“Asfalti Elektoral” nuk mungoi në zgjedhjet lokale

Autor: Denis TAHIRI

Është 14 Mars, Dita e Verës. Ora pothuajse po shkon 21:00. Në rrugët e kryeqytetit njerëzit janë duke nxituar si zakonisht, disa nxitojnë hapin për të shkuar në aktivitetet e ndryshme që zhvillohen në Tiranë për Ditën e Verës, ndërsa një pakicë, po i drejtohen zonës së 21 Dhjetorit, ku në një qendër sociale të quajtur “Bunkeri”, prej nga dëgjohet zëri i një këngëtari të muzikës popullore i njohur si “Moli”. Era e birrës e cigareve përzihet me aromën e asfaltit që vjen nga të katër anët. Nëpër rrugica sheh duke nxituar edhe punëtorët e bashkisë. Në rrugën “Frosina Plaku” po bëhet riasfaltimi. Por vetëm riasfaltim, askush nuk po shqetësohet nga shtyllat e korrentit në mes të rrugës. I vetmi shqetësim që vjen prej tyre për njerëzit që po shtrojnë asfaltin, janë disa minuta punë më shumë për t’u ardhur rrotull.

Një djalë jo më shumë se 25 vjeç është duke i bërë një foto shtyllës, ndërkohë që bisedon me një të moshuar, ku ky i fundit e nxitur për t’i hedhur fotot online. “Bëja dhe hidhua në internet, ta shohin se as që e marrin mundimin ta shtyjnë të paktën dy metra më tutje në trotuar ato dy shtylla të uruara”.

Ndërkohë vetëm disa dhjetra metra më larg ka nisur puna për asfaltimin e rrugës së “Bogdanëve”. E njëjta situatë është edhe në një prej dëgëzimve të rrugës “Pjetër Budi”, ku jo më shumë se 50 metra rrugë, kanë mbi 10 vite që presin shtrimin e Asfaltit. Situatë e ngjashme shfaqet edhe në rrugën “Mustafa Lleshi”.

Të gjitha rrugët po arrnohen me asfalt. Zhurma e makinerave ndjehet në çdo anë dhe duket sikur kryeqyeti është një kantier ndërtimi. Me afrimin e datës së zgjedhjeve sa vjen e shtohet era e asfaltit nëpër lagjet e kryeqytetit. Në terminologjinë politike dhe mediatike është quajtur asfalt elektorat dhe nuk është fenomen që shfaqet vetëm në kryeqytet. Në shumë bashki situate është e ngjashme.

Tendera që ngrenë pikëpyetje

Në Krujë, bashkia e këtij qyteti më 16 Mars do të shpallte një tender për “Sistemim-asfaltim i rrugës “Zalljanëve”, fshati Zallë, Nj.A. Krujë” me një vlerë limit prej 6 166 416,00 lekë, ku ofertat nga palët e interesuara do të priteshin deri më 27 Mars, ndërkohë kontrata do të lidhej më 12 Prill. Në tender mori pjesë vetëm një kompani duke e fituar atë në vlerën 5 505 052,00 lekë. Por ajo që bën më shumë përshtypje është koha e zgjatjes së punimeve, e cila është vetëm 28 ditë, çfarë do të thotë se asfaltimi i kësaj rruge do të mbaronte në 10 Maj, vetëm 4 ditë para zgjedhjeve lokale.

I ngjashëm është edhe një tender tjetër për “Sistemim-Asfaltim I rrugës Kasme” në Krujë. Por Bashkia Krujë nuk është e vetmja ku datat e tenderave për asfaltim të rrugëve bie shumë pranë datës së mbajtjes së zgjedhjeve. Rastësi e ngjashmë vihet re edhe në Bashkinë Durrës, e cila më 5 Prill do të mbante një tender për “Rikonstruktimin e rrugëve të qytetit”, ku nëpërmjet këtij tenderi do të rikonstruktoheshin 9 rrugë në qytetin bregdetar. Lidhja e kontratës për këtë tender është bërë më 26 Prill, dhe subjekti fitues kishte 42 ditë kohë për rikonstruktimin e 9 rrugëve.

Nga ana tjetër, Bashkia e Vlorës, në 7.10. 2022 do të shpallte tenderin për “Rikualifikim i bllokut të banesave kufizuar nga Bulevardi “Cameria”, Rruga”Pelivan Leskaj”, Rruga “Kujtim Beqiri”, Rruga “Piro Sava”, për të cilin fituesi u shpall më 10.11.2022, ndërkohë që kontrata me fituesin është lidhur më 13.2.2023, me një afat prej 2 muaj për kryerjen e punimeve, duke vendosur si datë përfundimi datën 13 Prill.  Situatë e ngjashme shfaqet edhe me tenderin për rikostruksionin e rrugës së fshatit Kërkovë ku edhe pse fituesi shpallet 2 muaj para përfundimit të viti 2022, kontrata lidhet më 10 Shkurt të 2023 me një afat 2 mujor për kryerjen e punimeve.

Edhe në Bashkinë Topojë, tendera të ngjashëm janë present. Në 26 Prill ka lidhur një kontratë tenderi me objekt “Asfatim i rrugëve mbushje gropash viti 2023 për rrugët e Bashkisë Tropojë”, ku çdo gjë e parashkikuar në tender, duhet të mbarojë brenda 1 muaji.  Edhe Bashkia e Gramshit, nuk bën përjashtim në listën e qeverisjes vendore të cilat kanë kryer tendera, kontrata e punëve të të cilëve përkon me bërje të punëve publike në një hapësirë kohore të shkurtër para zgjedhjeve, gjatë zgjedhjeve apo që nisin para zgjedhjeve dhe përfundojnë pas mbarimit të zgjedhjeve. Më 26 Prill, Bashkia Gramsh ka lidhur një kontratë tenderi me subjekt “Sistemim –asfaltim i bllokut të banimit Ish-SMT”, dhe afati për kryerjen e këtyre punimeve është vetëm 36 ditë. Kjo bën që një pjesë e punimeve të bien në periudhën para mbajtjes së zgjedhjeve lokale dhe një pjesë tjetër pas.

Në vitet zgjedhore, rritet niveli punëve publike

Vitet zgjedhore, duket se kanë një lidhje të pashmangshme me rritjen e shpenzimeve të institucioneve shtetërore për punë publike. Të paktën këtë tregojnë shifrat. Në 6 muajt e parë të vitit 2020, i cili nuk është ishte një vit në të cilin zhvilloheshin zgjedhje, njësitë e qeverisjes vendore në të gjithë vendin, sipas Open Data Albania shpallën 2,314 tendera, ku 1,908 ishte shpallur fituesi. Ndërkohë shuma pa TVSH e fondit limit për tenderat të shpallur fitues ishte 19,777,692,732 Lekë.

Ndërsa një vit më vonë, më 25 Prill, qytetarët ju drejtuan kutive të votimit për të votuar përfaqësuesit e tyre në parlament. Por ajo që bie në sy është fakti që gjatë 6 muajve të parë të vitit 2021, njësitë e qeverisjes vendore shpallën 3,745 tendera, prej të cilëve me fitues ishin 2,278.  40,614,468,423 Lekë pa TVSH Fondi limit per tenderat e shpallur me fitues. Në 2022, ky financim bie në mënyrë të ndjeshme, ku për 1,738 tendera të shpallur me fitues në 6 muajt e parë të vitit, me një vlerë totale tw shpallur fituese pa TVSH prej 13,940,580,114 Lekë.  2023, ndryshe nga viti 2022, është vit zgjedhor, ku këtë herë në kutinë e votimit, votohet se kush do të drejtojë bashkitë për 4 vitet e ardhshme. Për 6 muajt e parë të këtij viti, 1,073 tendera u shpallën fitues me një vlerë totale pa tvsh prej 16,090,059,609 Lekësh.

Karakteristikë e prokurimeve publike në Shqipëri është që gjatë viteve zgjedhore gjithmonë ne kemi përqëndrim të kontratave dhe vlerave të tyre të cilat alokohen përmes tenderimeve”, thotë Arianita Brahaj, drejtuese e “Open Data Albania”. Ajo gjithashtu shton se në një vlerësim të bërë nga Open Data në vigjilje të zgjedhjeve të 2021, u vu re se disa muaj para zgjedhjeve kishte gati 20% më shumë fonde sesa në periudha të tjera. “Kjo përkon me dëshirën e qeverive, qofshin qëndrore ose lokale për të injektuar më shumë para në periudhën parazgjedhore”, thotë ajo, duke shtuar se kjo krijon mundësinë qeverive sidomos në pushtetin lokal që të bëjnë atë që quhet “Atmosferë inaguruese”.

Po të shihet lista e investimeve në momentin që u nda buxheti i shtetit për qeveritë lokale, ka një tabelë që spikat me disa punë publike, të cilat nuk janë domosdoshmërisht rrugë, të dhëna kryesisht për pushtetin vendor”, thotë ajo, duke theksuar se është vënë re është se ka një karakteristikë që në periudhat zgjedhore të ketë një tendencë më të lartë për fonde që tenderohen, pra kontraktime publike.

Shtrimi i rrugëve është identifikuar edhe në raportin OSBE- ODIHR në të cilin thuhet se: “Vëzhguesit e MVZ-së së ODIHR-it vërejtën raste të shtumta, në të cilat administratat vendore u angazhuan në aktivitete të ngjashme, duke përfshirë riparimet e infrastrukturës lokale”.

Por edhe në raportet e organizatave shqiptare, kjo problematikë nuk ka kaluar pa u identifikuar. “Të pyetur mbi perceptimet që ata kanë për përdorimin e aseteve publike në favor të fushatës, zgjedhësit në bashkitë Kukës, Korçë, Malësi e Madhe, Durrësit, Lezhës, Fierit i kanë pohuar vëzhguesve të KShH-së se punimet dhe rikontruksionet në hapësira të ndryshme në këto bashki realizohen qëllimisht disa muaj apo javë para datës së zgjedhjeve në favor të fushatës elektorale të kryetarëve të Bashkisë, të rikandiduar”, thuhet në raport e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, i publikuar në 12 Maj 2023, në të cili gjithashtu shtohet se në Bashkinë Tiranë, vëzhguesit kanë raportuar shtrime masive të rrugëve në lagje të ndryshme, për një periudhë afro 3 mujore deri në pak ditë para datës së zgjedhjeve, duke vënë në pikëpyetje cilësinë afatgjate të punimeve të cilat mbyllen për një kohë shumë të shkurtër.

Për urbanisten Doriana Musaji, kohëzgjatja e punimeve është gjithmonë garant cilësisë. “Vet projekti, mënyra se si është konceptuar ndërhyrja, pse në këtë rrugë dhe jo në një tjetër, pra mënyra se si përzgjidhen kët rrugë, të cilat për më shume se 4 vite rrinë pa prekur dhe pastaj 3 muaj para zgjedhjeve bëhet ndërhyrja është vet këmbanë alarmi pasi duhet të tërheqi vëmendjen e autoriteteve që merren me kontrollin e këtyre punimeve”, thotë zonja Musaji, e cila shton se në observimin e saj, ka patur edhe rrugë në të cilat shtresa e asfaltit është zëvendësuar pa qene e nevojshme të zëvendësohej.

Është parë që ndërhyrja ka qenë kryesisht në shtresat e asfaltit, në atë që konsiderohet asphalt elektoral, pra një tapet asfalti që vendoset për pak kohë. Vendosen edhe ca vija të bardha e ngelet aty”, shprehet ajo duke theksuar se ka patur edhe ndërhyrje më të thelluara, duke nisur që nga kanalet e kullimi të ujërave sipërfaqësor apo në shtresa të tjera të rrugës, por edhe këto janë segmentare duke munguar përqasja tërësore.  “Nuk ndërhyhet në blloqe banimi, por në segmente të vogla të cilat aty ku shkëputen akumulojnë problemtika të gjithë lagjes”, thotë urbanistja Musaji duke shtuar se në këtë mënyrë jepet zgjidhje për një pikë dhe nuk shihet në tërësi problem dhe kjo është pasojë e pikërisht vendimarrjeve që merren për efekte elektorale dhe jo për qëllime për të zgjidhur një problematikë apo situatë e cila është komplekse, pasi rruga nuk është thjeshtë asfhalt por është trafik, është mobilitet, lëvizje dhe siguri për njeriu dhe për makinën.

Pra nuk shihet në kompleksitetin e vet si hapësirë urbane po shihet thjesht imazh që tregon se bashkia po punon, ndërkohë pasojat e këtij imazhi të deformuar janë ato që pas pak muajsh me temperaturat e larta në verë apo me shirat e para të vjeshtës ai asfhalt përfundon i shkatërruar dhe pas 4 vitesh rifillon çdo gjë nga fillimi. Përgjithësisht kështu është operuar, që edhe ai asflati mos të zgjasë më shumë se 2 vite pasi ne kemi zgjedhje njëherë në dy vite fatkeqësisht dhe këto ndërhyrje nuk është se janë vetëm për pushtetin lokal po njëherë në dy vite, sa herë ka zgjedhje”, përfundon ajo.

Pas ditës së zgjedhjeve të 14 majit, gjithçka i kthehet normalitetit. Makineritë janë fikur, era e asfaltit nuk ndjehet më në qytet. Kalimtarët ecin të pashqetësuar mbi tapetin e hollë të asfaltit elektoral që shpejt do të fshihet për të nxjerrë zbuluar çfarë fshihet poshtë tij, një pamje që do ta kenë parasysh deri në zgjedhjet e radhës kur do të rikthehet asfalti elektoral.

Ky shkrim është pjesë e projektit Laboratori i Gazetarisë Investigative, që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

 

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2023 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2023 Giljana Limani.  All Rights Reserved.