Fëmijët në rrjete sociale, fluks denoncimesh

Autor: Denis TAHIRI

Unë kam 9 K ndjekës. E zbulova nga shokët e lagjes. Ata e përdorin më shumë për të parë ndeshjet  dhe videot që bëhen. Unë  më shumë postoj”,- shprehet Andi.  11 vjeçari tregon se ka më shumë se një vit që është pjesë e platformës TikTok.

I mituri nisi të shpjegojë për “Sinjalizo”,  ndeshjet në TikTok,  procesin se si dy persona hynin live, e deri te mënyra se si fitoheshin para,  nëpërmjet dhuratave që personat e tjerë u dërgonin.

Unë vetëm video me anime publikoj, Naruton e kam shumë qejf, pastaj publikoj edhe të tjera. Fillimisht ishte e vështirë, pasi mami nuk më lejonte që të kaloj shumë kohë në telefonin e saj, ndërsa tani që më kanë dhuruar një, e kam shumë të lehtë”, tregon 11- vjeçari, ndërkohë që në fytyrën e nënës së tij, ndjesia e ankthit shfaqet edhe gjatë bisedës që ne zhvillojmë me të miturin.

Përpiqem shumë gjatë gjithë kohës ta kontrolloj, se çfarë poston, me kë komunikon, cfarë komunikojnë dhe deri tani falenderoj Zotin, nuk ka patur asgjë për tu shqetësuar”, thotë e ëma e Andit, e cila në profesion është juriste.

Në fillim instaluam edhe aplikacione për kontrolle prindërore, por ato shërbejnë për të bllokuar një pjesë të asaj çfarë mund të gjendet online dhe pasi fola edhe me bashkëshortin, arritëm në konkluzionin që më mirë ta lejonim duke mos shfaqur rezistencë përballë tij, pasi do ta kishim më të thjeshtë që edhe të kontrollonim se cfarë bënte online”, përfundon rrëfimin  e saj  për “Sinjalizo”, e ëma e 11 vjecarit .

150 denoncime në Isigurt.al

150 raste të internetit të pasigurtë janë raportuar  në platformën  iSigurt.al për vitin 2022. Në këtë platformë të miturit, adoleshentët dhe prindërit mund të raportojnë incidentet, ngacmimet etj.

Përgjatë vitit 2022 ka një ndryshim në balancën e raportimeve. Përgjatë vitit 2021, djemtë përbënin rreth 64% të raportimeve, kundrejt vajzave të cilat përbënin 32% të raportimeve. Edhe këtë vit, djemtë janë sërisht raportuesit më të lartë, por me një ndryshim më të vogël në numër, me rreth 47% të raportimeve, ndërsa vajzat përbëjnë rreth 42% të raportimeve të përgjithshme”, thuhet në raport, ku në 11% të rasteve nuk është arritur të përcaktohet gjinia e raportuesve.

Sipas të dhënave të publikuara nga kjo platformë,, mosha kryesore dhe më e prekur nga abuzimi, bullizmi apo gjuha e urrejtjes etj, në internet është ajo 18-30 vjeç me 52 raportime, e ndjekur nga mosha 15-17 vjeç me 45 raste, si dhe fëmijët nga mosha 11-14 vjeç me 21 raste. “Ndërkohë ka patur 3 raportime nga fëmijë të grup moshës 7-10 vjeç, 7 raportime nga të rritur mbi 31 vjeç si dhe 22 raste nga fëmijë apo persona të cilët nuk kanë deklaruar moshën”, thuhet ndër të tjera në raport.

Ato që ne po marrim incidente që janë serioze është instagrami, snapchat dhe telegram”,  shprehet kreu i CRACA, Altin Hazizaj,  duke shtuar se problem mbeten edhe faqe shumë të ndjekura në  rrjetet sociale.

Hazizaj vendos një theks të veçantë te shkollat, duke theksuar se ato kanë humbur kontrollin te paisjet teknologjike të nxënësve.

Rastet që ne këtë vit kemi marrë, nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, të bullizmit online ndaj mësuesve, ndaj x klase, ndaj shkollës, ndaj drejtoreshës, tregon që shkollat janë totalisht të papërgatitura të merren me bullizmin dhe ti shpjegojnë fëmijës pasojat”, tregon ai, duke shtuar se as shkolla, as familja nuk ka arritur ti mësojë fëmijës, komunikimin.

“Ministria e Arsimit bën 2 vjet që thotë se shkollat tona janë shkolla të sigurta dhe supozohet që ka një program për shkolla të sigurta. Unë ta them me bindje që ministria është duke ëndërruar, se nga ajo që ne kemi kuptuar  nga gjithë ankesat që marrim çdo ditë nga fëmijët, shkollat ashtu si vet interneti nuk janë të sigurta për fëmijët. Rasti i Gramshit, është rasti tipik. Gjërat avancuan në shkollë brenda, askush nuk u mor me çfarë kishte ndodhur, dolën jashtë fëmijët, u vranë”, përfundon Hazizaj.

