Fatura e kripur e “dritave të fundvitit”

Autore: Dallandyshe Xhaferri

Bashkitë po shpenzojnë gjithnjë e më shumë para për “festat e fundivitit”.  Mungesa e konkurrencës dhe mirëmbajtjes së dekoreve shton shpenzimet përmes tenderave, ku fituesit ose janë të vetëm në garë ose fitojnë me “fondin limit”.

Në prag të fundvitit “Sinjalizo” monitoroi shpenzimet e katër prej bashkive në vend për blerjen e dekoreve të festave. Këtë vit bashkia e Tiranës, Korçës, Elbasanit dhe Durrësit kanë investuar së bashku mbi 70 milionë lekë të reja në ndezjen e dritave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, por tenderat janë të shoqëruar me “flamuj të kuq” për shkak të mungesës së konkurrencës. Investimet në zbukurimin e qyteteve janë disafishuar gjatë 3 viteve të fundit, ndërkohë që ofertat e kompanive pjesëmarrëse ne tendera janë afër limitit të fondeve të ofruara nga bashkitë.

Korça,trefishon shpenzimet për fundvit

Këtë vit bashkia e Korçës ka rritur mbi trefish shpenzimet për dekorin festiv të qytetit për festat e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri. Sipas përgjigjes së kërkesës për informacion, bashkia planifikoi për të shpenzuar për dekorimin e qytetit mbi 15 milionë lekë, por ndryshe nga dy vite më parë, kryeqendra e Juglindjes nuk është mbështetur nga asnjë sponsor privat për ndezjen e “dritave” gjatë fundvitit.

Bashkia e Korçës thotë për “Sinjalizo” se dekorimi i qytetit për fundvitin e kaluar i kushtoi mbi 4.6 milionë lekë, një shumë e afërt me vitin 2021 ku dekorimi i qytetit ishte  4.4 milionë lekë.

“Të gjitha elementet që lidhen me festimet e fundvitit, që nga dekori e deri në kalendarin festiv, për Korçën janë dhe vijnë gjithnjë në rritje. Kështu, zbukurimet ndryshe nga qytetet e tjera që kanë vetëm në një pol, Korça i ka të shtrira thuajse në të gjitha pjesët e qytetit, dhe në pjesët e frekuentuar nga vendas e vizitorë”,- thotë për “Sinjalizo” Nënkryetarja e Bashkisë Korçë, Belina Themeli.

Dekorimi i Korçës për festat e fundvitit

Pano Soko, ekspert i ekonomisë thotë për “Sinjalizo” se problematikat që shoqërojnë tenderat për dekorimet e fundvitit lidhen me mungesën e konkurrencës tek operatorët dhe buxheti i ulët i tenderave, në krahasim me sektorët e tjerë.

“Meqenëse këto tendera janë shifra të vogla janë jashtë vëmendjes së vëzhgimit, të institucioneve përkatëse, qoftë të brenda institucioneve që I organizojnë këto siç mund të jenë auditi i brendshëm, apo dhe institucione të tjera të kontrollit dhe zbatimit të ligjit, siç mund të jetë Kontrolli i Lartë i Shtetit apo institucione të tjera”,- thotë Soko duke shtuar dhe mungesën e konkurencës si pasojë e mungesës së operatorëve lokalë që merren me organizimin e eventeve dhe zbukurimin e qyteteve.

Por sipas të dhënave publike të Open Procurement Albanian, në të tre vitet e fundit tenderat e çelura nga bashkia Korçë për dekorimin e qytetit janë shoqëruar me “flamuj të kuq” duke shfaqur problematika në procesin e tenderimit.

Këtë vit bashkia Korçë çeli tenderin me vlerë 5.9 milionë lekë për blerjen e shiritave dekorues me drita, por në garë ishin vetëm dy ofrues. Fitues u shpall operatori “Selvije Abasllari” me ofertën prej 5.6 milionë lekëve. Sipas shpjegimit të bërë zyrtar operatori tjetër konkurues nuk plotësonte kriterin e kërkesës së veçantë të kualifikimit, ndonëse në dokumentin e deklarimit të fituesit bëhet me dije: “Operatori ekonomik ka paraqitur mostrat e materialeve, por ato nuk janë sipas specifikimeve teknike të përshkruara në këtë kriter”.

Fundvitin e 2022-shit po i njejti operator ekonomik, ka fituar pa garë tenderin me fond limit prej 1 110 277 lekësh për instalacionet e festave të fundvitit (bredhin dekorativ të festave të fundvitit). Vlera e tenderit me të njëjtin përshkrim është trefishuar këtë vit duke shkuar në vlerën e 3 498 667 lekëve.

Tjetër tender i shoqëruar me flamur të kuq është ai për blerjen e dekoreve festive. Bashkia Korçë çeli tenderin me vlerën limit prej 4 583 333 lekësh në nëntor të këtij viti, por ky tender u fitua nga operatori ekonomik me vlerën 4 477 000 pa TVSH. Brenda 10 ditëve afat kanë marrë pjesë në garë 4 operatorë ekonomikë, prej të cilëve është shpallur fitues vetëm operatori “FALGEO”, ndërkohë është dhënë shpjegim për humbjen e garës vetëm për njërin nga operatorët ndonëse procesi është shoqëruar pa ankesa.

Edhe më 2022-shin bashkia Korçë ka çelur tenderin me fondin limit prej 2 916 580 lekësh për blerjen e dekoreve festive edhe rezulton të jetë fituar pa garë po nga operatori “Selvije Abasllari”. Gjithashtu, edhe në vitin 2021 bashkia Korçë ka hapur tenderin me të njëjtin përshkrim, për dekorime festive, me vlerën limit prej 2 910 000 lekëve duke u fituar pa garë nga operatori ekonomik “Iceberg Communication” sh.p.k.

Sipas këtyre të dhënave publike gjatë periudhës 2021-2023 bashkia Korçë ka shpenzuar vetëm për dekorimet e festave nëpërmjet kompanive fituese të tenderave mbi 10.2 milionë lekë.

Tiranë,dy tendera me flamuj të kuq

Bashkia e Tiranës këtë vit ka çelur 3 tendera me vlerën totale prej 28.5 milionë lekësh për dekorimin e kryeqytetit për festat e fundvitit. Dy prej këtyre tenderave janë cilësuar me “flamuj të kuq” nga filtrat analitikë të Open Procurement Albania.

Në nëntor të këtij viti, bashkia çeli tenderin e parë me fondin limit prej 9 milionë lekësh, i cili është cilësuar nga filtrat analitikë e open data procurement me “flamur të kuq” për shkak të mungesës së konkurencës. Ky tender u fitua pa garë nga “SEZON DEKOR” me vlerën fituese pa TVSH prej 8 471 160 lekësh. Tenderi i dytë i hapur në 9 nëntor të këtij viti për Blerje Shërbim Dekorimesh për Vitin e Ri me fondin limit prej 10 milionë lekësh, sërish është fituar pa garë nga një tjetër operator, “Iceberg Communication shpk” me ofertën prej 9.9 milionë lekësh.

Tenderat gati të përvitshëm të bashkisë Tiranë me vlerë prej 2 milionë lekësh ose 2.9 milionë lekësh për fishekzjarret e fundvitit janë fituar prej periudhës 2016-2021 nga i njëjti dhe i vetmi operator konkurues, “Alba Fire shpk”.

Elbasan,një kompani në garë

Në 6 nëntor të këtij viti bashkia Elbasan çeli tenderin me fondin limit prej 12 493 780 lekësh, për të cilin u shpall fitues garuesi i vetëm “SEZON DEKOR” me ofertën prej 14 364 000 lekësh me TVSH. Në përgjigjen e kërkesës për informacion, kjo bashki tregon për “Sinjalizo” se për realizimin e dekorimit të qytetit nuk ka patur sponsorizime nga bizneset private.

Dekorimi i Elbasani për festat e fundvitit

Vitin e kaluar Bashkia Elbasan kishte të parashikuar në buxhet investimin e 520 000 lekëve për mirëmbajtjen e zbukurimeve të fundvitit të përdorura më parë në 2021-shin dhe në vitin 2020. Në vitin 2019 bashkia Elbasan, dy javë pas tërmetit të 26 nëntorit shpalli fituesin e tenderit me vlerë 13 400 614 lekësh për dekorimin e qyetetit, ndërkohë që komunat shqipatare ne Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, si: Prizreni, Mitrovica dhe Tetova nuk investuan në dekorimin e qyteteve në mënyrë që vlerat monetare të parashikuara t’u vinin në ndihmë si donacione banorëve të prekur nga tërmeti në Shqipëri.

Durrës, një garues në tri vite

Rritje të investimit në dekorimin e qytetit ka njohur nga viti në vit edhe bashkia e Durrësit. Te tre tenderat  e çelura nga kjo bashki gjatë fundviteve 2020, 2022 dhe 2023 kanë pasur vetëm një operator ekonomik konkurues, automatikisht edhe fitues.

Dekorimi i Durrësit për festat e fundvitit

Në vitin 2020 “Iceberg Communication” fitoi tenderin me ofertën 9 905 200 pa TVSH për dekorimin e qytetit, në vitin 2022 bashkia shpalli tenderin me vlerë prej 9 780 000 lekësh, ndërkohë që këtë vit tenderi shkoi në vlerën e 12 350 000 lekëve.

Artan Xhiani, ekspert kontabël prej 26 vitesh thotë për “Sinjalizo” se në procesin e tenderimit një ndër problematikat më të shuma është favorizimi i një subjekti të caktuar.

“Njëra nga metodat për të favorizuar një subjekt të caktuar është “përshtatja e ToR(Dokumenti i Kushteve të Referencës) sipas karakteristikave që ka subjekti i cili duhet të fitojë”. Në këtë mënyrë subjekti i paracaktuar futet me çmim më të lartë se të tjerët sepse ka më shumë gjasa se do të fitojë, dhe fiton garën pothuaj me maksimumin e fondit limit”,-shprehet Xhiani.

“Një metodë tjetër është skualifikimi i subjekteve të pa dëshiruara me argumentin “nuk ka paraqitur dokumentet e duhura, ose mangësi në dokumenta”. Dhe ajo që është e pa drejtë këtu, për mendimin tim, është fakti që ndonjëherë skualifikohen subjekte të cilët kanë ofertë më të mirë teknike dhe financiare”,- thotë Xhiani duke shtuar,-“kjo mënyrë sjellje nga ana e autoriteteve kontraktuese ka bërë që të vritet gara e ndershme, dhe tenderat të përfundojnë në disa duar të caktuara, dhe me e keqja punët publike kryen nga subjekte të cilët nuk janë më të mirët e asaj fushe”.

Ndryshe nga Shqipëria, në Kosovë disa komuna kanë arritur të shfrytëzojnë kontratat më të hershme kornizë të lidhura me operatorë ekononikë, të cila vlejnë ende për këtë vit. Megjithatë, Gazetari ekonomik, Zikaj Shabani thotë për “Sinjalizo” se komunat kanë shpenzuar nga 3 mijë deri në 50 mijë euro për dekorimin e qyteteve të Kosovës.

“Vetëm kryeqyteti (Prishtina) për dekorimet e fundvitit sipas njoftimit të publikuar ka kontraktuar 35 mijë e 400 euro. Tenderi i është dhënë kompanisë “Finesë Design SH.P.K”,- thotë  Shabani.

Ndërkohë, Pano Soko thekson se në Shqipëri, për shkak të mungesës së mirëmbatjes së dekoreve rihapen tenderat për dekorim vit pas viti dhe kjo gjë mund të shmangej nga pushteti lokal

“Çdo bashki ka nevojat e saj të paplotësuara të cilat vijnë nga fakti që buxhetet e bashkive janë deficitare. Pra, në përgjegjësi bashkitë shqiptare janë deficitare prandaj kemi dhe këtë numër të lartë falimentesh bashkishë. Çdo mundësi për të kursyer fonde do të ishte jashtëzakonisht e leverdisshme për të gjitha institucionet, pra, për të gjitha bashkitë”,- përfundon Soko duke shtuar se rritja e deficitit të bashkive rrit vit pas vit dhe varësinë e tyre nga Qeveria, pasi kjo e fundit plotëson nevojat me anë të taksave qendrore.

 *flamur i kuq: është shënimi i vendosur për tenderat me problematika që lidhen me korrupsionin dhe mungesën e konkurrencës

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter