Transparenca, 10 në letër, 4 në zbatim

Autore: Ina Allkanjari

Transparenca në institucionet publike në Shqipëri mbetet sfidë për gazetarët dhe qytetarët që kërkojnë informacion. Përgjithësisht mungojnë të dhëna thelbësore siç janë kontratat publike dhe buxhetet e detajuara. Edhe kur institucionet kthejnë përgjigje, ato shpesh janë të vonuara ose jo të plota. Gazetarët raportojnë për pengesa të shpeshta në marrjen e të dhënave publike, të cilat shpesh fshihen ose nuk janë të disponueshme në faqet zyrtare. Pavarësisht dispozitave kushtetuese dhe ligjore për të drejtën e informimit, zbatimi praktik çalon, duke çuar në një nivel të ulët transparence dhe korrupsion të lartë.

Nëse hap një faqe zyrtare informacionet që të shfaqen janë ato që promovojnë punën e institucioneve, ndërsa shumë të dhëna (edhe nëse janë) janë të fshehura në labirinte linqesh.

Erisa Kryeziu gazetare pranë Citizen Channel ndan me “Sinjalizo” përvojën e saj të përditshme duke theksuar se gjetja e të dhënave publike është një detyrë e vështirë dhe shpesh e pasuksesshme.

Përgjatë punës sonë të përditshme konsultimi me të dhënat publike në faqet online të institucioneve qoftë vendore qoftë qendrore është pjesë parësore. Mirëpo, jo gjithmonë kjo gjë arrihet, pasi shumë informacione nuk janë publike”, thotë ajo, duke shtuar se shpesh faqet nuk kanë të shfaqur as të dhënat e koordinatorit për të drejtën e informimit. Kjo e detyron atë të përdorë faqe si “Pyet Shtetin” për të kërkuar informacion.

Sipas Kryeziut, problematika më e madhe është mungesa e materialeve kryesore që duhet të ishin publike, si kontratat mes palëve për projektet publike dhe të dhënat për palët e kontraktuara. “Kjo gjë më detyron të dërgoj kërkesa për informacion për çdo detaj specifik,” thotë Kryeziu.

Ajo vë në dukje se shpesh mungojnë buxhetet e detajuara dhe planet publike të shpenzimeve.

Përgjithësisht mungojnë kontratat mes palëve për një projekt publik, apo të dhënat për palët e kontraktuara, buxhetet të cilat edhe kur janë, janë me të dhëna të përgjithshme dhe jo të specifikuara për secilin zë, apo pa plane publike shpenzimesh, ndaj shpesh na duhet të dërgojmë kërkojmë informacion specifike”, thotë gazetarja e Citizen Channel.

Një shembull konkret është përpjekja e saj për të marrë të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë për numrin e personave me aftësi të kufizuara në dëgjim dhe shikim. “Asnjë e dhënë nuk ishte në web-in zyrtar dhe ishte e vështirë marrja e këtij informacioni edhe përmes kërkesës për informacion,” thotë ajo.  Gazetarët gjithashtu përballen me mungesë të informacionit edhe për monitorimin e kontratave të prokurimeve publike dhe të dhënave për kategoritë e ndihmës shoqërore.

Kryeziu përmend se ka pasur vështirësi me pothuajse të gjitha institucionet publike për të marrë informacion nga faqet e tyre online. Për shembull, për të gjetur informacionin sasior për rindërtimin në zonën e Kombinatit nga bashkia Tiranë, ajo ka qenë e detyruar të dërgojë kërkesë për informacion me pyetje specifike.

Kam hasur vështirësi për të gjetur të dhëna për kontratat me Entin Rregullator të Energjisë dhe Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës për hidrocentralin që po ndërtohet në Thirrë të Mirditës. Njëjtë sikurse edhe me bashkitë e vogla sikurse bashkia Librazhd, ku nuk gjeja të dhëna për vijueshmërinë e punimeve për një segment rrugor atje”, tregon gazetarja.

 

Ankimi dhe vonesat

Gazetarët përballen me sfida të mëdha kur kërkojnë informacion nga institucionet publike. Shpeshherë, kërkesat mbeten pa përgjigje ose marrin përgjigje të vonuara, gjë që e vështirëson punën e tyre investigative dhe shpesh i detyron ata të bëjnë ankimime te Komisioneri për të Drejtën e Informimit. Ky proces jo vetëm që zgjat publikimin e artikujve, por edhe dekurajon gazetarinë hulumtuese, pasi përgjigjet e marra shpesh janë të paplota ose të pasakta.

Në rastin e kërkesës për informacion drejtuar bashkisë Librazhd, më është dashur të pres më shumë se dy muaj për të marrë një përgjigje me procedurat në të cilat ndodhet projekti për asfaltimin e një rruge atje. Më herët, i kam nisur po kësaj bashkie kërkesë për informacion nga e-mail-i im si gazetare, por nuk kam marrë kurrë përgjigje”, tregon Kryeziu.

 

Mungesat në Programin e Transparencës

Ministritë dhe entet e mëdha publike janë ndër institucionet kryesore ku qytetarët hasin më shumë vështirësi në aksesimin e informacionit. Shumë shpesh, informacioni që duhet të jetë publik, si listat e projekteve të financuara, nivelet e realizimit të buxhetit dhe fondet e shpenzuara, mungojnë.

Në nivel global, Shqipëria renditet ndër vendet me nivele të lartë të korrupsionit gjë e cila sipas ekspertëve shoqërohet me nivel të ulët të transparencës. Sipas raportit të Transparency International për vitin 2023 Shqipëria renditet e 98-ta mes 180 vendesh. Eksperti i ekonomisë Soko tregon se transparenca dhe korrupsioni janë të lidhura ngushtë: sa më i lartë të jetë korrupsioni, aq më e ulët është transparenca.

Niveli i transparencës në Shqipëri është jashtëzakonisht i ulët në çështjet e buxhetit, të shpenzimeve që kryejnë njësitë qëndrore apo vendore të qeverisjes, ministritë, institucionet e tjera, drejtoritë e enteve publike, kompanitë shtetërore etj. Pra ka një errësirë totale kur vjen puna te paratë që shpenzohen, zërat ku shpenzohen paratë, buxhetet në përgjithësi të detajuara etj”, thote Soko.

Ai thekson se vështirësitë më të mëdha në aksesimin e informacionit publik hasen me institucionet kryesore për shkak të ngarkesës së lartë të shpenzimeve buxhetore.

Është shumë e vështirë për të gjetur listën e projekteve të financuara të atij viti, në nivele të realizimit të buxhetit të vitit, në nivelin e fondeve të shpenzuara dhe atyre që priten të shpenzohen, të programuara, të detajuara. Të gjitha këto në përgjithësi në mbi 90% të rasteve mungojnë, pra në nivel cilësor. Ndërsa në mbi 70% të rasteve mungojnë fare”, thotë eksperti i ekonomisë.

Transparenca e ulët reflekton limitim të aksesit të qytetarëve në të dhëna që duhet të ekspozojnë punën dhe interesat e detajuara të institucioneve publike. Sipas ekspertit Soko, ka një mungesë vullneti nga institucionet publike për t’i bërë të dhënat të disponueshme për publikun.

Është dizenjuar e gjithë panorama me qëllim që të gjithë qytetarët të kenë sa më pak akses në të dhënat të cilat do të ekspozonin punën e detajuar dhe interesat e detajuara të punës në institucione të ndryshme”.

Soko thotë se qeveria duhet të ndërmarrë hapa të vendosur për të adresuar mungesat.

Transparenca duhet të fillojë nga vetë Kryeministria, duke detajuar shpenzimet e saj dhe duke e vendosur këtë si standard për ministritë e tjera dhe institucionet publike”, thotë eksperti.

 

Ligje të mira…në letër

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë dhe ligjit për të drejtën e informimit, çdo qytetar apo person juridik ka të drejtë të ketë akses në informacionin që krijohet dhe administrohet nga institucionet shtetërore. Megjithatë, ekspertët e fushës thonë zbatimi çalon.

Institucionet shtetërore vonojnë kthimin e përgjigjeve përtej afateve ligjore dhe duhen disa kërkesa të përsëritura për të marrë përgjigje,” thotë avokati Marash Logu. Ai thekson se shpesh informacioni që ofrohet është i pjesshëm ose nuk jepet fare, me justifikime të tilla si “të dhënat personale” ose “sekret tregtar” pa një shpjegim të qartë se si këto informacione bien në fushëveprimin e këtyre dy kategorive të të dhënave.

Avokati Logu përmend se ka hasur vështirësi të mëdha në marrjen e informacioneve lidhur me tendera dhe kontrata konçesionare nga ministritë dhe bashkitë.

Përgjigjet shpesh kanë munguar, shpesh ka pasur përgjigje pa përgjigje dhe në raste të tjera kanë qenë përgjigje të cunguara,” thotë Logu. Këto institucione përdorin çdo justifikim të mundshëm për të refuzuar dhënien e informacionit, gjë që tregon një frikë të madhe ndaj transparencës.

Avokati tregon se në Programin e Transparencës së institucioneve publike shpesh ka mungesë të akteve dhe vendimmarrjeve që prodhojnë këto institucione. Sipas tij faqet që përpunojnë sasi të mëdha të dhënash për shkak të ndërtimit të tyre është shumë e vështirë të gjendet informacioni i kërkuar. Ai ndalet në dy shembuj konkretë ku ka hasur vështirësi në gjetjen e të dhënave publike.

Faqja e Agjencisë së Prokurimeve Publike, motorrët e kërkimit të së cilës pothuajse nuk funksionojnë dhe për t’u informuar rreth një tenderi të caktuar, duhet të harxhosh orë të tëra duke verifikuar një volum të madh dokumentacioni. Ose faqja e Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit që është e pamundur të verifikosh të gjitha transaksionet e kryera për një kontratë të caktuar ose subjekt tregtar”, thotë Logu.

Për të adresuar këto mungesa dhe për të rritur transparencën, Logu thote se Parlamenti duhet ta përfshijë refuzimin e përgjigjeve të kërkesave për informacion publik si një vepër penale në Kodin Penal.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit i cili qartazi duhet të jetë i paanshëm dhe i pavarur politikisht, duhet të jetë më i zëshmi në mbrojtjen e të drejtës për informim,” shton ai, duke theksuar se procedura për zgjedhjen e Komisionerit duhet të ndryshojë për të garantuar pavarësi reale nga mazhoranca dhe pushteti ekzekutiv. Gjithashtu sipas tij, koordinatori për të drejtën e informimit duhet të jetë një pozicion i veçantë dhe me kritere të qarta ligjore.

Avokati Logu nënvizon se përmirësimi i transparencës në institucionet publike është thelbësor për të luftuar korrupsionin dhe për të siguruar që qytetarët të kenë akses në informacionin që u takon me ligj. Vetëm me hapa të qarta dhe vendosmëri nga ana e qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse mund të arrihet një nivel më i lartë i transparencës dhe përgjegjshmërisë publike.

 

Ligji në praktikë

Ligji “Për të drejtën e informimit” detyron çdo autoritet publik të publikojë programin e transparencës, duke përfshirë një sërë informacionesh. Ndryshimet ligjore të vitit 2023 kanë shtuar detyrimin për përditësimin e informacionit. Komisioneri për të Drejtën e Informimit monitoron zbatimin e këtij ligji dhe për vitin 2023 ka vendosur 9 gjoba për mospërmbushje të transparencës proaktive.

Raporti për të drejtën e informimit i Qendrës “Res Publica” për vitin 2023 thekson përmirësimin relativ prej 20% në përmbushjen e programeve të transparencës. Megjithatë, ndër 100 autoritetet publike më të rëndësishme, 10 prej tyre ende nuk kanë një program transparence, dhe gjysma e pjesës tjetër i kanë përmbushur pjesërisht.

Numri i ankesave drejtuar Komisionerit ishte 956, të ndara në katër kategori: gazetarë 395, qytetarë 367, OSHC 171, dhe avokatë 23. Raporti i “Res Publica” tregon një rritje të përgjigjeve të plota dhe një ulje prej 12% të përgjigjeve të pjesshme, duke reduktuar nevojën për ankesa te Komisioneri. Ndërsa numri i ankesave nga qytetarët ka vazhduar të rritet që nga viti 2021.

Numri i ankesave drejtuar Komisionerit, raporti i qendrës Res Publica

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale gjithashtu ka monitoruar faqet zyrtare të të gjithë autoriteteve publike qendrore dhe të varësisë bazuar në metolologjinë e Indeksit të Transparencës për vitin 2023.

Në raport, Zyra e Komisionerit është përpjekur të sjell një panoramë më të gjerë të nivelit të transparencës së autoriteteve publike qendrore dhe të varësisë, duke përfshirë në indeks 242 autoritete publike. Si rezultat i monitorimit theksohet se 92 autoritete publike qendrore dhe të varësisë janë klasifikuar me transparencë proaktive të lartë, 125 autoritete publike me transparencë proaktive mesatare; 21 me transparencë proaktive të ulët dhe 4 autoritete publike janë klasifikuar me transparencë proaktive të pamjaftueshme.

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter