Ekstremistët e djathtë në Shqipëri: Sfida për demokracinë dhe diversitetin

Në rrjetet sociale dhe në hapësirat e ndërveprimit në albanosferë lëvizjet e djathta, radikale në Shqipëri dhe në diasporë po përhapin ideologjitë ultra-nacionaliste, duke shpërndarë materiale me përmbajtje fashiste dhe naziste. Ato kanë qëndrime të kundërta me parimet demokratike dhe kanë si qëllim promovimin e diskriminimit të grupeve minoritare dhe të margjinalizuara. Veprojnë në kushtet e anonimatit, pasi i druhen monitorimit (që nuk po ndodh) nga institucionet.

Autor: Heldis Ismailaj

Lëvizjet e djathta, radikale në Shqipëri kanë filluar t`i përhapin ideologjitë ultranacionaliste përmes rrjeteve sociale në mënyrë më të organizuar.

Një lulëzim i platformave me përmbajtje të propagandës ideologjike, fashiste ka filluar të infiltrojë hapësirat e mendimit në albanosferë (hapësira e ndërveprimit të shqiptarëve në rrjet).

Me ndjekës lokalë, por edhe të diasporës, këto lëvizje shpërndajnë materiale me përmbajtje fashiste dhe naziste në platformat më të rëndësishme ndërvepruese në rrjet, si Facebook, Instagram, X (Twitter), TikTok, Youtube etj.

Në të njëjtën kohë këto grupe kanë filluar në mënyrë aktive të sinjalizojnë aktivitetin e tyre edhe në sferën publike përtej rrjetit digjital. Duke shenjuar zonat e tyre të veprimit, shpesh simpatizantët e këtyre ideologjive shpërndajnë materiale me përmbajtje ideologjike, të djathta rreth e rrotull qytetit të Tiranës.

Fotografi të shkrepura në zona të ndryshme të Tiranës

Ndër to bie më në sy platforma Albanian Third Position (ATP), e cila ka dhe një blog, që e bën më të lehtë shpërndarjen e materialeve për ndjekësit e ideologjisë nazifashiste mes përdoruesve.

E prezantuar si lëvizje meta-politike, ajo iu ofron ndjekësve një platformë, ku mund të informohen mbi politika ultranacionaliste dhe nazifashiste, pan-europiane.

Me tematika, që përfshijnë manifeston ideologjike të grupit, arkiva imazhesh nostalgji-ndjellëse të marrëdhënieve të Shqipërisë me Italinë fashiste, paganizmin shqiptar dhe antikomunizmin, ky grupim ofron një platformë, ku mund të “edukohesh” rreth Lëvizjes së Tretë.

Pozicioni i Tretë është një grup ideologjish politike, neofashiste, që u shfaq për herë të parë në Europën Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore. I zhvilluar më tej gjatë Luftës së Ftohtë, e mori emërtimin e tij si pasojë e doktrinës, që përfaqësonte një pozicion të tretë mes kapitalizmit të Bllokut Perëndimor dhe komunizmit të Bllokut Lindor.

Kjo lëvizje kundërshton parimet e demokracisë moderne dhe fetë abrahamike, si dhe promovon tradicionalizmin shqiptar, paganizmin, homofobinë dhe racizmin.

Ndërveprimet më të zakonshme mes ndjekësve të këtyre platformave janë mbi rolin e Islamit në Shqipëri dhe konspiracionet e “promovuara” nga George Soros, si “zëvendësimin e të bardhëve” në Europë, tematika që sot gjejnë zë edhe në politikën shqiptare.

Arlind Qori, aktivist dhe pedagog, viktimë e këtyre grupeve, tregon se aktiviteti i tyre është tejet i dëmshëm për fibrën sociale të shoqërisë.

“Përvoja ime me këto grupe është e kufizuar te të qenit objekt i shpifjeve apo i teorive të konspiracionit, duke u akuzuar si “sorosist”, me të gjitha implikimet konspirative që bart ky shënjues”, – thotë Qori.

Si pikë kryesore e platformës së këtyre lëvizjeve është dhe Zëvendësimi i Madh, i njohur gjithashtu si teoria e zëvendësimit ose teoria e zëvendësimit të madh, një teori konspirative, nacionaliste e ekstremit të djathtë, e përkrahur nga autori francez, Renaud Camus.

Teoria origjinale thotë se, me bashkëpunimin e së majtës dhe një grupi pro “zëvendësimit” të popullsisë europiane, popullsia e bardhë, europiane në përgjithësi po zëvendësohet demografikisht dhe kulturalisht nga popuj jo të bardhë, veçanërisht nga vendet me shumicë myslimane, përmes migrimit masiv dhe rënies së lindshmërisë së europianëve të bardhë.

Për më shumë informacion edhe mbi qasjet e tyre mbi të djathtën ekstreme si faktor në vend, morëm mendimin e Prof. Dr. Andi Pinarit, zëvendësdekan në Fakultetin e Histori-Filologjisë, Sara Kelmendit, kërkuese pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim dhe Dr. Arlind Qorit, pedagog në Departamentin e Shkencave Politike dhe bashkëthemelues i Lëvizjes Bashkë.

“38,9% e të anketuarve besojnë se ka një komplot të madh për ta shpopulluar Shqipërinë dhe për t`i zëvendësuar banorët vendas me emigrantë të huaj. 38% e kampionit shprehen se shqiptarët nuk duhet të përzihen me raca të tjera, duke shfaqur kështu edhe tendenca diskriminuese, që vetë të anketuarit kanë pasur”, – thotë Sara Kelmendi, kërkuese për IDM mbi ekstremizmin e dhunshëm, jo-fetar në Shqipëri.

Kjo tregon një hapësirë të konsiderueshme, ku grupe me politika të ekstremit të djathtë mund të fitojnë simpatizantë mes publikut të gjerë.

Materialet e grupimeve të ekstremit të djathtë gjenden lehtësisht të publikuara në këto platforma në shqip dhe në anglisht. Postimet e tyre shfaqen si një fushatë e mirëmenduar shenjëstrimi të një audience të caktuar në sferën shqiptare të ndërveprimit në rrjet.

Nismat e shpërndarjes ideologjike, që përdoren nga këto platforma, ngjasojnë shumë me modele të grupeve të tjera, fashiste në rrjet, sipas një raporti të vitit 2022 nga RAN Practitioners (Radicalisation Awareness Network).

Me një numër prej gati 3000 ndjekësish në platformat e tyre, kryesore të ndërveprimit, grupet e ndryshme, aktive të ekstremit të djathtë në vend dita-ditës rrisin audiencën e tyre përmes shfrytëzimit të anonimitetit, që iu lejon rrjeti.

 

 

Qëndrimet e ekstremit të djathtë në Shqipëri

Të orientuar drejt “ruajtjes” së identitetit kombëtar, grupe, që identifikohen me politika të së djathtës ekstreme, shtyjnë ideologji, që vetë i konsiderojnë si ultra-nacionaliste. Sipas retorikës që përdorin në materialet e shpërndara në rrjet, këto lëvizje janë gjeneza e një fryme të re, politike, pan-europiane, që e sheh shqiptarin afër “vëllezërve” të tij, europianë.

Rrjeti i platformave të ndërlidhura me ideologji ultranacionaliste

Gjatë hulumtimit mbi hapësirat e djathta në rrjet kemi identifikuar 13 kanale, ku ultra-nacionalistët shqiptarë ndërveprojnë. Me gati 3000 ndjekës vetëm në Telegram, këto grupe arrijnë audiencën me prezencë aktive edhe në rrjete të tjera, popullore, si Meta, Youtube, X (më parë Twitter).

“Nëse ka terren mundësues (për politikat e ekstremit të djathtë), qartazi ka, sepse është pikërisht kjo klima e agravuar, politike, që përkthehet pastaj në qytetarë, të cilët janë të zhgënjyer nga qeveria dhe nga faktori politik. Zhgënjimi politik është shumë më evident sesa faktorët e tjerë”, – thotë Sara Kelmendi.

“Është një konglomerat i të gjithë këtyre nxitësve socio-ekonomikë, politikë e kulturorë, që mund ta bëjë Shqipërinë më pak ose më shumë të ekspozuar për të qenë e prirur ndaj një forme ekstremizmi. Shqipëria ka një lloj mjedisi mundësues për të patur rryma, që iu përgjigjen karakteristikave të ekstremit të djathtë”, – shton ajo.

Platformat lidhin nacionalizmin dhe ndjenjën e bashkimit kombëtar me idenë e krijimit të një hapësire homogjene, shqiptare.

Materialet dhe komentet, që shpërndajnë në rrjet, mbajnë qëndrime ultra-konservative, që përafrohen me ato të së djathtës ekstreme, europiane. Këto grupe shprehin qëndrime të kundërta me lëvizjet liberale, komuniteteve të margjinalizuara, grupeve minoritare, etnike dhe emigrantëve.

“Në kuptimin më të gjerë të së djathtës ekstreme, përhapja e këtyre ideve lehtësohet nga dëshpërimi social, dobësitë e organizimit ekonomik e shoqëror, si p.sh., sindikatat, unionet studentore etj., të cilat do të shërbenin si kanale emancipuese të pakënaqësive ekonomike e sociale”, – thotë Arlind Qori.

Me postime dhe imazheri mjaft të dhunshme kundër minoriteteve, këto grupe sulmojnë iniciativat për promovimin e të drejtave themelore, që disa minoritete kanë filluar t`i gëzojnë në shoqëritë perëndimore.

Një pjesë e mirë e individëve, që iu bashkohen këtyre retorikave në rrjet, janë edhe tifozë të skuadrave të futbollit në vend, gjë që krijon një lidhje të ngushtë mes ultra-nacionalistëve shqiptarë dhe ultrasve të futbollit.

“Me sa mbaj mend, mund të ketë pasur në të rrallë ndonjë simbol neonazist në ndeshje futbolli ose ndonjë faqe periferike në rrjetet sociale, por asgjë më shumë”, – thotë Arlind Qori.

Foto të publikuara në faqet e simpatizuesve të skuadrës së futbollit të kryeqytetit, ku dallohen mesazhe dhe parulla me përmbajtje fashiste

Lidhja e afërt e ultrasve të futbollit me të djathtën ekstreme është një faktor, që ka filluar të studiohet së fundmi edhe në kontekstin europian. Shumë grupe tifozësh në Europë (huliganët) manifestojnë retorikë të ekstremit të djathtë kundër Islamit, emigrimit, personave LGBTQIA+, si dhe retorikë misogjine.

Gjatë hulumtimit dhe monitorimit të hapësirave të ndërveprimit të pjesëtarëve të grupeve të ndryshme, që manifestojnë ideologji nazifashiste në albanosferë, u vu re se pjesa e tyre më e madhe manifeston dëshirën e ruajtjes së anonimitetit, deri në momentin që lëvizja e tyre, politike të fillojë të pranohet më shumë në shoqëri. Më së shumti edhe prej frikës se monitorohen nga forcat e rendit; frikë joreale, sepse, gjykuar nga përgjigjet e institucioneve të ndryshme, shtetërore, nuk ka monitorim.

Foto e marrë nga platformat e së djathtës ekstreme në Telegram, ku portretizohen ndjekësit e Tirana Fanatiks, duke bërë përshëndetjen naziste

“Këtë vit kemi një rritje me 4.2 për qind të të anketuarve, të cilët janë dakord ose pjesërisht dakord se kanë individë ose grupe, që nxisin dhunën, në zonat ku ata banojnë në krahasim me vitin 2021. Të anketuarit janë më pak të prirur të shprehin dakordësinë mbi pranimin e individëve apo grupeve që nxisin ekstremizmin etno-nacionalist. Anketimi i kryer në fund të vitit 2023 na konfirmoi sërish, që ekstremizmi politik mbetet për qytetaret më shqetësues sesa ai fetar apo etnik”, – thotë Sara Kelmendi lidhur me studimin e kryer mbi tendencat e ekstremizmit të dhunshëm, jo-fetar.

Në fakt, nuk ka asnjë të dhënë nga institucionet shtetërore, që mund të japë indicie mbi shtrirjen e rrezes së ndërveprimit të këtyre ideologjive. Ky pohim vjen si pasojë e përgjigjeve negative për zotërimin e informacioneve për temën nga institucione të ndryshme, që ACQJ ka kontaktuar.

Me dëshirën për të kuptuar më shumë mbi informacionet, që institucionet shqiptare kanë mbledhur mbi lëvizjet e ekstremit të djathtë në vend, u dërguan disa kërkesa për informacion në disa institucione shtetërore. Kontaktuam Ministrinë e Brendshme, Policinë e Shtetit, Prokurorinë, Autoritetin Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (CESK) dhe Qendrën e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (QKEDH).

Përgjigjja e vetme që ACQJ mori ishte se, sipas tyre, në Shqipëri nuk ka asnjë grup me ideologji të ekstremit të djathtë

E djathta ekstreme refuzon republikën shqiptare si modelin përfaqësues të shqiptarëve

Pjesëtarët e grupeve shqiptare të ekstremit të djathtë e refuzojnë modelin e shtetit republikan dhe ftojnë rikthimin në shtetin “tradicional, europian”.

Pjesë e Manifestos së Albanian Third Position, marrë nga platforma e tyre në rrjet

Në Manifeston e shpalosur në platformën e grupit Albanian Third Position ftohen ndjekësit në ri-konceptimin e modelit të shtetit dhe kthimin në shtetin monarkik. Duke e lidhur linjën e tyre të mendimit me modelin e “shtetit” të Skënderbeut, për ta shteti demokratik dhe republika kanë tradhtuar shpirtin shqiptar dhe vlerat tradicionale e kulturore të shqiptarëve.

Pjesë e Manifestos së Albanian Third Position, marrë nga platforma e tyre në rrjet

Shteti shqiptar, sipas tyre, duhet të jetë një shtet etnik, që bashkon popullin përmes përkatësisë racore dhe raca është gjëja themelore në ruajtjen e vlerave dhe gjakut.

Përmes platformave zyrtare të “propagandës”, grupet e ekstremit të djathtë iu lejojnë pjesëtarëve shkarkimin dhe shpërndarjen e materialeve.

Mund të shkarkohen postera, stickers, materiale leximi, të përzgjedhura nga administruesit e platformave, që t’i shpërndajnë dorazi ose t’i shpalosin nëpër qytetet ku jetojnë.

Shumë pjesëtarë marrin iniciativën e ngjitjes së stickers-ave nëpër zona të ndryshme të qyteteve ku jetojnë, brenda e jashtë vendit, shpesh duke mbuluar stickers-a të tjerë, që janë “të majtë”. Shpërndarja e materialeve ka si qëllim deklarimin e pranisë të së djathtës ekstreme në hapësira, ku s’do mendoje se janë të pranishëm.

 

 

Albanian Third Position dhe lëvizja për sjelljen e politikave të djathta në Shqipëri

Albanian Third Position (ATP) e quan organizimin e saj si një lëvizje të pozicionit të tretë, politik. Temat kryesore të diskursit lidhen me kulturën shqiptare, racën, politikat dhe vizionin e shtetit.

Prania e kësaj nisme shihet për herë të parë në rrjet, duke filluar nga viti 2019 me publikimin e një letre nga Ismet Toto, një figurë politike, përfaqësues i lëvizjes së quajtur neoshqiptarizma e viteve ’30.

Neoshqiptarizmi ishte një lëvizje intelektuale dhe kulturore në Shqipërinë e viteve 1930 me përfaqësues kryesor Branko Merxhanin dhe Vangjel Koçën, e cila kërkonte modernizimin dhe pavarësinë kulturore të kombit shqiptar, në përpjekje për ta çuar më tej atë që Rilindja Kombëtare kishte arritur, pra themelimin e shtetit shqiptar”, – thotë Prof. Dr. Andi Pinari.

Prof. Pinari shton se në thelb neoshqiptarizmi nuk është drejtpërdrejt i lidhur me të djathtën ekstreme apo fashizmin, pasi ishte më tepër një lëvizje intelektuale dhe kulturore, e cila kërkonte pavarësinë kulturore dhe modernizimin e kombit shqiptar. Megjithëse kishte elemente nacionaliste, sipas tij, nuk ka qenë një ideologji e drejtpërdrejtë politike, siç ishte fashizmi.

Arlind Qori mendon se përhapja e ideve të ekstremit të djathtë lehtësohet nga degradimi në sistemin arsimor.

“…i ka sjellë nevoja për shpjegime të shkurtra e “koka turku”, si në rastin e teorive konspirative, por edhe si efekt i ideologjive që ndeshen në Perëndim, të cilat medoemos kanë ndikim në shoqërinë shqiptare”.

Një nga materialet ngjitëse, që pjesëtarët e ATP shpërndajnë

Rrjetet sociale janë gjithashtu një hapësirë, ku këto grupe kapin lehtësisht vëmendjen e audiencës. Nga ndërveprimet në TikTok numërohen rreth 41 mijë shikime vetëm në faqen e ATP.

Në llogari të tjera të së djathtës ekstreme ky numër shikimesh rritet, si në rastin e Illyrian Pagan, që numëron rreth 102 mijë shikime.

Kjo dëshmon qasjen efikase në rrjet dhe lehtësinë, më të cilën shpërndahen materiale me mesazhe fashiste.

Një pjesë e videove drejtuar shqiptarëve, që shtyjnë ideologji të ekstremit të djathtë

Të pranishëm edhe në Youtube, ku kanë 58 mijë shikime, në Instagram, me gati 1400 ndjekës, mes llogarive kryesore të shpërndarjes së qëndrimeve të tyre ATP në mënyrë aktive shpërndan përmbajtje për kulturën, fenë, racën dhe konservatorizmin.

Më së shumti ata ndërveprojnë me njëri-tjetrin përmes rrjetit social Telegram. E përzgjedhur si platformë që iu garanton anonimitetin, ndajnë me njëri-tjetrin besimet dhe idetë, duke u organizuar në grupe të ngushta, por edhe me grumbullime fizike të një pjese të anëtarëve.

Mënyra e veprimit është përmes krijimit të kanaleve të hapura për shpërndarjen e informacioneve ideologjike, që më së shumti janë të mbyllura dhe ku mund të postojnë vetëm administruesit e kanalit.

Iniciativa e ATP, si krijimi i platformës Pagan Shqiptar, numëron rreth 974 ndjekës në Instagram dhe poston përmbajtje lidhur me paganizmin shqiptar dhe tradicionalizmin, duke nxitur mohimin e besimeve fetare.

Blogu i Pagan Shqiptar, ku ndahen përmbajtje mbi paganizmin shqiptar

Me një rritje të interesit mbi spiritualitetin dhe paganizmin, faqet, që lidhin kontekstin nacional dhe historik me fetë pagane në trevat shqiptare, janë popullarizuar, duke lehtësuar servirjen e propagandave të ekstremit të djathtë.

“16.3% e kampionit pohon se, në zonën ku ata banojnë, ka individë ose grupe, që nxisin ekstremizmin e dhunshëm, politik. Për sa i përket ekstremizmit etno-nacionalist, ka një rritje të konsiderueshme në fakt prej 10,3% në krahasim me vitin 2021 në përqindjen e të anketuarve, që shprehen se janë të shqetësuar me këtë formë ekstremizmi”, – thotë Sara Kelmendi.

Shpeshherë, përmes ripostimit të të njëjtave materiale, grupe si ATP e kanë të lehtë servirjen e këtyre materialeve tek audienca më të gjera, duke mos adresuar në mënyrë të drejtpërdrejtë politikat e tyre, por duke arritur shpërndarjen e koncepteve kryesore.

“Kur janë pyetur (të anketuarit) mbi format e diskriminimit, ndaj të cilave ata vetë ishin përballur gjatë vitit të fundit, ata rreshtuan në radhë të parë diskriminimin për shkak të përkatësisë etnike, diskriminimin dhe gjuhën e urrejtjes për shkak të përkatësisë politike, si dhe diskriminimin dhe gjuhën e urrejtjes për shkak të besimit fetar, me një total prej 119 përgjigjesh, ku nuk mungonin gjithashtu dhe raportime të dhunës verbale, diskriminime për shkak të statusit socio-ekonomik apo për shkak të orientimit seksual, si dhe diskriminimin me bazë gjinore”, – shton Kelmendi lidhur me studimin e kryer nga IDM.

Politikat e kësaj nisme duket se janë kundër shtetit demokratik dhe lëvizjeve progresiste. Duke sulmuar grupet e margjinalizuara përmes anonimitetit, që iu lejon rrjeti dhe platformat, që përdorin, mes të cilave Telegram, si platformë kryesore komunikimi, ata i shpërndajnë mesazhet e tyre pa pasoja.

Kanalet e mbyllura të ndërveprimit, më së shumti të krijuara në Telegram, iu lejojnë të gjithë pjesëtarëve komunikimin e mendimeve ultra-nacionaliste me njëri-tjetrin.

Duke u shfaqur në “agora” virtuale, mesazhet e tyre shoqërohen me gjuhë të fortë urrejtjeje kundër grupeve të margjinalizuara.

Imazhet e shpërndara lidhin frymën e bashkimit kombëtar me gjuhën e urrejtjes dhe shtyjnë në alienimin e grupeve fetare, minoriteteve etnike, minoriteteve seksuale dhe refugjatëve.

Shpesh komentohet për qëndrimet, që pjesëtarët e kanaleve kanë kundër ideologjive të majta ose migrantëve.

Firmosja e Protokollit të Migrimit Itali-Shqipëri për sjelljen e 3000 migrantëve në një kamp të ndërtuar nga shteti italian, solli një rritje të aktivitetit në këto platforma.

Nuk munguan thirrjet për organizimin e protestave dhe thirrjet ekstreme për hedhjen e molotovëve ndaj refugjatëve, për të dhënë “një mesazh” për mospranimin e tyre në territorin shqiptar.

Pjesëtarët, përmes “lirisë së të shprehurit” në anonimitet, ndajnë qetësisht me njëri-tjetrin mendimet e tyre dhe besimet lidhur me idenë e një konspiracioni për shpopullimin e Shqipërisë dhe ripopullimin me emigrantë nga vendet e Afrikës.

Mjetet për monitorimin e gjuhës së urrejtjes apo përmbajtjeve që ndjellin dhunë kundër grupeve të caktuara janë të limituara ndaj këtyre retorikave. Kjo vërtetohet qartë nga mungesa e të dhënave nga institucionet shqiptare mbi këtë trend në rritje.

Kemi vënë re gjatë hulumtimit një mungesë iniciativash për identifikimin e grupeve, që manifestojnë tendenca me potencial të lartë rreziku për dhunë.

Lëvizjet e ekstremit të djathtë në Shqipëri prej vitesh po shfaqin një aktivitet të rritur në rrjetet sociale dhe hapësirat e ndërveprimit, duke përhapur ideologjitë ultra-nacionaliste dhe duke promovuar qëndrime të kundërta me vlerat demokratike. Kjo tendencë sjell sfida të mëdha për shoqërinë shqiptare, për politikën dhe institucionet, duke nxitur nevojën për një diskutim dhe një qëndrim në mbrojtje të vlerave të lirisë, tolerancës dhe respektit ndaj diversitetit.

Ky shkrim është pjesë e projektit Laboratori i Gazetarisë Investigative, që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter