Autor: Dallandyshe Xhaferri
Katër bashki në vend, prej dy viteve kanë përfituar mbështetje financiare për rikonstruksionin e qendrave rinore, kulturore dhe bibiliotekat, por për zbatimin e projektit nuk u respektuan afatet. Rezulton se përmbi 19 milionë lekë fonde për bashkitë e Tiranës, Elbasanit, Lezhës dhe Roskovecit u shpërndanë nga Agjencia Kombëtare e Rinisë sipas një projekti që i shpalli fitues, nëntorin e 2021.
Nga një hulumtim i “Sinjalizo” rezulton se deri më tani, vetëm bashkia Roskovec ka finalizuar projektin për “Rikonstruksionin e Bibliotekës Publike Roskovec dhe krijimin e Klubit Rinor të Librit”.
Agjencia Kombëtare e Rinisë pranon për “Sinjalizo” se “Bashkia Elbasan dhe Bashkia Tiranë e kanë përfunduar projektin dhe AKR-ja është në proces shqyrtimi të raporteve përfundimtare lidhur me ecurinë e këtyre projekteve”. Megjithatë, AKR-ja refuzoi të vendosë në dispozicion projekt-propozimet me të cilat këto bashki kanë garuar dy vite më pare, duke u shpallur fitues nga 29 bashkitë pjesëmarrëse në thirrje.
Për këtë projekt ku pushteti lokal u shpall fitues me thirrjen e parë rezulton se bashkia e Lezhës, përfituese e fondit prej 8,541,077.6 lekësh ka kërkuar shtyrje të afatit për finalizimin e projektit përtej limitit të projektit. “Bashkia Lezhë është ende në proces të rikonstruksionit të godinës dhe kanë kërkuar shtyrje të projektit deri më korrik 2023”,-shkruhet në përgjigjen e AKR-së. Në dokumentat e bëra publike prej kësaj bashkie, rezulton se 90% e fondit fitues për rikonstruksionin e godinës së Qendrës Rinore është marrë, ndërkohë që theksohet se “AKR nuk mban asnjë përgjegjësi për dëmtime apo ankesa të shkaktuara nga/dhe nëpërmjet projektit.”
Sipas kontratës të nënshkruar midis AKR-së dhe kësaj bashkie më 28 shkurt të vitit 2022, punimet në godinë duhej të kishin përfunduar 3 muaj më parë, por në një përgjigje të “Sinjalizo” bashkia Lezhë rithekson se “afati i përfundimit të punimeve është në Korrik të vitit 2023” pa dhënë arsye për shtyrjen e tij.
Kontratat e shkelura të bashkive
Sipas të dhënave të bëra publike nga AKR-ja rezulton se Bashkia Roskovec është fituese e fondit prej 1,905,443 lekësh për rikonstruksionin e bibliotekës publike, ndërkohë që në Open Procurment tregohet se kjo bashki ka hapur tenderin me vlerë prej 1,587,869 lekësh. Ky tender është fituar nga “Shendelli” shpk me ofertën më të suksesshme përafërisisht 1.3 milionë lekësh. Bashkia e Roskovecit ka bërë të ditur në rrugë zyrtare për “Sinjalizo” se projekti është shtyrë vetëm me një muaj. “Projekti është shtyrë vetëm me 1 muaj për të cilën i është bërë kërkesë me shkrim drejtuar donatorit AKR-së sipas nenit 13 të Kontratës. Shtyrja ndodhi si shkak kushtet atmosferike që vonuan lyerjen e fasadës”,- shkruhet në përgjigje.
Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj, nënshkroi me AKR kontratën për rikonstruksionin e Qendrës Kulturore për të Rinjtë e Petrelës më 3 dhjetor të vitit 2021. Sipas të dhënave publike, kjo bashki fitoi fondin prej 3,186,489 lekësh, ndërkohë që për rikonstruksionin e Qëndrës Kulturore në Petrelë ka çelur më 27 korrik të vitit të kaluar garën për tenderin që shkon deri në vlerën e 5,024,847 lekëve të reja. Ky tender cilësohet nga Open Procurment “me flamur të kuq” pasi është fituar pa garë nga “L.T.E CONSTRUCTION” shpk. Ndonëse kontrata mes bashkisë së Tiranës dhe këtij operatori ekonomik ka një kohëzgjatje prej 4 muajsh, ende kjo qendër kulturore nuk është hapur për të rinjtë, ndërkohë që duhej të kishte nisur aktivitetin në muajin nëntor të vitit 2022.


Ndryshe nga bashkitë e tjera, bashkia e Elbasanit ka fituar fondin prej 5,503,842 lekësh me projektin e “Talent Start-up Elbasan2”, duke parashikuar blerjen e pajisjeve teknologjike. Synimi i këtij projekti, implementuar fillimisht në vitin 2020 me fonde nga IADSA MC, është zhvillimi i aftësive teknologjike për të rinjtë dhe fëmijët. Por ende dhe sot, 19 muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes së AKR-së me kryetarin e bashkisë, Gledjan Llatja, më 8 nëntor 2021, këto pajisje nuk janë të aksesueshme për të rinjtë.
Pyetjes së “Sinjalizo” për precedencën e mospërfundimit në kohë të projektit nga ana e bashkive, cila është politika që ndjek AKR për të siguruar realizimin e plotë të projekteve, ky institucion i përgjigjet se ”Mospërfundimi sipas afatit fillestar të caktuar në projektpropozimin ndiqet nga AKR duke vlerësuar rast pas rasti kërkesat për shtyrje të dërguara nga bashkitë si dhe arsyet objektive të cilat kanë sjellë këto vonesa”- thuhet në përgjigje duke shtuar,- “duke mbajtur gjithmonë në vëmendje parimin e përdorimit efiçent të fondeve dhe interesin më të lartë të të rinjve.Për këtë arsye AKR ka ngritur dhe grupet e punës të cilat ndjekin dhe monitorojnë ecurinë e projekteve në terren.”
Nga kërkimet e “Sinjalizo” rezulton se dhe në thirrjen e dytë të AKR-së nuk kanë munguar vonesat në nisjen e punimeve nga ana e bashkive. Në thirrjen e çelur më 19 gusht të vitit të kaluar fondi maksimal që mund të fitonin bashkitë arrinte në vlerën e 10 milionë lekë të reja, ndërkohë nga 30 bashki që kanë marrë pjesë në garë kanë fituar vetëm pesë: Bashkia e Durrësit, Gjirokastrës, Lushnjës, Dibrës dhe Kamzës.
Të dhënat tregojnë se Bashkia e Durrësit ka fituar fondin prej 10 milionë lekësh të reja me projektin “Rindërtim i Qendrës Rinore Multifunksionale Durrës”.
Por kjo bashki konfirmon për “Sinjalizo” arsyet se përse u vonua gjatë zbatimit të projektit. “Ka pasur vonesa në publikimin në sistem të tenderit pasi detajimet e specifikimeve teknike për rindërtimin e QRM-së kanë sjellë vonesa edhe në mbylljen e procedurave, kjo pasi detajimi i specifikimeve teknike është i nevojshëm të bëhet sipas kërkesave dhe kritereve teknike për rindërtimin”,- bëhet e ditur në përgjigje, ndërkohë që shtohet se “Kohëzgjatja e projektit është 12 muaj, kjo do të thotë se përfundimi është parashikuar në fund të këtij viti”.
Nga të dhënat publike të Open Procurment rezulton se vlera e këtij tenderi me ‘flamur të kuq’ është 9,425,926 lekë, ndërkohë qe janë përjashtuar 6 operatorë ekonomikë nga 7 konkuruesit.


Në 20 janar të këtij viti është shpallur fitues në thirrjen e dytë edhe bashkia e Gjirokastrës, e cila aplikoi me projektin për ndërtimin e Qendrës Rinore Multifunksionale që do të përfshijë edhe një kinema. Sipas të dhënave nga Open Procurment rezulton se kjo bashki ka hapur tenderin me vlerën prej 7,601,743 lekësh më 26 Maj të këtij viti, ndërkohë që fituesi do të shpallet më 5 qershor.
Projekte për të rinjtë, por ata nuk punësohen
Në prezantimin e Strategjisë së Parë Kombëtare për Rininë në faqen zyrtare të Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, citohet se “Strategjia e Rinisë synon të përmirësojë situatën e të rinjve në Shqipëri duke u ofruar mundësi të barabarta me të rinjtë europianë, duke u krijuar mundësi për arsim cilësor dhe përfshirje në tregun e punës shqiptar dhe atë ndërkombëtar”.
Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët sqaron për “Sinjalizo” se “Programi Kombëtar i Praktikave të Punës bën të mundur për të rinjtë përfitimin e një përvoje kualifikuese”, duke shtuar se “Programi u mundëson njohjen me institucionet e administratës shtetërore dhe institucione të tjera publike ose private”.
Sipas të dhënave që ky institucion tregon për “Sinjalizo” vetëm 34% e të rinjve të pjesëmarrës në thirrjen e gjashtë të Programit të Punësimit kanë arritur të punësohen në institucionet pritëse.
“Në Thirrjen e Gjashtë të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, kryen praktikën e punës 572 të rinj dhe 196 prej tyre u punësuan në institucionet pritëse”,- thuhet në përgjigje.
Klea është një nga studentët e cila pasi mbaroi studimet bachelor iu drejtua Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, pas aplikimit në të cilin arriti të praktikohej për 4 muaj në administratën shtetërore.
Ajo thotë se paguhej sa gjysma e pagës së të punësuarve në administratë, ndërkohë që nuk ishte trajnuar më parë për punën në administratë.
“Koordinimi ishte në rregull pasi u ndamë që në fillim në grupe dhe vendet ku do të punonim, pak në dyshim për punët që do të bënim në vendin e punës duke ditur që ne jemi dhe të rinj, nuk ia kemi shumë idenë punës në institucion. Pra që duam një periudhë trajnimi, gjë që periudha kohore nuk e lejonte”,- përfundon nën kushtet e anonimitetit studentja.