Sipas rezultateve të një anketë të publikuar nga Instituti i Statistikave,  për vitin 2022  rezulton se 99 .9 % e individëve e kanë përdorur aparatin celular për të hyrë në internet.  Ndër ta , përdoruesit e shpeshtë të internetit që përdorin shpesh internet gjatë ditës përfaqësojnë 91.6 %. Anketa e kryer përfshin moshën 16-74 vjec.

Policia: Ka raportime, por pa pasoja për jetën

Rastet e dhunës , e cila ka kaluar nga një komunikim i agravuar në rrjetet sociale në dhunë fizike, nuk kanë munguar. Vetëm  pak kohë më parë, një nxënës humbi jetën pas një konflikti të nisur në rrjetet sociale që më pas u shndërrua në një përplasje fizike. Ndërkohë në kryeqytet, një tjetër i ri, vetëm 21 vjeç pas një konflikti në rrjetet sociale, humbi jetën në një përplasje fizike në momentin që po kthehej nga puna.

Policia e Shtetit shprehet se rastet më të shumta për sa i përket konflikteve  në rrjetet sociale janë në moshën 15-18 vjeç, të cilat zënë rreth 70% të rasteve. “Nga mosha 19 deri në 35 vjeç zënë 25% të rasteve dhe 5% zë mosha mbi 40 vjeç.”, thuhet nga ana e policisë, e cila shton se nuk ka raste të shumta, por përgjatë 6 muajve të parë të 2023 janë gjithsej 54 raste në total.

Për sa i përket këtyre rasteve, asnjë konflikt nuk ka qenë me pasoja për jetën”, shprehet policia në prononcimin për “Sinjalizo”.

Nevoja për edukim në komunikimin teknologjik e madhe

Sociologu Gëzim Tushi thotë se rrjetet sociale kanë filluar të bëhen një faktor shtesë në zgjerimin e fushës së konflikteve. “Format e shfaqjes së ngacmimeve, ngacmimeve verbale, të bullizmit, sjellin konflikte që fillojnë si konflikte virtuale mes fëmijëve dhe adoleshentëve dhe më pas kthehen në konflikte reale”, thotë ai.  Sociologu shprehet se teknologjia nuk ka faj, por është mënyra që e përdorin adoleshentët e të miturit. “Një teknoprofeci që po përhapet gjeresisht në shoqërinë shqiptare, sipas të cilës fëmijët duhet të jenë të involvuar në të gjitha rrjetet sociale, madje kjo konsiderohet si shenjë e epersisë intelektuale të tyre pa llogaritur pasojat që ato sjellin në mënyrën se si ndërtohet apo si deformohet personaliteti i tyre”, thotë  Gëzim Tushi,  për “Sinjalizo”.

Ndërkohë psikologia klinike, Desdemona Çelo, nga eksperienca e saj shprehet se ajo që vihet re te  fëmijët dhe të rinjtë është  se të miturit krijojnë një perceptim të gabuar për mënyrën e jetesës si dhe nuk vlerësojnë gjërat që kanë. “Studimet kanë treguar që ka një rritje të sjelljeve të dhunshme bazuar në rrjetet sociale që të rinjtë përdorin, për shkak se aty mund të humbasin konfidencialitetin, anonimatin, mund të shpërndahet foto personale, bullizmi, dhe patjetër që këto janë aspekte të dhunës dhe një dhunë verbale më pas mund të kalojë në dhunë pas rrjeteve sociale”,  shprehet ajo.

Për sociologun Tushi, ka ardhur koha që ne të ndryshojmë konceptin që kemi për mënyrën se si mund ti bëjmë fëmijët qytetar, qenie humane, sociale që të dinë të duan veten, tjetrin, të dinë të respektojnë marrëdhënie, të marrin pjesë në jetën strukturore, në institucionet kryesore të sigurisë morale si është familja dhe shkolla.

Në këtë kontekst, unë jam partizan  i tezës që është e nevojshme që fëmijëve tanë në shkollë duhet tu sjellim, skalitim një sistem njohurish të domosdoshme humane, qoftë kur është fjala për edukimin seksual që ka filluar të flitet në shkolla, por ka ardhur koha që  doemos duhet të kemi një sistem vlerash lidhur me,  se si komunikohet në kohën e sotme, kur sistemi verbal dhe jo verbal i komunikimit elektronik dhe real i komunikimit janë përzier në një mënyrë kaotike dhe njeriu e ka të vështirë tashmë të vendosi regulacione preçize”,  shprehet sociologu Tushi.

Parandalimi nis gjithmonë me informim”, thotë psikologia Çela, e cila shton se u duhet shpjeguar të miturve dhe adoleshentëve që rrjetet sociale nuk kanë vetëm anë pozitive por edhe negative. “Edhe në mjediset e shkollës, fëmijët mund të ndërgjegjësohen dhe të ndihmohen se cfarë ndodh në rrjetet sociale, në mësimdhënie, pse jo mund të ishte një lëndë e caktuar, e cila do merrej pikërisht dhe do ishte e fokusuar në rrjetet sociale dhe të rinjtë ta kuptonin, më konkretisht dhe të ndanin eksperiencat e tyre për ta kuptuar se si është bota e rrjeteve sociale”, përfundon ajo.

 

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/
What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2023 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2023 Giljana Limani.  All Rights Reserved.