Autore: Ina Allkanjari
Tregu i pasurive të paluajtshme në kryeqytetet ballkanike po përjeton rritje të ndjeshme të çmimeve, duke e bërë blerjen e një banese gjithnjë e më të vështirë. Ky trend është veçanërisht shqetësues, duke marrë parasysh që të ardhurat e familjeve nuk kanë ndjekur të njëjtin ritëm me rritjen e çmimeve, duke krijuar sfida të reja për blerësit potencialë në të gjithë rajonin.
Egzona, një 28-vjeçare nga Prishtina tregon për Sinjalizo se blerja e një apartamenti në kryeqytetin më të ri të Evropës kërkon shumë planifikim financiar, ndonëse rreziqet për të pasur të dokumentuar pronësinë e apartamentit është i madh.
“Çmimet në vitet e fundit janë rritur shumë dhe jo vetëm në qendër. Do të thoja që çmimet fillojnë nga minimumi 1000 euro për metër katror në shumicën e lagjeve”.
Për qytetarët e Kosovës problematike nuk është vetëm çmimi i blerjes së një apartamenti në kryeqytet, Prishtinë, por edhe sigurimi i dokumentacioneve të legalizimit, mungesa e të cilave është një rrezik për njohjen e pronësisë.
“Doza e rrezikimit vjen për faktin se shumë nga ndërtesat nuk janë tërësisht të legalizuara keshtu me blerjen duhet të kemi parasysh se mund të ketë probleme ligjore me dokumentacionin veç të tjerash”- thotë 28-vjeçarja.
Përsa i përket kostove dhe çmimit të pronave, në vitet e fundit, tregu i pronave në Sarajevë ka paraqitur gjithashtu sfida të mëdha për të rinjtë që aspirojnë të blejnë një apartament. A.Z., një 30-vjeçar nga Sarajeva, tregon për Sinjalizo problematikat që po kalojnë qytetarët që përpiqen të sigurojnë një shtëpi në kryeqytetin e Bosnjes.
“Që nga rimëkëmbja e tregjeve pas COVID-19 dhe veçanërisht që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, çmimet e pronave në Sarajevë janë rritur në qiell!”, thotë A.Z.
I riu, i cili prej kohësh është duke kërkuar për të blerë një apartament, është përballur me çmime tepër të larta.
“Në varësi të zonës së qytetit, çmimi për metër katror shkon nga 1200 në 4000 euro, me apartamentet e sapondërtuara. Qyteti i vjetër dhe pjesët e qendrës së qytetit janë më të shtrenjtat. Në periferi, apartamenti 58 m2 kushton 130.000 euro, nga ku ju duhen më shumë se 30 minuta për të arritur në qendër. Apartamenti i njëjtë afër qendrës do të ishte 170-200.000 euro në varësi të gjendjës”, thotr ai.
A.Z. gjithashtu ndalet te bankat dhe mundësitë që të rinjtë kanë për të marrë një kredi në Sarajevë.
“Bankat janë të prirura për të dhënë kredi, por edhe normat e interesit janë të larta, në varësi të llojit dhe kohëzgjatjes së kredisë. Kur është fjala për subvencionet qeveritare, Qeveria e Kantonit të Sarajevës ofroi 5 mijë euro subvencione, por për shkak të numrit të madh të aplikantëve, u dhanë shumë më pak”, thekson 30-vjeçari.
Çmimet e larta të pronave në Sarajevë kanë bërë që blerja e një apartamenti të jetë një sfidë e madhe për çiftet e reja të martuara.
“Kur bëhet fjalë për mundësinë e blerjes së një apartamenti, ata mund ta bëjnë këtë vetëm nëse të dy kanë punë me kohë të plotë dhe një prej rrogave do të duhej të shkonte për këste mujore të kredisë,” thotë A.Z.
Në krahasim, Tirana përballet me sfida të ngjashme. Çmimet për një metër katror në qendër të Tiranës arrijnë deri në 2,611.15 €, ndërsa jashtë qendrës janë rreth 1,352.36 €. Çmimet për apartamentet luksoze në qendër të Tiranës mund të shkojnë nga 200,000 deri në 400,000 €. Këto shifra janë shumë të larta krahasuar me Prishtinën dhe reflektojnë një treg të pasurive të paluajtshme që është bërë gjithnjë e më i largët për qytetarët e zakonshëm.
Kryeqyteti i Shqipërisë, ka përjetuar një zhvillim të shpejtë urban dhe një rritje të madhe të çmimeve të apartamenteve në vitet e fundit. Ndërsa ndërtimet e reja janë përqendruar kryesisht në prona luksi, qytetarët e zakonshëm dhe shtresa e mesme përballen me sfida të mëdha për të siguruar një strehë të përballueshme. Duke krahasuar situatën në Tiranë me kryeqytetet e tjera të Ballkanit, si Prishtina, Shkupi, Podgorica, Srajeva, Beogradi dhe Zagrebi, vihen në pah kontraste të forta dhe problematika të përbashkëta.
Krahasimi rajonal i çmimeve të apartamenteve
Sipas të dhënave të siguruara nga Numbeo, databaza globale e kostos së jetesës çmimi për metër katror për të blerë një apartament në qendër të Tiranës është 2,611.15 euro, ndërsa jashtë qendrës është 1,352.36 euro. Këto shifra e vendosin Tiranën në mesin e qyteteve më të shtrenjta në rajon, krahasuar me qytetet kryesore të Ballkanit.
Për të kuptuar më mirë pozitën e Tiranës në tregun e pasurive të paluajtshme, është e rëndësishme të bëjmë një krahasim me çmimet në kryeqytetet e tjera të Ballkanit:
– Shkupi: 1,944.60 euro për metër katror në qendër dhe 1,380.82 euro jashtë qendrës.
– Prishtina: 2,000.00 euro për metër katror në qendër dhe 975.00 euro jashtë qendrës.
– Podgorica: 2,043.75 euro për metër katror në qendër dhe 1,559.38 euro jashtë qendrës.
-Tirana: 2,611.15 euro për metër katror në qendër dhe 1,352.36 euro jashtë qendrës.
-Sarajevë: 2,651.20 euro për metër katror në qendër dhe 1,688.03 euro jashtë qendrës.
– Beogradi: 3,844.90 euro për metër katror në qendër dhe 2,352.80 euro jashtë qendrës.
– Zagrebi: 4,023.08 euro për metër katror në qendër dhe 2,833.57 euro jashtë qendrës.
Nga ky krahasim, duket qartë se Tirana ka çmime të larta për apartamente në qendër, por mbetet më e përballueshme se Zagrebi dhe Beogradi. Megjithatë, jashtë qendrës, çmimet në Tiranë janë më të ulëta se në disa kryeqytete të tjera, por ende të papërballueshme për shumë qytetarë vendas.
Çmimet e larta dhe deformimet në treg
Në vitet e fundit, çmimet e apartamenteve në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor kanë shënuar një rritje të ndjeshme. Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, thotë se, mungesa e programeve mbështetëse për strehim për administratën publike dhe shtresat në nevojë ka thelluar polarizimin social. Eksperti thekson se kjo ka krijuar mundësi për korrupsion dhe investime kriminale, duke deformuar tregun dhe rritur kostot e jetesës.
Në Prishtinë, çmimet e apartamenteve janë gjithashtu në rritje, me një çmim mesatar prej 2,000 € për metër katror në qendër dhe 975 € jashtë qendrës. Sipas ekspertit të ekonomisë ka një dallim që lidhet me së shumti me specifikat e vendit sesa me faktin se ku adresohen apo çfarë mbështesin politikat publike. Ndryshe nga Tirana, shumica e kryeqyteteve në rajon kanë një zhvillim më të integruar urban, thotë eksperti pasi sipas tij merren në konsideratë nevojat për sipërfaqe banimi të reja dhe mundësitë për investime në sektorin e ndërtimit.
“Mjafton të shkoni në Prishtinë për të kuptuar që asnjë centimetër e sipërfaqeve publike nuk është zënë në mënyrë kriminale si në Tiranë me vendimmarrje të bashkisë apo të Komisionit të Rregullimit të Territorit të Republikës. Pra duhet të mbrohet mirëqënia e njerëzve, nga ndotjet, nga zhurmat, nga mundësia e shfrytëzimit të sipërfaqeve të gjelbërta”, thotë Preçi.
Ndërtime për elitën
Tirana po përjeton një rritje të popullsisë që ndikohet jo vetëm nga rritja natyrore, por edhe nga migrimi i brendshëm. Arianita Brahaj drejtuese e “Open Data Albania” tregon për “Sinjalizo” se një nga shqetësimet kryesore është fokusimi i ndërtimeve të reja në njësi të luksit dhe biznese, dhe jo në banesa të thjeshta për familje me të ardhura mesatare ose të ulëta. “Nuk shohim pallate të thjeshta me apartamente 1+1 ose 1+2, por shikojmë kulla dhe njësi biznesi,” thotë ajo. Kjo ka sjellë një mbivendosje të pronave të luksit dhe një mungesë të lejeve të ndërtimit për prona të përballueshme. Për pasojë, çmimet e apartamenteve janë rritur ndjeshëm, duke u bërë të papërballueshme për shumicën e qytetarëve.
Një tjetër problematikë e ngritur nga Brahaj është menaxhimi i buxhetit të Bashkisë së Tiranës.
“Në vitin e fundit sasia e mbartur nga 2023 në 2024 ishte 10 miliardë lekë ose gati 30% e buxhetit të bashkisë. Do të thotë që bashkia mbledh taksa nga infrastruktura për ndërtimet e reja dhe nuk I përgjigjet kësaj takse me infrastrukturë. Pra nuk kemi lagje të reja që krijohen, me rrugë të reja, me shkolla të reja, me kanalizime ku njerëzit të shkojnë dhe të kenë mundësi edhe të zhvendosin zonën e tyre të banimit”, thotë Brahaj. Kjo mospërputhje krijon një krizë infrastrukturore që ndikon negativisht në cilësinë e jetës së qytetarëve.
Një tjetër çështje e rëndësishme është shërbimi urban. Brahaj vë në dukje se ndërsa Bashkia promovon projekte të mëdha për përmirësimin e shërbimit urban, realiteti është që transporti publik në Tiranë krijon shumë probleme. Qytetarët përballen me vështirësi për të aksesuar vendin e tyre të punës në kohë dhe me saktësi, duke bërë që shumë prej tyre të ndihen të detyruar të blejnë makina private përpara se të sigurojnë një banesë. “Le të promovoj sa të dojë bashkia zgjidhje si makinat elektrike, apo parkingje të bashkisë me pagesë, kjo është një formë që njerëzit të detyrohen të blejnë makinën përpara se të blejnë banesën, sepse nuk ka transport publik i cili garanton që të shkosh në punë në orar”, shton Brahaj.
Shitblerja e apartamenteve në Tiranë
Indeksi “Fischer” i Bankës së Shqipërisë për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023 ofron një pasqyrë të detajuar mbi sektorin e pasurive të paluajtshme.
Numri i përgjithshëm i pronave të shitura ishte 1169 gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2023, duke treguar një stabilitet të tregut në krahasim me periudhën e kaluar.
Një ndryshim i rëndësishëm është vënë re në preferencat e blerësve për vendndodhjen e pronave. Rreth 43% e shitjeve të realizuara përfaqësohen nga prona të vendosura në zonat më të preferuara brenda qytetit. Kjo tregon një rritje të kërkesës për prona në qendër të qytetit, duke reflektuar ndoshta një preferencë për akses më të lehtë në shërbime dhe infrastrukturë.
Financimi i blerjeve
Financimi i blerjeve të pronave mbetet një sfidë kryesore për shumë blerës. Tregu i pasurive të paluajtshme në Tiranë po përballet me ndryshime të ndjeshme, të ndikuara nga rritja e kostos së kredisë dhe sfidat ekonomike që prekin buxhetin familjar. Të dhënat e fundit nga Banka Shqiptare tregojnë një ngadalësim në rritjen e kredisë për blerje banesash, ndërsa kredia për konsum është përshpejtuar ndjeshëm. Sipas Indeksit “Fischer” të Bankës së Shqipërisë rreth 60% e pronave për banim dhe përdorim tregtar të shitura prej agjentëve janë blerë me hua bankare. Në 60% të këtyre rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës së pronës.
Gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2023, kredia për blerje banesash u rrit me 13.1%, një ngadalësim prej 3 pikë përqindjeje krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit. Ky ngadalësim vjen pavarësisht konkurrencës së lartë mes bankave dhe lehtësimit të kushteve të kredisë në këtë segment.
Ndërsa çmimet e pasurive të paluajtshme vazhdojnë të rriten në kryeqytetet ballkanike, ëndrra e pronësisë së shtëpive bëhet gjithnjë e më e paarritshme për shumë qytetarë. Adresimi i këtyre sfidave kërkon strategji gjithëpërfshirëse që balancon zhvillimin urban me nevojat e qytetarëve të zakonshëm, duke siguruar që tregu të mbetet i qasshëm dhe i përballueshëm për të gjithë.
Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/