Tranzicioni i gjelbër, mundësi për punësim

Në garën drejt një të ardhmeje më të gjelbër, Ballkani Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, po përfiton nga fuqia transformuese e investimeve në energjinë e rinovueshme, jo vetëm si një sfidë, por edhe si një mundësi për krijimin e vendeve të reja të punës. Kjo iniciativë kërkon një ndryshim revolucionar në programet arsimore dhe trajnime profesionale, duke nënvizuar nevojën urgjente për një fuqi punëtore të zotë në sektorin në zhvillim të gjelbërt.

Autore: Ola Mitre

Tranzicioni i gjelbër dhe investimet në energji të rinovueshme nuk janë vetëm sfidë, por edhe mundësi që duhet të shfytëzohen nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë. Kjo në drejtim të hapjes së vendeve të punës e në këtë kuadër është e nevojshme rritja e aftësive profesionale. Gjatë konferencës me temë “Edu-Energy: Ndërtimi i urave për mësim mbi energjinë e qëndrueshme” ekspertë shqiptarë, nga rajoni, por edhe më gjerë theksuan nevojën për promovimin e aftësive të reja, që i përgjigjen tregut të punës.

“Tranzicioni i gjelbër dhe burimet e rinovueshme të energjisë janë diçka që kërkon vendime strategjike të aktorëve të ndryshëm në nivelin më të lartë dhe duke thënë këtë, sistemi arsimor duhet të përshtatet, me rrethanat kombëtare dhe rajonale me qëllim që të përmbushë kërkesën në tregun e punës. Këtu duhet të përfshihen të gjithë politikbërësit, kompanitë, sektori i biznesit. Duhet të kemi parasysh se transformimi i gjelbër nënkupton dhe transformimin shoqëror”, – tha Tina Saric, drejtore e Iniciativës për Reformën e Arsimit të Evropës Juglindore, ERI SEE.

“Më shumë se 40 mln vende pune janë hapur në fushën e energjisë së rinovueshme dhe mendojmë se në të ardhmen do të kemi akoma më shumë vende të reja pune në këtë sektor. Prandaj, tregu i punës duhet t’i përgjigjet rritjes së nevojave. Kjo kërkon edhe programe për zhvillimin e aftësive”, – tha Ergi Bregasi nga GIZ Shqipëri.  

Ekspertët: Ka nevojë për programe arsimimi dhe kualifikimi professional

Gjatë konferencën u theksua se pas vitit 2022 në vendet e Ballkanit Perëndimor është vënë re një tendencë në rritje e projekteve në energji të rinovueshme, që konsiderohen si magnet për të tërhequr investime të huaja, por sipas ekspertëve këto iniciativa mund të dështojnë për shkak të mungesës së profesionistëve të kualifikuar.

“Gjëja më e rëndësishme është arsimi. Kur përpiqemi të përcaktojmë se përse kanë dështuar disa iniciativa, përse nuk kanë patur një ndikim të mirë, gjithçka kishte të bënte me kapacitetet. Kapaciteti është një problem i madh në Ballkanin Perëndimor dhe kur them kapacitet po flas këtu për tre elemente: Arsimi, pra nuk kemi arsim të mjaftueshëm për të zbatuar dekarbonizimin, nuk kemi aftësi dhe nuk kemi procedura”, – tha Vedad Suljic nga Qendra për Ekonomi, Teknologji dhe Zhvillimi i Mjedisit – CETEOR.

Sipas drejtores së Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, Ejvis Gishti, vendi ynë po bën përpjekje për të përshtatur kurset profesionale me tregun e punës, në kuadër të politikave për diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë.

“Kemi filluar të përcaktojmë kualifikime të reja për të cilat kemi rëndë dakord. Këto kualifikime kanë të bëjnë me teknikun e lartë për burimet e rinovueshme të energjisë. Gjithashtu do të fokusohemi në energjinë diellore dhe në energjinë e erës”, – tha Ejvis Gishti, drejtore e Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve në Shqipëri.

Konferenca ndërkombëtare u organizua nga Iniciativa për Reformën e Arsimit të Evropës Juglindore, në bashkëpunim me GIZ. Në të morën pjesë palë të interesuara nga sektorët e arsimit dhe energjisë, duke përfshirë politikëbërësit, ministritë dhe agjencitë përkatëse, ekspertë në zbatimin e agjendës së gjelbër, zhvillimin e arsimit dhe qëndrueshmërinë sociale, sipërmarrësit, profesionistët e sektorit privat që përmirësojnë aftësitë, kompanitë, etj.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter