Minatorët, heronjtë e harruar

Autore: Ina Allkanjari

Në thellësitë e tokës së Shqipërisë ndodhet një pasuri ende e pashteruar që ka ndihmuar ekonominë e vendit për dekada të tëra: minierat. Zbulimi, shfrytëzimi dhe përpunimi i lëndëve minerale shoqërohet me sfida dhe vuajtje të pafundme për të punësuarit në këto miniera të cilët çdo ditë përballen me kushte ekstreme pune, që shpeshherë kanë shkaktuar edhe humbje jetësh.

Ky kalvar vuajtesh për minatorët nuk ka fund, ndonëse shumë prej tyre prej vitesh janë larguar nga ky profesion dhe sot janë në pension.

“Jemi nëpërkëmbur, asnjëherë nuk na ka vlerësuar shteti”.

Kështu shprehet për ACQJ, Mark Gjergji një ish minator i cili ka punuar nëntokë për thuajse 17 vite. Sot, ndërsa gjendet në pension ai nuk po mbledh frytet e punës së ti, por vazhdon të përjetojë pasojat e asaj pune.

“Prej vitesh kam probleme me frymëmarrjen, por jo aq rëndë sa shumë shokë të tjerë që kanë punuar gjithashtu në miniera. Shumë prej tyre, janë me frymëmarrje të rënduar, përdorin pompa oksigjeni”.

Ish minatori tregon se ndonëse puna në miniera konsiderohet me risk të lartë për shëndetin, ende pas shumë dekadash kërkojnë nga shteti shërbimin bazë, mbulimin e shpenzimeve shëndetësore.

Mark Gjergji ndalet te statusi i minatorit, një miratim ligjor i cili do të përkthehej në benefite për të gjithë minatorët në Shqipëri. Ai bën thirrje për një pension minimal më të lartë për ata që kanë kontribuar në industrinë minerare për vite të tëra.

“Duam që pensioni minimal për minatorët mos të jetë nën 540 mijë lekë në muaj”, thotë Mark Gjergji.

Sot Gjergj merr një pension prej 220 mijë lekësh në muaj. Ish minatori tregon se së bashku me punonjës të tjerë janë përballur me sfida të shumta përgjatë viteve të punës.

“Indeksimi është bërë për deputetët dhe ministrat, por jo për ne ish minatorët. Që të marrë një ish minator sot 200 mijë lekë pension, pas gjithë atyre viteve vuajtje, është turp”.

Duke përmendur kushtet e punës, Mark Gjergji thotë se rroga për ta është shumë e ulët.

“Një minator nuk duhet të paguhet më pak se 700 mijë lekë në muaj. Është turp, ka minator sot që paguhen me 500 mijë lekë. Gjithashtu gjëja parë që duhet të ndryshoj për minatorët që punojnë sot në kushte shumë të vështira në miniera është që të jenë të siguruar nga ana shëndetësore me paketa të plota pasi janë të rrezikuar gjithë kohës”, thotë ish minatori.

Kushtet e punës dhe risku për jetën

Ekspertët në fushën e sigurisë në punë theksojnë nevojën për ndryshime në trajtimin dhe mbrojtjen e minatorëve.

“Të gjithë sektorët e punës kanë elementet e rrezikut në vendin e punës, masat parandaluese dhe instruktimi i çdo punonjësi është i rëndësishëm. Sigurisht shkalla e rrezikut është e diferencuar në disa sektore si Minierat, Ndërtimi etj”, thotë eksperti i sigurisë Fatjon Softa.

Softa tregon se vlerësimi i riskut është një detyrim ligjor, sipas Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë dhe Vendimeve të Këshillit të Ministrave të cilat duhet të gjejnë zbatim në praktikë.

“Në Miniera, nuk zbatohen rregullat e sigurimit në punë në mënyrë rigoroze, kushtet e punës, mungesa e drejtuesit teknik që është personi përgjegjës edhe për sigurinë në punë, e ka ekspozuar më shumë rrezikun për jetën”, thotë Sota.

Një aspekt tjetër që eksperti Softa vendos në fokus është statusi i minatorit, i cili vazhdon të mbetet i pazgjidhur dhe vijon të ndikojë me qindra minatorë në vend.

Frosina Gjino, drejtoreshë e Qendrës Shqiptare të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë (AOSHC), nënvizon nevojën e një vëmendje të veçantë ndaj këtij sektori për të adresuar sfidat e sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës. Gjino thekson se puna në miniera është e shoqëruar me një risk të lartë për aksidente në punë dhe sëmundje profesionale.

“Sektorët me rrezikshmëri më të lartë për të punuar në Shqipëri janë minierat, sektori i ndërtimit, fabrikat e çimentos. Janë sektore me risk të lartë për aksidente në punë dhe për sëmundje profesionale”, thotë drejtoresha e AOSHC.

Në të njëjtën kohë, Gjino thekson nevojën për të krijuar kushte më të mira për punonjësit në miniera. Ajo ndalet te mjekësia e punës dhe nevojën për krijimin e një kabineti për sëmundjet profesionale.

“Aksidentet mbase në një farë mënyre janë minimizuar, por punonjësit e minierave vuajnë nga sëmundjet e mushkrive dhe është fatkeqësi që në Shqipëri është mbyllur pavioni i sëmundjeve profesionale. Urgjentisht duhet të ngrihet kabineti i sëmundjeve profesionale sidomos për punëtorët e minierave të cilët kanë probleme shumë të mëdha me semundjet e mushkrive, me kancerin e mushkrive”, thotë për ACQJ Frosina Gjino.

Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Gëzim Kalaja gjithashtu ndalet te mungesa e një pavioni për sëmundjet profesionale, teksa thotë se para viteve 90 ka qenë funksional.

“Për shkak të profesionit të vështirë, në spitalin qëndror të Tiranës dikur ka qenë në funksion pavioni i sëmundjeve profesionale. Sot nuk ekziston më. Kontrollet mjekësore bëheshin në çdo minierë të republikës për të konstatuar ecurinë fizike të minatorëve të cilët punonin nëntokë”, thotë për ACQJ kryetari i Sindikatës së Minatorëve.

Pa kontrata pune dhe paga të ulëta

Në analizën e fundit vjetore të publikuar nga Inspektoriati Shtetëror i Punës në kuadër të aksidenteve të ndodhur në punë në vitin 2023, janë regjistruar 168 raste të aksidenteve në punë nga të cilët 30 me pasojë humbjen e jetës. 27 prej tyre raportohen të jenë aksidente të ndodhura në miniera, një prej tyre me pasojë fatale humbje jete.

Tabelë marrë nga ISHPSHSH, Aksidentet në Punë viti 2023

Në këto inspektime si shkaqe të ndodhjes së aksidenteve në punë, lidhen kryesisht me moszbatim të rregullave të sigurisë dhe shëndetit në punë.

Kryetari i Sindikatë së Minatorëve tregon se shpesh herë ndodhin aksidente me plagosje dhe vdekje të minatorëve pasi anashkalohen rregullat e sigurimit teknik dhe kushteve të punës së minatorëve.

“Në historinë e industrisë minerare shqiptare, sipas statistikave që kemi ne Sindikata e Minatorëve të Shqipërisë, kanë ndodhur 548 aksidente me vdekje. Disa prej tyre nuk kanë arritur të dalin nga miniera. Kjo tregon se është një nga profesionet që ka të aksidentuar me vdekje më shumë se të gjithë profesionet e tjera”, thotë Gëzim Kalaja.

Një nga format e informalitetit në punësim është të punuarit pa një marrëveshje pune të shkruar. Gjatë kësaj periudhe ISHPSHSH në inspektimet e kryera ka evidentuar gjithsej 2,446 punëmarrës pa kontrata individuale pune. Nga të cilët 39 rezultojnë të jënë punonjës në miniera.

Pagesa e ulët është një tjetër problematik e ngritur nga minatorët të cilët kërkojnë që paga minimale për këtë sektor të jetë 700 mijë lekë. Sipas ISHPSHSH për vitin 2023, rezultojnë 7,458 punonjës në miniera ku 8% e tyre ose thënë ndryshe 561 punonjës kanë marrë pagë minimale prej 400 mijë lekësh.

Tabelë marrë nga ISHPSHSH, Paga Minimale viti 2023

Të punësuarit në miniera përballen çdo ditë me kushte të vështira pune të cilat shpesh herë kanë shkaktuar edhe humbje jetësh. Kërkesat e minatorëve kanë në fokus përcaktimin e pagës minimale 700 mijë lekë në muaj për këtë sektor, përfitim të pensioneve për minatorët dhe familjarët e tyre në rast të aksidenteve në punë, rritjen e pensionit, uljen e moshës së daljes në pension, etj.

Privatizimi i minierave

Minierat në Shqipëri u privatizuan gjatë viteve të tranzicionit pas rënies së regjimit komunist. Konkretisht zhvillimi i industrisë minerare kaloi në disa faza., Aktiviteti minerar që nga vendosja e sistemit totalitar më 1945 e deri në vitin 1994 ishte i kontrolluar nga shteti dhe organizimi ishte në formën e ndërmarrjeve shtetërore. Pas vitit 1994 deri në ditët e sotme minierat u privatizuan totalisht dhe aktualisht nuk ka asnjë minierë në aktivitet, ku të jetë pronar shteti. Privatizimi solli ndryshime në sektorin e minierave, duke ndikuar në strukturën e pronësisë, menaxhimin dhe operacionet e tyre.

Gëzim Kalaja tregon së para viteve 90 industria minerare punonte me kapacitet të plotë për nevojat e veta pavarësisht kostove financiare që kishin. Sipas tij parësore për atë kohë ishte sigurimi teknik, kushtet e punës dhe realizimi i planit.

“Sot minierat janë privatizuar. Kjo ka sjellë si problem që vemendja të përqëndrohet e gjitha te prodhimi për arsye të ekonomisë së tregut dhe administratori që ka marrë minierën e ka fokusin sa minerale do nxjerrë për ti shitur, në mënyrë që të sigurojë të ardhurat për pagesat, për energjinë elektrike, për tatimet, për taksat, por njëkohësisht edhe për fitimin e tij”, thotë Kalaja.

Ai gjithashtu tregon për disa kushte të cilat janë përmirësuar aktualisht për shkak të implementimit të pajisjeve moderne në miniera.

“Por disa kushte aktuale kanë ndryshuar, kjo për shkak të prurjes së makinerive moderne të cilat punojnë nëntokë dhe është përmirësuar situata. Sot teknologjia është prezente në minierat duke përjashtuar disa galeri të cilat nuk kanë pasur mundësi që të sjellin makineri për shfrytëzimini e galerive që ata disponojnë”.

Ish minatori Mark Gjergji gjithashtu thotë se privatizimi i minierave u shoqërua me disa ndryshime për punonjësit. Sipas tij ndikimi që këto ndryshime patën në kushtet e punës dhe sigurinë ishin minimale.

“Pasi ndodhi privatizimi i minierave ndodhën disa ndryshime që prekën për mirë minatorët por ishin shumë të vogla. Në kohën kur unë isha minator dhe minierat ishin shtetërore ne ushqimin e paguanim vetë, kurse minatorët sot e kanë falas gjatë orarit të punës. Një tjetër ndryshim sot është që minatorëve u është siguruar transporti falas. Gjithashtu është përmirësuar situata e kontratave të punës, sot shumica e punonjësve janë të deklaruar”, tregon ish minatori.

Frosina Gjino, drejtoreshë e AOSHC ndalet te mungesa e kujdesit dhe përgjegjësisë së mjaftueshme të koncensionarëve ndaj kushteve të punës së minatorëve dhe impaktit në komunitetet lokale.

“Punonjësve në miniera gjithashtu duhet tju krijohen kushte sa më të mira, sepse kur jepet një minierë me koncension shteti të mos kërkojë vetëm sa është koncensioni, sa përqind merr pronari. Por duhet të vendosen kushte në koncension, si të përmirësohen kushtet e punës, çfarë makineri moderne do të futen. Dhe të realizohen kontrolle nëse koncensionari i realizon këto apo jo.  Sepse kjo gjë çalon shumë në Shqipëri, nuk i kërkohet shumë llogari koncensionarëve sesa përqind të fitimit e kalon për kushtet e punës”, tregon Gjino.

Ajo thekson se është e nevojshme që një pjesë e fitimit në minierat duhet të kalojë në mbështetje të komuniteteve pasi sipas saj minierat janë burim ndotjesh për komunitetin.

 

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/
What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter