Bie motoja ‘shëndet për të gjithë’, shteti ngre supet për analizën e qelizave tumorale

Autor: Aurora Shpataj

Mirela prej 4 vitesh është në luftë për të mbijetuar. Me një shami të bukur me lule, të vendosur në kokë për të fshehur rënien e flokëve të saj,  tregon se prej 4 vitesh kurohet në spitalin Onkologjik, të qendrës spitalore universitare ’Nënë Tereza’ në Tiranë. E pyetur se kur ishte momenti që u përball me lajmin e trishtë, Mirela tregon se ishte në moshën 40 vjeçare, kur dalloi se gjoksi i saj nuk ishte më si më parë.

Ah, e kujtoj si sot atë ditë, do thoja të mallkuar. Më shkatërroi totalisht jetën dhe rutinën time. Isha në punë, kur ndjeva një therje të fortë në gjoks e direkt ika në qendrën shëndetësore për tu interesuar”- shprehet Mirela, për ‘Sinjalizo’, ndërkohë që duart i dridhen kur flet për atë moment që i ndryshoi jetën 360 gradë.

Me zë të ngashëryer, ajo tregon përplasjen e parë me dyert e spitaleve për sëmundjen e saj.

Akoma e kam në memorie fytyrën dhe fjalët e mjekes. ’Duhet të bëjmë urgjentisht një mamografi që të dimë se në çfarë faze jemi’-thotë Mirela.

E papërgatitur dhe e painformuar për kancerin e gjirit, nëna e dy fëmijëve 10 dhe 14 vjeç tregon që pas bërjes së disa analizave rezultoi se në prill të vitit 2018 që ishte me kancer malinjë të gjirit. Mes frikës së jetës, dhe frikës se si familja, të afërmit, do ta përballonin lajmin, ajo vendosi që të kryente çdo analizë paraprake për të kuptuar se deri në çfarë faze ishte kjo sëmundje. Por sëmundja avancoi, edhe pse ajo respektonte çdo rekomandim të mjekut. Në muajin maj të vitit të kaluar, mjeku i rekomandoi bërjen e PET-CT për të kuptuar se në çfarë shkalle të përhapjes është tumori në trupin e saj. Gjithashtu përmes këtij skanimi mund të përcaktohej me një saktësi shumë të lartë vendndodhja e qelizave tumoriale. Me rekomandimin e lëshuar nga ana e mjekut, Mirela u nis drejt Shërbimit Onkologjik për ta kryer si analizë. Por realizimi i saj nuk do të ishte aq e thjeshtë sa e mendonte. Me zërin që i dridhej e me lot në sy, Mirela tregon që kjo analizë nuk u realizua prej muajsh.

’E mora letrën e lëshuar nga rekomandimi i mjekut dhe u nisa për ta bërë. Por tek recepsioni më treguan që kjo lloj analize nuk bëhej në shtet. I vetmi spital që e bënte ishte spitali “Hygea”, por me një çmim të lartë për nivelin tim të jetesës’- thotë për ‘Sinjalizo’ , Mirela.

Pas informimit që kjo analizë nuk bëhej në shtet, ajo vendosi të interesohej pranë spitalit “Hygea” se sa ishte shuma.

1 mijë e 100 euro, një shifër që edhe kur e përmend dridhem. Për të mos folur pastaj që unë duhej të qëndroja larg fëmijëve dhe grave shtatzana. Kjo ma vështirësoi akoma më shumë situatën, pasi unë jetoj në një shtëpi me qera dhe nuk kisha ku të qëndroja. Në këto kushte u interesova se sa kushton qëndrimi në spital e më thanë 20-25 mijë lekë për një natë.”- përfundon, së treguari Mirela që po tenton të mposhtë për së dyti  herë kancerin.

Mbledhjen e shumës e shpjegon si një ndër gjërat më të vështira që ka hasur gjatë kësaj sëmundje.

Ju kërkova ndihmë të gjithëve, vëllezërve, motrave, nipërve dhe mbesave. Ato ishin dhe janë mbështetja ime më e madhe që unë kam. Falë tyre, unë arrita të bëj analizën”- shton ajo.

Problematika sipas 40- vjeçares qëndron se kjo shumë është e papërballueshme për këtë kategori pacientësh, të cilët shpenzojnë miliona para për të pasur edhe njëherë shansin për të jetuar.

Nëpërmjet një kërkese zyrtare për informacion të dërguar me datë 27 dhjetor të vitit të kaluar, institucioneve si Ministrisë së Shëndetësisë, Qendrës Spitalore Universitare ’Nënë Tereza’, ‘Sinjalizo’ kërkoi informacion se a është kryer ndonjëherë në spitalet shtetërore analiza PET-CT, prej sa kohësh mungon, cilat janë arsyet që mungon, çfarë ndodh me pacientët që duhet të kryejnë PET-CT.

Sipas përgjigjes të kthyer me datë 12 janar të Ministrisë së Shëndetësisë konfirmohet se ekzaminimi PET-CT nuk disponohet në strukturat publike:

“Në përgjigje të kërkesës suaj për informacion të paraqitur elektronikisht, ju informojmë  se ekzaminimi PET-CT nuk disponohet në  strukturat publike”

Në një tjetër përgjigje të Ministrisë së Shëndetësisë të dërguar me datë 19 janar thuhet se cfarë ekzaminimesh realizohen në strukturat publike, ku ndër to nuk përfshihet PET-CT.

“Në lidhje me ekzaminimet e thelluara, strukturat tona publike plotësojnë ekzaminimet me imazhe si rezonancë SPEC-CT, CT-SCAN, MRI si edhe MRI 3T apo dhe të tjera aparatura biomjekësore që vlerësojnë këto nozologji sipas protokolleve mjekësore që ndjek çdo spital publik.

Por çfarë është skanimi PET/CT e përse shërben?

PET / CT është një nga teknikat imazherike më efektive në detektimin e qelizave tumorale e cila kombinon dy funksione në një aparaturë të vetme; PET (Tomografia e Emetimit të Pozitroneve) jep informacione mbi funksionin metabolik të organeve dhe indeve në organizëm si dhe CT (Tomografia e kompjuterizuar) e cila jep informacion të detajuar deri në nivel qelizor. Kjo pajisje është e vetmja, e cila jo vetëm arrin të detektojë sëmundjet tumorale qysh në fazat e hershme, por përmes saj mund të përcaktohet me precizion maksimal shkalla e përhapjes së tumorit në organizëm.

Aparatura e PET-CT e ndodhur në ambientet e spitalit “Hygea”, foto: Aurora Shpataj

Sipas bluzave të bardha që ushtrojnë profesionin e tyre brenda spitalit “Hygea” tregojnë që kërkesa për këtë lloj ekzaminimi është goxha e lartë.

Deri më sot i vetmi spital në Shqipëri që e realizon këtë procedurë është spitali “Hygea” me një kosto prej 1 mijë e 100 euro dhe kryhet njëherë në javë përshembull cdo të martë, të enjte, të premte në orën 15:00. Ditën e përcakton tekniku radiolog. Ndërsa lënda porositet nga Turqia, kur arrihet numri. Në spitalin “Hygea” mesatarja e pacientëve në muaj është 40, por mund të shkojë edhe më shumë, në varësi të kërkesave.”shprehet për ‘Sinjalizo’, koordinatorja në imazheri, në spitalin “Hygea”.

Qendra për Gazetari Cilësore arriti që të siguronte pamje nga paisja e cila kryen këtë ekzaminim të vecantë. Sipas burimeve brenda spitalit “Hygea”,  pajisja ka mbi 3 vite që është në funksion të kësaj kategorie pacientësh të cilët mbartin kancer, tumore nga më të ndryshmet në trupin e tyre. Nga komunikimet e ndryshme me bluzat e bardha, ata shprehen të shqetësuar se këto lloj sëmundjesh po gjejnë shumë përhapje në popullsinë tonë.

Kemi një rritje me 20-25% në krahasim me vitin 2021. Kjo vjen për shkak të shumë arsyeve si: stresi, kequshqyerja, stili i jetesës dhe moskontrollet në kohën e duhur– tregon një mjek onkolog.

Këtë deklaratë e konfirmon edhe një dokument i Institutit të Shëndetit Publik ku incidenca e standartizuar sipas moshës për kancerin e gjirit në Shqipëri është më e lartë se vendet e Mesdheut Lindor dhe më e ulët se në vendet e Bashkimit Europian.

Aktualisht, kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë në popullatën e femrave dhe kanceri i dytë më i përhapur në të gjithë popullatën në Shqipëri, ku sipas Institutit të Shëndetit Publik për vitin 2020 janë diagnostikuar 4442 raste me tumore malinje dhe për vitin 2021 janë diagnostikuar 6036 raste me tumore malinje. Kjo lloj sëmundje është më e shpeshta tek gratë dhe ku rastet më të shumta vërehen tek gratë me moshë mbi 50 vjeç. Veç femrave kanceri i gjirit haset edhe tek meshkujt, por risku tek meshkujt në krahasim me femrat është rreth 100 herë më i ulët (zakonisht për 100 raste me kancer gjiri te femrat, haset 1 i tillë te meshkujt).

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry

Leave a comment

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2023 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2023 Giljana Limani.  All Rights Reserved.