Miliona turistë, por askush nuk e di se nga niset autobusi

Me përfundimin e sezonit turistik të vitit 2023, Shqipëria pati një numër rekord turistësh, mbi 8 milionë. Por, edhe pse shifrat janë të larta, zhvillimet në sektorin e turizmit nuk reflektohen në sektorët e tij mbështetës. Sot është e pamundur për një turist të gjejë se cilat janë format e transportit publik, interurban, kostot, pikënisjet dhe pikëmbërritjet, si dhe oraret përkatëse. Investimet nga institucionet shtetërore kanë qenë të konsiderueshme, por platformave digjitale iu ka mbetur efikasiteti në letër.

Autore: Nasibe Nur Karik

Vitet e fundit turizmi në Shqipëri ka shënuar rritje dhe ky sukses është pasqyruar në shumë citime të rasteve konkrete nga liderët e qeverisë dhe të pushtetit lokal.

“Këtë vit Shqipëria po përjeton sezonin e një kthese historike, që është rezultat i shumë përpjekjeve të bëra në vitet e mëparshme dhe kurorëzimi i një faze të re transformimi për turizmin”, – është shprehur kryeministri, Edi Rama, i cili shtoi se kjo rritje në turizëm është fryti i parë domethënës në përcaktimin e rrugës drejt Shqipërisë 2030, vit në të cilin vendi ynë do të jetë kampion absolut në rajon për turizmin.

Por, të jesh kampioni i rajonit për turizëm kërkon të jesh kampion edhe në sektorë të tjerë, pasi çdo gjë është e ndërlidhur në zhvillimin e një sektori ekonomik, aq më tepër në një sektor si turizmi. Një nga nevojat urgjente që vendi ka për vijimin e zhvillimit të turizmit është të shndërrohet në kampion për transportin urban dhe atë interurban, diçka që fatkeqësisht duket sikur është shumë larg Shqipërisë 2030.

Aktualisht, shifrat e sakta të automjeteve, që operojnë për transport qytetarësh, është e vështirë të thuhen, pasi, përveç atyre që zotërojnë një licencë, janë duke lulëzuar edhe operatorë informalë. Ndërkohë, nga disa të dhëna të siguruara në rrugë zyrtare nga DPTRRSH kuptohet që në vendin tonë për transport udhëtarësh janë 245 shoqëri të licencuara dhe 1855 mjete – autobusë. Në terminalet e kryeqytetit janë 936 automjete që operojnë, në atë të Durrësit, 320, në Vlorë, 132, në Gjirokastër, 141 dhe në Shkodër, 127 automjete. Por, ndonëse pikat e stacioneve quhen terminale, ato duhet të plotësojnë disa kushte, që rrallë i has në vendin tonë.

Turistët, në kërkim të terminalit

Lily, si shumë bashkëkombës të saj në Mbretërinë e Bashkuar, zgjodhi që pushimet e verës t`i kalonte në Shqipëri. Në bisedë me të kupton se sa shumë ka dëgjuar ajo për vendin tonë, ku një pjesë e madhe e informacionit nuk është edhe aq pozitiv, por e reja ka mbetur e mahnitur nga bukuritë që ka parë nëpër media. Duke folur për planet e saj në bregdetin shqiptar, nuk harron të përmendë edhe sfidat, ku transporti ndërqytetës zë vendin e parë.

“Biletën mësuam që e paguaje në autobus dhe nuk e morëm paraprakisht. Për ne nuk ishte një problem i madh, por do të ishte më mirë, nëse do të kishte më transparencë, sepse kështu shpesh kemi dyshime, nëse do të ketë vende të lira apo jo”, – shprehet e reja, e cila ka prenotuar online një pjesë të madhe të infrastrukturës së nevojshme për të.

Lily tregon se nuk ka hasur vështirësi në gjetjen e stacioneve në qytet, por kjo falë ndihmës së banorëve vendas, pasi, sipas saj, është e pamundur të gjesh tabela informuese apo informacione online, si në shumë vende të botës, ku përdoret Google Maps. Të gjesh tabela me informacione për transportin qytetës dhe ndërqytetës në stacion është e pamundur, sipas saj.

“Jam habitur, nuk është normale”, – thotë e reja, e cila shton se, nëse do të kishte një hartë udhëzuese, do të ishte më praktike, sidomos për ata që janë turistë.

Terminali Ndërqytetas Zona Jug-Veri

Informacioni i munguar në terminalet e linjave ndërqytetëse është një problem edhe për vetë qytetarët shqiptarë. Adelajda Lika, që prej disa vitesh jeton në Tiranë, vë re një mungesë në informacion. “Unë përdor shpesh linjën e autobusëve Tiranë-Elbasan dhe ka autobusë çdo një orë, deri në orën 1900. Të jem e sinqertë, informacionet në terminal janë të pamjaftueshme në lidhje me linjat dhe oraret”, – shprehet, duke shtuar se e vetmja gjë që dallon autobusët nga njëri-tjetri është një copë letër me emrin e qytetit, e vendosur te xhami.

“Për mua nuk përbën problem, pasi jam mësuar me këtë mënyrë, por, nëse do të ishte dikush që nuk e di vendin, mendoj se do të haste probleme”, – thotë ajo.

Për kryetarin e Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, Dashnor Memaj, problemet me transportin fillojnë që nga baza.

“Operatorët nuk janë të gatshëm që të kenë një shërbim cilësor”, – thotë ai, duke shtuar se arsyeja lidhet me faktin se ky shërbim ndodhet në krizë ekonomike prej shumë kohësh. “Çdo kërkesë e jona, ekonomike apo politike, ka rënë në vesh të shurdhët nga institucionet dhe nuk është marrë asnjë masë e tillë për të përmirësuar sektorin e transportit publik”, – përfundon ai.

Për zotin Memaj ajo që është kthyer në pengesë është infrastruktura dhe mungesa e vëmendjes së institucioneve për të patur transport funksional; mungesa e një aplikacioni në transportin qytetas për të kuptuar se kur vjen një autobus, cila është linja ose cilat janë pagesat online të biletës. E ndërsa është duke u punuar për realizimin e aplikacionit eTransport për transportin ndërqytetës, për Memajn duhet vëmendje edhe në elemente të tjera.

“Krahas kësaj duhen edhe terminale funksionale dhe stacione të ndërmjetme. Shpresojmë që me ardhjen e kaq shumë turistëve, edhe shteti t`i vërë gishtin kokës, që të ketë një ndërhyrje thelbësore në këtë sektor, bashkërisht edhe me ne, sepse ne e njohim këtë punë në themel, duke e ditur se ku çalon dhe ku duhet ndërhyrë”, – thotë ai.

e-Transport, por deri tani bileta paguhet cash

Nëse ke udhëtuar qoftë edhe një herë jashtë vendit, udhërrëfyesi më i mirë ka qenë Google Maps, jo vetëm për t`u orientuar në vendin e ri, por duke të dhënë edhe opsione se si udhëtohet nga pika A në pikën B. Nëse je turist në Shqipëri, udhërrëfyesi më i mirë sërish është Google Maps, por në të është e vështirë të gjesh opsione udhëtimi. Me një kërkim të thjeshtë, ku pika e nisjes që vendosëm ishte Durrësi dhe ajo e mbërritjes Vlora, vetëm 2 opsione të ofrohen për të përshkuar distancën prej 123 kilometrash: me automjet privat për 1 orë e 27 minuta ose të udhëtosh për 2 ditë me këmbë.

Nga ana tjetër, me një kërkim të përgjithshëm në motorin e kërkimit Google, mund të gjesh ku ndodhet terminali i autobusëve në Durrës dhe ku ndodhet ai në Vlorë. Gjithashtu, në të thuhet se autobusë mes dy qyteteve bregdetare ka çdo 30 minuta, ku i pari e lë terminalin në orën 530 AM dhe i fundit në 1800, por kjo është një përgjigje e gjeneruar nga informacioni i agjencive private të transportit, që janë me dhjetëra.

“Mund të përmend që vetëm në transportin ndërqytetës janë 211 operatorë, që operojnë, mbi 400 linja, që domethënë, të bëhen të gjithë të mirë apo në lartësinë e duhur, është e pamundur”, – thotë Dashnor Memaj, i cili shton se pjesa më e madhe e operatorëve mundohen maksimalisht që të zbatojnë rregullat.

Zoti Memaj shprehet entuziast për aplikacionin eTransport, duke thënë: “Ky aplikacion do të zgjidhë shumë probleme të këtij sektori dhe do të nxjerrë në pah, nëse një operator është në krizë financiare, sa bileta do të presë një operator, si dhe çfarë detyrimesh duhet të paguajë te shteti”. Sipas tij, kjo kanalizon çdo veprim që bëjnë operatorët, por edhe për qytetarët ka një shërbim më të mirë.

Kaosi i përditshëm në terminalin e Tiranës

Më 02.12.2022 Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor nënshkruan marrëveshjen për zhvillimin dhe promovimin e mëtejshëm të turizmit. Në këtë marrëveshje u dakordësua lançimi i platformës eTransport, nëpërmjet së cilës duhej të realizohej digjitalizimi i transportit ndërqytetës dhe menaxhimi i fluksit të udhëtarëve në linjat e transportit ndërqytetës. Ndër të tjera, kjo marrëveshje ka si qëllim përmirësimin e eksperiencës së udhëtimit nëpërmjet standardizimit, sigurisë dhe aksesueshmërinë e udhëtarëve dhe turistëve të huaj, si dhe përcjelljen e statistikave të fluksit total të udhëtarëve te Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
Sipas të dhënave, në platformën eTransport janë regjistruar të dhëna për 520 linja, 242 operatorë dhe 2282 mjete.

Gjithashtu, informacionet, si koha e nisjes dhe e mbërritjes, ndryshimet e linjave gjatë një rrugëtimi nga një destinacion në tjetrin, stacionet që përshkohen, janë të përfshira. Por, ajo që bie në sy, është fakti që në këtë platformë nuk mund të rezervosh ose të blesh një biletë, një proces i thjeshtë ky dhe i përdorur në shumë vende të botës. Ndërkohë, për sa i përket standardizimit, mjafton të qëndrosh vetëm 10 minuta në njërin prej terminaleve të kryeqytetit, ku vetëm me sy e kupton që do të jetë një sfidë për të gjetur më shumë se 2 mjete njësoj për të njëjtën linjë.

Një tjetër problem, që bie në sy, është edhe mungesa e lidhjes së eTransport me shërbimet e Google. Google Maps është padyshim një nga shërbimet më të përdorura nga turistët në vendet që vizitojnë dhe mos-integrimi i eTransport bën që në shumë qytete të Shqipërisë të mungojë në këtë platformë mundësia e udhëtimit drejt tyre me autobus.
DPSHTRR e sheh aplikacionin si çelësin e zgjidhjes së shumë problemeve, me të cilat haset transporti ndërqytetës në Shqipëri, duke nisur që nga heqja e transportit informal, deri te rritja e transparencës dhe blerja e biletave online, duke i dhënë udhëtarit informacion të detajuar. Edhe pse në përgjigjen e DPSHTRR problematikat, që kërkohen të adresohen nëpërmjet këtij aplikacioni, të cilin vetë ky institucion e cilëson si “një histori suksesi në epokën e shërbimeve online”, janë madhore për mirëfunksionimin e transportit ndërqytetës, prova e vërtetë e funksionimit të tij mbetet vera e vitit 2024.

Bashkitë, ende larg përmirësimit të transportit publik

Nëse zbret në aeroportin e Hanjasë, një prej dy aeroporteve në ishullin e Kretës, ishull ky me një madhësi të përafërt me Shqipërinë, jo më shumë se 100 metra larg derës së daljes ndodhen autobusët, të cilët bëjnë transportin nga aeroporti drejt qytetit. Në një kabinë shumë pranë autobusëve, të afishuara në xham, janë oraret, numrat e autobusëve dhe çmimi i biletës. Ky autobus të çon në terminalin qendror të Hanjasë, nga ku mund të marrësh autobus për çdo qytet e qytezë në ishull.

Por, në aeroportin e Tiranës transporti me autobus drejt kryeqytetit është ndryshe. Autobusi, bileta e të cilit kushton 400 lekë, stacion përfundimtar nuk ka ndonjë terminal në kryeqytet, por stacioni i tij është pas Teatrit të Operës dhe Baletit, ndërkohë për sa iu përket orareve as në faqen web të aeroportit nuk jepen.

Situata e terminaleve të autobusëve ndërqytetës lë për të dëshiruar në të gjithë vendin. Aktualisht në kryeqytetin shqiptar ka dy terminale, një për zonën jug-veri dhe një tjetër për juglindjen, por të dyja këto terminale janë provizore. Ndonëse në një përgjigje zyrtare Bashkia e Tiranës thotë se në terminalet provizore ka sinjalistikë informuese për qytetarët për destinacionet, që operojnë në terminal, gjatë një vëzhgimi të kryer nga ACQJ në asnjë pikë të këtyre terminaleve nuk ekziston një tabelë informuese se cili autobus shkon ku, çfarë oraresh kanë apo çmimi i biletës. Këto informacione mund t`i marrësh vetëm duke pyetur shoferët ose faturinot brenda terminalit, por për një turist të huaj do të ishte një sfidë marrja e një informacioni të tillë, ku e vetmja shenjë dalluese e linjës, që kryen autobusi, është një letër në xhamin e parë me emrin e qytetit, që ka si destinacion përfundimtar.
Ndërsa në qytetin bregdetar të Vlorës, i cili është një nga destinacionet e preferuara të turistëve, ka vetëm një terminal, për të cilin zyrtarisht bashkia e qytetit thotë se “nuk ka patur investime, por ka të afishuara në një tabelë linjat dhe oraret, ku kryhen shërbimet e transportit ndërqytetës”.

Mungesa e investimeve shfaqet edhe në dy terminalet në kryeqendrën e veriut, Shkodër. Ndërkohë, edhe pse vitet e fundit Gjirokastra po njeh një rritje shumë të madhe në turizëm, ky qytet ende nuk ka një terminal të dedikuar për linjat ndërqytetëse. Zyrtarisht bashkia e këtij qyteti i tha ACQJ-së se që prej vitit 2022 është duke punuar me projektin për ndërtimin e një terminali.

Ndërkohë, Bashkia e Beratit në dalje të qytetit ka ngritur një terminal për udhëtimet ndërqytetëse. “Ky terminal ofron oraret e mjeteve të transportit interurban dhe është një përmirësim i rëndësishëm për transportin ndërqytetës”, – shprehet zyrtarisht kjo bashki.

“Ne kemi barazuar Greqinë dhe sapo kemi kaluar Italinë për numrin e turistëve për frymë”, – do të shprehej kryeministri, Edi Rama, më 10 gusht.

Lajmi i mirë është se vetëm në 8 muajt e parë të vitit 2023, Shqipëria pati një numër turistësh mbi 7.2 milionë. Por, edhe pse shifrat janë të larta, zhvillimi i sektorit të turizmit duhet bërë paralelisht me zhvillimin e sektorëve të tij mbështetës, ku ai i transportit padyshim që është një nga më të rëndësishmit, por që ende është shumë larg një sistemi transporti të një vendi me ambicie për t’u shndërruar në kampionin e turizmit në rajon.

Ky shkrim është pjesë e projektit Laboratori i Gazetarisë Investigative, që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2023 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2023 Giljana Limani.  All Rights Reserved.