë e tij nga institucionet e drejtësisë pas riçeljes të dosjes së ’21 Janarit’. “Unë jam i gatshëm të dëshmoj, por nuk është se kam ndonjë pritshmëri të madhe nga ky hetim. Koha ka treguar se këto lloj hetimesh, pas 12 vjetësh hapen vetëm për show dhe nuk prodhojnë asgjë me tepër”, përfundon ai.

Fatos Mahmutaj, gazetar i pranishëm në demostratën e 21 janarit

Mungesë të besimit në vendosjen e drejtësisë në vend, shpreh dhe Hysni Peposhi, dëshmia e të cilit është marrë nga trupi gjykues, por materialet e tij, video të vrasjeve të ’21 Janarit’, sipas tij janë fshirë nga ish-prokurori i çështjes, Ervin Karanxha, tashmë i shkarkuar nga  shkalla e parë e vetting-ut.

“Nga celulari i kam pas kaluar në disk, por i kam pas dhanë një kopje gazetarëve, se prokurori m’i kish pas fshirë, po s’e ka ditë se unë e kam videon”,- tregon Peposhi duke shtuar,- “Unë vetë i thashë: pse i ke fshirë? Unë për të gjetur vrasësin e Hekuranit i dorëzova, se dhe mund t’i shisja videot e mia tek gazetarët”,- përfundon ai. “Sinjalizo” ka kontaktuar disa herë ish-prokurorin Karanxha për një koment rreth këtij pohimi të Peposhit, por i është refuzuar dhënia e një përgjigjeje. Ndërkohë, organi i prokurorisë me anë të përgjigjes zyrtare shprehet se gjatë hetimeve nuk është paraqitur asnjë pretendim i tillë nga Peposhi. “Ai mund t’i drejtohet organeve përkatëse për çka pretendon, duke bashkëlidhur dhe faktet përkatëse për të mbështetur pretendimet e tij”,- thuhet në përgjigje, ndërkohë që bëhet e ditur se “çështja është rifilluar dhe është në fazën e hetimeve”.

Avokat Idajet Beqiri, gjithashtu një prej pjesëmarrësve në protestë, mohon të jetë thirrur nga organet e  drejtësisë për të dhënë dëshminë e tij, ndonëse çështja ka dy vite që është rihapur.

Idajet Beqiri, avokat dhe pjesëmarrës në protestën e 21 janarit

Deri më sot po shohim ‘një vrim në ujë’ dhe zvarritje pa justifikim të hetimit dhe çuarjes në gjyq të këtij krimi shtetëror. Unë, si dëshmitar okular i ‘21 Janarit’, kam qënë dhe jam i gatshëm të jap deklarimet e mia, por që SPAK nuk po e sheh ende të arsyeshme të pyesi dëshmitarët okularë”,- përfundon ai.

Ndërkohë, avokati i familjarëve të viktimave, Dorjan Matlija thotë për “Sinjalizo” se kjo çështje nuk i përket SPAK-ut.“Çështja nuk është për në SPAK pasi nuk është për krimin e organizuar, dhe as çështje që vjen si rezultat i akuzës së zyrtarëve të lartë. Të akuzuarit këtu janë punonjës së gardës dhe nuk ka dalë asnjë element që të bëjë lidhje me zyrtarë të lartë të kohës”,- thotë Matlija.

Qeveria arriti marrëveshje me familjarët e viktimave, por ende nuk përmbush premtimin

Avokat Dorjan Matlija thotë për “Sinjalizo” se të dyja çështjet e hapura kundra shtetit shqiptar nga familjarët e viktimave në Gjykatën e Strasburgut arritën të mbylleshin me anë të një marrëveshje me qeverinë e vendit, por ende kjo e fundit nuk ka mbajtur premtimin: riçeljen e çështjes duke nisur hetimet në mënyrë të rregullt dhe të plotë.

Dorjan Matlija, avokat i familjarëve të viktimave

“Ka pasur dy çështje në Strasburg nga familjarët e Veizit, Myrtës dhe Hekuran Dedës. Ka qenë çështja e parë kundra Shqipërisë, që u nis në kohën kur familjarëve të të vrarëve nuk iu mundësua pjesëmarrja në procesin penal”,- thotë Matlija, duke shtuar se çështja tjetër ishte ‘Myrtaj dhe të tjerët kundra Shqipërisë’, që njësoj si e para u mbyll me marrëveshje brenda familjarëve të viktimave dhe qeverisë shqiptare.

“Marrëveshja konsistonte në faktin që qeveria shqiptare të merrte përsipër të pranonte se shteti shqiptar kishte dështuar, si në aspektin e moskujdesit për ruajtjen e jetës së njerëzve, ashtu dhe në mos zhvillimin e rregullt të proceseve ligjore”,- thotë Matlija, duke shtuar,- “Premtoi: së pari, dëmshpërblimin në formën e vlerës monetare dhe premtoi riçeljen e hetimeve për ato gjëra që nuk ishin hetuar në mënyrë të plotë dhe të rregullt”,- përfundon ai, duke cilësuar premtimin e dytë si të paplotësuar, ndonëse dy vite më parë, të katërt viktimatu u shpallën “Dëshmorë të Atdheut”.

Në përgjigjen, që Garda e Republikës së Shqipërisë i ka vendosur në dispozicion “Sinjalizo”-s, përcakton se sipas vendimit të Këshillit të Ministrave në vitin 2017, “Për një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2017 miratuar për Ministrinë e Punëve të Brendshme nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për shlyerjen e detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i vendimeve gjyqësore për viktimat e ‘21 Janarit’, Garda e Republikës ka bërë të gjitha pagesat taksuese brenda vitit 2017 nga fondi i akorduar për këtë qëllim, ekzekutuar në llogarinë ekonomike 6 027 900 duke likujduar të gjitha pagesat përkatëse sipas VKM-ve”,- thuhet në përgjigje.

Ndërkohë, avokati sqaron se përsa i përket çështjes së Aleks Nikës, “ajo nuk u dërgua asnjëherë në gjyq dhe vazhdon të jetë në proces hetimor”

“Në dijeninë time, Drejtoria e Policisë ka vazhduar me përpjekje hetimore për të kuptuar nëse ka mundësi që predha që u gjet në trupin e Aleks Nikës mund të të ketë vlera të mjaftueshme identifikuese që të zbulohet nga cila anë ka dalë”,- thotë ai, duke shtuar se familjarët e viktimës e kanë dërguar çështjen në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. “Ajo gjykatë ka marrë në shqyrtim çështjen, i ka bërë pyetjet përkatëse  qeverisë , palëve dhe është duke u zhvilluar ai takim në Strasburg”,- përfundon Matlija. Ky fakt është pohuar edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, që me anë të përgjigjes,  së kërkesës për informacion bën të ditur se për shkak të sekretit hetimor nuk mund të na vinte në dijeni për zhvillimet dhe të rejat e dosjes së Aleks Nikës.

Jo vetëm ndaj viktimave, shteti edhe kundra dëshmitarëve

“Para 2013-s, kam pasur mbështetje perfekte nga qeveria ‘Berisha’, por vetëm se në të kundërt”,- shprehet gazetari Mahmutaj, i cili shton se nga burimet e tij , mësoi rreth ndërhyrjeve të shtetit shqiptar për të penguar azilin  politik të tij.

Nga info, që sigurova më vonë, mësova se ndihma e qeverisë shqiptare të para 2013, me vetë bekimin e Berishës nuk mu nda deri në Belgjikë. Plot 13 herë (11 herë Ministria e  Brendshme dhe dy herë Kryeministria) kishin thirrur në takim konsullin belg në Tiranë dhe i kërkonin që të ndërhynte tek qeveria e tij në Bruksel, për të mos më dhënë mua azil politik”,- tregon Mahmutaj.

Avokat Beqiri shprehet për “Sinjalizo”, se pjesa më e madhe protestuesve të plagosur gjatë demostratës nuk morën shërbime pranë spitaleve të vendit.

U vranë 4 protestues të pafajshëm, por u plagosën  mbi 40 protestues të tjerë”,- tregon ai, duke shtuar se “vetëm 6 të plagosur rëndë u kuruan në spitalet e Shqipërisë. Të tjerët ose morën mjekim në shtëpitë e tyre, ose u çuan nga familjarët jashtë vendit për t’u shpëtuar jetën.”- thotë ai.

Përkujtimi i përvitshëm, asgjë e re

Ndonëse nuk ka më marrëdhënie me familjarët e mikut të tij, Hekuran Dodës, Peposhi pranon se “për ata rrezikova jetën time që të zbardhin të vërtetën. Kam marrë një falje nga vëllai  i madh i Hekuranit, se me mua nuk u sollën siç i kishim premtuar njëri-tjetrin: se do ishim deri në fund bashkë”,- thotë ai, duke shtuar: “Unë politikës si kam besuar kurrë se janë besëprerë, ashtu sikur i preu në besë për 11 vite.Tani do bëjnë shown e rradhës dhe do pinë kafen e vitit”,- përfundon ai, duke ripohuar mosbesimin tek drejtësia për të zgjidhur çështjen e “21 Janarit”.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry

Leave a comment

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter