Turizëm 2024, gracka e turistëve të varfër

Autor: Lazarino Pjetri

Sfida e cmimeve, kapaciteve dhe shërbimeve

Pritshmëritë në turizëm për 2024 ishin më të mëdha duke u nisur nga fakti se viti 2023 vendi priti 10 milionë turistë dhe prurjet për pesë muajt e parë të vitit ishin në rritje krahasuar me një vit më parë. Por shifrat ishin zhgënjyese  për sezonin veror, ku muajt qershor, korrik (numri i rezervimeve më i ulët) dhe më pak për muajin gusht.

Të dhënat zyrtare tregojnë se kemi më shumë turistë, por konsumi nuk është në rritje, të paktën nga raportet e strukturave të akomodimit dhe bar-restorantet.

Në total, 6.36 milionë shtetas të huaj hynë në vendin tonë deri në fund të korrikut, por megjithëse kjo shifër ishte 23% më e lartë se periudha 7-mujore e vitit të kaluar, konsumi i shërbimeve turistike mbeti i vakët.

Për muajin korrik, ardhjet e shtetasve të huaj u rritën vetëm me 2.7%, ndërsa të gjithë muajt e mëparshëm kishin rritje dyshifrore me një rekord në shkurt, kur rritja ishte 55.35% krahasuar me shkurtin 2023, sipas të dhënave nga Instat.

Sipas revistës Monitor, drejt fundit të qershorit dhe në fillim të korrikut, strukturat akomoduese në bregdet kanë shprehur pesimizëm për rezervimet, të cilat ishin nën pritshmëritë, ndërsa rritja e çmimeve në disa rajone ka shkaktuar anulime masive, kryesisht nga turistët italianë. Po ashtu, është vënë re një prani më e ulët e shtetasve nga Kosova në zonën e Golemit dhe në jug të vendit, ndërsa situata në Shëngjin dhe Velipojë, dy destinacione me çmime më të lira, mbetet e qëndrueshme.

Disa nga arsyet që turistët zgjedhin Shqipërinë si destinacion turistik:

Sipas Zak Topuzit, Shqipëria është një vend interesant për turistët për shkak të historisë të pasur dhe të veçantë.

“Shqipëria ka qenë pjesë e disa perandorive dhe ka zhvilluar pothuajse të gjitha luftërat gjatë 2000 vjetëve,” thotë ai, duke vënë theksin tek trashëgimia historike dhe kulturore.

Periudha e komunizmit e Shqipërisë është veçanërisht interesante, pasi përbën një kapitull unik në historinë e vendit. Përveç kësaj, Shqipëria ofron një diversitet të jashtëzakonshëm të klimës dhe natyrës, nga plazhet në jug deri tek zonat malore në veri, të cilat janë “akoma të virgjëra”.

Rritja e vazhdueshme e numrit të turistëve të huaj:

Numri i turistëve të huaj në Shqipëri është në rritje gjatë 20 vitet e fundit. Pas pandemisë, ky numër u rrit në mënyrë eksponenciale, veçanërisht falë gjeneratës Z, të cilët janë “pa pretendime” dhe eksplorojnë gjithë Shqipërinë duke u frymëzuar nga rrjetet sociale.

“Turistët e huaj janë të interesuar për natyrën dhe klimën, të cilat Shqipëria i ofron me bollëk,” thekson Topuzi, duke shtuar se veçanërisht zonat malore, të cilat kanë mbetur pothuajse të paprekura për shkak të largimit të popullsisë, janë magnet për turistët që kërkojnë përvoja të veçanta.

Problemet me rritjen e çmimeve:

Ndërkohë që Shqipëria është reklamuar si një destinacion “low-cost,” rritja e fundit e çmimeve ka krijuar sfida. Topuzi thotë se “Shqipëria e mesme, nga Durrësi dhe pjesët e veriut, kanë mbajtur çmime relativisht të qëndrueshme,” por disa zona të jugut si Vlora dhe Saranda kanë rritur çmimet fillimisht, duke ndikuar negativisht në fluksin turistik. Megjithatë, këto zona u detyruan të kthehen në çmime mesatare deri në mes të korrikut. Pavarësisht kësaj, Shqipëria mbetet ndër vendet më të lira në Europë për hoteleri dhe restorante, por turistët që kërkojnë një destinacion “low-cost” janë të kujdesshëm me shpenzimet dhe çdo rritje çmimesh mund t’i largojë ata.

Mungesa e kapaciteteve akomoduese:

Një problem tjetër i rëndësishëm për turizmin shqiptar është mungesa e kapaciteteve akomoduese, veçanërisht hotelet dhe resortet e mëdha. “Shqipëria nuk ka resorte dhe hotele të mëdha,” thotë Topuzi, duke vënë në dukje se kjo ka qenë një politikë e gabuar gjatë 30 viteve të fundit nga qeveritë shqiptare. Kjo kufizim ndikon në aftësinë për të pritur turistë të klasës së mesme që kërkojnë paketa të plota dhe shërbime cilësore për familjet e tyre. Krahasuar me vende të vogla si Mali i Zi, Shqipëria ka më pak kapacitete akomoduese dhe e ka të vështirë të tërheqë turistët që kërkojnë resorte me shërbime të plota.

Sfida e forcës punëtore dhe turizmit sezonal:

Një problem tjetër me të cilin përballet turizmi shqiptar është mungesa e forcës punëtore të kualifikuar.

“Problemi i fuqisë punëtore është një problem i madh sot në të gjithë botën,” vëren Topuzi, duke shtuar se largimi i njerëzve, veçanërisht nga vendet e Lindjes, ka ndikuar negativisht në cilësinë e shërbimeve turistike. Për të siguruar një turizëm cilësor dhe të qëndrueshëm, ai thekson nevojën për punësim gjatë gjithë vitit në sektor, për të mbajtur dhe trajnuar punonjës të kualifikuar. Për turizmin sezonal, Topuzi sugjeron që qeveria të marrë masa, siç bëjnë vendet e tjera të rajonit, duke ofruar subvencione për punonjësit e turizmit dhe përmirësuar kushtet e punës për të mbajtur një staf të qëndrueshëm dhe të trajnuar gjatë gjithë vitit.

Shërbimet e makinave me qira:

Sipas AutoRent Elite, gjatë periudhës janar-gusht 2024 pati një rritje të ndjeshme të turistëve që marrin makina me qira.

“Afërsisht 300 turistë të huaj kanë marrë makina me qira, si për periudha të shkurtra ashtu edhe të gjata,” raporton agjencia.

“Këtë vit, sezoni ose fluksi i kërkesës filloi më vonë se në fillim të vitit,” thotë AutoRent Elite. Megjithatë, krahasuar me vitin 2023, ky vit ka parë një rritje të lehtë të rezervimeve dhe kërkesave për makina me qira.

Muajt më produktivë për qeratë e makinave ishin korriku dhe gushti. “Gjatë këtyre muajve kishim numrin më të lartë të kontratave,” Turistët italianë, klientë besnikë dhe të përvitshëm, dominuan këtë periudhë, duke kontribuar në rritjen e kërkesave për makina me qera.

90% e rezervimeve për qeratë ishin online. Websajti dhe Instagrami luajtën një rol kyç në zgjerimin e shërbimeve dhe kontaktin me klientët, duke e bërë më të lehtë për turistët të gjejnë dhe të rezervojnë qeratë për makina.

Por edhe për këtë shërbim ndikon cmimi. “Turistët vijnë me një buxhet të planifikuar dhe janë të kujdesshëm me shpenzimet e tyre,” thonë në AutoRent Elite.

Shërbimet turistike dhe trendet:

Sipa Tours ofron disa llojshmëri shërbimesh që tërheqin turistët. Disa nga shërbimet që ofrojnë përfshijnë netë kulturore, ekskursione me anije, vizita në Maqedoni, Krujë, Tiranë, Berat, dhe ture gjashtë-ditore të qyteteve shqiptare. Këto aktivitete variojnë nga aventurat në natyrë deri tek eksplorimi i historisë dhe kulturës së Shqipërisë.

Arben Cipa, kryetari i Sipa Tours, thotë  se “Ne kemi rreth 2000 turistë në javë, duke totalizuar 100,000 turistë të huaj nga janari deri tani.”

Pushimet në plazh ishin shërbimi më i kërkuar, sipas Cipës. “Pushimet në plazh janë në zhvillim dhe po rriten çdo vit,” pohon ai. Turet kulturore që eksplorojnë Shqipërinë janë gjithashtu në rritje.

Turistët polakë ishin  ndër përdoruesit më të shpeshtë të shërbimeve të agjencisë.

Në lidhje me preferencat midis detit dhe maleve, Cipa përmend se ecja në male është e rrallë. “Ecja në male është shumë sporadike,” thotë ai, duke theksuar se turet kulturore rrisin ndjeshëm numrin e vizitorëve gjatë verës. Megjithatë, shumica e turistëve ende preferojnë më së shumti pushimet në plazh.

Shkodra, qytet që ofron gjithçka.

Shkodra është një qytet që ofron detin,  malin, dhe turizmin e kulturës.

Gjon Gila, pronar I hotelit Tradita Geg’ & Tosk’ në Shkodër, thotë se ndjen një rritje të turizmit. Për të prenotuar tek hoteli  “duhet një periudhë shumë e hershme, që do të thotë se është shumë zor të gjesh vend.” Edhe pse nuk ofron një shifër  të saktë, Gila thekson që ka pasur “një rritje të konsiderueshme, jo vetëm tek ne, por tek të gjithë bizneset e tjera.”

Muaji më i dobët, ishte gjatë kampionatit europian.” Megjithatë, ai thekson se sezoni turistik në Shqipëri “fillon nga pashkët deri në nëntor,”  “Këtu është edhe defekti i turizmit shqiptar, se ne duhet të rrisim edhe turizmin detar 15 ditë, si rregull duhet ta rrisim 2 muaj më shumë se sa ekziston,” thotë ai.

“Shkodra ofron mundësi të jashtëzakonshme turizmi dhe destinacionesh.” Për këtë arsye, turistët zakonisht qëndrojnë “nga 1-5 netë sepse mundësitë e Shkodrës janë shumë të mëdha.” Ai shton se hoteli ofron “disa paketa” në bashkëpunim me biznese të tjera, kjo mundësi bashkëpunimi u lejon atyre të ofrojnë më shumë opsione për turistët.

Efekti Airbnb 

“Këtu vërtet ka një thashethem që përplaset aty-këtu, por mundësitë janë shumë të mëdha për të gjithë.” Gila thotë se ka klientë që kërkojnë Airbnb, por edhe klientë që kërkojnë hotele ose akomodim me 5 yje. “Shqipëria është një vend që ka vend për të gjithë,” thotë ai, duke theksuar se është e rëndësishme që të gjithë të jenë të deklaruar për taksa dhe siguri.

Turizmi malor dhe bregdetar

“Shkodra kryesisht është e njohur për turizmin malor, që është potenciali kryesor i Shkodrës, sepse natyra është ajo që na ofron gjithçka pa shpenzime.” Ai e krahason turizmin malor me atë bregdetar, duke theksuar se investimet në turizmin malor janë më të vogla dhe koha e kaluar nga turistët është më e kënaqshme. “Ka njerëz që betohen se do të vijnë prapë, betohen që do të vijnë me miq, betohen që do të vijnë bashkë me fëmijë,” thotë ai.

Pavarësisht sfidave të rritjes së çmimeve dhe kapaciteteve të kufizuara akomoduese, sektori i turizmit në Shqipëri vazhdon të lulëzojë, i nxitur nga kombinimi unik i vendeve historike, natyrës së paprekur dhe reklamës si një vend i lirë.

Balanca mes ruajtes së asaj që na bën unikë dhe zhvillimit të industrisë së turizmit mbetet sfida për të ardhmen.

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter