Shqipëria mirëpret turistët, por jo të gjithë…

Autore: Dallandyshe Xhaferri

Sfida e personave me aftësi të kufizuar për të pushuar

Pavarësisht se ka mirëpritur mbi 1.5 milionë turistë në vetëm tre muajt e parë të vitit, sektori në rritje i turizmit në Shqipëri paraqet ende barriera të konsiderueshme për udhëtarët me nevoja të veçanta. Ndërsa turistët si Adivie Hasa dhe Elida Çela flasin për sfidat e tyre, duke na kujtuar mungesën e infrastrukturës dhe të vëmendjes për këtë kategori pushuesish.

Adivie Hasa 33 vjeç qëndron e ulur në një tryezë restoranti duke ndjerë aromën e detit me shpresën se pranë natyrës do të mund të rikujtojë të gjitha ngjyrat e saj.

Përpara gati dy dekadash, kur ishte 10 vjeç, ajo humbi shikimin si pasojë e temperaturës së lartë. Pavarësisht se rrethohet nga errësira, dëshira “për t’u arratisur” drejt bregdetit ka mbetur po aq e fortë sa në fëmijëri.

Por dëshira e 33-vjeçares për të dalë nga rutina e përditshme bëhet sfiduese veçanërisht gjatë kohës së pushimeve. Vështirësitë nisin që nga shërbimi i kamarierit e deri tek pamundësia e hoteleve për dhënien e shërbimit të nevojshëm, aksesueshmërisë së ashensorit, mungesës së rampave, ndërkohë që të kërkosh menu në alfatetin Brail (alfabetin e të verbërve) duket si luks i tepruar.

“I kërkova kamarierit të më lexonte menunë dhe më tha: Ja këtu e ke! – thotë ajo për “Sinjalizo”.

“Unë shkoj me pushime me familjen, por asnjëherë recepsionistët, kamarierët nuk më pyesin mua se si e dua diçka, apo kur e dua. Ata pyesin familjarët e mi, por unë mund dhe dua të përgjigjem vetë për veten time”,-  thotë Adivija.

Personave me nevoja të veçanta në Shqipëri nuk u merret mendimi edhe atëherë kur mirëpriten si turistë.

Elida Çela, një tjetër vajzë me aftësi të kufizuar në shikim tregon për “Sinjalizo” se asnjëherë nuk do e merrte guximin të kalonte pushimet vetëm apo me shoqërinë e saj që ka të njejtat kufizime.

Nje foto e nje vajze Elida Cela para disa shkalleve ne plazh
Elida Çela

Çela thotë se të qenurit turist me nevoja të veçanta nuk është aspak e lehtë.

“Ne shkojnë në hotele ekonomike dhe ashensoret nuk janë funskionalë, ndërkohë rampa nuk ka”- thotë Çela.

 

Shqipëria turistike, por jo për të gjithë

Gjatë tre muajve të parë të këtij viti Shqipëria mikpriti mbi 1.5 milionë turistë, por ofrimi i shërbimeve turistike mbetet një e drejtë e mohuar për turistët me nevoja të veçanta, qofshin turistë të huaj apo vendas.

Në ligjin shqiptar për turizmin nuk ka asnjë dispozitë për aksesin në turizëm për personat me aftësi të kufizuar. Ky grup i turistëve është lënë jashtë edhe në Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2019-2023, në të cilin nuk është marrë asnjë masë për ta garantuar turizmin për personat me nevoja të veçanta.

Rrahman Kasa ushtron veprimtarinë e tij si operator turistik prej 24 vitesh dhe njëkohësisht është Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar. Ai thotë se përveç burimeve njerëzore në sektorin e turizmit, problematikë mbeten kapacietet akomoduese në raport me numrin e turistëve që vijnë në Shqipëri, si dhe infrastruktura rrugore. Megjithatë, sipas tij turistët me nevoja të veçanta nuk janë prioritet për sipërmarrësit në këtë sektor.

“Ka vende me 60-70 vite me eskperiencë në fushën e turizmit dhe nuk i kanë të ndarë akoma në kategori të tilla, sepse nuk mund të marrë përsipër asnjë sipërmarrës që të bëjë një investim të tillë për ato pak kërkesa që mund të ketë”,- thotë Kasa, ndërkohë që pranon se në Shqipëri mungojnë hotelet e ndërtuara për personat me aftësi të kufizuar.

Sipas të dhënave të publikuara në Strategjinë Kombëtare të Turizimit 2019-2023, në vend operojnë 2437 struktura akomoduese, nga të cilat 65% janë hotele dhe pjesa tjetër shtëpi e dhoma.

“Gjithashtu, sipas të dhënave të QKB, në vend janë licencuar 75 operatorë turistikë dhe 322 agjenci udhëtimi me një shpërndarje të ndryshme në qarqe, me pjesën dërrmuese të tyre të përqëndruar në Tiranë”,- shkruhet më tej në Strategjinë Kombëtare.

 

Turistët me aftësi të kufizuar, plazhi i munguar

Fatos Cerenishti, sipërmarrës në fushën e turizmit tregon se konkurenca ka ndikuar pozitivisht në përmirësimin e shërbimeve në hotelerinë shqiptare, megjithatë vetëm pak hapësira janë në dispozicion të turistëve me aftësi të kufizuara.

“Prej vitit 2014 në Shqipëri këmi pasur turizëm me grupe të organizuar. Ishin të parët Çekët, sllovakët, gjatë viteve 2015-2016 erdhën grupe të organizuar turistësh nga vendet skandinave dhe sivjet po përpiqemi që për vitin 2025 të kemi sa më shumë grupe turistësh britanikë”,- thotë Cerenishti.

Nje foto e Fatos Cerenishti nje sipermarresh ne fushen e turizmit duke folur ne nje podium
Fatos Cerenishti, sipërmarrës në fushën e turizmit

Ndërtimi i hoteleve të reja, kryesisht këtë 10-vjeçarin e fundit nga arkitektë të huaj edhe shqiptarë, sipas Cerenishtit ka mundësuar dhe ofrimin e shërbimeve të reja në dhomat e klientëve, duke mos ofruar vetëm fjetjen në dhomën.

Megjithatë, në dispozicion të tursitëve me nevoja të veçanta që duan të kalojnë pushimet në bregdet janë në dispozicion vetëm 2%-3% e kapaciteteve, ndërkohë së në Shqipëri jetojmë më shumë se 140 mijë persona me aftësi të kufizuar.

“Për ta kemi dhoma të veçanta, por jo shumë. Deri më tani numri i tyre ka qenë i kufizuar dhe kemi arritur ta përballojmë”,- thotë Cerenishti duke shtuar se në resortin që ai drejton prej vitesh, turistëve u vendosen në dispozicion disa pishina, çka bën të mundur që turistët me nevoja të veçanta të kenë mundësi zgjedhjeje.

Por, turistët vendas nuk e kanë gjithnjë të mundur të frekuentojnë resorte apo hotele me çmime të larta për kostot e tyre të jetesës.

Elida Çela, risjell gjatë intervistës vështirësinë për të përballuar financiarisht pushime 2-javore në bregdetin shqiptar për shkak të çmimeve të kripura.

“Në hotelet ku unë shkojë mungojnë si rampat, ashtu edhe ashensorët”,– thotë Elida, ndërkohë që për Eligerta Saden me aftësi të kufizuar në të ecur, plazhet shqiptare nuk ofrojnë asnjë alternativë për të targetgrup turistësh.

“Nuk ka pajisje, apo infrastrukturë që të mund të rrish në breg të detit dhe të jesh i sigurtë. Ose ndonjë pajisje që mund të të nxjerrë nga deti,”- thotë Eligerta për “Sinjalizo”.

Për 26-vjeçaren është e domosdoshme që në Shqipëri të kemi një plazh vetëm për personat me aftësi të kufizuar, por ende nuk është realizuar.

Në vitin 2022 në Golem të Kavajës u hap një plazh vetëm për personat me aftësi të kufizuar.  Në të gjendej një karrige pluskuese, e cila për shkak të mos mirëmbajtjes doli jashtë funksionit.

Mungesa e shërbimeve të nevojshme në hotele dhe mungesa e infrastrukturës së përshtatshme në plazhe bën që për turistët vendas pushimet verore, ose jo vetëm të jenë sfidë e vështirë.  Edhe pse turizmi në Shqipëri është në rritje, kujdesi për nevojat e kësaj kategorie të turistëve mbetet minimal, duke i kthyer pushimet në një të drejtë të mohuar.

Bregdeti piktoresk dhe resortet plot jetë të Shqipërisë mund të krijojnë një pamje për pushime të mrekullueshme, por për shumë prej vizitorëve të saj me aftësi të kufizuara, realiteti është larg të qenit idilik. Mungesa e akomodimeve bazë si p.sh. rampa, ashensorë funksionalë dhe dhoma të pajisura posaçërisht i kthen pushimet në një sfidë logjistike. Derisa të bëhen ndryshime rrenjësore, e drejta për një pushim në Shqipëri, fatkeqësisht, mbetet një privilegj dhe jo një e drejtë universale, për të gjithë.

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter