Në një vend ku ligjet premtojnë aksesueshmëri për personat me aftësi të kufizuara, realiteti në terren tregon një histori tjetër. Nga ashensorët që nuk funksionojnë te rampat inekzistente, infrastruktura publike në Shqipëri mbetet kryesisht e paaksesueshme, duke lënë individë si Suela Lala, e cila lëviz me karrocë prej 27 vitesh, të përballen çdo ditë me sfida. Pavarësisht kornizës ligjore, barrierat fizike vazhdojnë të dominojnë peizazhin urban, duke i bërë aktivitetet më të thjeshta një sfidë për komunitetin me aftësi të kufizuara.
Autorë: Desada Sadiku dhe Ujeza Doshlani
“Ishte ndryshe në Suedi”, – kujton Gaz Dani, pjesëtar i grupit të dytë të Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë. (Grupi i parë janë persona, të cilët e kanë të humbur plotësisht shikimin, ndërsa grupi i dytë janë individë, të cilët e kanë shikimin pjesërisht të humbur).
“Aty semafori bënte zhurmë ndryshe dhe të shpejtë, kur ishte jeshile dhe zhurmë tjetër, kur ishte e kuqe, për t’i sinjalizuar një të verbëri se mund të kalonte rrugën”, – thotë Gazi, i cili shkoi në Suedi për të jetuar në vitin 2017, atëherë kur u bë një nga lëvizjet më të mëdha të shqiptarëve drejt vendeve europiane.
“Aty ishte më mirë për njerëzit me aftësi të kufizuara. Trotuaret ishin pothuajse të sheshta dhe të ndara me vija e me barriera, që ndiheshin nga individët me shkop, por që shiheshin dhe sinjalizoheshin nga personat që shihnin”, – tregon ai, duke shtuar se të verbrit në Europë (duke specifikuar Gjermaninë) kishin shirita neoni, që iu tregonin të tjerëve gjatë natës që “bëni kujdes”. “Dhe shkopinj elektrikë, me zë të automatizuar në gjuhën vendase, për të mundësuar kalimin e rrugës apo çfarëdo që mund të ishte përpara një të verbri”, – vijon më tej ai.
Në Shqipëri situata duket se është krejt ndryshe nga ajo që përshkruan Gazi. Ligji parashikon krijimin e lehtësirave në infrastrukturën publike, si dhe në ndërtimin e godinave publike, por këto lehtësira janë shumë larg kthimit të tyre në realitet. Në kryeqytetin shqiptar, që njihet për ndërtimin e godinave apo të kullave të larta, infrastruktura për personat me aftësi të kufizuar është pothuajse inekzistente, qoftë edhe në institucionet shtetërore.
“Ne kemi probleme, që rrjedhin nga mungesa e urbanistikës, nga zhvillimi i paplanifikuar”, – thotë Gent Kaprata, pedagog i Urbanistikës në UET.
“Gjithë sistemi i planifikimit, veçanërisht në zonat urbane, suburbane dhe rurale, të zhvilluara lehtë, gjithë zhvillimi është i fokusuar në makina. Në këtë kuptim nuk ka hapësira për njerëzit.”
Sipas Kapratës, në Tiranë nuk mungojnë fondet, mungojnë hapësirat për të ndërtuar trotuare të posaçme për njerëzit me aftësi të kufizuara. Ndërkohë, nëse hedhim shikimin edhe nga qytetet e tjera, të mëdha, si Elbasani e Durrësi, ndodh e kundërta. Pra, problemi nuk qëndron vetëm në urbanistikë, por edhe në infrastrukturë.
Të drejta vetëm në letër
Ligji 8626, datë 22.06.2000, për “Statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, neni 3, thotë se shteti krijon kushte për individët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, që ata të marrin pjesë në jetën shoqërore njëlloj si të tjerët, duke siguruar për ta një nivel të nevojshëm, ekonomik për të jetuar në mënyrë dinjitoze, kushte banimi, jetesë e punë të përshtatshme, si dhe iu krijon mundësi normale për kurim, arsimim, veprimtari çlodhëse, argëtuese dhe sportive. Por, qytetarët, të cilët përballen çdo ditë me realitetin shqiptar, prezantohen me një situatë krejt tjetër.
Suela Lala, e cila lëviz me karrocë prej 27 vitesh, për shkak të një plumbi qorr, thotë se, kur flasim për akses, flasim për ato rampat në hyrje, flasim për trotuaret e ulëta, ndërkohë që ka shumë elemente të tjera, si ashensorët, tualetet e aksesueshme, shiritat me reliev për personat që nuk shikojnë, që të mund të lëvizin të pavarur në qytet, të cilat janë tërësisht, po tërësisht inekzistente, sipas saj.
Një tjetër problematikë për zonjën Lala vijojnë të jenë edhe hapësirat publike apo hapësirat e dedikuara, si parkingjet e rezervuara për njerëzit me aftësi të kufizuar.
“Edhe dy ashensorët në parkingun në qendër të kryeqytetit, të cilët supozohen të jenë funksionalë, nuk janë të tillë”, – thotë ajo.
Suela Lala është dhe drejtoresha e fondacionit Së Bashku për mbrojtjen e të drejtave të njerëzve me aftësi të kufizuar. Fondacioni ka fituar çështjen e parkingjeve te Komisionieri për Mbrojtjen ndaj Diskriminimit. “Edhe ato vende parkingu që janë, janë të pakta në numër (larg 5% të parashikuar); bllokohen nga njerëz të tjerë për parkim personal dhe bashkia nuk ka persona që t’i kontrollojë”.
Institucionet e njohin situatën, por nuk reagojnë
Sipas Robert Gajdës, Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi, pjesa më e madhe e ankesave drejtohen kryesisht për aksesueshmërinë fizike ndaj institucioneve publike.
“Për sa i përket aksesueshmërisë, Shqipëria është në nivele shumë të ulëta, është mohuese në shumë aspekte, për sa i përket personave me aftësi të kufizuar. Nuk kemi akoma një plan ose një prioritet të dedikuar nga ana e pushtetit qendror apo vendor për aksesueshmërinë fizike”, – thotë Komisioneri.
“Në një monitorim që kemi kryer, të paktën 50% e shkollave (në të gjithë Shqipërinë) janë të paaksesueshme dhe keni parasysh, kur flasim për aksesueshmëri, flasim për nivelin minimal, sepse aksesueshmëria duhet garantuar edhe brenda në godinë. Po flasim për qasjen nga jashtë-brenda, por nuk jemi akoma duke diskutuar për aksesueshmërinë brenda, e cila mungon totalisht”, – vazhdon ai.
Sipas Komisionerit, një nga institucionet, për të cilin ka pasur shumë ankesa për sa i përket aksesueshmërisë, është Posta Shqiptare. Institucion tjetër, ku ka pasur ankesa, ka qenë dhe Bashkia e Vorës, aeroporti i Tiranës, për sa i përket hapësirave të parkingut të personave me aftësi të kufizuar, stadiumi “Air Albania” (për një event koncerti), i cili ka ashensorë të përshtatur, por nuk i përdornin, duke lënë kështu mënjanë pjesëmarrësit me aftësi të kufizuar etj.
Në pesë vitet e fundit, sipas INSTAT, në vitin 2019 kanë qenë 2.152 PAK në qendrat e kujdesit shëndetësor, në vitin 2020 kanë rezultuar 2.205 PAK, në vitin 2021, 2.416 PAK, në vitin 2022, 2.503 PAK dhe në vitin 2023 rezultojnë 2.902 PAK.
Në Shkodër, sipas bashkisë, sa i takon rrugëve me sinjalistikën e posaçme për të verbrit, deri tani nuk është vendosur sinjalistika e posaçme për të verbrit.
“Sa i takon mjeteve të transportit publik ato kanë akses për personat publikë dhe numri i automjeteve, që kanë të vendosur rampën për njerëzit me aftësi të kufizuar, është 8, nga të cilët 7 (shtatë) për linjën e qytetit Fermentim-Bahçallëk dhe 1 (një) për Shkodër-Shirokë-Zogaj”, – thotë bashkia.
Bashkia e Shkodrës ka 557 punonjës, ndërsa institucionet e varësisë së Bashkisë së Shkodrës kanë 380 punonjës, por të punësuar janë vetëm 2 persona me aftësi të kufizuara, fizike.
Në Bashkinë e Sarandës për personat me aftësi të kufizuar është e vendosur vetëm rampa hyrëse për në institucion dhe përgjithësisht edhe në institucionet e tjera janë vetëm rampat të ndërtuara me pjerrtësi për hyrje.
“Ndërtesat e vjetra, të cilat iu përkasin ndërtimeve të viteve 90’, nuk disponojnë ashensorë dhe kjo sjell si pasojë mungesën e qasjes së personave me aftësi të kufizuar nëpër institucionet publike”, – thotë bashkia.
Në qytet nuk ka semaforë për të verbrit dhe nuk ka asnjë rrugë me sinjalistikën e posaçme, që të mund të ndihet nga shkopinjtë për të verbrit. Sipas bashkisë, mjetet e transportit publik, që kanë akses për personat me aftësi të kufizuar, janë mjetet e linjës rreth-qytetase Sarandë-Butrint.
Në institucionin e Bashkisë së Sarandës janë 148 persona të punësuar, por nuk ka asnjë person me aftësi të kufizuar, që të jetë i punësuar.
Bashkia e Sarandës ka në varësi: Ndërmarrjen e Shërbimeve, që në total ka 114 persona të punësuar, ndër të cilët 3 janë me aftësi të kufizuar, si dhe Qendrën Kulturore, ku në total janë 29 persona të punësuar, ndër të cilët 2 janë me aftësi të kufizuar.
Sipas Bashkisë së Korçës, nga 128 objekte, 69 kanë rampa ose hyrje përdhe, në ndihmë të PAK.
“Objekte, që janë të pajisura me ashensor, janë 4. Objekte, që janë të pajisura me tualet për PAK, rezultojnë 2. Në qytet nuk ka semaforë për të verbrit dhe as rrugë me sinjalistikë të posaçme për ta. Mjetet e transportit publik nuk kanë akses për personat me aftësi të kufizuara”, – thotë Bashkia e Korçës.
Bashkia e Korçës thotë se deri në muajin korrik 2024, në këtë institucion janë të punësuar 291 persona, prej tyre nuk ka me aftësi të kufizuar.
Në dy institucione në varësi, si Ndërmarrja e Shërbimeve Publike, janë gjithsej 398 të punësuar, por vetëm një person me aftësi të kufizuar është punësuar në gusht të vitit 2024 dhe në NSHMAÇ, nga 386 persona të punësuar, vetëm një individ me aftësi të kufizuar gjendet në staf.
Ndërkohë, në Tiranë, sipas Bashkisë së Tiranës, zonat e pajisura me akustikë për të verbrit janë që nga rruga Dritan Hoxha e deri te Zogu i Zi, që kanë tre semaforë me akustikë; duke vazhduar më tej, nga Rruga e Durrësit e deri te sheshi “Skënderbej”, me dy semaforë akustikë. Dy bulevardet kryesorë, Bulevardi i Ri dhe Bulevardi Zogu i Parë, janë pajisur me shtatë semaforë. Sipas bashkisë, në Unazën e Mesme (në kryqëzimet e dedikuara për këmbësorët) dhe në Unazën e Vogël janë tetë semaforë dhe duke nisur nga Materniteti i Ri e deri në zonën e Shkozës janë dy semaforë.
Nga një vëzhgim në këto adresa sinjalistikat e pajisura te semaforët janë, por nuk janë funksionale.
Nga 16 linja të transportit publik, qytetës, mjetet e 14 linjave janë të pajisura me rampa, si dhe kanë hapësirë për qëndrimin e karriges me rrota. Bashkia thotë se mjetet e dy linjave: nr. 6, Laprakë dhe linja nr. 9, Qyteti Studenti–Jordan Misja, nuk kanë hapësirë për qëndrimin e karriges me rrota, si dhe nuk ka rampa, sepse infrastruktura, ku kalojnë këto linja, nuk e lejon përdorimin e mjeteve me platformë të sheshtë. 221 mjete të linjave qytetëse janë të pajisura me rampa për njerëzit me aftësi të kufizuara.
Të pyetur rreth hapësirave të tjera, publike në pajisjen me aksesueshmëri për personat me aftësi të kufizuar, Bashkia e Tiranës thotë se 47% e objekteve shkollore, 47% e objekteve – kopshte -, 50% e objekteve – çerdhe -, 64% e objekteve publike janë të pajisura me rampë.
Ndërsa, 53% e objekteve – kopshte – , 50% e objekteve – çerdhe – janë ndërtesa, të cilat e kanë hyrjen në të njëjtën kuotë me tokën.
Pavarësisht përpjekjeve të Shqipërisë për të rritur aksesin për personat me aftësi të kufizuara, një sërë çështjesh ende duhet të zgjidhen. Ekziston një kontrast i dukshëm në mënyrën se si trajtohet ky segment i rëndësishëm i shoqërisë, kur bëhet fjalë për infrastrukturën dhe planifikimin urban, në krahasim me vendet e tjera, europiane. Edhe pse ekzistojnë ligjet dhe rregulloret, ato shpesh mbeten në letër.
Ky shkrim është pjesë e projektit Laboratori i Gazetarisë Investigative, që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.