U dhuruan më tepër për tërmetin, sesa për luftën në Ukrainë

Autor: Dallandyshe Xhaferri

Ecem Erdoganit, frika që i la tërmeti në Turqi, i është miksuar me shpresën për ndihmë. Nga 6 shkurti, kur toka u drodh dhe mori mbi  50 mijë jetë njerëzish, shumë shtete, midis tyre dhe Shqipëria, vazhdojnë të japin ndihmën e tyre. Për Shqipërinë, mbështetja vullnetare nxorri dhe njëherë në pah se përpos asistencës financiare, duhet akoma më ndërgjegjësim për vullnetarizmin në situata humanitare.

Ndodhesha 1 mijë kilometra larg nga epiqendra e tërmetit, por isha aq e dëshpëruar… qytetet po shembeshin dhe ne nuk mund të parandalonim asgjë”,- rrëfen për “Sinjalizo” Ecem Erdogan, studente e gjuhës angleze në Universitetin e Stambollit. Një nga vendet që ofroi ndihmë për tragjedinë është edhe vendi ynë. Haki Çako, Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile(AKMC), shprehet për “Sinjalizo” se midis dy shteteve  ka  një marrëveshje të drejtpërdrejtë  qeveritare miratuar midis Kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe Presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan.

Ecem Erdogan, studente në Universitetin e Stambollit
Ecem Erdogan, studente në Universitetin e Stambollit

Turqia është shteti mik që pas tërmetit të 26 nëntorit, të katër viteve më parë  financoi ndërtimin e 522 apartamenteve në Laç .

“42 kanë qenë forcat e specializuara. Vullnetarë kanë qenë gjithsej 5 që shkuan më pas dhe 2 mjekë vullnetarë që janë bashkuar në Stamboll”- thotë për “Sinjalizo” Haki Çako.

Më pas, ai shprehet se në total “86 forca të palës shqiptare morën pjesë në operacion nga data 7 shkurt deri më datë 15 shkurt në qytetin e Malatjas”, midis tyre janë regjistruar edhe “15 personel nga Forcat e Armatosura”.

“Për të gjithë pjesëmarrjen ka një formulë kompensimi nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile në Bruksel, duke qenë se jemi anëtarë  të mbrojtjes civile dhe shkon deri në 70% të kontributit, e cila kompensohet nga kontributet e përbashkëta që bëhen në anëtarësimin në sistemin e Mbrojtjes Civile Europiane”,- shton Haki Çako.

Haki Çako, Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile
Haki Çako, Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile

Përmes një përgjigje zyrtare, Ministria e Financave dhe Ekonomisë thekson  për “Sinjalizo” se; “Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në buxhetin e miratuar për vitin 2023, i shtohet kundërvlera në lekë e fondit prej 1 000 000 (një milion) euro, për dhënien e ndihmës financiare humanitare nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë për mbështetjen e qeverisë së Turqisë për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i datës 6 shkurt 2023”. Ky institucion, përmend më tej, se “kjo vlerë e dhuruar përbën  0,02% të shpenzimeve të buxhetit të shtetit.”

Shqipëria me pak vullnetarë

Nebi Muçaj, Drejtor i Qendrës Vullnetare të Emergjencave Civile, pranon për “Sinjalizo” se nga kjo qendër shërbyen si vullnetarë në Turqi 10 persona, ndërkohë që në total qendra numëron rreth 430 forca.

“Ne kemi një numër të konsiderueshëm vullnetarësh që aderojnë në këtë qendër, rreth 400-430, por na u desh të çonim specialistët më të duhur në këtë fushë (në raste tërmeti)”,- thotë ai, duke shtuar më pas se “Forcat që kanë vajtur në Turqi janë forca elita. Duke pasur parasysh distancën, terrenin dhe kohën që ishte e shkurtër, ne çuam 10 forca të specializuara nga tonat”,- përfundon Muçaj.

Nebi Muçaj, Drejtor i Qendrës Vullnetare të Emergjencave Civile
Nebi Muçaj, Drejtor i Qendrës Vullnetare të Emergjencave Civile

Megjithatë, burime nga trupat e zjarrfikëses, thonë për “Sinjalizo” me kushtin e anonimatit se asnjëherë nuk janë trajnuar për rastet e tërmeteve.

Nuk jemi trajnuar asnjëherë se si duhet të veprojmë në rastin e tërmeteve dhe mjetet që ne përdorim nuk janë ndryshuar as pas tërmetit të 26 nëntorit”,- thotë një punonjës i forcave zjarrfikëse.

Çfarë dhuruam?

Artur Katuçi, sekretar i përgjithshëm i Kryqit të Kuq Shqiptar, tregon për “Sinjalizo” se shifra monetare e mbledhur nga populli shqiptar për t’i ardhur në ndihmë të prekurve nga tërmeti në Tuqi “arrin në vlerën e 50 mijë dollarëve.”

 “Është shifër që e kemi transferuar tek Gjysmëhëna turke,- thotë Katuçi ,duke shtuar,- “nuk është një shifër e keqe, nuk është një shifër e madhe që do të bëjë diferencat në nevojat që do të kërkohen, por është një shifër që duke ja bashkangjit të gjithë apelit të madh që ka lëshuar Gjysmëhëna turke për të mbështet operacionin e saj, mendoj që dhe kjo do të ketë kontributin e vetë dhe të paktën vlerën e mbështetjes së popullit shqiptar”,- tregon ai, për “Sinjalizo”, duke pranuar se në synimet e Kryqit të Kuq Shqiptar është dhe të ndihmojë popullin sirianë të prekur nga tërmeti.

Artur Katuçi, sekretar i përgjithshëm i Kryqit të Kuq Shqiptar
Artur Katuçi, sekretar i përgjithshëm i Kryqit të Kuq Shqiptar

“Një nga komponentët tanë lëvizës në Siri është Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq. Ndodhet atje për shkak të konfliktit që po zgjat prej vitesh”,- thotë ai, duke shtuar se ndihma që do të shkojë për popullin sirian “mund të kapë vlerën e 20 mijë dollarëve”.

Vajza që ndihmoi si vullnetare

Al Alwadiha është një prej studenteve të huaja në Shqipëri që shërbeu si vullnetare në grumbullimin e ndihmave pranë xhamive për të prekurit në Turqi.

Ne mblodhëm gjithçka, duke filluar nga ushqimet dhe rrobat, të cilat i paketuam në kategori sipas moshave”,- thotë vajza etiopiane, duke shtuar se në pikën e grumbullimit në xhaminë e Namazgjasë “u mblodhën rreth 1 milionë lekë”.

Nxitja e vullnetarizmit mungon edhe në shkolla

 “Fondet e dhëna nga qytetarët tanë janë marrë në rrugë të drejtpërdrejtë, pa ndërmjetësim. Domethënë janë fondet e mbledhura në sheshet e qyteteve, në tregje, dyqane, në shkolla”,- shprehet Katuçi, duke shtuar se vlera e mbledhur për tërmetin e Turqisë nga Kryqi i Kuq “është gati sa dyfishi i të ardhurave të mbledhura për luftën në Ukrainë”. Eksperti sygjeron nisjen e  një fushate për ndryshimin e mentalitetit mbi vullnetarizmin. Sidomos për Nebi Muçaj konsiderohet e rëndësishme nxitja e  vullnetarizmit përmes orëve mësimore.

“Duhet të punohet akoma dhe më shumë, sigurisht. Sensibilizimi duhet të jetë, pse jo, edhe një orë nëpër shkolla për t’u përgatitur dhe për të shprehur, për të nxitur pjesën e vullnetarizmit”,- shprehet Muçaj.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter