Gazetarët, ata që ngrenë zërin për të tjerët janë pa zë për veten

Autore: Dallandyshe Xhaferri

Përpara se agimi të lëshojë rrezet e para të mëngjesit, alarmi i Anilës në celularin e saj thyen qetësinë në orën pesë të mëngjesit, duke paralajmëruar fillimin e një dite që do ta çojë atë në redaksinë gumëzhitëse ku puna nis në orën 6 të mëngjesit. Si një gazetare e re që punon për një nga portalet televizive më të njohura në vend, Anila kërkon të plotësojë karrierën e saj edhe me ndjekjen e një masteri. Pavarësisht pasionit dhe vendosmërisë që ka, Anila për Sinjalizo tregon realitetet sfiduese me të cilat përballen përditë gazetarët, sidomos ata që janë të rinj në profesion.

Ndonëse gazetarët kanë fuqinë të ngrenë zërin për të drejtat që mund t’i shkelen në vëndin e punës profesionistëve të profileve të ndryshme, ata mbeten të drojtur dhe të ndarë kur vjen puna për të gjetur një zgjidhje për problemet e tyre. Frika se emri i saj i vërtetë mund të identifikohet ka bërë që Ajo në rrëfimin e saj për Sinjalizo të zgjedhë emrin Anila.

“Prej 8 muajsh punoj si gazetare në prej mediave online më të njohura në vend. Që në fillim më është kërkuar diploma, një raport mjeko-ligjor, dëshmia e penalitetit, ndonëse kontratën e firmosa vetëm 3 muaj më parë dhe ende në duar nuk kam një kopje të saj”,– thotë ajo për “Sinjalizo” duke shtuar se punon 8 orë në ditë dhe në një orë duhet të publikojë të paktën 5 artikuj të kategorive të ndryshme. Pavarësisht se çdo ditë i duhet të punojë me orare shtesë, asnjëherë nuk është paguar për to.

“Ashtu si në shumicën e mediave në Shqipëri, paga në këto 8 muaj nuk na është dhënë asnjëherë në kohë. Gjithmonë ka vonesa me periudha 2 deri në 4 javë”,- thotë Anila, e cila shton se ende paguhet me pagesë minimale.

Aleksandër Çipa, Kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë thotë se ankesat më të shumta të gazetarëve për periudhën 2023-2024 lidhen me vonesat e marrjes së pagesave mujore. Me këtë problematikë përballen gazetarët e mediave tradicionale siç janë televizioni dhe radio, por edhe ata të mediave të reja siç janë portalet.

Aleksandër Çipa, Kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

“Mediat online jo gjithnjë e kanë mundësinë të paguajnë gazetarin pasi një pjesë e tyre as nuk janë regjistruar.”,– thotë Aleksandër Çipa, duke shtuar se mosdhënia e lejes nga punëdhënësi për të shkuar për punë në një tjetër media ku gazetari mund të paguhet më shumë është shoqëruar me shtime të rasteve gjyqësore midis të dyja palëve.

Rasti i Anilës tregon një tjetër problematikë të të punësuarve në vend, atë të mosnjohjes së Kodit të Punës dhe të mosndërgjegjësimit për të kërkuar respektimin e të drejtave në vendin e punës.

Teksa tregon për eksperiencën e mëparshme si gazetare në një tjetër media online, Anilat thekson se për më shumë se 1 vit e gjysmë nuk firmosi asnjë kontratë punësimi. Për më tepër ajo u  gjend e pafuqishme për të reaguar ndaj lajmërimit se numri i stafit të gazetarëve do të reduktohej për shkak të mungesës së fondeve për realizimin e pagesave mujore.

“Mosnjohja e të drejtave si punonjës, na la të papunë duke mos pasur mundësi të bënim asgjë. Unë dhe kolegët e mi nuk kishim firmosur asnjë kontratë punë dhe siguracionet hidheshin 1 herë në 3 muaj,”- thotë ajo për “Sinjalizo”.

Sipas Kodit Shqiptar të Punës, punonjësi duhet të informohet për prishjen e kontratës së punës nga ana e punëdhënësit dy muaj përpara se të largohet nga vendi i punës. Ky afat paralajmërimi duhet respektuar nëse midis të dyja palëve është firmosur një marrëdhënie pune nga 3 deri në 5 vite. Në rast se midis punëdhënësit dhe punëmarrësit është lidhur një kontratë për më shumë se 5 vite, ajo mund të zgjidhet vetëm pas 5 viteve dhe punëmarrësi lajmërohet 3 muaj më parë. Megjithatë, punëdhënësit në fushën e medias mbeten ende larg respektimit të kësaj pike të Kodit të Punës.

Gazetarët të nënpaguar dhe të vetëcensuruar

Esmeralda Keta, gazetare e cila prej shumë vitesh ka investiguar çështje të ndryshme në vend, tregon për “Sinjalizo” se pavarësisht se tregu i punës në gazetari ka bërë hapa pozitive në krahasim me 10-20 vite më parë, ende gazetarët përballen me sfida të ndryshme, të cilat nisin që nga vonesa e pagaesave deri në 6 muaj e deri tek informaliteti, ku gazetarët një pjesë të pagesës së marrë përmes llogarisë  bankare e kthejnë dorazi tek punëdhënësi.

“Kontrata e punës në një pjesë të madhe të mediave vazhdon të jetë një dokument formal, ku gjithmonë fiton punëmarrësi dhe gazetari mund të flaket në rrugë, pavarësisht kontratës”,- thotë Keta, duke theksuar se ndërkohë që sektori shtetëror ka rritur disa herë pagat, në media pagat vijojnë statike që prej disa vitesh. Ky fakt ka rritur pakënaqësinë e gazetarëve. Një pjesë e tyre kanë hequr dorë prej këtij profesioni, ndërkohë të tjerë kanë zgjedhur të emigrojnë, pavarësisht eksperiencës së tyre të gjatë.

Sipas gazetares Keta, gazetarët nuk përfitojnë as nga ditët zyrtare të pushimit, të cilat nuk kompesohen me pagesa shtesë, ndonëse kontratat janë të hartuara në bazë të kodit të punës.

Kodi i Punës, parashikon që në rast pune ditën e pushimit javor, shpërblimi mund të jetë ose shtesë page jo më pak se 25%, ose pushim i pagueshëm, i barabartë me kohëzgjatjen e punës së kryer.

Shumë rrallë ndodh që gazetarët që punojnë në median private të marrin lejen vjetore 4 javë siç përcakton Kodi i Punës.

Këto problematika janë shoqëruar edhe me tkurrjen e lirisë së gazetarit për të realizuar me profesionalizëm punën e tij. Ndërhyrja e politikës në media dhe lidhjet e drejtpërdrejta që ajo krijon me drejtuesit e medias, ka bërë që mes gazetarëve të rritet vetëcesuara, sipas Esmeralda Ketës.

Ndërkohë për Aleksandër Çipën, një tjetër faktor që bëhet pengesë për gazetarët që të ushtrojnë profesionin e tyre me profesionalizëm lidhet me përgjigjet jo të plota, të dhëna nga autoritetet publike në kuadër të ligjit për të drejtën e Informimit.

“Autoritetet publike japin përgjigje rutinore, të përgjithshme të cilat lidhen kryesisht me faktin për gadishmërinë e tyre për komunikim, por jo me gadishmërinë e tyre për dhënien e informacionit specific të kërkuar nga gazetare”, thotë Aleksandër Çipa.

Gazetaria, nevojë për vetërregullim

Sipas një studimi të publikuar 4 vite më parë nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, rezulton se informaliteti në gazetari është një problem që vazhdon prej vitesh. 23.33% e kampionit të gazetarëve të pyetur nga i gjithë vendi thonë se nuk e marrin të plotë pagesën në llogarinë e tyre bankare.

Studimi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit mbi Të Drejtat e punës së Gazetarëve

Një nga gjetjet kryesore të këtij studimi lidhet me sigurinë e gazetarëve në vendin e punës.

“Më shumë gazetarët e rinj, se ata me përvojë, raportojnë që punëdhënësi iu drejtohet në mënyrë fyese. Ata gjithashtu ndihen të pambështetur nga kolegët, nëse kanë një konflikt me punëdhënësin. Për pasojë, janë më pak të prirur për të mbrojtur të drejtat e tyre…”,- shkruhet në studimin e Komitetit Shqiptarë të Helsinkit.

Pavarësisht problematikave shoqëruese në jetën profesionale të gazetarëve, ndërtimi i një sindikate nuk shihet si zgjidhje .

“Tri dekadat e fundit sindikatat në Shqipëri janë përdorur si kanë dashur nga të gjithë politikanët dhe në shumë raste janë përdorur si stërkëmbësha, që u kanë prishur punë punonjësve. Kjo është arsye që kur thua sindikatë shihet me dyshim, por unë mendoj se media ka nevojë për një organizim. Ka nevojë për një sindikatë, por që ti mbledhë të gjithë gazetarët nën një ombrellë dhe jo të jenë të përçarë në disa sindikata, unione apo lidhje”,- thotë gazetarja Esmeralda Keta, ndërkohë që për gazetarin Çipa Shqipëria e ka humbur kohën e krijimit të një sindikate për gazetarët, të cilët duhet të ndjekin rrugën e vetërregullimit.

Sipas Çipës, është e nevojshme krijimi i një Kongresi kombëtar të vetërregullimit të medias ku të përfaqësohen të gjitha entitetet e interesit në skenën mendiatike, si organizatat e gazetarëve, organizatat mediatike, shoqatat e pronarëve të medias, entet publike të medias si AMA (Autoriteti i Mediave Audiovizive) dhe AKEP (Autoriteti i Komunikimit Elektronik dhe Postar). “Pasi të mblidhet ky Kongres, duhet zgjedhur Këshillin Kombëtar të vetërregullimit dhe Bordi Kombëtar Ekzekutiv të Vetërregullimit. Nëse ne i respektojmë të dyja këto struktura do të kemi një tjetër realitet në fushën e vetërregullimit”,- përfundon Çipa për “Sinjalizo”

Rrëfimi i Anilës, nuk tregon vetëm për betejat e saj, por për  një fenomen që prek shumicën e gazetarëve dhe punonjësve të medias.

Nuk mund të ketë liri media kur gazetarët kanë sfida jetike dhe pasiguri të mëdha profesionale.

Ndërsa puna e përditshme për Anilën mbaron shumë kohë pasi dielli perëndon, është koha për një agim të ri në median shqiptare ku ata që ngrenë zërin për shkeljen e të drejtave të tjerëve të gjejnë forcë për të ngritur zërin edhe për të drejtat e tyre.

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter