Zjarrfikësit e Tiranës, në “luftë”,  jo vetëm me flakët, por edhe me rrugët e ngushta

Në Kryeqytet zjarrfikësit përballen me sfida të mëdha, jo vetëm me flakët e furishme por edhe me rrugët e ngushta dhe të tejmbushura të qytetit. Këto rrugë të kufizuara dhe parkimi problematik shpesh herë vonojnë dhe kufizojnë ndërhyrjen e tyre të shpejtë dhe jetike, duke vështirësuar luftën kundër zjarreve dhe duke rrezikuar në mënyrë serioze sigurinë e qytetarëve dhe pronën e tyre.

Autor: Freard Rista

Pas më shumë se tri orësh betejë me flakët e mëdha, zjarrfikësit e Tiranës arritën ta shuanin zjarrin, që kaploi pallatin 10-katësh në rrugën Muhedin Llagani, më datë 14 shtator 2023. Zjarri, që nuk njohu kufi, duke u shpërndarë thuajse në të gjithë strukturën e godinës, rrezikoi seriozisht shembjen e saj. Ndërkohë, sot dhjetëra familje janë ende në qiell të hapur, pasi rikonstruktimi i brendshëm i godinës nuk ka përfunduar.

Pallati i djegur në rrugën Muhedin Llagani

Por, si dhe përse ky zjarr, një nga më të mëdhenjtë që ka ndodhur ndonjëherë në kryeqytet, nuk u shua në kohën e duhur, për të shmangur kështu dëmtimin e strukturës së pallatit, si dhe përhapjen e flakëve në shumë apartamente?

Sipas ekspertëve të Institutit të Ndërtimit, materiali “shkumë poliuretanike” i fasadës u bë shkak për përhapjen e zjarrit në pjesë të tjera të godinës, si dhe për riaktivizimin e vatrave, pasi është një material me bazë nafte. Mirëpo, a ishte kjo e vetmja arsye, që flakët zgjatën më shumë se tri orë?

“Në rastin e djegies së pallatit te zona e ish-Parkut të Autobusëve duhej të futej makina e madhe, auto-shkalla, por nuk e merrte dot kthesën. Ne aty premë pemë, hoqëm inerte, betona, se nuk futeshin dot mjetet”, – thotë Bledar Bajrami, kreu i Sindikatës së Zjarrfikësve.

Sapo bie alarmi në stacion, koha kthehet në elementin më të çmuar për efektivët, mirëpo në kryeqytet ata hasin vështirësi, sapo dalin nga dera e stacionit.

Mjetet zjarrfikëse në stacionin 21 Dhjetori, Tiranë

“Problemi më i madh për të shkuar në kohë në vendngjarje, është pengesa gjatë rrugës për të shkuar atje për shkak të trafikut të rënduar në Tiranë, që na ngadalëson”, – shprehet Saki Shehi, efektiv zjarrfikës me mbi 40 vite eksperiencë.

Për të edhe në ditët me më pak trafik mbërritja në vendngjarje në kohë rekord është e pamundur, për shkak të rrugëve të ngushta në zonat e banuara të Tiranës. Disa rrugë nuk i përmbushin standardet, ndërsa të tjerat ngushtohen artificialisht nga automjetet e parkuara.

“Ka disa zona në Tiranë, ku rrugët janë të ngushta, por edhe parkimet anës rrugës janë problem. Njerëzit lënë hapësirë vetëm për kalimin e veturës, nuk mendojnë për automjetet si zjarrfikësja”, – shprehet efektiv Shehi, i cili shton se, edhe kur duan të përdorin auto-shkallë për pozicionimin e makinës, hasin vështirësi, pasi shumë automjete parkojnë gabim.

“Në shumë raste i lëvizim me carro-attrezzo ose vjen policia, na ndihmon. Nga Rruga e Kavajës për te Myslym Shyri rrugicat janë problematike për parkimet, problem është tregu çam, Astiri; te pjesa e Selitës rrugët janë të ngushta, malore. Kemi pasur raste, që kemi hasur vështirësi aty, në drejtimin e makinës”, – thotë ai, duke shtuar se qytetarët janë të papërgjegjshëm për këtë pjesë.

Nga ana tjetër, për profesorin e urbanistikës, Gent Kaprata, problemi nuk qëndron te “qytetarët e papërgjegjshëm“, më shumë sesa qëndron te vetë Bashkia e Tiranës.

“Njerëzit nuk mund t’i fusin makinat në xhep, duhet të mendonte bashkia për këtë pjesë. Kur nuk ke vend për të sistemuar automjetet e qytetarëve, pse jep leje ndërtimi? Makinat nuk u shpikën sot, ka vite. Qyteti është kompleks, përfshirë dhe makinat. Nuk mund t’i heqim makinat me ligj ne dhe të kalojnë zjarrfikëset lehtë”,shprehet zoti Kaprata, duke theksuar se kjo nuk është një zgjidhje, por zgjidhja është tek urbanistika, ku bashkia duhet të bëjë një plan të përgjithshëm, territorial, vendor dhe të zgjidhë akset kryesore të qytetit, si dhe të përcaktojë në çdo njësi banimi disa kushtëzime urbane, që, kur të bëhet plani i detajuar, vendor, zjarrfikësja të mund të aksesojë lehtësisht.

“Tirana ka vetëm një Plan të Përgjithshëm Vendor Territorial, dhe më pas ky plan ndahet në Njësi Strukturore Urbane, për të cilat bëhen Planet e Detajuara Vendore. Për sa kohë kjo njësi është e banueshme, duhet të ishte zgjidhur edhe puna e zjarrfikëseve, duhet të hyjë zjarrfikësja patjetër. Fakti që nuk hyn në një rrugë lagjeje, pra njësie strukturore, tregon që nuk është marrë parasysh”, – thotë ai, duke shtuar se, një rrugë duhet të ishte minimalisht 4 metra e gjerë dhe e lartë, nëse është e mbyllur, të paktën 5.5 metra, që të mund të futet një zjarrfikëse. Për zotin Kaprata kjo çështje duhet të ishte zgjidhur vite më parë.

Fenomeni i bllokimit artificial të rrugëve nga mjetet e parkuara në një apo në të dy krahët për drejtorin e Shërbimit Zjarrfikës të Tiranës, Shkëlqim Goxhaj, nuk është një problem, ndërsa thotë se kanë paraqitur ankesa në Bashkinë e Tiranës, duke ia lënë “topin” Policisë Bashkiake për rregullimin e parkimeve në kryeqytet.

“Ne bëjmë analizë çdo vit, ua çojmë institucioneve, bashkisë, e bashkia më pas ministrisë. Për parkimet hasim vështirësi, por nuk e konsiderojmë problem serioz, është problem i Policisë Bashkiake, ne e gjejmë zgjidhjen. Nuk është se ndonjë rast parkimi i gabuar na bën të mos shkojmë në rastin e zjarrit”, – shprehet zoti Goxhaj, duke shtuar se në kryeqytet ka rrugë, ku hasin vështirësi, siç është zona te tregu çam dhe ajo midis Rrugës së Kavajës dhe rrugës Myslym Shyri, ku, sa herë ka ngjarje në këto zona, nisen automjete më të vogla, zjarrfikëse.

“Kemi pasur disa raste zjarri, aty ku disa herë na është dashur të shtrojmë linja shumë të gjata, për të arritur në vendin e ngjarjes. Problem kemi në blloqet e banimit në zonën e Unazës së Re. Na kërkohet që të lëvizim edhe mjetet, sidomos gjatë natës. Por, nëse nuk i lëvizim dot mjetet, shtrojmë më shumë linjë. Është zero rasti, që shërbimi zjarrfikës të mos afrohet te rasti nga trafiku, nga rruga e ngushtë apo nga parkimet. Hasim vështirësi, po, por e gjejmë zgjidhjen. Linjat, tubat, që shtrojmë, janë deri në 100 metra”, – përfundon ai.

Zhvendosja e automjeteve apo procesi i shtrimit të linjave, i cili për efektivin Saki Shehi nuk ka vlerë në distanca të largëta, sepse bie presioni i ujit, përkthehet në kohë, e cila favorizon zjarrin dhe është në dëm të qytetarit.

Sipas Ligjit 152/2015 “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”, raporti duhet të jetë 1 zjarrfikës për 1.500-2.000 banorë. Referuar të dhënave të fundit të vitit 2021, në Bashkinë e Tiranës jetojnë 685 mijë banorë (të regjistruar), çka do të thotë se në kryeqytet duhet të operonin mbi 340 efektivë zjarrfikës, ndërkohë janë vetëm 166. Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi pranë Ministrisë së Brendshme sqaron se, po punohet, që numri i efektivëve të shërbimit zjarrfikës të rritet vit pas viti, ndërsa shpjegon se përgjegjësinë për shtimin e burimeve njerëzore e ka vetë bashkia.

Përgjigje zyrtare nga DPMZSH

Për drejtorin Goxhaj numri 340 efektivë për shërbimin zjarrfikës të Tiranës është i panevojshëm, ndërsa pretendon se shtimi nga 166 në 200 efektivë, rritja e kushteve të punës apo zëvendësimi i mjeteve të vjetra, zjarrfikëse me ato të reja, do të luajë një rol thelbësor në eficiencën e veprimeve nga trupat zjarrfikëse.

Mjet zjarrfikës, stacioni 21 Dhjetori, Tiranë

“Në Tiranë mjaftojnë 200 trupa. Kam bërë një kërkesë në bashki, që të shtohet numri. Sa i takon veshjeve dhe pajisjeve, jemi mbrapa, nuk kemi veshje të prodhuara për Tiranën, uniforma zjarri. Ne shpërndajmë për rrethet me anë të donacioneve, por për Tiranën nuk kemi. Po punojmë që të kemi edhe uniformën tonë të zjarrit. Mjetet i qarkullojmë me vështirësi, me donacione më shumë. Çfarë na është dashur më shumë, janë kompresorët e ajrit, që mbushim bombolat, që të futen njerëzit, që të shuajnë zjarrin”, – thotë kreu i zjarrfikësve të Tiranës, duke bërë kështu një pasqyrë të gjendjes së infrastrukturës dhe të mjeteve që ky sektor ka në dispozicion në qytetin më të madh të vendit. Ai gjithashtu shton se edhe për pagat iu është premtuar, por janë në diskutime për rregullimin e pagës së punonjësve.

“Në Tiranë jemi të persekutuar, paga është në bazë të gradës, janë me gradë minimale, asistentë, të cilëve iu duhen 5 vite, që të quhen zjarrfikës dhe kanë pagën më të ulët në Republikën e Shqipërisë”,shprehet ai.

Për profesor Kapratën, edhe nëse plotësohen nevojat e sipërpërmendura, fikja e zjarrit në kohën e duhur do të mbetet sërish problem në pjesën dërrmuese të kryeqytetit, për sa kohë nuk do të ndërhyhet në planin vendor të Tiranës.

“Tirana është bërë shumë e madhe. Mendoj që stacionet duhen shtuar, si dhe të shpërndahen në mënyrë harmonike, që të jetë më i lehtë aksesimi në vendngjarje, gjë që mund të bëhet; edhe numri i zjarrfikësve shtohet, edhe mjetet gjenden, por, nëse nuk ndërhyhet në rrugët e Tiranës, prapë do ta kenë të vështirë nga ana urbanistike”, – shprehet profesori i urbanistikës, i cili shton se, “edhe mjetet e zjarrfikëseve do të ndërrohen, të rejat janë më të mëdha dhe do bëhet edhe më e vështirë. Në Amerikë po zgjerohen rrugët. Rrugët e Tiranës janë projektuar jo për 400 mijë makina dhe 1 milion njerëz. Po shtohet popullsia dhe automjetet, ndërsa rrugët mbeten të njëjta dhe sigurisht aksesimi është problem, sidomos për mjetet e zjarrfikëseve”,përfundon ai, duke shtuar se zgjidhja e vetme është planifikimi.

Shifrat zyrtare, të përditësuara më datë 30 shtator 2023 nga DPSHTRR, flasin për 264.311 automjete të regjistruara në Bashkinë e Tiranës, ndërsa vendet e parkimit për rezidentët janë vetëm 5.879, ato të rezervuara për jo-rezidentët janë 4378.2223 dhe janë me pagesë, ndërsa Tirana Parking administron 9.696 vende parkimi; në total 22.176, pra 8.4% e numrit total të mjeteve të regjistruara. Një pjesë e mjeteve parkohen në katet e nëndheshme të godinave të banimit, po pjesa tjetër?

Ku të munden, duke u kthyer në problem real për mjetet e emergjencave, kryesisht zjarrfikëse, për shkak të përmasave të tyre.

Mjet zjarrfikës, auto-shkallë, stacioni 21 Dhjetori, Tiranë

Mjetet zjarrfikëse në varësi të llojit dhe të funksionit kanë përmasa që nisin nga 2.2 metra deri në 6 metra gjerësi (kur hapen këmbët e auto-shkallës); janë të larta mbi 3 metra dhe me gjatësi nga 7.2 metra deri në 12 metra.

Gjerësia minimale e një mjeti zjarrfikës, stacioni 21 Dhjetori, Tiranë

Sipas profesor Kapratës, që një mjet zjarrfikës të aksesojë lehtësisht, një rrugë duhet të jetë e gjerë 4 metra, ndërsa për ekspertët e Bashkisë së Tiranës është e mjaftueshme gjerësia 3.5 metra. Sipas Bashkisë së Tiranës, problematikë është vetëm rruga e tregut çam.

Rruga pranë tregut çam

Në foto shihet qartë se në këtë rrugë, pas tregut çam, e cila është lidhëse për disa godina banimi, vështirësi në aksesim has edhe një mjet furgon, me përmasa më të vogla se një zjarrfikëse.

Mirëpo, a është zona e tregut çam e vetmja zonë problematike për aksesimin e mjeteve zjarrfikëse në Tiranë për shkak të parkimit pa rregulla në rrugët e blloqeve të banimit?

Kjo rrugë, e cila ndodhet pas shkollës së mesme “Besnik Sykja”, është më e ngushtë edhe se sa gjerësia minimale e një mjeti zjarrfikës. Ngushtimi artificial ka ardhur si pasojë e parkimit të mjeteve në krahun e djathtë të rrugës.

E njëjta problematikë vërehet edhe në këtë rrugë, e cila ndodhet përballë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, në zonën e Myslym Shyrit.

Në rrugën Xhoxhi Martini, në vetëm 1.73 metra gjerësi, mund të aksesojnë vetëm këmbësorët apo moto-mjetet, duke u kthyer në një rrugë të pakalueshme, jo vetëm për mjetet e emergjencës, por edhe për veturat e thjeshta.

Rruga Jeta

Ndërkohë, rruga Jeta në zonën e Astirit është totalisht e pakalueshme, për shkak të bllokimit të hyrjes nga mjetet e banorëve të zonës.

Për këto problematika të identifikuara në shkrim, ACQJ iu drejtua për një reagim Bashkisë së Tiranës, e cila u shpreh: “Për problematikën e shtruar, e cila është evidentuar edhe nga vetë ne, por edhe nga strukturat e shërbimit zjarrfikës, si një problematikë e hasur, është kërkuar sensibilizimi i opinionit publik për të respektuar rregullat e qarkullimit rrugor”.

Deri në ndërgjegjësimin e disa qindra-mijëra qytetarëve sa i takon parkimit të automjeteve në një qytet, ku hapësira është e limituar, mjetet do të parkohen, ku të kenë mundësi parkimi të zotët e tyre, ndërsa zjarrfikësit, përpara se të nisin “luftën” me flakët, do duhet të fitojnë “betejën” me rrugët e ngushta të Tiranës.

Ky shkrim është pjesë e projektit Laboratori i Gazetarisë Investigative, që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter