Këndet e lojërave në Tiranë kushtuan shtrenjtë, por janë ndërtuar pa standarte

Autor: Aurora SHPATAJ

Në  17  mars të vitit 2016,  kryetari i bashkisë Erjon Veliaj deklaroi që bashkia e Tiranës ka në plan të ndërtojë 11 kënde të tjera lojërash për fëmijët në kryeqytet.

Ne nuk duhet të zgjedhim mes një këndi të madh lojërash apo këndeve të vogla nëpër lagje. Ne do të bëjmë, edhe këndin e madh, edhe këndet e vogla nëpër lagje, sepse besojmë që nuk duhet të kursejmë asnjë mundësi që kemi që fëmijët e Tiranës të kenë një fëmijëri që ja vlen të mbahet mend”, u shpreh Veliaj.

Bashkia e Tiranës shprehet për “ Sinjalizo” se aktualisht,  janë ndërtuar këndet e lojërave për fëmijë, në lagjet: “Mine Peza”, “Sitki Cico”, “Parku i Madh”,“Komuna e Parisit”,”Allias”, “Qemal Stafa”, “Shtegu Japonez”,”Fushat sportive”, “Këndi i Forës 3”, “Kombinat”, “Surrel”. Pjesa dërrmuese e tyre janë ndërtuar nga bashkia e Tiranës në bashkëpunim me kompani private. I vetmi kënd lojërash i krijuar totalisht me fondet e bashkisë është “Parku i Madh” me një sipërfaqe prej 8127.14 m2, ndërsa sipërfaqet e këndeve të tjera janë; “Mine Peza” me sipërfaqe 1664 m2, “Sitki Cico” me sipërfaqe 1129 m2, “Komuna e Parisit” me sipërfaqe 1200 m2, “Allias” me sipërfaqe 1408 m2, “Kombinat” me sipërfaqe 1030 m2, “Selman Stermasi” me sipërfaqe 1200 m2, të cilat janë ndërtuar me 40% nga fondet e bashkisë Tiranë dhe 60% nga kompani private. Ndërsa këndet e tjera të lojërave si: “Qemal Stafa” me sipërfaqe 1570 m2 është ndërtuar 20% nga fondet e bashkisë Tiranë dhe 80% nga dhurues, “Shtegu Japonez” me sipërfaqe 4000 m2 dhe”Fushat sportive”, me sipërfaqe 4000 m2 janë ndërtuar me 70% nga fondet e bashkisë Tiranë dhe 30% nga dhurues,“Këndi i Forës 3” me sipërfaqe 1692 m2 është ndërtuar me 35% nga fondet e bashkisë Tiranë dhe 65% nga dhurues. Ndërsa këndi i lojërave “Surrel” është i vetmi kënd që është ndërtuar totalisht nga donatorë me një sipërfaqe prej 1500 m2.

Referuar  përgjigjes zyrtare të bashkisë, kostoja për mirëmbajtjen e këndeve të lojërave  nga viti 2018-2022,  është 22 milion lekë.

Ju informojmë se vlera totale për mirëmbajtjen e këndeve të lojërave, terreneve sportive dhe këndeve të forcës nga viti 2018-2022 është 22.060.337 lekë. Sqarojmë se me vendimin e Këshillit Bashkiak nr.88, datë 26.07.2017 “Për një shtesë në VKB nr.41, datë 23.09.2015” Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit i’u shtua funksioni i administrimit të aseteve, rekreative dhe sportive, ndaj dhe të dhënat për mirëmbajtjen e tyre janë prej vitit 2018.”

 Nga burime zyrtare të bashkisë së Tiranës, kostoja për ndërtimin e këtyre këndeve të lojërave nga viti 2015-2022 është 334, 583, 735 lekë.

Vlera totale e ndërtimit të këndeve të lojërave, terreneve sportive dhe këndeve të forcës nga viti 2015-2022 është 334, 583, 735 lek.”

KLSH: Agjencia e Parqeve ka ndërtuar kënde lojërash pa standarte

Sipas qytetarëve, që i vizitojnë  këto hapësira, deklarojnë se janë shumë larg kushteve që duhet të kenë për tu quajtur terrene sportive apo kënde lojërash. Një ndër to është dhe Besimi, prindi i një vajzë 5 vjeçare i cili jeton në Kombinat.

Unë jam çdo pasdite këtu me vajzën, sepse ajo dëshiron të luajë. Por këto nuk janë kënde lojërash, se të krijosh kënde lojërash,  së pari duhet që të jetë hapësirë e gjelbër e jo një shtresë betoni, siç e kanë bërë këto. Këtu fëmija mund të rrëzohet e të përplaset në beton, e të rrezikojë të ketë pasoja shëndetësore ndaj nuk duhet që të ndërtohet shtresë betoni.”

Besimi shton se edhe objektet si stola edhe lojërat e tjera janë ndërtuar pa standart.

Unë jam me profesion inxhinier dhe kur duhet të ndërtohet për një grupmoshë specifike siç janë fëmijët duhen marrë parasysh disa standarte. Shumica e lojërave këtu janë ndërtuar me hekur, pa një ulëse të butë, ose një mbrojtëse që fëmija të mos lëndohet. Dërrasave që ju kanë vendosur vida, sipër tyre duhet të ishin vendosur disa mbrojtësa që fëmijët të mos lëndohen. Pra janë ca elementë shumë të vegjël, por që në thelb janë shumë të rëndësishëm që fëmija të luajë në ambient të sigurt.”

Por në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit,  në vitin 2019,  citohet se “ Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit ka projektuar, ndërtuar dhe miratuar këndet e lojërave pa standarde të miratuara nga Këshilli Teknik ose Bashkia Tiranë.

Të njëjtin mendim ndan për “ Sinjalizo” Luljeta, nëna e një djali 7-vjeçar e cila shprehet se objektet që janë të vendosura këtu janë shumica të ndërtuara me hekur,  gjë që rrezikon sigurinë e fëmijëve.

Bashkia shumë mirë ka bërë që ka ndërtuar kënde lojërash për fëmijët, por duhet ti ndërtojë me standarte. Alteo im përshembull është fëmijë shumë aktiv edhe në këto lojëra jam me dorë në zemër për shkak se shumica janë të ndërtuara nga hekurat, disa janë të vendosura thjesht si dekorim, por ka stola përshembull që ju kanë dalë vidat e mund të rrezikojë të cahen.”-përfundon së treguari,  Luljeta.

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter