Drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar

Autore: Dallandyshe Xhaferri

Në Shqipëri, qindra qytetarë dhe të paraburgosur presin për vendime të cilat duket se po zvarriten për një kohë të gjatë, duke shkaktuar shqetësime të thella për drejtësinë dhe sistemin gjyqësor të vendit.

Redi shkruan i shqetësuar në plarformën “Sinjalizo” për të atin e tij, i cili prej kohësh ndodhet në paraburgim në pritje të komunikimit të vendimit të gjykatës pas akuzes për dhunë në familje.

Redi është pseudonim, por babai i tij nuk është i vetmi i paraburgosur që pret vendimin e Drejtësisë.

Avokati i Popullit, Erinda Ballanca thotë për “Sinjalizo” se për 10% të personave që ndodhen në paraburgim, pavarësisht se ka vendim gjykate, vendimi nuk është zbardhur!

“Pjesa e zbardhjes së vendimeve është evidente që ka një problematikë në kushtet që jemi, pasi shumë gjytarë që iu nënshtruan vetting-ut lanë dosje të pazbardhura”,- thotë Ballanca, çka ka bërë që prej vitesh në gjykatat shqiptare të ndodhen me mijëra dosje stok, duke shkelur edhe afatet e procesit të zbardhjes së vendimeve të gjykatës.

Avokati i Popullit, Erinda Ballanca

“Në varësi të vendimeve të ndryshe, ka dhe një kohëzgjatje të ndryshme. Por, brenda një afati 30 ditor duhet të zbardhen të tëra vendimet”,- thotë Ballanca, ndërkohë që Erida Skëndaj, Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Shqipëri (KShH), thotë  se vonesat janë të pa shpjegueshme

“KShH-ja ka paraqitur në Kuvend për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, që të mos tolerohet një vonesë deri në 120 ditë për zbardhjen e vendimeve, sa kohë ligjet parashikojnë afate më të shkurtra dhe të detyrueshme për gjyqtarët”, thotë Skëndaj.

Erida Skëndaj

Sipas të dhënave zyrtare të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), Shqipëria ka 247 gjyqtarë, thënë ndryshe 8.94 gjyqtarë për 100.000 banorë. “Ky raport është 60% më pak se e normës evropiane (22.2 gjyqtar për 100.000 banorë)”,- thuhet në raportine vitit 2023 të publlikuar nga KLGJ-ja.

 

Vonesa për zbardhjen e vendimeve edhe përpara Vetting-ut në Drejtësi

12 vite më parë, Ilir Xhakja, i njohur në botën e krimit në Shqipëri, qëlloi me breshëri plumbash në drejtim të ish-Shefit të Komisariatit të Policisë së Shijakut, Adem Tahiraj gjatë patrullimit të policisë në Katund Sukth të Durrësit.

Kjo ngjarje tërhoqi vëmendjen e institucioneve të Drejtësisë jo vetëm për vrasjen e ish-Shefit të Komisariatit, por edhe për procedimin e parë penal ndaj një gjyqtari në vend. Gjyqtari N.T, që kishte ndjekur më parë një çështje tjetër të Ilir Xhakaj nuk kishte zbardhur vendimin për muaj të tërë.

Sipas të dhënave të bëra publike në njërin prej raporteve të përvitshme të Qendrës për Çështjet e Informimit Publik (INFOÇIP), nga hetimi i bërë prej Ministrisë së Drejtësisë rezultonte se nuk kishte përfunduar ende shqyrtimi i një çështjeje penale të Xhakaj në Gjykatën e Durrësit, pasi arsyetimi dhe dorëzimi i vendimit në sekretarinë gjyqësore ishte vonuar prej disa muajsh.

“Në çështjen penale kundër të pandehurit Xhakja rezulton se procesi gjyqësor ka zgjatur rreth 1 vit e 7 ditë, ndërsa vendimi i arsyetuar është dorëzuar pas1 viti, 7 muaj e 5 ditë nga data e shpalljes së tij”,- thuhet në raport, duke theksuar se arsyetimi i çështjes ka tejkaluar ndjeshëm edhe vetë kohën e shqyrtimit gjyqësor.

“Çështja e moszbardhjes prej gjyqtarit N.T. të vendimit penal nr.98, dt 9.2.2011 për një kohë kaq të gjatë, ndoshta nuk do të kishte rënë në sy, e aq më pak do ishte bërë problem nëse komisari i policisë A. Tahiraj nuk do të ishte vrarë në krye të detyrë”- thuhet më tej duke shtuar se vonesa të ngjashme nga i njëjti gjyqtar ishin aplikuar edhe në rreth 60 doje të tjera.

 

Qytetarë ankohen për Drejtësinë

Gjatë tre viteve të fundit, qytetarë dhe persona juridikë kanë depozituar me qindra ankesa pranë Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë për arsye që lidhen me pretendime për vendimmarrje të padrejtë të magjistratëve gjatë shqyrtimit të çështjeve, për vonesat në arsyetimin e vendimeve, për zvarritjen e gjykimit nga ana e gjyqtarëve, por edhe për zvarritje të veprimtarisë hetimore nga prokurorët;

Sipas të dhënave zyrtare nga ILD-ja, gjatë vitit të kaluar janë depozituar 879 ankesa nga qytetarë dhe persona juridikë, ndërkohë që me mijëra ankesa mbeten të mbartura nga vitet paraardhëse.

“Objekt shqyrtimi për vitin 2023 në total janë 3703 ankesa, duke përfshirë dhe ankesat e depozituara gjatë këtij viti (879). Nga këto ankesa, gjatë vitit 2023 janë shqyrtuar 2340 ankesa, nga të cilat 1268 janë ankesa të depozituara pranë ILD dhe 1072 janë ankesa të fondit backlog”,- thuhet në raportin e publikuar nga ILD-ja.

Çështja e vonesave gjyqesore ka mbërritur edhe në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg.

“Në 12 tetor 2021, GJEDNJ dënoi shtetin shqiptar me 3500 Euro, plus shpenzimet gjyqësore për vonesat e shkaktuara në shqyrtimin gjyqesor ndaj dy shtetasve te saj (Barra dhe Kola Vs. Albania)”- thuhet në publikimin zyrtar të INFOÇIP gjatë vitit 2023, ku ndër të cilat theksohet se fenomeni i ankimeve në GJEDNJ për vonesa gjyqësore tej afatit të arsyeshëm po gjen zgjerim, bazuar në vëzhgimet empirike të kësaj organizate.

 

Drejtësi vs Vetëgjyqësi

Enkelejda, është vetëm njëra prej qytetareve të Elbasanit që prej 5 vitesh troket në dyert e Gjykatës së Elbasanit për të kerkuar drejtësi. Kuri u drejtuagjykates, ajo nuk mund ta mendonte se do të ishte në sallën e gjyqit në 20 seanca dhe se do të ndërroheshin 3 gjykatës.

“Unë padita punëdhënësin tim për heqje nga puna në mënyrë të padrejtë. Në padinë e ngritur i kërkova rrogën e një viti të plotë pune, sepse nga ana e punëdhënësit na jepej gjysma e rrogës nëpërmjet bankës dhe pjesa tjetër në dorë”,- thotë 28-vjeçarja teksa thotë se tashmë është në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit në Tiranë.

“Pata vonesa sepse dy gjyqtarët e parë u larguan nga sistemni i Drejtësisë gjatë proçesit të vetting-ut,ndërsa gjyqtari i tretë mori vendimin që unë jam fituesja e çështjes, por pala tjetër e paditi vendimin në Gjykatën e Apelit në Tiranë”.

Reforma në Drejtësi dhe zbatimi Hartës së Re Gjyqësore në 1 shkurt të vitit të kaluar, kanë ndikuar në ngadalësimin e trajtimeve të çështjeve të ndryshme gjyqësore në të gjithë vendin. Sot Shqipëria ka 13 Gjykata të Shkallës së Parë dhe vetëm një Gjykatë të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.

Durim Bajrami, avokat dhe Kryetar i Dhomës së Avokatëve në Vlorë thotë  për “Sinjalizo” se Reforma në Drejtësi ishte e nevojshme, por jo mënyra se si ajo u realizua.

“U shkarkuan mbi gjysma e magjistratëve, duke i lënë gjykatat bosh. Gjykata e Vlorës kishte 18 gjyqtarë, arriti në 5 deri në  6 gjyqtarë dhe sot ka 12 të tillë, por stiva e çështjeve të mbartura kanë bërë që ata të mos kapin dot ritmin”.

Përpara 4 vitesh, thotë Bajramaj,  një çështje penale në Gjykatën e Vlorës merrje vendim  për 3 muaj deri në 8 muaj, ndërsa sot vetëm në Gjykatën e Shkallës së Parë qytetarëve u duhet të presin deri në 2 vite e gjysmë.

“Sot në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë po gjykohen çështjet e vitit 2017. Pra, jemi 7 vite mbrapa dhe ky hendek do të thellohet, sepse dosjet po shtohen ndërkohë që parashikohet që një çështje të shkojë deri në 15 vite”,- thotë avokat Bajramaj për “Sinjalizo” duke shtuar se drejtësia e vonuar përbën rrezik për qytetarët, të cilët i drejtohen vetëgjyqësisë.

“Na vijnë klientë për çështje të ndryshme. Kur ua shpjegoj procesin, se çështja mund të marrë deri në 2 vite kohë në Gjykatën e Shkallës së Parë, 10 vite në Gjykatën e Apelit në Tiranë dhe deri në 6 vite në Gjykatën e Larë, pra, që duhet të presë 20 vite për një vendim, klienti largohet. Mund të ketë çështje me konflikte dhe thotë: Nuk i drejtohem gjykatës, do e zgjidh me vetëgjyqësi”.

Paaksesueshmëria në Drejtësi

Erinda Ballanca, Avokati i Popullit tregon se për herë të parë në rang vendi ka më pak çështje të depozituara në gjykatë. Në rang vendi numri i çështjeve të depozituara, kërkesë-padi është ulur me 5%, një indikator i të cilit mund të jetë edhe harta e re gjyqësore.

Sipas një sondazhi të kryer nga KSHH, ku pjesëmarrës ishte një kampion prej 612 individëve, rezulton se për pjesën më të madhe të të anketuarve, rreth 39.4%, largësia i pengon plotësisht ose pjesërisht në hapjen e një procesi gjyqësor.

Pamundësia financiare për të çelur një proces gjyqësore nuk është parë si një arsye për 75,3% e të anketuarve.

“Megjithatë 1 në 4 persona, referojnë se ka patur raste ku për shkak të pamundësisë financiare për të paguar tarifën gjyqësore apo për të marrë një avokat nuk kanë kërkuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tyre nëpërmjet gjykatës”- shkruhet në përgjigjen që KShH ka dhënë për “Sinjalizo”.

Problemet e sistemit gjyqësor kërkojnë vëmendje dhe zgjidhje të menjëhershme për të shmangur pasojat e rënda sociale dhe ligjore. Reforma në drejtësi është një hap i domosdoshëm, por duhet të shoqërohet me veprime konkrete për të përmirësuar aksesin dhe besimin e qytetarëve tek drejtësia. Ndërkohë, qytetarët mbeten në pritje të drejtësisë, duke shpresuar që dita e vendimeve të drejta dhe të shpejta do të vijë së shpejti.

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter