Autore: Ina Allkanjari
Pavarësisht një vendimi të Këshillit Bashkiak katër vite më parë për heqjen e depozitave nga tarracat e pallateve në kryeqytet, Tirana e 2024-ws vijon të përballet me këtë sfidë urbane. Ndryshe nga kryeqytetet e tjera europiane ku zhvillimi urban ka eleminuar në masë të madhe struktura të tilla, tarracat e godinave janë ende të mbushur me këto shtesa potencialisht të rrezikshme.
Depozitat e ujit të cilat janë vendosur në tarracat e pallateve vijojnë të jenë prezente edhe sot. Ato rrezikojnë seriozisht jetët e banorëve, për shkak të peshës së tyre, por edhe amortizimit, pasi dëmtojnë konstruksionin mbajtës të tarracave.
Aksioni për heqjen e tyre prek mbi 1500 pallate të ndërtuara para viteve ‘90 në Tiranë. Por ashtu siç paralajmëroi edhe Kryetari i Bashkisë Tiranë, aksioni për heqjen e tyre nisi nga Kombinati, ku qindra depozita u hoqën nga pallatet e shpallura të pabanueshme.
“I hoqem depozitat pas tërmetit duke qenë se na thanë që kanë rrezikshmeri, prej atëherë uji na vjen me orar”, thotë për Sinjalizo Bujari banor i zonës së Kombinatit, i cili mes të tjerash pranon vështirësitë që has familja e tij për shkak të kufizimit të orareve të ujit.
“Ne i hoqëm depozitat se kishim frike pas tërmetit, por nuk gjetëm zgjidhje me banorët e tjerë për t’i vendosur prap, qoftë edhe në hyrjen e pallatit. Tani vuajmë për ujë, na vjen me orar, bashkëshortja detyrohet të bëjë shumë punë shtëpie në varësi të orës kur vjen uji”, thotë Bujari.
Uji me orar të kufizuar është një problematikë që shtrihet në zona të ndryshme të kryeqytetit. Ana, banore në zonën e Xhamlliku tregon se jeton së bashku me famijen e saj në një pallat të ndërtuar përpara viteve ‘90.
“Unë jetoj me qera në këtë apartament dhe nuk e di se pse nuk e kanë zgjidhur ende problemin me depozitat, pasi vazhdojnë të jenë në tarracën e pallatit. Por edhe pse kemi depozita, nuk kemi pompë për ujin dhe uji na vjen me orar. Ne kemi ujë në mëngjes në orën 06:00-08:00, në drek 11:00-14:00 dhe mbasdite në orarin 18:00-21:00”, thotë Ana e cila thekson se përveç furnizimit me ujë me kufizime në orar, ky ujë nuk pihet.
“Ne paguajmë çdo muaj faturën për ujë të pijshëm, pëveç se na vjen me orar, ai as nuk mund të konsumohet. Ka shumë klor dhe duket i papastër. Unë kam dhe një fëmijë të vogël dhe nuk e përdorim për të pirë, por detyrohem ta përdor të paktën për gatim pasi nuk e përballoj dot ekonomikisht që të blej dhe ujin për gatim”, thotë Ana.
Një tjetër problematik mbetet mungesa e hapësirave përreth pallateve për të vendosur depozitat. Sipas Vendimit të Këshillit Bashkiak depozitat duhet të hiqen nga vetë banorët në bashkëpunim me administratorët. Gjatë verifikimit në terren, banorë të zonës së Qytetit të Studentit të cilët jetojnë në pallate të ndërtuara para viteve ‘90 dhe vendosja e depozitave në tarracat e tyre mund të sjellë rreziqe, tregojnë për Sinjalizo që pavarësisht rrezikut zgjidhja e ofruar për spostimit e depozitave shoqërohej me kosto ekonomike.
“Për të vendosur depozitën e madhe të përbashkët në hyrje të pallatit na kërkuan nga 20 mijë lekë të reja për familje. Disa familje pranuan, disa të tjera jo pasi nuk kemi lekë që të paguajme për ujin me faturë, për depozitat dhe ndërkohë dhe për ujin e pijshëm që e blejmë”, thotë Olgersa K.
Depozitat në pallate rrezik për jetën e banorëve
Përballja me rrezikun e depozitave të vendosura në tarracat e pallateve të vjetra në Tiranë është një çështje e cila përbën problem edhe për inxhinierët të cilët ngrejnë shqetësimin e dëmtimit të strukturës së këtyre pallateve duke sjell një rrezik të vazhdueshëm për sigurinë e banorëve. Inxhinierja Luljeta Bozo thekson se depozitat janë të rrezikshme për shkak të një mbingarkese potenciale, sidomos pas tërmetit të vitit 2019.
“Patjetër që janë të rrezikshme edhe për efekt të tërmetit edhe për efekt të një mbingarkese sepse ato janë zakonisht pallate të vjetra të cilat kanë qenë me tarraca të pashfrytëzueshme të cilat e kanë ngarkesën mbi tarracë 75 kg për metër katrorë. Ato kanë shumë më tepër, kështu që janë të mbingarkuara dhe paraqesin rrezik edhe pa tërmet”, thotë Bozo.
Inxhinierja thekson se vlerësimi i tarracave të këtyre pallate për qëndrueshmërinë bëhet me grup inxhinierësh të cilët shikojnë njëherë në çfarë gjendje është godina, sa është e amortizuar, sa është ulur aftësia mbajtëse e materialeve.
Ndërkohë sipas kryetarit të shoqatës së administratorëve të pallateve Adem Cemurati, kjo problematikë është lënë në harresë pas tërmetit të 2019-ës.
“Disa kontrolle dhe hartimi i raporteve nga inxinierët për të verifikuar nëse këto pallate mund të mbajnë peshën e depzitave janë realizuar që në kohën e tërmetit, por më pas nuk ka pasur të njëjtën vëmendje. Siç ndodh zakonisht në Shqipëri, kur ndodh problem çohen të gjithë në këmbe, sa kalon problemi bien të gjithë në qetësi”, thotë Cemurati.
Sipas tij, kosto që mbart spostimi i depozitave është një ndër arsyet pse nuk është dhënë një zgjidhje pasi nuk gjendet dakordësia mes banorëve për të bërë pagesën.
Luljeta Bozo thotë se zgjidhja për këtë problem është pikërisht spostimi i depozitave në katet e nëndheshme ose në hyrjet e pallateve deri sa kryeqyteti të mund të furnizohet 24 orë me ujë.
“Zgjidhje kanë dhënë që t’i zbresim poshtë për të mos qenë të rrezikuar si nga tërmeti, si nga qendrueshmëria e godinës. Gjithashtu krijohen kushte shumë të këqija për banorët që jetojnë në katet e fundit të pallateve, të cilëve ju është prishur cilësia e jetës pasi brenda në shtëpi krijohet lagështi dhe myk pasi nuk respektohen as rregullat teknike. Ka shumë raste të tilla në Tiranë që ankohen por nuk e zgjidhin dot pasi banori vetë nuk e zgjidh dot”, thotë Bozo.
Sipas Adem Cemuratit ankesat që u drejtohen më së shumti institucioneve nga banorët kanë të bëjnë pikërisht me lagështinë që këto depozita shkaktojnë në katet e fundit të pallateve.
“Banorët më shumë problemin e kanë te lagështia që shkaktojnë këto depozita në katet e fundit sesa te qëndrushmëria. Banorët e kateve të fundit e vuajnë një gjë të tillë ndaj dhe herë pas herë mund ti drejtohen me ankesa institucioneve”, thotë kryetari i shoqatës së administratorëve të pallateve.
Cilësia e ujit të pijshëm dhe dezinfektimi i depozitave
Cilësia e ujit të pijshëm të rrjetit ujësjellës që furnizon familjet në kryeqytet është një shqetësim i ngritur herë pas here nga ekspertë të ndryshëm. Bilbil Daci, studiues për pastrimin dhe furnizimin me ujë, tregon për Sinjalizo se cilësia e ujit në vendin tonë është i pasigurtë, duke theksuar që uji është i pakontrolluar ndonëse behën analizat.
“Uji është i ndotur nga klori që hidhet pa kriter dhe jashtë standarteve të lejuara. Klori që përdroret për dezinfektim dëmton shëndetin e konsumatorit jo vetëm kur e pijmë por edhe kur lahemi. Dëmton të gjithë sistemet jetësore të njeriut, sistemin imunitar, kardiovaskular, nervor etj. Uji i rrjetit është me ndotje bakteriale, mikrobe dhe viruse”, thotë Daçi.
Ai ndalet edhe te depozitat duke treguar se edhe nëse bëhet pastrimi i tyre, uji që furnizon ato është i papastër, për në rastet kur uji vjen brenda standartit, koha e gjatë e qëndrimit dhe temperatura ndikojnë në cilësinë ujit. Sipas tij në depozitat e ujit rritet ndotja bakteriale, mikrobike dhe virusale.
Luljeta Bozo gjithashtu ngre shqetësimin rreth konsumimit të ujit nga depozitat, duke i konsideruar anti-higjenike.
“Depozitat janë anti-higjenike, është shumë e dëmshme të përdorësh ujin e mbetur, por kur nuk ke ujësjellësin që të sjellë ujë 24 orë, je i detyruar të vendosësh depozitë,” thotë Bozo.
Kryetari i shoqates se administratoreve te pallateve, Adem Cemurati ndalet te vjetërsia dhe amortizimi i depozitave të vendosura në tarracat e pallateve.
“Këto depozita janë shumë të amortizuara shumë të vjetra pasi përdoren mbi 10-15 vite, gjithashtu ka edhe shumë raste që nuk mirëmbahen, nuk pastrohen sidomos te ato pallate që nuk kanë administrator. Ka shumë pallate të vjetra të ndërtuara para viteve 90’ të cilat janë pa administrator”, tregon Cemurati.
Sipas epidemiologut Ilir Alimehmeti, nuk mund të pretendohet pastrimi i depozitës kur kemi ujin që në origjinë të papastër.
“Fuçia është terminali, është fundi, ndërkohë që nga çfarë bëhet pis fuçia nga brënda, nga uji që vjen nga rrjetet. Uji që vjen nga rrjeti është i pa pijshëm. Gastroenteritat janë gjëja më e shpejt që shkaktohet nga konsumimi i ujit, gjëja më e thjesht, nëse ka mikroorganizma brenda. Nëse ka dhe lënd kimike, në varësi nga lëndët kimike përkatëse, prandaj duhen bërë analizat”, thote Alimehmeti për Sinjalizo teksa thekson se nga analizat e kryera të ujrave në zona të ndryshme rezulton se ka zona me nivele të larta të kontaminimit.
Epidemiologu ndalet te sëmundjet që mund të shkaktojë konsumimi i ujit të pijshëm nëse përmban elementë të dëmshëm për trupin e njeriut.
“Qytetarët janë të ekspozuar ndaj çdo lloj sëmundjeje që mund të vij qoftë nga ana mikrobiologjike, pra infeksionet, qoftë nga ana toksike që do të thotë lëndë kimike të cilat shkaktojnë sëmundje nga më të ndryshmet me kalimin e kohës. Këshilla është mos konsumimi i këtij uji, sepse nuk është i pijshëm”, thotë Alimehmeti.
Dezinfektimi i depozitave duhet bërë dy herë në vit, sipas kryetarit të shoqatës së administratorëve të pallateve, por Adem Cemurati tregon se nuk ka rezultate dhe të dhëna nëse realisht bëhet pastrimi i tyre.
“Një rast konkret i mos dezinfektimit të depozitës për vite me rradhë është i pallatit ku unë banoj i cili është ndërtuar në vitin 2000. Deri në vitin 2017 nuk ishte pastruar asnjëherë depozita kolektiva”, thotë Cemurati.
Furnizim me ujë me orar të kufizuar
Në një realitet ku depozitat ende mbeten në vend, banorët e zonave të ndryshme në kryeqytet janë të detyruar të përshtaten me orare të kufizuara të furnizimin me ujë. Në raportin e performancës së ERRU theksohet se mungesa e furnizimit të vazhdueshëm, pavarësisht shkaqeve ndikon edhe në cilësinë e ujit të pijshëm, që lidhet dhe me rrezikun e cënimit të shëndetit të popullates. Sipas raportit të Entit Rregullator të Ujit, kryeqyteti nuk ka asnjë përmirësimë përsa i përket orarit të furnizimit me ujë nga viti 2021 në vitin 2022, ku tregon se furnizimi është 17 orë në ditë.
Inixhinierja Luljeta Bozo tregon se ndonëse ka pasur angazhim në përmirësimit e rrjetit të furnizimit me ujë në kryeqytet, Tirana njëkohësisht është përballur me trefishim të popullsisë përgjatë viteve të fundit.
“Depozitat janë vënë nga halli sepse Tirana ka një rrjet të furnizimit me ujë i cili po modernizohet dhe po përmirësohet por kryeqyteti është trefishuar. Ne kemi pasur një rrjet ujësjellësi që furnizonte me ujë një qytet me maksimumi 300 mijë banorë, tani është bërë gati 1 milion banorë, është trefishë. Nuk mund të zgjidhet menjëherë, Tirana u zmadhuar shumë për një periudhë 10 vjeçare dhe ndërhyrjet nuk mund të bëhen dot kaq shpejt”, thotë Bozo.
Problematika e depozitave në tarracat e pallateve në Tiranë është një sfidë serioze për banorët. Edhe pas katër vitesh nga vendimi për heqjen e tyre, kjo dukuri vazhdon të jetë prezente duke prekur jetën e përditshme të qytetarëve. Rreziku për sigurinë e banorëve është i pranishëm, dhe amortizimi i depozitave në tarraca rrit shqetësimet për qëndrueshmërinë e pallateve.
Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/