Profesionistët e lirë në pritje të …Gjykatës Kushtetuese

Autore: Dallandyshe Xhaferri

Në Shqipëri, taksimi i profesionisteve të lirë veçanërisht në fushën e teknologjisë dhe konsulencës ka hapur debate për të ardhmen e këtij sektori. Ligji kërkon tatim fitimi mbi të ardhurat, duke vënë në pikë pyetje vijimin e punës së shumë bizneseve.

Kur në Shqipëri ora shënon 1 e gjysmë pas mesnate profesionistët shqiptarë, të cilët ofrojnë shërbime informatike online për Shtetet e Bashkuara të Amerikes u duhet të punojnë me energjinë e një punëtori që ndodhet në Los Anxhelos, ku ora shënon 15:30 e ditës së kaluar.  Njëri prej profesionistëve të lirë, që punojnë të pavarur për tregun ndërkombëtar është Artur Havalja.

27-vjeçari i diplomuar për informatikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës prej 5 vitesh ka punuar si Software Developer për kompani private në vend si dhe për dy vite ka punuar me kohë të plotë online si inxhinier software për një kompani amerikane.

“Në 3 vitet e fundit kam zyrën dhe skuadrën time ku ofrojmë shërbime Informatike online për klientë të huaj në nivel ndërkombëtar, në Evropë dhe në SHBA”,- tregon 27-vjeçari.

Artur Havalja, inxhinier software

Megjithëse e ka menduar për t’u larguar nga vendi, mundësia për të punuar online për klientë të huaj, ka bërë që ai të qëndrojë dhe të zhvillojë aktivitetin e tij në Shqipëri.

Havalja kujton për “Sinjalizo” se për profesionistët digjitalë pandemia e 2019-s ishte një mundësi e mirë për të kaluar të gjithë veprimtarinë online, pavarësisht sfidave me konkurrencën ndërkombëtare, me profesionistë që kanë marrë edukimin në universitetet më të mira në botë.

Pozicioni gjeografik u bë thjesht një pikë në hartë”,- thotë Havalja teksa tregon se kalimi i barrierave kufitare u kthye në një mundësi përmirësimi nga ana profesionale për profesionistët digjitalë.

Shahin Veisi është një tjetër profesionist i lirë, i cili prej tre vitesh ofron shërbime në fushën e teknologjisë.

“Gjatë kësaj periudhe kam bashkëpunuar me klientë nga vende të ndryshme të botës, duke ofruar shërbime në projektimin dhe modelimin e sistemeve  mekanike”,- thotë Veizi.

Megjithatë, pandemia nuk është e vetmja ngjarje që ka ndikuar në karrierën e profesionistëve të lirë në vend. Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri të tatimeve për profesionet e lira, aktiviteti i programit informatik përfshihet në listën e  shërbimeve të profesionistëve të lirë që kanë nisur t’i nënshtrohen sistemit të ri tatimor.

Sipas Ligjit që hyri në fuqi në 1 Janar të këtij viti, të vetëpunësuarit dhe personat fizik të profesioneve të lira nuk do të trajtohen si biznes i vogël me 0% taksë, por ata do të tatohen me normat 15% për fashën 0 deri në 14,000,000 lekë dhe tatohen me 23% kur fitimi është mbi 14,000,000 lekë.

Sipas shifrave zyrtare që Qendra Kombëtare e Biznesit ka dhënë për “Sinjalizo” në përgjigjen e kërkesës për informacion, rezulton se numri i “personave fizikë aktivë”, pra që ushtrojnë në mënyrë ligjore profesionin e tyre, është 190 429.

Si “person fizik” njihet nga shteti shqiptar çdo individ i vetëpunësuar, individ tregtar, si edhe çdo individ që gjeneron të ardhura nga çdo burim, përfshirë të punësuarit, trashgiminë, dhurimin etj.

Megjithatë, ekpertët thonë se pavarësisht këtij përcaktimi në ligj, mënyra e zbatimit të tij nuk është i njëjtë për të gjitha këto subjekte ekonomike.

Artur Papajani, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve thotë për “Sinjalizo” se ky ligj erdhi si domosdoshmëri, por që nuk plotëson çdo pritshmëri.  Problematikat nuk hasen vetëm në zbatimin praktik të tij, por edhe në vazhdimësinë e pabarazisë në taksim.

Artur Papajani, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve

“Ndonëse me të drejtë u ‘mënjanua’ taksimi 0%,përsëri një grup i konsiderueshëm biznesesh, persona fizikë tregtarë mbetet i privilegjuar, duke u përjashtuar nga tatimi”,- thotë Papajani duke theksuar se tashmë norma tatimore për të vetëpunësuarit është 2-4 herë më e lartë se sa gjatë periudhës para zerimit për bizneset e vogla, kur ishte 5%.

“Kjo ekonomi vë në pozitë serioze financiare pothuaj të gjithë profesionet e lira që quheshin dikur, ose shërbimet profesionale sot. Një rritje kjo e pajustifikuar në kuptimin e peshës minimale që zë ky grup në të ardhurat e mbledhura gjithsej”,- përfundon Papajani.

Gjatë diskutimeve parlamentare të ligjit në vitin e kaluar, sipas Ministrisë së Financave prej tij prekeshin 26 mijë profesionistë të lirë dhe efekti në buxhetin e shtetit do të jetë 30 milionë euro, që nuk përbën as edhe 1% të tijin.

Inxhinieri Shahin Veisi tregon se kjo normë taksimi përbën barrë për profesionistët e lirë, të cilët ndonëse nuk e mbështesin praktikën e shmangies së taksave, janë përpjekur të gjejnë mënyra për të ulur kostot dhe për t’i shmangur taksat e larta.

“Shumë prej nesh po ndjekin metoda të ndryshme si regjistrimi i bizneseve jashtë vendit ose përdorimi i llogarive bankare ndërkombëtare. Megjithatë, këto metoda janë të komplikuara dhe shpesh të rrezikshme”– thotë ai, ndërkohë që shpjegon se si taksa e re ndikon jo vetëm të ardhurat financiare, por edhe veprimtarinë e tij.

“Nëse supozojmë se fitimet e mia vjetore janë 20,000 euro, atëherë do të duhet të paguaj 3,000 euro në taksa. Kjo shumë është e konsiderueshme dhe mund të reduktojë fitimet e mia në mënyrë të ndjeshme. Për disa freelancer-ë, kjo mund të nënkuptojë ulje të cilësisë së jetës ose nevojën për të rritur çmimet për klientët, gjë që mund të ndikojë negativisht në konkurrencë”,- thotë Veisi.

Ndërkohë, Artur Havalja tregon se përpjekjet për t’i anashkaluar taksat nuk kanë mënguar më parë nga punonjësit me paga më të larta se mesatarja.

“Taksa 0% për bizneset e vogla dhe profesionistët e lirë ka qenë një ndihmesë shumë e madhe për të gjithë ne, por këtu lindën dhe abuzimet me shumë punonjës dhe biznese, ku pasi arrinin një pagë mbi mesataren kalonin si ‘person fizik’ për të përfituar nga taksimi me 0%,por kjo është e padrejtë për pjesën tjetër të shoqërisë”,- thotë 27-vjeçari, i cili shton se taksimi në varësi të fitimeve duhet të jetë për të gjithë profesionistët, por ligji i sapohyrë në fuqi ka disa magësira.

“Tatimi është bërë në bazë të të ardhurave, jo në bazë të fitimeve. Siç dihet, një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të një biznesi janë shpenzime. Nuk mendoj se ekziston ndonjë biznes në botë që funksionon me zero kosto”,- thotë ai, ndërkohë që shton se një tjetër problematikë është taksimi i bazuar në të ardhurat që presionistët e lirë kanë pasur vitin e kaluar.

“Lufta” në Gjykatën Kushtetuese

Për avokatin Lulzim Alushaj, i cili është dhe nismëtari i paditjes së Ligjit për Tatimin e Profesioneve të Lira në Gjykatën Kushtetuese taksimi shkon përtej 23% të të ardhurave neto.

“Logjika e parapagimit të kësteve të detyrimit mbi tatim fitimin është antikushtetuese, që e bashkuar me mosnjohjen e shpenzimeve në vlerën 30 % (për një pjesë të këtyre profesioneve sipas xhiros), çon në tatimin e plotë pa asnjë zbritje. Për këto arsye masa e përqindjes së tatimit nuk është më 15 ose 23 % por shkon gati 50 % e vlerës”,- thotë Alushaj.

Në kërkesën prej 660 faqesh të mbështetur prej 151 profesionistëve janë specifikuar cënimi i parimit të barazisë para ligjit dhe mos diskriminimit; cënimi i lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe profesionit; paragjykimi i hyrjes në profesionet e lira dhe rëndësinë e vazhdueshmërisë së profesioneve të rregulluara (ose jo) etj.

Ndër të tjera, sipas avokatit Alushaj në këtë kërkesë përfshihet dhe ngritja artificiale e çmimeve të shërbimeve, si dhe arsyetimi mbi efektin prapaveprues të Ligjit.

Ndërkohë Artur Havalja thekson se duhet marrë parasysh që kontratat e profesionistëve me klientët e tyre janë afatshkurtra.

“Shumica e profesionistëve të lirë kanë kontrata afatshkurtra, edhe nuk është i qëndrueshëm si punësimi diku. Ndaj taksimi duhet bërë nga muaji në muaj, në varësi të rezultateve të arritura”,- përfundon Havalja.

Taksimi i profesionistëve të lirë, “goditje” për shtresën e mesme

Aigest Milo, avokati përfaqësues i Institutit të Kontabilistëve të Miratuar dhe i Institutit të Ekspertëve Kontabël në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e ligjit të tatimit mbi të ardhurat, thotë për “Sinjalizo” se ankesa e këtyre dy Instituteve dhe e Dhomës Kombëtare të Avokatisë do të shqyrtohet më datë 18 Qershor.

Aigest Milo, avokati përfaqësues i IKM-së dhe IEKA-s në Gjykatën Kushtetuese

Milo bën të ditur se argumentat kryesore të ngritura në akesën e drejtuar Kushtetueses lidhen ndër të tjera dhe me njehsimin e profesioneve të lira me punëmarrësit, ndryshme nga bizneset e tjera.

“Në të nëjtën mënyrë, zbatimi i një skeme të ndryshme tatimi për profesionet e lira, vetëm duke u bazuar te lloji i aktivitetit dhe jo siç është qëllimi i ligjit, te niveli i të ardhurave, cënon në mënyrë të drejtpërdrejt lirinë e veprimtarisë ekonomike pasi në këtë mënyrë shteti bëhet përcaktues në zgjedhjen e një individi për të ushtruar një profesion të caktuar”,- thekson Milo, ndërkohë që për ekspertin e ekonomisë, Enriko Ceko, ky ligj përbën goditje për shtresën e mesme të shoqërisë.

Profesionistët që punojnë në gjendje të lirë individualisht në shoqëri janë në fakt pjesa më e rëndësishme e shtresës së mesme në vend, dhe pjesa më e shëndoshë dhe e pavarur e shoqërisë shqiptare”,- thotë Ceko duke shtuar se është tërësisht e nevojshme që për profesionistët e lirë sigurimi i të ardhurave të mjaftueshme për të ofruar shërbime të pavarura.

“Këta janë ata që quhen portëruajtës në një sistem ekonomik. Nëse mungojnë portëruajtësit, atëherë nuk ka shërbime konsulence dhe mbikqyrjeje të veprimtarive sipërmarrëse dhe të veprimtarive që realizohen me anë të buxhetit të shtetit”,-  thotë Ceko.

Një tjetër ankesë e drejtuar Kushtetues është edhe shkelja e parimit të sigurisë juridike.

Skema e kaluar e tatimit, kur u vendos në vitin 2020, u premtua që do të mbahej në fuqi deri në vitin 2029, dhe në bazë të këtij premtimi, i cili është i ripërtëritur edhe në dokumentacion parlamentar në kohën e miratimit të ligjit”,– thotë avokati Milo duke shtuar se ligji duhet ndër të tjera të përcaktojë kriteret e taksimit dhe përjashtimet prej tij.

“Në rastin konkret, ligji i ka lënë një diapazon shumë të gjerë veprimi Këshillit të Ministrave duke e lënë në diskrecionin total të tij se mbi ç’kritere do të formulohet lista e profesioneve që do të jenë subjekt i skemës së re”,- thotë ai duke shtuar se një arsye tjetër për t’u revoltuar është edhe publikimi i listës së profesionistëve vetëm disa ditë para nisjes së zbatimit të ligjit, ndërkohë që ishte miratuar që në Mars të vitit 2023.

Për Enriko Cekon, tatimi mbi të ardhurat do të shoqërohet jo vetëm me mungesën e profesionistëve, por edhe me uljen e cilësisë së punës së tyre.

“Mendoj se shumica e tyre do mbyllin veprimtarinë dhe do listohen si të papunë. Ata do kërkojë punë në shtet dhe në sektorin privat, por puna e tyre do vlerësohet shumë më pak, kështu që ata do punojnë me cilësi më të ulët, pasi cilësia është në lidhje me pagesën”,- thotë Ceko, i cili ndër të tjera thekson se mund të kemi mangësi profesionistësh që do të ofrojnë shërbime të ndryshme.

“Do ketë mangësi në profesionistë që do ofrojnë shërbime konsulence, mbikqyrjeje dhe kolaudimi punimesh, kryesisht për prokurimet publike. Kjo shërben si një ‘boomerang’ edhe për qeverinë, pasi ajo nuk ka se ku të gjejë profesionistë që të mbikqyrin punimet dhe të bëjnë kolaudimin e punimeve që këto punime të merren në dorëzim nga pushteti vendor dhe qendror”,- përfundon eksperti i ekonomisë.

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter