Aksidentet në punë: “Prilli i thyer” i punëtorëve!

Autore: Dallandyshe Xhaferri

Në muajin prill, atëherë kur natyra tregon se pas dimrit rilind jeta, tre punonjës në Shqipëri gjetën vdekjen si pasojë e aksidenteve në vendin e punës.

S.B ishte një prej punëtorëve të shumtë, të cilët çdo ditë luajnë një rol të rëndësishëm në krijimin e një Tirane të re, në dukje një qytet evropian, por skelat e ambicieve të saj janë të mbushura me rreziqe që kushtojnë jetë.

Për shkak të një aksidenti të ndodhur rreth orës 9 të mëngjesit në një kantier ndërtimi në Kodrën e Diellit, 55-vjeçari humbi jetën 4 orë më pas për shkak të dëmtimeve të marra. Por ky nuk është i vetmi rast me pasoja fatale për shkak të aksidenteve në punë.

Dy punonjës të tjerë në mesmoshë humbën jetën pas aksidentimit në vendin e punës; një 40-vjeçar u aksidentua në fabrikën e tullave në Maminas dhe më pas një 56-vjeçar i cili punonte në një firmë për shpërndarjen e pijeve alkoolike.

Gjatë vitit të kaluar, 2023 janë klasifikuar dhe vërtetuar si aksidente në vendin e punës nga Inspektoriati Shpetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSHSH) 168 raste, 30 prej të cilave rezultuan me humbje jete për punëmarrësit.

Në 2022 numri i punonjësve të aksidentuar dhe atyre që kanë humbur jetën si pasojë e dëmtimeve të marra ka qenë më i lartë.  32 punonjës prej 194 të aksidentuarve në vendin e punë kanë humbur jetën.

Të dhënat zyrtare nga raporti i ISHPSHSH-së

Për shkak të ekspozimit ndaj vështirësive, sektori i ndërtimit përfshihet në aktivitetet me nivele të larta të riskut. Arsyeja kryesore e aksidenteve në vendin e punës lidhet me moszbatimin e rregullave të sigurimit dhe shëndetit në punë. Në të dhënat zyrtare ISHPSHSH-ja specifikohet se në fushën e ndërtimit aksidentet vijnë si pasojë e rënies nga lartësitë.

Punëmarrës që ankohen më shumë

Renato Muçaj, kreu i Sindikatës së Punonjësve të Postë – One Shqiptar, thotë për “Sinjalizo” se edhe për punonjësit e terrenit të këtij sektori nuk kanë munguar rastet e aksidentimit në punë, ndonëse dëmtimet kanë qenë të lehta.

“Kemi pasur dy-tre raste me dëmtime të lehta dhe kanë qenë raste të punonjësve që punojnë në terren, që janë teknikët e rrjetit të telefonit”,- tregon Muçaj duke shtuar se ndonjëherë janë vetë punëmarrësit të cilët neglizhojnë rregullat e sigurimit teknik.

Renato Muçaj, kreu i Sindikatës së Punonjësve të Postë – One Shqiptar

“Ndonjëherë edhe ata vetë neglizhojnë respektimin e sigurimit teknik, sepse kur hipën një person në shkallë duhet të jetë një tjetër që ta mbajë, duhet të punojnë dy veta kur janë në lartësi”,-  thotë  Muçaj, i cili shton se kompanitë përpiqen t’i zgjidhin çështjet e tilla drejtpërdrejt me punëmarrësin e dëmtuar duke i premtuar trajtim për dëmtimet e marra dhe pagesë shtesë.

Kjo marrëveshje e drejtpërdrejtë midis të dyja palëve anashkalon rolin e Inspektoriatit të Punës, i cili ndër të tjera ka si mision edhe kontrollimin, konstatimin, zbutjen e konflikteve dhe garantimin e respektimit të kërkesave ligjore në fushën e legjislacionit të punës dhe të atij të shërbimeve shoqërore.

Sipas të dhënave të marra nga “Sinjalizo” prej ISHPSHSH-së rezulton se në tre vitet e fundit është rritur numri i punëmarrësve, të cilët për mosrespektimin e të drejtave të ndryshme në vendin e punës janë ankuar për punëdhënësin pranë këtij institucioni.

Sipas të dhënave që ky institucion ka vendosur në dipozicion të “Sinjalizo” rezulton se nga punëmarrësit janë depozituar gjatë vitit 2021 dhe 2022-shit  1 609 ankesa për punëdhënësit. Pjesa më e madhe e këtyre ankesave janë cilësuar si “të mirëfillta”. Konkretisht, u cilësuan si të tilla pas inspektimit  1 324 ankesa.

Shumica e ankesave janë depozituar nga punëmarrësit, të cilët ankimonin mosnjoftimin e aksidenteve në vendin e punës, mospagesën nga ana e punëdhënsit të pagave të prapambetura, mospagimin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore etj.

Për vitin 2023, numri më i madh i subjekteve të inspektuara nga ISHPSHSH-ja i përkasin rajonit të Tiranës. Numri më i lartë i ankesave të depozituara nga punëmarrësit lidhen me kompanitë që ushtrojnë veprimtarinë ekonomike në këtë rajon duke përbërë 75% të totalit të inspektim-ankesave.

“Gjatë 2023 ky rajon rezulton në këtë tregues me rritje me 16 inspektime më shumë se në vitin 2022, tregues që lidhet me faktin e përqëndrimit të lartë të bizneseve që zhvillojnë aktivitetin ekonomik në këtë rajon dhe për një ndërgjegjësim më të lartë të punonjësve të punësuar në këto subjekte për të adresuar shqetësimet e tyre për zgjidhje”,- shkruan ISHPSHSH-ja në një raport të publikuar në faqen zyrtare për vitin 2023, gjatë të cilit janë depozituar 800 ankesa dhe kërkesa pranë këtij institucioni.

Ndërkohë, Muçaj thekson se kompanitë të cilat kanë më shumë se 50 punonjës kanë detyrim ligjor ngritjen e Këshillit të Sigurimit të Shëndetit në Punë, i cili është një instrument që funksionon në aspekt formal, ndërkohë që në anën praktike mbete ende punë për t’u bërë. Një arsye se përse ky organizim nuk fuksionon në vend, sipas Muçajt lidhet me faktin se gjithçka realizohet në mënyrë vullnetare.

“Këshilli i Sigurimit të Shëndetit në Punë është një element që funksionon, por jo në 100 përqindëshin e tij, pasi ka raste që bëhen dhe formalisht gjërat. Procesverbalet bëhen të rregullta, sepse është një nga kushtet e Inspektoriatit të Punës kur vjen për kontroll”,- thotë Muçaj në “Sinjalizo”, duke nënvizuar se në të ngrihen çështje të cilat lidhen me sigurinë e godinave, shkallëve të emergjencës dhe realizohen testimet e evakuimit në rastet e zjarrit.

Shqipëria, evropiane në ligje por jo në zbatim

Prej vitit 2010 Shqipëria ka të miratuar një ligj të ri për sigurimin e shëndetit në punë mbështetur në direktivat e Bashkimit Evropinë, që synojnë parandalimin e riskut, vlerësimin e riskut në punë duke pasur parasysh të gjitha aspektet e punës. Gjithashtu, Shqipëria është mbështetur me asistencë teknike nga ILO (Organizata Ndërkombëtare e Punës) për të hartuar dokumentin Politik dhe Planin e Veprimit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë për vitet 2016-2020.

Frosina Gjino, drejtoreshë e Qendrës Shqiptare të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë(AOSHC), thotë për “Sinjalizo”  pavarësisht se situata e sigurisë së punëmarrësve shqiptarë ka ndryshuar në krahasim me periudhën përpara vitit 2010, sërish zbatimi i legjislacionit shqiptarë has vështirësi.

Sipas saj, pasja e ligjeve të përafërta me vendet e zhvilluara, ndihmon në përmirësimin e situatës së punonjësve shqiptarë, por nuk mund të jetë efektiv nëse nuk njihet nga punëmarrësit dhe punëdhënësit. Këta të fundit duhet të mësojnë më shumë rreth të drejtave dhe detyrimeve të secilës palë.

“Përderisa legjislacionet janë pothuajse të njejta edhe zbatimi duhet të jetë njësoj”,- thekson Gjino duke vazhduar,-“sepse marrëdhëniet e punë janë kontratë. Ashtu siç punëmarrësi e ka për detyrë të zbatojë kontratën në drejtim të punës, ashtu ka dhe të drejtat e tij në kontratë”.

Drejtoresha e AOSHC tregon se krahas punonjësve në sektorin e ndërtimit, më të ekspozuar ndaj riskut të aksidenteve janë minatorët dhe punonjësit e çimentos, të cilat janë të ekspozuar edhe ndaj sëmundjeve profesionale.

Ulja e numri të vdekjeve në aksidentet e vendeve të punës dhe rritja e sigurisë së jetës së punëtorit kërkon respektimin e masave të shumta, duke nisur që nga informimi se si duhet të mbrohen punëtorët në raste të ndryshme të aksidenteve në punë.

Renato Muçaj sheh të rëndësishme për përmirësimin e kësaj situate monitorimin më të shpeshtë të vendeve të punës nga ana e Inspektoriatit të Punës, por edhe vendosjen e manualeve të veprimit në situata të veçanta.

“Ndonjëherë edhe kompanitë vetë nuk dinë dhe duhet të informohen më shpesh nga institucionet shtetërore rreth detyrimeve që kanë në pjesën e sigurisë. Ndodh incidenti dhe s’dinë si të trajtojnë”, përfundon Muçaj për “Sinjalizo”.

Vdekjet e punëtorëve nuk janë thjesht statistika; ato janë një thirrje e qartë dhe e fortë për një rishikim gjithëpërfshirës të standardeve të sigurisë dhe zbatimit. Është e domosdoshme si për organet qeveritare ashtu edhe për bizneset të marrin më seriozisht sigurinë në vendin e punës.

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/
What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter