Në Shqipëri mediat audiovizive shpesh i shkelin të drejtat e fëmijëve, veçanërisht në raste të ndjeshme, si abuzimi seksual. Ndërsa reporterët përpiqen të jenë të parët, që i publikojnë lajmet më sensacionale, ata shpesh e bëjnë këtë në kurriz të viktimave të mitura, duke iu zbuluar identitetin dhe duke rrezikuar dëmtimin e tyre, të mëtejshëm.
Autor: Redaksia ACQJ
“Raportime me mangësi sa i takon mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve të abuzuar ndodhin shpesh në mediat tona, pasi gazetari, për të mbijetuar në tregun e punës, e ka më të lehtë të shkojë të dëmtojë një fëmijë të dhunuar seksualisht se sa t`i thotë: “Jo!” kryeredaktorit. Ky është absurditeti”, – thotë Altin Hazizaj, drejtues i organizatës CRCA/ECPAT ALBANIA.
Ngjarja e Pogradecit në ditët e para të janarit të vitit 2024, me një të ri të arrestuar pas dyshimeve se abuzonte seksualisht me vajzën e mitur të njerkës së tij, tronditi komunitetin lokal dhe mbarë opinionin publik, menjëherë sapo kjo histori mbushi faqet e para të mediave online dhe ekranet televizive. Detajet, që u zbuluan nga kjo histori, shtuar dhe publikimin nga media të deklaratës së të miturës në polici, e kthyen këtë ngjarje në “historinë e javës”.
Në të tilla raste media nuk mjaftohet me lajmin, por nis serialin, duke paraqitur detaje pas detajesh.
Mirëpo, sipas profesionistëve të sistemit të mbrojtjes së fëmijës, referuar një studimi të Terre des hommes, 2015 “Abuzimi Seksual i Fëmijëve Brenda Rrethit të Besimit në Shqipëri”, media e ekzagjeron në raportimin e rasteve dhe gjuha e përdorur prej saj është e papërshtatshme. Gjithashtu, profesionistët e medias u shprehën për Terre des hommes se ata shpesh e manipulojnë lajmin e abuzimit seksual të fëmijës, duke theksuar dhe duke ekzagjeruar detaje, të cilat i japin ngjyrim erotik apo pornografik lajmit. Diçka e tillë bëhet për më shumë sensacion.
Lajmi i keq është lajmi i mirë për mediat, ndaj edhe në rastin e Pogradecit, ashtu si në të shumtën e rasteve, kur kemi të bëjmë me të tilla histori, gazetarët u turrën në familjen e të abuzuarës për të mësuar më shumë…
Një tjetër problem ky për Miklovana Dobronikun, specialiste për ngritjen e kapaciteteve pranë organizatës Terre des hommes, e cila vlerëson se në mjaft raste media fokusohet më shumë te viktima dhe familja e tij/saj, se sa tek abuzuesi apo fenomeni.
Në raportimet që u bënë për ngjarjen e Pogradecit, shumë media çeduan sa i takon respektimit të Kodit të Etikës, ligjit “Për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës”, ligjit nr. 97/2013 “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, si dhe Kodit të Transmetimit të Autoritetit të Mediave Audiovizive, të miratuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive. (AMA)
Në një shkresë, që mban datën 25 janar 2024, Këshilli i Ankesave pranë AMA-s i tërhoqi vëmendjen shoqërisë MTSC SH.P.K., për subjektin Report TV, pasi gjatë lidhjes direkte me korrespondentin e Korçës, gjatë raportimit të rastit të abuzimit të dyshuar të së miturës, u bënë publike gjeneralitetet e autorit të dyshuar, babait të tij, si dhe gjeneralitetet e nënës së viktimës së dyshuar, duke çuar automatikisht në identifikimin e saj, të tërthortë. Këshilli i Ankesave në këtë raportim konstatoi shmangie të ligjit 97/2013, “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, sipas të cilit: “Veprimtaria e transmetimeve audiovizive respekton në mënyrë të veçantë të drejtat, interesat dhe kërkesat morale e ligjore për mbrojtjen e të miturve”, si dhe “në programet e transmetuara nga OSHMA-të të mos cenohet e drejta e fshehtësisë së jetës private të personit”.
Megjithatë, Report TV nuk është e vetmja medie, e cila ka shkelur ligjin, duke mos respektuar të drejtat e fëmijëve gjatë transmetimeve audiovizive. AMA ka gjetur shkelje në periudha të ndryshme kohore në programin televiziv “Big Brother Albania” apo dhe “Shqipëria LIVE” në Top Channel.
Shqipëria është një vend i vogël dhe ngjarjet lokale nuk vonojnë shumë të mësohen nga thuajse i gjithë komuniteti. Ndërkohë, media, e cila konsiderohet pushteti i katërt në një sistem demokratik, me funksion parësor informimin, por edhe edukimin, nuk nguron që shpesh të zbulojë përmes raportimeve identitetin e një fëmije të dhunuar, të neglizhuar, të bullizuar apo të abuzuar.
Problematikat e identifikuara nga Agjencia Shtetërore e të Drejtave dhe Mbrojtjes së Fëmijëve kryesisht lidhen më raportimet jo-etike të rasteve të fëmijëve në media, si shkelje të privatësisë, identifikimin indirekt të fëmijëve – viktima të abuzimit seksual apo fëmijë në kontakt/konflikt me ligjin etj. Gjithashtu, janë konstatuar raste të përdorimit të fëmijëve për përfitime në rrjete sociale nga persona të afërm të familjes.
Me gjithë ligjin dhe Kodin e Etikës një pjesë e medias ende vijon të mos i zbatojë parimet themelore të ruajtjes së identitetit të fëmijëve, duke shfaqur imazhin e tyre në media, duke i intervistuar shpeshherë edhe pa aprovimin e prindërve apo në prani të psikologut, si dhe duke bërë publik drejtpërdrejt apo në mënyrë të tërthortë identitetin e tyre.
Për Koloreto Cukalin, drejtues i Këshillit Shqiptar të Medias, kjo ndodh, “sepse çdo media vë një balancë, të jetë etike apo të ketë audiencë dhe klikueshmëri dhe mediat jetojnë me ankthin: “Ja, nuk e nxora unë emrin, do e nxjerrë ai tjetri”. Audienca shqiptare është keq-edukuar ndër vite dhe interesi i audiencës tashmë është për të ditur emra dhe vende dhe jo për t’u informuar për fenomenin. Audienca do të zgjedhë median, që nxjerr emrin. Botuesit e kanë kuptuar dhe përpiqen që, edhe kur nuk ua lejon etika profesionale, të kenë tendencën, që të nxjerrin diçka. Media tradicionale shpesh e shpërdoron besimin e viktimave, për shembull: nëse një prind vjen dhe kërkon ndihmë, ai prind, duke qenë i painformuar se, duke dalë vetë me fytyrë, dekonspiron edhe fëmijën, nuk mund të thuash: “Deshi vetë prindi, që është kujdestar i fëmijës”. Profesionisti e mbron atë prind, e ruan dhe rrjedhimisht ruan dhe fëmijën. Është e turpshme, një shkelje që bëhet me qëllim. Arsyeja, po t’i shkosh deri në rrënjë, është paraja, nevoja për të qëndruar në treg.
Kjo i bën edhe gazetarët me përvojë që t’i shkelin rregullat”.
Pediatrja Lira Gjika shprehet se “Ne nuk e përfillim fëmijën, sidomos gazetaria, rrjetet sociale, kush e do lajmin në një mënyrë të uritur, thjesht për të krijuar sensacion, për të tërhequr audiencë. Ushqejnë pa edukatë dhe një kënaqësi për eksitimin nga frika. Shkelet etika dhe, po ta shohësh, ne jemi pa etikë. Ne nuk kemi limite”.
Raportimi mbi ngjarjet e abuzimit apo të shfrytëzimit të fëmijëve është një sfidë nga pikëpamja etike.
Ka një pakt të heshtur dhe një rregull të pashkruar mes mediave: ai i publikimit të inicialeve të viktimave, me pretendimin se në këtë mënyrë po e mbrojnë atë nga zbulimi i identitetit, procedurë, e cila shpeshherë ndiqet edhe nga organet policore gjatë njoftimeve për mediat.
“Edhe kur e vë me iniciale, fëmija i di inicialet e veta dhe ai ndihet i poshtëruar, gjithnjë është ndjerë i poshtëruar. Edhe nëse nuk e kupton njeri, ndihet i turpëruar, ndihet fajtor. Nuk është e lehtë, ai më pas mbyllet në vetvete ose bëhet i dhunshëm”, – thotë pediatrja Lira Gjika.
Përhapja e gjerë e mediave dhe rritja e konkurrencës e ka ulur thepin e etikës.
“Media ka një rregull, një parim: Të mos bëjë dëm. Nëse marrim për bazë vetëm këtë parim dhe të shohim si e zbatojnë gazetarët, do të shohim se ata nuk e njohin parimin, edhe pse është universal. E dyta, në presionin e botës online, për më shumë like, për t’u evidentuar si gazetarë, jo vetëm që e shkelin me dy këmbë parimin, por bëjnë dëm përtej asaj që i thonë “identifikimi i fëmijës”. Është anormale, që në momentin që ka ndodhur një ngjarje e dhunës seksuale, ti të shkosh të intervistosh viktimën. Ajo është ende nën efektin e traumës, por edhe aty ka një hetim, që ende s’ka mbaruar. Detajet, intervistimi i viktimës apo i familjarëve janë jashtë logjike”, – thotë Altin Hazizaj.
Historia shokuese/“Dy vjet e abuzuar seksualisht”
Dëshmia e 12-vjeçares nga jugu i vendit në emisionin Pa Gjurmë: “10 vjeç e gjysmë isha, sa do mbushja 11 vjeç.”
Detaje të tilla, të cilat tregojnë moshën se kur një e mitur është abuzuar seksualisht për herë të parë, nuk kanë asnjë qëllim informimi për publikun. Drejtuesi i Këshillit Shqiptar të Medias, Koloreto Cukali, vlerëson se publikimi i detajeve kaq delikate në ngjarje të tilla është diçka e qëllimshme dhe nuk ka të bëjë me mungesën e profesionalizmit.
“Nuk besoj se ka një gazetar, që ka mbaruar shkollën e gazetarisë dhe nuk e di që fëmija nuk duhet identifikuar. Edhe inicialet, kur jepen, nuk duhen dhënë të vërteta. Nuk ka as redaktorë e as kryeredaktorë, që nuk e dinë këtë gjë. Është thjesht një përpjekje e dëshpëruar për t’i pëlqyer audiencës. Është problem kombëtar dhe rajonal, një problem, që nuk ka të bëjë me edukimin, me shkollimin apo me trajnimin e duhur, për sa kohë punon në një media. Është thjesht shkelje e qëllimtë. Rastet e paqëllimta janë shumë të rralla. Përgjegjësia kryesore i bie kryeredaktorit, pasi filtrat janë të rëndësishëm”.
Media në punën e saj është e prirur të ndjekë hap pas hapi një ngjarje, të verifikojë faktet, të informojë publikun, por, kur ngjarja ka në fokus dhunën apo abuzimin e një fëmije, shpesh media, në vend që të bëhet mburojë për viktimën, kthehet në Kalin e Trojës për të.
Drejtuesi i organizatës CRCA, me në fokus mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, vlerëson se media në Shqipëri nuk ka një udhëheqje pozitive dhe gazetarët, pavarësisht se ka rregulla etike, vetë ata kanë një element të fuqishëm në dorë, që është vetëkontrolli.
“Të dish, kur të ndalosh veten, që të mos bësh një hap, që mund të të dëmtojë ty si gazetar, viktimën apo dhe një proces të tërë. Në sensin profesional ka një mangësi serioze. Ka dhe një mangësi tjetër, dhënia e udhëzimeve të sakta për gazetarët. Ka njerëz, që sensacioni i tërheq, por pozitivja është që ta edukojmë publikun. Edhe nëse gabojnë gazetarët, ka një redaktor, që s’e lejon, edhe nëse ky i fundit gabon, është kryeredaktori. Këto hallka në mediat shqiptare çedojnë”.
Në raportimet e rasteve të keqtrajtimit, të abuzimit apo të krimeve ndaj fëmijëve, gazetarët duhet të jenë të kujdesshëm në gjuhën e përdorur dhe në dhënien e informacionit, në të kundërt dëmi te fëmija është i madh. Nga eksperienca në organizatën e tij Altin Hazizaj konstaton se, “personi, në vend që të rehabilitohet, do të vijojë që të ketë probleme serioze nga rasti. Trauma (e cila varet edhe nga fëmija) nuk do të zgjasë një kohë të caktuar dhe më pas personi do të fillojë të rikuperohet, por do të vijojë t’i vuajë këto gjëra më gjatë”.
“Shumica e viktimave të abuzimit seksual janë vajza, kemi pasur raste, që shumë prej tyre kanë lënë shkollën, se kanë frikë nga komuniteti. Fëmija ndihet i sulmuar, ngjarja ka dalë në media dhe është bërë dëmi i madh. Viktimat i ri-përjetojnë rastet në kohë të gjatë. Në këtë vijimësi edhe prindërit kanë faj. Në shumicën e rasteve që kemi pasur, pas ngjarjes, ata e shohin ndodhinë si një mundësi për të përfituar financiarisht në shumë aspekte, edhe për faktin se në shumicën e rasteve ngjarjet ndodhin në familje të varfra dhe në kushte jo të mira social-ekonomike”, – thotë Hazizaj.
Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve vijon bashkëpunimin me AMA-n.
Prej vitit 2020 deri në vitin 2023, ASHMDF ka dërguar drejt AMA-s 52 ankesa, ndërsa për vitin 2024 janë raportuar 4 raste, nga të cilat tri raste janë shqyrtuar dhe është kthyer përgjigje nga AMA. Një rast është në shqyrtim.
Këshilli i Ankesave pranë AMA-s gjatë vitit 2020 ka shqyrtuar 123 ankesa, 39 prej të cilave me objekt shkeljen e të drejtave të fëmijëve dhe të privatësisë së tyre dhe në përfundim të shqyrtimit iu ka tërhequr vëmendjen televizioneve në 36 raste, ku 12 prej tyre janë për shkelje të të drejtave të fëmijëve. Gjatë vitit 2021 ka shqyrtuar mbi 300 ankesa, 35% (105) me objekt shkeljen e të drejtave të fëmijëve, të privatësisë së tyre, ndërsa gjatë vitit 2022 janë administruar 310 ankesa, 99 prej të cilave me objekt shkeljen e të drejtave të fëmijëve.
Krahasuar me 10-vjeçarin e kaluar, drejtuesi i KSHM-së, Koloreto Cukali, vlerëson se “kemi regres të vazhdueshëm dhe se fatkeqësisht do të vazhdojë, për sa kohë mediat nuk janë financiarisht të pavarura”.
Lidhur me rolin që kanë institucionet shtetërore, pediatrja Lira Gjika thotë: “Janë ndërtuar struktura për mbarëvajtjen e fëmijëve të abuzuar, edhe pse eksperienca e psikologëve nuk është tepër e madhe. Janë profesionistë të rinj, bëjnë punë të madhe me ata fëmijë, janë për t’u lavdëruar”.
Ndërsa për z. Hazizaj, “në Shqipëri kemi mungesë raportimi nga frika, nga tabutë. Fëmijët nuk besohen në familje”. Sa i takon shtetit, ka një problem në aspektin e shërbimeve. Hiq Shkodrën, Fierin dhe Tiranën, në asnjë qytet nuk ofrohen këto shërbime të specializuara. Shërbim profesional nuk do të thotë vetëm funksionimi i policisë, i prokurorisë, i psikologut, i shërbimit social, i shkollës, por duhet që të gjitha shërbimet të ofrohen në një qendër të vetme. Në të gjithë botën quhet Barnahus ose në shqip “shtëpiza e fëmijëve”. Në vend që të shkojnë këto shërbime te fëmija, shkon fëmija te shërbimet. Ka nevojë për protokolle pune, por më shumë për ndryshime ligjore”, – thotë ai.
Media është ajo, që përmes rolit të saj duhet të arrijë që ta ndërgjegjësojë komunitetin për rreziqet e mundshme të dhunës apo të abuzimit ndaj fëmijëve.
Pavarësisht rregulloreve dhe kodeve të etikës, që ekzistojnë për mbrojtjen e fëmijëve, mediat shqiptare shpesh dështojnë që t`i respektojnë këto parime thelbësore. Në vend që t`i mbrojnë viktimat e mitura, ato përfshihen në një garë për të publikuar detaje tronditëse, shpesh duke përkeqësuar traumën e tyre. Është koha që, së pari, profesionistët e mediave të ndryshojnë qasje ndaj këtyre rasteve, që fëmijët të mos bëhen viktima të dyfishta – të abuzimit dhe të raportimit jo-etik.